endrra per rinine e perjetshme

ëndrra për rininë e përjetshme
Autorja e një libri që sapo ka dalë në Britani në lidhje me bukurinë dhe plakjen ka kaluar një vit kërkimesh për të parë dhe shqyrtuar të gjitha produktet antiplakje që nga ato që ofrohen në dyqane e deri te më të specializuarit e ofruar në klinikat zvicerane, në ato të Xhamajkës, apo nga ndërhyrjet kirurgjikale të kirurgëve plastikë të Nju Jorkut. Qëllimi i kërkimit ishte gjetja e ndonjë shenje të ekzistencës së rinisë së përjetshme. Pas një viti kërkimesh e intervistash me dermatologë, dietologë, instruktorë sporti, mësues joge autorja mësoi se ishte e mundur që të ndryshojë çdo pjesë të trupit. Mund të hiqte damarët nga këmbët, të ngrinte gjoksin e ta bënte më të madh, të hiqte njollat e zeza nga fytyra. Por sigurisht, të gjitha këto kushtonin një barrë me para dhe mbi të gjitha nuk kishin efekte shumë të gjata. Atëherë iu drejtova personave që nuk rekomandonin ndryshime drastike bisturish e palestrash, por atyre këshilltarëve që merren me higjienën dhe shëndetin që janë njëherazi pro natyrës dhe kundër ndërhyrjeve kirurgjikale. Sipas këtyre këshilltarëve, nuk ka rëndësi se sa ambalazhim të bukur ka një krem kur në të nuk ndodhen përbërës të rëndësishëm të tillë si antioksidantët dhe retinoli.

Ky i fundit është mirë të përdoret gjatë natës, pasi stimulon prodhimin e kolagenit, ndërsa antioksidantët ndihmojnë mbrojtjen ndaj radikalëve të lirë. Por jo të gjithë kremrat bëjnë për të gjitha llojet e lëkurave dhe kjo është thelbësore të kuptohet. Ndaj është e domosdoshme që para se të blihet një krem, përmbajtja e tij të testohet më parë. Për sa u përket kremrave ka mendime të ndryshme. Ka nga ata që i vlerësojnë e të tjerë që janë të bindur që ndryshimi i vetëm mes një kremi "Nivea" dhe një "La Prairie" është ambalazhi. E megjithatë, të gjitha gratë nuk mund t‘i bëjnë ballë tundimit për blerjen e kremrave të shtrenjtë, sepse ndoshta në fund të fundit nëse blerja e kremrave të tillë të bën të ndihesh mirë kjo është një e mirë më vete. Por nëse do të donit që të ndihmonit realisht dhe pa para fytyrën, tuaj një nga këshillat më të mira është masazhi i fytyrës, ai lloj masazhi që mund ta bëjmë vetë çdo ditë duke i dhënë fytyrës grimasa e poza që të bëjnë për të qeshur, por edhe që aktivizojnë qelizat e lëkurës dhe muskujt. Në Kanada ka klinika të posaçme, të cilat këshillojnë dhe merren vetëm me masazhin e fytyrës. Megjithatë, për ata që nuk duan bisturitë dhe kozmetikat e shtrenjta, por me pak efekt ka këshilla të tjera, kryesisht falas që për shumëkënd kanë qenë të vlefshme dhe me efekt.

Gjumi

Për shumë modele pasarelash ai është një nga faktorët kryesorë që ua bën fytyrën të shndritshme. Kjo është e vërtetë. Mungesa e gjumit është njëherazi edhe një shkak shumë i rëndësishëm që ndihmon në plakjen e lëkurës. Me gjumë rigjenerojmë qelizat dhe heqim toksinat duke bërë aktivizimin e qelizave të sistemit imunitar. Por sigurisht, duhet të dish si të flesh. Të flesh me fytyrën mbi jastëk është po aq e rrezikshme dhe e dëmshme për lëkurën sa ç‘janë vetë rrezet e diellit, pasi krijohen zhubravitje të lëkurës që nuk janë të mira. Duke e konsideruar gjumin si një trajtim bukurie për lëkurën i takon që çdo vit ne t‘i kushtojmë këtij trajtimi 2500 orë në vit. Nëse do të gjeni pozicionin e duhur të fjetjes, atëherë do t‘i jepnit trupit mundësinë që të prodhonte hormone melatonine, të cilat ndihmojnë që të lirojnë radikalet që shkaktojnë dëmtimin e qelizave. Gjatë orëve të gjumit ka një ribalancim të të gjitha hormoneve trupore.

Seksi

Është shumë antiplakje. Gjatë seksit, trupi prodhon hormonin e steroidit Dhea që është i lidhur me jetëgjatësinë. Seksi është gjithashtu relaksues dhe i mirë për sistemin e qarkullimit të gjakut, gjithashtu redukton kolesterolin dhe stimulon furnizimin me oksigjen të qelizave pa përmendur faktin që djeg shumë kalori. Sipas shumë studimeve, njerëzit seksualisht aktivë jetojnë më gjatë.

Mendja e hapur

Sipas një specialisti të çështjeve të trurit, mënyra më e mirë për të shmangur alzheimers dhe kryesisht shndërrimin në një grua të vjetër dhe gërmuqe është të dëgjosh muzikën që urren më shumë, pasi një gjë e tillë të ekspozon ndaj tingujve dhe përvojave të reja. Truri si çdo organ tjetër i trupit plaket, por ajo çka është më interesante është se plakja e trurit identifikohet përmes mendimeve, pra truri plaket kur ti nis të mendosh e arsyetosh si një person i plakur dhe të kesh sjellje prej plaku pra refuzon t‘u hapesh gjërave të reja, të dëgjosh muzikë të re, apo të provosh veshje të një mode ndryshe nga jotja. Për sa i përket muzikës, ajo bazohet në përsëritjen e vetvetes. Ka një melodi bazë, e cila përsëritet në forma të ndryshme dhe me një ndryshim që vazhdon të të mbajë të interesuar. Është pikërisht kombinimi i duhur i sigurisë dhe risisë që truri ynë kërkon vazhdimisht. Ka teori që thonë se truri mund të stërvitet ashtu si edhe muskujt e tjerë. Para se të shkoni në shtrat kaloni një orë duke sjellë ndër mend ngjarjet më të rëndësishme të ditës dhe këtë bëjeni në mënyrë të përsëritur dy ose tri herë. Kjo e ushtron trurin dhe pasi të keni mbaruar flini dhe përsëritni të njëjtin ushtrim të nesërmen në mëngjes. Kur keni kohë të lirë mund të bëni edhe fjalëkryqe, aritmetikë mendore, mund të luani shah etj. Mësimi i gjuhëve të huaja është një tjetër ushtrim dhe këshillë e mirë për të mos e lënë trurit tuaj të plaket.

Dieta

E dimë tashmë shumë mirë se dietat janë thelbësore për të ruajtur sa më gjatë rininë tonë. Sipas një dermatologu të shquar amerikan, një nga gjërat që e plak lëkurën është sheqeri, pra gjëja më e mirë që mund të bëjmë për rrudhat e fytyrës është reduktimi i tij. Sipas tij, sheqeri degradon elastinën dhe kolagjenin, pra me fjalë të tjera të plak. Një nga pikat kyçe të dietave është konsumimi i sa më pak karbohidrateve. Por sigurisht, dietat janë nga më të ndryshmet. Ka dieta vetëm me peshk, dieta me mish e verë e më pas janë edhe ato ekstremet që ndalojnë përdorimin e çdolloj yndyre. Por më të rekomandueshmet janë ato që kanë sasi shumë të vogla sheqeri, që rekomandojnë pirjen e çajit jeshil, që eliminojnë patatinat dhe ushqimet e yndyrshme të çdo lloji, që rekomandojnë verën e bardhë të përgatitur nga lëkura e rrushit të kuq etj. Në përfundim, dieta është shumë e rëndësishme, por e vetme nuk sjell rezultat.

Sjellja pozitive

"Shihe botën dhe atë që të rrethon pozitivisht dhe qëndro e lidhur me miqtë dhe familjen. Mësohu të njohësh dhe të duash trupin tënd, vëre në lëvizje dhe jepi shans të të tregojë gjithë mrekullitë që fsheh. Ushqeje shpirtin, pra gjej kohë për vete, për meditim dhe zbulo mençurinë tënde". Janë vetëm disa këshilla për të qenë mirë sipas një ish-modeleje të famshme, e cila aktualisht merret me konsulencë dhe shkruan libra. "Nuk do të doja të isha edhe njëherë në moshën 20-vjeçare me gjithë pasiguritë dhe frikërat që më rrethonin. Pas të 30-tave ndihem më e lumtur", thotë ish-modelja. Sipas përvojës së saj, gjëja më e rëndësishme, përpos dietave apo këshillave të tjera për të larguar plakjen më e rëndësishmja është gjendja shpirtërore. "Edhe kur një fytyrë me lëkurë të rrudhur është e qeshur është më e bukur se një fytyrë pa rrudha, por e ngrysur".

Përfundimi

Gjëja më e rëndësishme që të shkosh drejt vdekjes me këpucë me taka, pra elegante, e shëndetshme dhe vetvetja. Nuk është e nevojshme që të përpiqesh në ekstrem për t‘u dukur 20 vjeç në moshën 40-vjeçare apo të kesh pamjen e pasme të një 16-vjeçareje e atë të përparme të një 61-vjeçareje. Po të ushtrosh pak nga këshillat e mësipërme, sidomos atë shpirtëroren do të ta vësh re se pleqëria do të të qëndrojë larg

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama