Zonjat Vlonjate ne penen e Shtjefen Gjecov Kryeziut, 1920*.
(Ripublikohet me rastin e “Vitit te 150 Vjetorit te lindjes se Shtjefen Gjecov Kryeziut”.
– 24 Shtator 2024
“… Këtu far fanatizmet nuk ka, zojat muslimane t’Vlonës nuk ishin si fanatiket e Shkodres e të atyne anve…”.
Mbasi nuk mujta me ju nisë letrën tjetër të shkrueme me 10 të kti mueji, po më kandet me ju shtue edhe pak rrjeshta, e shpresa më mban, se edhe nder sy t’Uej kanë me pasë nji rendësi të madhe, tuj kenë se punohet për nder të Urdhnit t’onë e për të mir të Atdheut tonë të dashtun.
Zotnit e këtij qyteti të Vlonës, kishin pasë ndermendë me çilë nji konvikt femnuer për bijat e tyne, tuj mendue me gjetë mësojse, me ju gjetë vend të mirë e të shendoshët, me ju goditë shpien për nja 100 (njiqind) vende, me veshë e mbathë, me hae e pije e me të gjithaq, i lypen, vetë qyteti me u perkujdesue për varza e per msojse.
Ket mende të mirë të Zotnive të Vlonës Z. D. Marku m’a zbloi mue në këto ditë, e si ky zotni ishte kenë perkujdesë me gjetë msojse për ketë qellim t’madhnueshëm, por mbas dishirit t’zotnive të Vlonës. Por trazim mbas trazimit kjo punë na kishte mbetë deri më sod pa u qitë në punë. Mendimi i lavdueshëm i z. D. Markut ishte kenë, qi ket konvikt mos me jau lanë në dorë laikëve, por ndoi institutit rregulltar, e zotnit e Vlonës ja kishin pelqye mendimin. Zelli i posaçem i ketij konvikti asht i zotnive muslimanë të ketij qyteti e merret vesht, se ka me ardhë puna tuj u xe e edhe te ortodoksit, si të çilet konvikti.
Me z. Dom Markun ramë me nji mende, qi drejtimin e këti konvikti t’u a napim motrave Stigmatine, të cillat, me ato veti e zell për të mkambun të masës së re, qi kan pasë gjithherë, kan me hi në zemer të këti populli, qi aq fort terhiqet mbas qytetnimit e mbas perparimit.
At fort i Nderueshëm, tuj kenë, se vlonjakët janë atdhetarë të flakët, pergjithsisht tuj folë, kishin me u dashtë kater stigmatine nder ma zelltare e pa tjetër të jenë shqyptare. Ju mundeni me folë me stigmatina, mundeni edhe me ju a mbushë menden, qi mos të tremben për ajer a klimë, se nuk ishte i dobët siç e rrefejshin andej kah Shkodra. Në ndreqshi punë me stigmatinat më bani me dije, se unë me z. D. Markun kena me u rrek me i pergaditë punët me zotnit e ketuhes, si të jetë ma mirë e ma mbarë.
At fort i Nderueshëm, me ju rrefye të drejten, unë nuk kisha besue kurrë, se do të gjeja këtu nji element aq të ndershëm e aq zelltar për perparim. Tash ka me ju ra rasa me ardhë këtu e keni me u vertetue vetë. Këtu far fanatizmet nuk ka, zojat muslimane t’Vlonës nuk ishin si fanatiket e Shkodres e të atyne anve. Këto ku të jetë puna e patriotizmës i gjenë me çdo rasë gadi me kremtue me madhëni ditë qi të jenë në shenjë, sikurse janë tuj u ba gadi per me pritun me lumëni burrat e dheut, që e liruen Vlonën me nji trimni të pashoqe, të cillët do të hynë ngadhnjyesa në ketë qytet me 18 të ketij mueji, e lagjia tjeter e luftarve me shumicë të madhe, do të hinë në ket qytet me 2 të vjeshtës së parë, e edhe ato do të priten me madhëni prej zotnive e zojave, sidomos muslimane të ketij qyteti. …
Vlonë, 17 të gushtit 1920.
*) Fragment i Letres se Gjecovit nise Pal Dodajt. Pergatiti per botim Jaho Brahaj