Zogjtë e ligatinave më të mëdha në Shqipëri të kërcënuar nga nxehtësia dhe njeriu
28 Korrik 2022
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, ku ndodhet një nga ligatinat më të mëdha të mbrojtura po vuan pasojat e ngrohjes së klimës, ndërhyrjes njerëzore dhe peshkimit të pakontrolluar.
I vendosur në bregun jugperëndimor të detit Adriatik, ky territor i gjerë prej 222 kilometrash katrorë dhe një biodiversitet të madh me laguna, lumenj, pyje me pisha, kodra dhe duna, është shtëpia e 260 llojeve të shpendëve si pelikani i rrallë dalmat, flamingot, kormoranët, çafkat dhe patat.
“Zogjtë shtegtarë vijnë shumë vonë ose në numër më të vogël sepse temperaturat e dimrit në vendet ku shumohen si Gjermania, Suedia dhe Rusia janë të pranueshme për ta dhe kështu nuk kanë nevojë të lëvizin”, ka thënë Ardian Koçi, drejtor i parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta për EFE, agjenci ndërkombëtare spanjolle.
Këtë dimër, rreth 25,000 zogj mbërritën në këtë ligatinë, të përfshirë në listën Ramsar me rëndësi ndërkombëtare dhe në rrjetin Emerald, krahasuar me 36,000 vitin e kaluar dhe 42,000 në 2020, sipas një regjistrimi ndërkombëtar të shpendëve ujorë.
Mes shpendëve shtegtarë që mungojnë masivisht nga Laguna e Karavastasë, më e madhja në vend, ishin disa lloje patash që shumohen në vendet nordike ku përjetuan një dimër më të butë se normalja.
Megjithatë, numri i shpendëve shtegtarë varet edhe nga cilësia e ujërave dhe ushqimi që ata gjejnë në natyrë, tregon Koçi.
Sipas ekspertëve, periudha e folezimit të pelikanit dalmat, një specie e rrezikuar, është shtyrë nga fillimi deri në fund të janarit të këtij viti për shkak të fillimit të vonë të dimrit.
Pelikani duhej të përballej me gripin e shpendëve dhe megjithëse vetëm 3 ekzemplarë ngordhën, vetëm 3 zogj u shtuan nga rreth 80 çifte të shumimit që folezuan në një ishull të vogël në mes të lagunës.
Pasojat e ndryshimeve klimatike janë më të dukshme në fenomenet atmosferike, thonë punonjësit e agjencisë kombëtare për zonat e mbrojtura që kujdesen për parkun.
Tashmë janë të shpeshta që 2 deri në 3 herë në vit, në verë, bien shira të rrëmbyeshëm të befasishëm, të shoqëruar me erëra të forta që shkaktojnë dëme të mëdha në pyll, duke shkulur pishat 200-vjeçare.
Këto dëmtime të shkaktuara nga dukuritë natyrore i shtohen atyre të qenieve njerëzore.
Ndërtimi i digave për të parandaluar derdhjen e lumenjve Shkumbin dhe Seman dhe rreth 7 deri në 8 diga që grumbullojnë ujin e ëmbël të lumenjve në kodrat e Divjakës kanë penguar që uji i lagunës të rinovohet dhe freskohet me ujë të freskët.
I vetmi ujë që hyn është nga deti, i cili gjithashtu e ka të vështirë të depërtojë pasi tre kanalet e lëvizjes janë pothuajse të bllokuara.
Në verë uji në ligatina është më i kripur se ai i detit për shkak të avullimit të lartë, i cili rrit nivelin e dioksidit të karbonit duke shkaktuar ngordhjen e organizmave, ka thënë Koçi.
Kësaj i shtohet edhe peshkimi i pakontrolluar që pakëson sasinë e peshqve në lagunë që kapen nga rrjetat e rreth 300 peshkatarëve.
Gjithsesi, parku i Divjakë-Karavasta vazhdon të tërheqë njerëz që e duan natyrën dhe ornitologjinë, pasi numri i turistëve ka ardhur duke u rritur nga 260 mijë në 2015 në gati gjysmë milioni në vitin 2019 dhe më shumë se 468 mijë në vitin 2021, në pandemi të plotë.
Gazeta Dita