Zyrtari i lartë i Departamenti Amerikan i Shtetit mirëpret vendimin e Kosovës për propozimin evropian: Tani duhet zbatim!
11 Shkurt 2023
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka mirëpritur vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, pas një bisedë telefonike që e ka pasur të premten me kryeministrin, Albin Kurti.
Në një postim në Twitter, Chollet tha se tani ka nevojë për zbatimin e propozimit evropian, i cili sipas tij, do të sigurojë përfitime të rëndësishme për të dyja vendet.
Pas Cholletit, ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ka shpërndarë postimin e tij dhe ka shkruar se SHBA-ja do t’i mbështesë plotësisht hapat e ardhshëm për propozimin e BE-së.
“Ky progres është i rëndësishëm për Kosovën pasi ne mbështesim integrimin e saj të plotë në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare”, ka shkruar ai.
Më 6 shkurt, pas një takimi me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pranon propozimin e bllokut evropian.
Ai tha se e konsideron këtë propozim si “një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.
Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Së fundmi, SHBA-ja dhe BE-ja kanë intensifikuar angazhimin e tyre që të shtyjnë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së – proces që ka mbështetjen e SHBA-së – që nga viti 2011.
Ky proces synon normalizimin e plotë të raporteve, përmes një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme. Por, palët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket përfundimit të negociatave. Kosova kërkon që marrëveshja eventuale të përfshijë njohjen reciproke, por për Serbinë njohja është “vijë e kuqe” dhe Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL