Zoi Themeli: Më 1956, Kadri Hazbiu u dorëzoi jugosllavëve gjithë agjentët tanë kosovar, Tito i vrau. –
Zoi Themeli: Më 1956, Kadri Hazbiu u dorëzoi jugosllavëve gjithë agjentët tanë kosovar, Tito i vrau. –
Nga: Kujtim Boriçi.-
“Shumë nga këta agjentë u ekzekutuan nga Tito, të tjerë u vunë me dhunë në shërbim të UDB-së. Ndërkohë, ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë nisi një valë e re genocidi”
Në seancën e 17-të të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut e bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për ‘Tradhti të lartë ndaj Atdheut nëpërmjet spiunazhit”, një nga të arrestuarit, Zoi Themeli akuzon Hazbiun për ‘shitjen’ tek UDB-ja të agjentëve kosovarë që punonin për Shqipërinë, gjë e cila solli eliminimin e tyre dhe një dëm të madh për popullsinë shqiptare në Kosovë. Në deponimin-përballje të kësaj seance, Zoi Themeli debaton ashpër me Kadri Hazbiun për këto akuza….
Seanca e 17-të
Kryetari(Aranit Çela):- Tani, çfarë ke ti Kadri Hazbiu për këto akuza që të bëhen?
Kadriu:- Në shpjegimin që dhashë pardje, theksova se, përkundër meje, është përgatitur, si në kuadrin e një plani të një intrige të madhe kundër Partisë edhe mua si njeri i saj, si një metodë që bie, spikat fund e krye, edhe përgatitja e një opinioni negativ ndaj meje….
Kryetari:- Çfarë ka këtu?
Kadriu:- Më falni, më falni….
Kryetari:- Çfarë të fal, çfarë ke, çfarë do të thuash?
Kadriu:- Dua të them këtu, që i lutem trupit gjykues, të respektohen, po të jetë e mundur, rregullat që dëshmitarët të vijnë të japin dëshmi për atë që kërkohet dhe të bëjnë dhe konsideracione. Por të mos përdoret dëshmitari si ofendues. Unë e kuptoj pozitën time ku jam, i arrestuar. Por nuk jam as tradhtar, as prostitutë, as kriminel.
Kryetari:- Ti akuzohesh për tradhti ndaj Atdheut. Shiko Kadri Hazbiu, ki mendjen kur të kërkosh nga të tjerët, duhet të kërkosh nga vetja. Se ti provokon, dashur pa dashur, nuk e di. Prandaj Kadri Hazbiu, mundohu të respektosh rregullat dhe mos i nxit.
Prokurori:- Me termin e ligjit, kështu thuhet. Është tjetër pastaj se çfarë do të bëjë gjykata. Unë nuk pres që vendimi të marrë formën e prerë. Je akuzuar për tradhti, për spiun, për puç, për terror, për komplot. Të gjitha këto terma do ti përdor. Të thirret dëshmitari Zoi Themeli. Emri Zoi, mbiemri…
Zoi:- Themeli. Emri i babait Naun, emri i nënës Theodhora, datëlindja 1918, i përjashtuar nga Partia…
Kryetari:- Të kemi thirrur si dëshmitar në lidhje me çështjen që po gjykohet e që u përket të pandehurve Xhavit Pëllumbi(Ismail Aga), Ali Çeno, Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu, Kadri Hazbiu, Gani Kodra dhe Llambi Peçini. I njeh Këto?
Zoi:- Kadrinë, Mihallaqin, Llambi Peçinin, Feçorin e Gani Kodrën, i njoh. Alinë dhe Xhavitin, jo.
Kryetari:- … Ne të kemi thirrur ty si dëshmitar të na thuash lidhur me dy probleme: E para, lidhur me ndërprerjen e veprimtarisë agjenturore kur ti ke qenë drejtor i zbulimit, në atë kohë, në atë periudhë, në drejtim të jugosllavëve. Ky është problemi i parë. Si ka qenë kjo punë dhe si e di ti. E dyta, lidhur me mbledhjen e Pragës me Ministrat e Punëve të Brendshme. Atje është bërë një propozim nga ana e delegacionit, ku ke qenë edhe ti, lidhur me këtë çështjen e organizimit të agjenturave midis shteteve edhe vendit. Këtu, si e di këtë ti, si ka qenë kjo. Këto dy çështje duam. Qartë?
Zoi Themeli:- Qartë. Në vitin 1954, pasi ne ishim të përgatitur në fund pranverë, ishim përgatitur në drejtim të Jugosllavisë si sektor zbulimi, Kadri Hazbiu më thirri mua në zyrë dhe më urdhëroi që të ndërpritet puna krejtësisht në drejtim të Jugosllavisë. E kam fjalën për punën e zbulimit. Pra, asnjë veprimtari të kryhet prej zbulimit në Jugosllavi. Me një fjalë, të ndërpritej puna e grupeve që kishim ne në thellësi, të ndërpriteshin veprimet e grupeve territoriale dhe të ndërpritej puna e agjentëve individual. Ky është urdhër, tha, dhe këtë urdhër duhet ta zbatoni. Unë sigurisht u mahnita, se një gjë të këtillë, nuk e prisja kurrë atëherë. Thash, si është e mundur?. Tha që është urdhër dhe, ju duhet të merrni masa që të mos veprohet dhe të shkelet në asnjë mënyrë ky urdhër. Si urdhëron, i thash. Shkova lart. Por para se të dilja, dhe një herë më porositi që, ki kujdes, të mos shkelet ky urdhër se është me përgjegjësi. Si urdhëron i thash, e kur shkova lart mblodha përgjegjësit e sektorëve jugosllav, kryetarin e degës e shefat e seksioneve. U komunikova urdhrin që më dha Kadri Hazbiu, duke i porositur me të njëjtat fjalë që më tha dhe Kadriu mua. Në këtë mënyrë u ndërpre veprimtaria e zbulimit në drejtim të Jugosllavisë. Dhe sigurisht, u ndërpre informacioni që merrnim ne mbi veprimtarinë e titistëve kundër vendit tonë dhe kundër popullsisë shqiptare në Jugosllavi.
Kryetari:- E pyete ti Kadri Hazbiun a di gjë, a çfarë urdhri qe ky, a ku u shkrua ky urdhër a kush ja dha këtë urdhër?
Zoi:- Unë them që të bëhet vetëm një ndërprerje. Ky, Kadriu, më tha që ky është urdhër dhe kjo do të zbatohet pa tjetër.
Kadri Hasbiu
Kryetari:- Po di gjë ti, ke biseduar gjatë kësaj kohe me njeri andej nga…, ç’të them unë që ka ndonjë urdhër të tillë? A ke pyetur mos ka ndonjë urdhër se ne nuk e gjejmë, ka ndonjë urdhër të shkruar, a ku ta gjejmë, a ka direktivë a..?
Zoi:- Asnjë gjë nuk di, që të jetë dhënë direktivë që të ndërpritet puna në drejtim të Jugosllavisë. Kjo ka qenë. Dhe ne e ndërpremë.
Kryetari:- Po jugosllavët veprimtari kundër vendit tonë zhvillonin? Di ti si drejtor zbulimi? Të pyes si qytetar… Si ka qenë aktiviteti i jugosllavëve, ka pasur aktivitet?
Zoi:- Unë nuk di gjë. Ata, deri atëherë punonin.
Kryetari:- Për atë them unë, që deri atëherë punonin, të dhëna agjenturore kishte…..
Zoi:- Të dhëna agjenturore kishte….
Çështja e dytë, ajo e Pragës?
Zoi:- Më falni. Mund të ndërhyjë në një çështje tjetër që lidhet me
këtë. Në vitin 1956, mga mezi i korrikut a gushtit, kështu, s’mbetën më as 6 muaj, Kadri Hazbiu me Mihallaq Ziçishtin ju dhanë titizmit një numër kosovarësh patriotë. I dorëzuan pa vënë në dijeni fare organet e zbulimit dhe pa u konsultua aspak me ne. Pas disa ditëve si ndodhi kjo, një nga punëtorët tanë operativë me origjinë kosovare, më vjen mua. Më thotë: Zoi, si është e mundur që dorëzohen kosovarët. Unë u habita. Ç’është kjo që më thua, i thashë atij. –Po, janë dorëzuar kosovarët dhe njëri nga ata , Shaban Braha, është hedhur nga Makina dhe ka vrarë veten. Ata janë patriotë, unë nuk e kuptoj”- më thotë ai. Unë u impresionova tepër, zbrita poshtë tek Kadri Hazbiu dhe i thashë që ç’po bëhet, si është e mundur që të dorëzohen kosovarët! Ai më tha: Jo more, kemi dorëzuar nja dy spiunë të Titos të cilët paraqisnin rrezikshmëri për vendin tonë! Si është e mundur thashë, që këta spiunë të Titos të hidhen nga makina dhe të vetëvriten!?. I thashë se kjo nuk ka mundësi, pasi po të jetë agjent i UDB-së, ai nuk ka pse të hidhej nga makina e të vritej. –Ka ndodhur dhe ndonjë përjashtim, por nuk do të ndodhë më– më tha Kadriu. Por vonë mësova se gjithçka ishte bërë, me dhjetëra kosovarë ishin dorëzuar e ata patën fatin e keq, ranë në dorë të titistëve… Në këtë kohë, u krijua një gjendje shumë alarmante tek bashkëpunëtorët tanë, të cilët kishin luftuar kaq kohë kundër jugosllavëve për të mirën e Atdheut, për të mirën e Shqipërisë dhe ne ua dorëzuam Titos. Shumë prej tyre, trima, ikën, tentuan të arratisën dhe në Greqi… Bile, një nga më trimat që ishte dhe përgjegjës i grupit që u arratis në drejtim të Greqisë, u kap atje nga rojet tona kufitare. Kur u kap nga rojet kufitare ky, ne na njoftoi Korça(dega e brendshme) për ngjarjen… Atëherë unë zbres tek shoku Kadri dhe i them që filani, desh të arratisej dhe u kap në Korçë. I thash Kadriut, të lutem, jep urdhër ta lirojnë menjëherë, përndryshe, ne do të kemi gjëra të jashtëzakonshme me bashkëpunëtorët tanë. Lirimi i tij, do i qetësojë ata. Këtë e pranoi Kadriu dhe dha urdhër. Unë mora Korçën në telefon dhe i dhashë urdhër kryetarit të degës ta lironte.. I thashë gjithashtu, ta ndihmonte që të vinte në vendin e banimit në Kavajë, të ishte i pa shoqëruar dhe ti thuhej se kështu ka urdhëruar filani (Kadriu). E liroi Korça, e ndihmoi të vinte, e ai erdhi në Kavajë. Unë në atë kohë u ngrita dhe shkova në Durrës. Mora kryetarin e degës, Lilo Zenelin, e bashkë me ‘të (pas dy ditësh kjo), shkuam atje në vendin e tij të punës, në qëllim që të mos krijohej përshtypje e keqe për ‘të…. Biseduam shtruar me atë dhe e qetësuam. Por na u desh një punë tepër e madhe për ta bërë me gjithë bashkëpunëtorët tanë, derisa i qetësuam. Çfarë ndodhi? Ne na u prenë burimet informative dhe nuk kishim asnjë mundësi të mësonim se çfarë ndodhte në Kosovë dhe sa kosovarë ishin dorëzuar. Kjo u bë, siç thashë, pa na vënë në dijeni ne fare. U bë pa marrë asnjë mendim nga ne. Dhe unë them me plot gojën, shumë konspirative, për zbulim, ne mësuam siç fola më parë.
Kryetari:- Po mirë një gjë të tha ai, apo i the ti po mirë mo, pse e bëjmë këtë, pse bëhet kjo punë që dorëzohen kosovarët…
Zoi:- I thashë, siç shpjegova edhe më parë, por ai më tha: Po dorëzojmë vetëm disa spiunë….
Kryetari:- E more vesh ti, ishin spiunë këta?
Zoi:- Këta kosovarë që ishin patriotë, që kishin luftuar kushedi sa kohë kundër titizmit, dhe si të tillë kishin ardhur në vendin tonë , titizmit i nevojiteshin. Pasi kaluan andej, siç e mësuam ne më vonë me kanale të tjera, pasi shkuan 6 muaj, një vit, një vit e gjysëm, sepse burimet jugosllave na shteruan, sapo ishin kaluar në Jugosllavi, këta njerëz ishin lidhur për qafe me litar hallka, u kishin vënë dhe çengela në hundë dhe i kishin tërhequr rreth kufirit, në fshatrat kufitare. Kishin mbledhur popullin e fshatrave dhe u thoshin: Shikoni këta, u arratisën në Shqipëri! U shoshin fshatarëve: Ja Shqipëria i dorëzon këta, dhe ju po të arratiseni në Shqipëri, kështu do ta pësoni. Gjatë kësaj kohe, edhe i rrihnin këta njerëz që kishin punuar për ne. Pas kësaj, shpërtheu një operacion mjaft i madh në Kosovë që të rrëqethen mishtë kur e shpjegon. Titistët kishin hartuar plan e po punonin me çdo mjet për të shkombëtarizuar Kosovën. Rreh 390 mijë shqiptarë, i kthyen me forcë në turq dhe i dërguan në Turqi si të tillë. Paralel me këtë ata zhvilluan operacionin e çarmatimit, për të likuiduar trimat e njerëzit më patriotë. Gjatë këtij operacioni, pjesa dërmuese e kosovarëve ka ngrënë dru, është shtruar në dru prej titistëve. Ndërsa qindra patriotë janë vrarë me tortura, me masakra dhe ka pasur vende, sa me kufomat e tyre janë mbushur puset e ujit.
Tani del një pyetje, më falni se po e bëj vetë këtë pyetje. A do të arrinin titistët të kryenin këtë krim kaq të shëmtuar kundër popullsisë shqiptare, vëllezërve tanë të Kosovës, në rast se nuk do të mbylleshin rrugët e agjenturës, zbulimit dhe do të mbyllej rruga e arratisjes së kosovarëve në Shqipëri? E them me plot gojën, jo! Asnjëherë s’mund të arrihej. Ne ishim në gjendje po të vazhdonim punën si zbulim që të merrnim informata e të zbulonim planin e titistëve përpara se ata ti vinin në zbatim…
E dyta, në rast se nuk do të kishte vepruar kështu me kosovarët që u dorëzuan ën atë formë tek titistët në vendin tonë patjetër do të kishin ardhur qindra kosovarë dhe do të kishin shpëtuar… Ata do i jepnin Partisë tonë material për të gjithë veprimtarinë kriminale të titistëve, të cilat do të vlenin për një demaskim të veprimeve kriminale të jugosllavëve. Kjo do të ndihmonte shumë ata, që të mos e kryenin atë veprim që kryen.
Kryetari:- Zoi Themeli, në lidhje me atë çështjen e Pragës?
Zoi:- Në vitin 1958, u bë mbledhja e Pragës ku do të merrnin pjesë ministrat e brendshëm, shefat e zbulimeve dhe anëtarë të tjerë të zbulimit. Aty në Pragë shkuam edhe ne. Këtu, nga ne ishte Kadriu, unë, Jonuz Mersini dhe përkthyesi, të cilit, të më falni, ja kam harruar emrin. Pra ishim 4 vetë. Në këtë mbledhje morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha vendeve të demokracisë popullore. Kur vajtëm në Pragë, ne na vendosën në një kuvend jezuitësh, që ju mund ta merrni parasysh, një vend që rrethohet me mure e pallate. Brenda mbetet oborri ku shëtisnim dhe që nga jashtë, nuk duket asgjë. Atje kishte dhoma të veçanta, dhe jemi vendosur. Që kur vajtëm aty, Kadri Hazbiu mori disa herë kontakt me Shelepinin… Se çfarë bisedonte me Shelepinin, nuk e di….
Kryetari:- Shelepini ishte ministër i punëve të Brendshme, kryetari i KGB-së?
Zoi:- Shelepini ishte ministër i Brendshëm i Bashkimit Sovjetik.