“Zonja nga Parga” – (Mbresa për një libër të Enver Kushit)
“Zonja nga Parga” – (Mbresa për një libër të Enver Kushit)
9 shkurt 2020
Në këto kohë është bërë krejt e zakonshme që, në të përditshmen tonë të na vinë njoftime apo ftesa për aktivitete të ndryshme, për promovime librash, për shfaqje teatrore, për koncerte artistike, për përvjetorë ngjarjesh dhe vitesh apo të tjera të këtij lloji.
Gjithkund ndeshesh me një pafundësi afishesh, që njoftojnë dhe ftojnë papushim.
Por, jo gjithmonë ndodh, që të nisesh me këtë ëndje për të marrë pjesë aty ku je ftuar dhe kjo, jo rastësisht. Ndjej, se dua ta them që në krye të fjalës që, erdha në këtë aktivitet me një shtysë të veçantë për dy arsye, sepse:
Sapo e kisha lexuar këtë libër për të cilin kemi ardhur dhe u mrekullova prej tij!
Dhe tjetra, po aq e rëndësishme, novela “Zonja nga Parga“ ka autor mikun dhe shokun tim të kahershëm, Enver Kushin dhe unë, nuk mund të rrija pa ardhur e pa i thënë: Të lumtë Veri, për këtë mrekulli që na ke sjellë!
Prej vitesh e kam ndjekur krijimtarinë e tij, që në botimet e para dhe kësisoj e njoh mjaft mirë, aq sa edhe nëse lexoj diku një tregim dhe s`është emri, sapo e mbaroj leximin them: kjo është prozë e Enver Kushit!
Ka diçka të veçantë në gjithë çka ai shkruan, ka një frymë magjike se si i gërsheton ngjarjet, si i shtjellon ato, se si i portretizon personazhet që hera herës të duket sikur vinë nga tejkoha, sikur dalin nga mitet apo legjendat dhe frymojnë e flasin përballë nesh dhe, po aq e veçantë dhe vetëm e tij është mënyra, se si ta përcjell, mesazhin që ka dashur të thotë, me sa delikatesë dhe ngrohtësi aqsa ti, jo vetëm e lexon, por bëhesh pjesë e tij, mbetesh i zhytur në vorbullat e rrëfimit dhe e mbyll librin me kënaqësinë që ke marrë e ndërkohë vazhdon të të ndjekë apo të të shoqërojë pas, jo vetëm ngjarja, jo vetëm personazhi, por gjithë fryma që i përshkon ato.
Krijimtaria e Enverit nga një libër në tjetrin, ka stilin e vet, të pandryshuar, përherë intrigues, me një tis real dhe sureal, të harmonizuar mjeshtërisht aqsa, të duket sikur një dritësim qiellor vjen pranë teje, të merr përdore dhe ti e ndjek me ëndje teksa je përherë nën këtë vezullim, i mrekulluar prej saj dhe dëshirëplotë për të qënë sa më gjatë pranë kësaj drite.
“Zonja nga Parga“ është një novelë e shkruar me shumë dashuri, sikur është shkruar me një frymë, pa u ndalur, pa kërkuar, por veçse duke rrjedhur e gurgulluar. Ajo zonjë, tashmë edhe pse mban vite mbi shpinë dhe është e plakur, çuditërisht duket veçse e bukur, veçse e mire në gjithçka, sepse atë e shoqëron pandërprerë apo më mirë i bën dritë ngrohtësia e fjalës, butësia e rrëfimit, ëmbëlsia e mallit për të parët e saj, që ikën e nuk i pa më kurrë, duke lënë pas zemrën e saj pafundësisht të zhuritur.
Dialogët e rrallë me të folmen e dialektit çam, në kujtimet që ajo sjell, në mirësinë që mbart, në dhimbjen që shpalos, në rrugëtimin e trishtë të jetës së saj, të krijojnë idenë sikur janë fjalë që vinë përmes fërfërimës së degëve të ullirit, sikur pikojnë jetë nga fruti i portokallit apo limonit të Çamërisë, sikur përhapin aromën e detit, sikur pulsojnë nga drita e Pargës, Prevezës, Filatit, Artës, Morfatit… dhe nuk di se si, por pas leximit, më lindi ky mendim, Zonja nga Parga vjen tek ne, si një degës ulliri nga Çamëria.
Është e habitshme se si edhe pse je duke e lexuar, nga njëra faqe në tjetrën të vinë zëra, të vinë tinguj, të vinë klithma dhe ulërima dhe krejt natyrshëm ndjen se përmes figurës së kësaj zonje, të vjen pranë gjithë Çamëria me dhimbjen, me plagët, me shtegtimin, me brengën e madhe, që s´po mundet të rikthehet në ato troje. Zonja nga Parga, është vetë Çamëria, e dhunuara, e masakruara, e përmalluara gjer në deje. Zonja nga Parga është vetë Çamëria, Çamëria, që ruan amanete, Çamëria, që me dritën e fjalës përcjell mesazhe, Çamëria, që me zërin e shpirtit ushqen brezat!
Dhe sot, na mblodhi këtu një bir i Çamërisë, një shkrimtar i talentuar, një tregimtar i veçantë, një njeri, që i shkon përshtat cilësori „i miri“ Enver Kushi.
Në këtë novelë, nga njëra faqe në tjetrën trokon apo më mirë rrjedh një rrëfim që ka qënë i ndrydhur për vite e vite me radhë në një jetë të tërë njerëzore dhe befas, Zonja nga Parga çmështjell lëmshin e mbledhur brenda shpirtit të saj duke shpalosur gjithçka, dhe kësisoj para nesh vinë njëri pas tjetrit gjithë dashuritë e kësaj gruaje, gjyshi dhe gjyshja, babai dhe nëna, motra, burri dhe djali, Suli dhe Parga, deti dhe mali e pas tij, Shqipëria, vendi ku gjetën strehë dhe prehen ata, të parët e saj, ata që i munguan gjithë jetën dhe i shfaqeshin vetëm në ëndrra, aty, ku ajo në përçartje ngre zërin dhe thërret: Kthemë edhe njëherë në atë vend, të dëgjoj zërin e të parëve të mi! “Kthemë në atë vend“, është thirrja e fundit e shpirtit të saj, ashtu siç është dhe kumbon edhe sot, kjo dëshirë e etur e çdo zemre çame.
Është bukur kur vjen në një promovim dhe merr emocione mbresëlënëse, por është tej së bukurës, tej njerëzores kur mëson se këtë festë për librin e Enver Kushit, e ideoi dhe e mbështeti një tjetër bir i Çamërisë! Respekt për ju, z. Alket Veliu dhe gjithë komunitetin çam që i bëheni mbështetje njëri tjetrit dhe ju kemi sot të pranishëm në këtë sallë!
Jeta e kujtdo ka të përpjetat dhe tatëpjetat e saj, ka ecjen në përditshmërinë, ka ngjarje të gëzuara siç ka edhe nga ato që s`do të donim t`i kishim, por është fat në jetë të kesh miq të mirë! Njëri prej tyre është Enver Kushi, që rendi për të na njoftuar, për të na pasur pranë, që na mblodhi në ditëgëzimin e tij, ai për të cilin kemi se ç`themi, kemi se çfarë të tregojmë dhe sot, na dha rastin ta urojmë dhe ta duartrokasim.
Urime, mik i dashur!
Gazeta Dita