18 Mars 2025

Një prind solli shqetësimin e tij për Qendrën Kulturore të fëmijëve në Lezhë, që është në varësi të bashkisë. Për kurset jashtëshkollore të kantos apo veglave muzikore prindërit paguajnë deri në 30 mijë Lekë ora.

“Unë jam një prind nga qyteti i Lezhës, kam një vajzë të cilën doja që ta regjistroja tek Qendra Kulturore e fëmijëve për kanto dhe kur shkoj atje për të regjistruar ora e kantos ishte me pagesë. Drejtoresha më thotë që është privatisht dhe se duhet që të flasësh me zyshën, sepse është privatisht. Ndërkohë që unë e dija se janë pa pagesë, që i ofron bashkia. E pyeta për veglat muzikore që janë pa pagesë dhe më tha që nuk ka asnjë vegël muzikore që është pa pagesë. E pyeta se përse dhe më tha që e ka hequr ministria këtë ligj, ndërkohë që kurset e tjera për t’u zënë kohën fëmijëve le të themi, ishte vetëm piktura dhe anglishtja pa pagesë. Sigurisht që e çova, sepse nuk kisha se ku ta lija fëmijën, por kam paguar 3 mijë lekë të reja orën. Zysha vjen pasdite dhe mesa informacione më dhanë aty zysha vinte nga Tirana për të dhënë mësim për kanto”, tha denoncuesja

Këtë pagesë e konfirmoi edhe drejtoresha e QKF, duke thënë se mësuesit janë privat.

Qytetarja: Doja të pyesja pak për regjistrimin e djalit!

QKF Lezhë: Për?

Qytetarja: Për kanto! Këtu te qendra juaj, se ne tani jemi transferuar këtu.

QKF Lezhë: Duhet me fol me zyshën!

Qytetarja: Pak a shumë, ta dija si procedurë. Si është? Ç’a letrash kërkohen? Ç’a duhet të sjellë?

QKF Lezhë: Jo aty zysha është privatisht në atë, se e paguan vetë edhe flet vetë direkt me atë, nuk besoj se ka…

Qytetarja: Ah, e bën privatisht zysha.

QKF Lezhë: Po!

Qytetarja: E kuptova!

QKF Lezhë: Vjen pasdite ajo, nuk është tani. Ne thjesht i angazhojmë nëpër të gjitha aktivitetet, që organizojmë i nxjerrim në skenë. Detyra jonë është t’i promovojmë, t’i nxjerrim kudo, si këtu si edhe jashtë Lezhës.

Qytetarja: Domethënë ta sjellë këtu djalin te qendra këtu?

QKF Lezhë: Po, po këtu vjen ajo, zënë zyrën time këtu, se ka muzikën, ka kompjuterin, se vetëm këtu ka internet edhe punon me kompjuterin këtu.

Qytetarja: E kuptova!

QKF Lezhë: Unë dal jashtë, futet ajo.

Qytetarja: Tani ç’a kursesh të tjera ofrohen falas këtu, që t’ia…?

QKF Lezhë: Pikturë dhe anglisht!

Qytetarja: Që ofrohen pa pagesë?

QKF Lezhë: Po e ka pa pagesë pikturën dhe anglishten. Anglishten e ka ditë të enjte, pikturën ditë të premte.

Qytetarja: Kurse për veglat muzikore, gjërat e tjera…

QKF Lezhë: Jo! S’ka! Është vetëm shkolla “Besëlidhja”.

Qytetarja: Qendra këtu nuk ofron..?

QKF Lezhë: Jo, them se jo. Është shkëputur nga Ministria e Arsimit tani edhe nuk është se…

Po si funksionon në Tiranë? Të gjitha kurset janë pa pagesë dhe paguhet vetëm një tarifë regjistrimi 15 mijë lekë të vjetra në vit.

“Stop” u interesua në Bashkinë e Tiranës dhe bashki të tjera, ku thuhet se nuk ka asnjë pagesë për asnjë kurs, pasi të gjitha mbulohen nga bashkia. Kushti i vetëm është, të kesh prirje dhe të jesh nxënës i sistemit parauniveristar.

Qytetarja: Dua të pyes pak për kurset, që ofrohen këtu, se kam dy fëmijë dhe dua, që ti aktivizoj pasditeve.

QKF Tiranë: Problemi është. se kurset mbyllen në orën 3.

Qytetarja: Në orën 3?

QKF Tiranë: Se nuk kemi fëmijë, që kërkojnë kurse pasdite.

Qytetarja: E kuptoj. Janë nga mëngjesi deri…

QKF Tiranë: Nga mëngjesi deri në 3, që është orari.

Qytetarja: Po deri në orën 3 dhe çfarë kursesh ofrohen pak a shumë?

QKF Tiranë: Kurse ka pikturë, balet, skenografi, kostumografi, piano, violinë, aktrim, këngë.

Qytetarja: Kanto, këto?

QKF Tiranë: Po!

Qytetarja: Këto janë me pagesë, pa pagesë?

QKF Tiranë: Këto janë me 15 mijë lekë të vjetra, quhet jo pagesë, por quhet tarifë regjistrimi për vitin. Nuk ka pagesë.

Qytetarja: Paguaj njëherë këtë!

QKF Tiranë: Po!

Qytetarja: Një herë në fillim të vitit edhe kaq?

QKF Tiranë: Po, edhe s’ka më./tvklan.al