“Zjarrfikësit që tentojnë të shuajnë zjarrin me flakëhedhës!” Orban: – NATO çdo javë po i afrohet luftës
31 Maji 2024
Planet e NATO-s që të përfshihet më shumë në luftën në Ukrainë janë si zjarrfikësit që tentojnë të shuajnë zjarrin me flakëhedhës, tha kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, më 31 maj. Orban, i cili ka raporte të afërta me Moskën, ka mospajtime me shtetet perëndimore sa i përket mbështetjes për Ukrainën, që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të saj mbi dy vjet më parë.
NATO “po i afrohet luftës” çdo javë, tha Orban, teksa ministrat e Jashtëm të aleancës po takohen në Pragë për të diskutuar ndihmën ushtarake për Ukrainën. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha një ditë më parë se “ka ardhur koha” që anëtarët e aleancës ushtarake të rishqyrtojnë disa nga kufizimet sa i përket armëve që japin për Ukrainën. Teksa liderët ukrainas po u bëjnë thirrje qeverive që të lehtësojnë kufizimet, shtetet perëndimore duken të ndara lidhur me atë nëse Ukrainës duhet t’i lejohet që të sulmojë caqe në tokën ruse.
Orban tha po ashtu se negociatat lidhur me dërgimin e trajnerëve ushtarakë francezë në Ukrainë dhe lejimi që ushtria ukrainase të përdorë armë perëndimore për të sulmuar caqet ruse ishin ide “shqetësuese” që do ta vendosnin NATO-n më afër luftës. Një mision i NATO-s në Ukrainë do të rrezikonte një luftë botërore në vend se të mbronte anëtarët e aleancës, tha Orban.
“Është absurde që NATO-ja në vend se të na mbrojë ne, po na tërheq në luftë botërore. Kjo është absurde sikurse një zjarrfikës të vendosë ta shuajë zjarrin me flakëhedhës”, tha Orban për radion shtetërore hungareze.
Raportet mes Budapestit dhe NATO-s janë përkeqësuar për shkak të zvarritjes së ratifikimit për pranimin e Suedisë në aleancë nga Hungaria – Hungaria përfundimisht e ratifikoi pranimin e Suedisë në mars dhe po ashtu për shkak të raporteve të ngushta të Orbanit me Moskën, pavarësisht luftës në Ukrainë. REL
Nga Gazeta Dita