Zoti kryeministër errësira nuk e ul numrin e të uriturve, vetëm sa shton numrin e të zemëruarve
Zoti kryeministër errësira nuk e ul numrin e të uriturve, vetëm sa shton numrin e të zemëruarve
26 PRILL 2020
Nga Andi Bejtja
Në shekuj, fatkeqësitë natyrore, pandemitë, kanë qenë, janë e do të mbeten kohë të arta për diktatorët, autokratët: se mos harroj dhe të korruptuarit.
Duke përdorur frikën e arsyeshme të njerëzve për pandeminë, diktatorët e autokratët në të gjithë globin po punojnë më shpejt se shkencëtarët që po mundohen të gjejnë vaksinën, për të zgjeruar pushtetin e tyre me ligje të posaçme antikushtetuese, që mund t’i mbajnë edhe pas pandemisë, siç është rast Orban në Hungari, apo si edhe në Serbi, ku Vuçiç po me ligj të posacëm është personi i vetëm që mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme (për të mos shkuar në qindra raste më të largëta në të gjithë globin).
Në fakt, këta dy liderë ballkanikë, në këtë kontekst, më duken më të ndershëm se Rama, që me opozitën reale jashtë parlamentit dhe me një sistem të paralizuar gjyqësor, nuk ka nevojë të implementojë shumë “ligje të posaçme” për të justifikuar sjelljen e tij si i Gjithëpushtetshëm.
Teksa në vendet e stabilizuara, me raport funksional të mekanizmave “check and balance”, kjo frikë reduktohet, a mund t’i imagjinojë njeri rezultatet në një vend si Shqipëria: pa sistem gjyqësor, pa opozitën në Parlament, me shumicën e mediave të blera dhe me një person në pushtet që gjatë gjithë viteteve në politikë dhe si kryetar partie dhe si kryetar Bashkie dhe si kryeministër, ka një raport komplet në shpërpjestim të zhdrejtë me ligjin dhe burokracinë? (në kuptimin e mirë të fjalës për këtë të fundit si term).
Në këtë kontekst, thirrjet për transparencë duhet të jenë ulëritëse, të kalojnë në nivelin e protetestës: nga ana e opozitës, shoqërisë civile, medias, madje dhe mjekëve, sidomos atyre që janë në vijën e parë, si edhe të Presidentit të vendit, që nuk ka pse e kosit barërat e këqija me kosë kur ka pesticide.
Por, kjo është njëra anë e medlajes. Medalja ka dhe një anë tjetër. Në këtë telenovelë pandemie disa autokratë do forcohen e do bëhën më diktatorë, por disa të tjerë dhe do rrëzohen, sidomos në vendet e varfra dhe më pak të zhvilluara ekonomikisht, ku si zakonisht llogaria apo fatura e luftës vjen shumë më shpejt se në vendet e tjera.
Rrjeta e propagandës mund të vazhdojë të jetë e fortë për sa kohë flitet për Covid-19, por sa të fillojë seriali i ekonomisë, ajo do të fillojë të çahet. Ndoshta është nga herët e para që RamaPropaganda ka një afat skadence me datë të qartë, të shkruar të bardhë mbi të zezë. Afërmendsh në Shqipëri do ketë më shumë zemërim, më shumë uri se në shumë vende të tjera…
Mjafton të sjellësh ndërmend një specifike që gati një e treta e fuqisë punëtore janë punëtorë sezonalë nëpër Europë dhe në vendet fqinje dhe këtë herë do ngelin për një kohë të gjatë si miza në gotë… Dhe dihet, fatura rrjedhimisht do t’i shkojë vetëm njërit.
Ka jo pak poltikanë që e dinë këtë lojë, e luajnë në heshtje, ose e kanë fare të qartë që kjo qeveri që është kthyer thjesht në një bankë që krediton klientët e saj për koncesione, që ka për t’i paguar 140 milionë euro Beketit, nuk do jetë në gjendje të përballet dot me këtë faturë që bëhet dhe më e madhe dhe për shkak të keqqeverisjes në këto 7 vite.
Stërmundimi e propaganda për ta paraqitur paketën ekonomike të njëjtë në përqindje me vendet e tjera në raport me GDP, kur në të vërtetë është e kundërta, është paketa më e vogël në Europë (shiko hartën e botuar nga Fondi Monetar) do të shuhet shumë shpejt, aq shpejt sa nuk na e merr mendja.
Ata që i gënjen mendja se errësira do të ulë numrin e të uriturve, e kanë gabim: errësira vetëm do të shtojë numrin e të zemëruarve, që bashkë me shtëpinë e të gjithëpushtetshmit, mund të shkatërrojnë dhe shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë.
Ndaj, Trasnparenca në këtë sfond nuk është thjesht një detyrim ligjor për Kryeministrin dhe Qeverinë, por vaksina e vetme për të mbajtur në këmbë Shqipërinë.
Unë, mediatikisht dhe personalisht, do të kërkoj transparencë ditë për ditë: le ta fillojmë të dy sot kryeministër me dy gjëra të vogla, lehtësisht të realizueshme, jam i bindur dhe të do ndjehesh më i lehtësuar nga kjo peshë e madhe që të ka rënë këto kohë….
E para, mund të na thuash kush është kryetari i të ashtëqujtuarit Komitet i Ekspertëve me të cilët ke marrë vendimet për menaxhimin e pandemisë, dhe e dyt, që po ta kërkojnë të gjithë dhe që është aq e lehtë: publiko listën e emrave të atyre që kanë përfituar ndihmën ekonomike. Kaq për sot, dhe mos harro atë që thashë më parë: Errësira nuk e ul dot numrin e të uriturve, thjesht dhe vetëm shumëfishon numrin e të zëmëruarve e kjo nuk është mirë për asnjë nga ne.
Gazeta Sot