Zoti ministër je sylesh apo hajdut? Në të dyja rastet duhet të largohesh!

Redaksionale

Tani është pranuar edhe nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri se firma fituese e lotit të parë të Unazës së Re, Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja, e njohur si firma D.H Albania, ka falsifikuar dokumentet dhe për këtë tenderi është anuluar.

Po ashtu, gjithnjë sipas ministrit, edhe tenderi i fituar nga e njëjta kompani fantazëm në OST është anuluar.

Gjithnjë sipas tij shteti shqiptar nuk paskësh humbur asgjë. Për falsifikimet e bëra çështja, gjithnjë sipas Gjiknurit, është paraqitur në prokurori dhe me këtë dikasteri tij i ka larë duart nga gjithçka mund të lidhej me të.

Strukturat përgjegjëse për tenderat, në ARRSH dhe në OST, nuk e paskan detyrë ligjore të verifikojnë dokumentet e paraqitura dhe, pikërisht për këtë ata nuk bartin asnjë përgjegjësi ligjore, meqë dhe falsifikimi “është bërë jashtëterritorit” (!)

Ky ishte thelbi i deklarimit të ministrit, i cili, pasi shfaqi edhe mendimet e tij për ngjarjet dhe se si mund të operohet në të ardhmen, u largua i qetë, si një guru indian.

Disa gjëra mbetën jo vetëm pa përgjigje, por edhe të detyrueshme për t’u zbardhur:

Të dy tenderët kanë lidhje të drejtpërdrejtë me dikasterin që drejton zoti Gjiknuri. Ministri mund të lajë duart si ai Pons Pilati i lashtësisë, por, faktet janë kokëfortë: Një firmë fantazmë, në pak ditë fiton dy tenderë me mbi 30 milionë euro vlerë! Kush e rekomandoi këtë firmë fantazëm në dy tenderë kaq të rëndësishëm?

Kush fshihet pas një djali 26 vjeçar, recepsionist spitali?  Cila ishte lidhja mes biznesmenit pas tij dhe titullarëve ose titullarit në këtë dikaster? Kaq leshko janë drejtuesit në këtë ministri sa të mos marrin as mundimin të pyesin se nga doli ky djalthë recepsionist, përfaqësues i një firme amerikane me mbi 2500 punëtorë në të gjithë vendin dhe si është e mundur që oferta e tij ishte në limitin e mundshëm? Si është e mundur që një recepsionist të jetë kaq i informuar?

Si i mësoi kaq shpejt rregullat e hekurta të tenderëve recepsionisti që nuk kishte asnjë lidhje me ndërtimin, aq më tepër edhe të krijojë besimin se ky është më i miri i mundshëm? Në ARRSH dhe as në OST nuk dinë gjë fare?

Të besosh se kjo është e gjitha një rastësi duhet të jesh miop i madh.

Zoti ministër, në të gjithë botën, nëse do të kishin plasur dy skandale të kësaj përmase, më e pakta që do të ndodhte do të ishte largimi juaj i menjëhershëm nga posti.  Je sylesh apo hajdut? Këtë le ta zgjidhë drejtësia që shpresojmë mos jetë më ajo e dikurshmja, por në të dyja pandehmat, ju duhet të largoheni.  Sa më shpejt, aq më mirë!

Gaz.: Dita