|
|
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
Drejtori i Muzeut, pohon se ka konstatuar
se një statujë e gjetur në Apolloni, vite më parë,
është një kopje e statujës së Athinasë,
realizuar nga Fidia në shek V p.es
Një Athina e famshme, e fshehur
në Muzeun Kombëtar
Admirina Peçi
Një statujë e hyjneshës Athina, e gjetur para disa viteve
nga gërmimet në Apolloni, nxjerr në dritë emrin e
një skulptori të famshëm të shekullit. I-II i quajtur
Eumero. Saktësimi se kjo shtatore, të cilës i mungon koka,
është një kopje e përkryer e statujës së
famshme të Athinasë, kryeveprës së antikitetit realizuar
nga Fidia, është një zbulim me mjaft vlerë. Deri tani
njihej fakti se në botë kishte vetëm një skulpturë
( kopje e kësaj kryevepre) që paraqet Athinanë dhe ajo
gjendet në Muzeun Arkeologjik në Athinë. Ajo është
quajtur kopja romake e statujës së madhe në Pallas Athinës.
Ndërsa statuja të cilës i mungon koka, e zbuluar në
Apolloni, paraqet një tjetër kopje të kësaj statuje,
e për më tepër ajo mban një mbishkrim mjaft interesant
në fund të saj, ku shënohet edhe emri i skulptorit që
e ka realizuar. Është vetë drejtori i Muzeut Kombëtar
në Tiranë, Moikom Zeqo, që pohon se ky identifikim është
bërë kohët e fundit, nga ai vetë. Ai shton se ajo
është një shtatore prej mermeri, në këmbë,
që i takon hyjneshës Athina. “Kjo skulpturë e tregon
hyjneshën të veshur me veshjen antike dhe ka kokën e thyer,
por është një imitim i shkëlqyer i skulpturës
së Fidias, skulptorit më të madh të antikiteitt shekullit
të V para krishtit”,- thotë Zeqo, duke rrëfyer edhe
për kopjen tjetër të kryeveprës së Fidias e cila
ndodhet në Athinë. “Deri më dje besohej se ajo ishte
e vetmja kopje e mbetur nga kryevepra e zhdukur e Fidias”- thotë
Zeqo. “ Por tani del se ka edhe një kopje të dytë
e cila ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar, që është
një tjetër imitim i kësaj kryevepre”- sqaktëson
ai.
Athinaja e nënshkruar
Megjithëse shtatuja është mjaft e dëmtuar (i mungon
koka dhe dy kolona ku Athinaja ka vendosur duart) ajo tregon për
një finesë dhe mjeshtëri të madhe të skulptorit
që e ka realizuar. Por veç kësaj, ajo ç’ka
është e rëndësishme, sipas Zeqos, është
fakti se kjo skulpturë mban një mbishkrim interesant. “Kopja
romake që ruhet në Muzeun e Athinës nuk ka asnjë mbishkrim”-
thotë Zeqo, - dhe autori i saj nuk dihet se kush është.
Kurse kjo kopje që ndodhet në muzeun Kombëtar ka mbishkrimin
“ Eumero Athinaio Epoi” që do të thotë “Eumero
Athinanë e bëri”- saktëson Zeqo, duke shtuar se kësisoj
njihemi me emrin e një skulptori të Apollonisë, emri i
të cilit nuk ishte dëgjuar më parë. “Kjo pra
është e vetmja kopje e kryeveprës së Fidias, që
ka një emër autori”,- thotë Zeqo, duke e quajtur
faktin e daljes së këtij emri në skenë, si një
zbulim mjaft intrigues. “Ky skulptor i antikitetit që quhet
Eumero ka realizuar një punë të përsosur, duke u nisur
nga imitimi i një kryevepre si ajo e Fidias. Në fakt statuja
ka përmasa më të vogla se origjinali i famshëm, i
cili është zhdukur. Vetë Zeqo pohon se mbi këtë
fakt ai ka shkruar një shkrim studimor dhe ngacmimi kryesor ka qenë
pikërisht emri i këtij skulptori që del në dritë.
“Ai imiton shkollën e Fidias, që është e shekullit
të V para Krishtit”,- thotë Zeqo, ndërsa saktëson
se skulptura është e shekulli të I-rë apo të
II-pas Krishtit. Kësisoj vërtetohet se ai në këtë
periudhë ka vazhduar traditën e një skulptori shumë
të madh. “Ai duhet të ketë qenë një skulptor
shumë i njohur i Apollonisë. Këtë e vërteton
fakti se ai e nënshkruan veprën e tij. Kemi të bëjmë
kësisoj me një artist shumë të mirë të antikiteitt
në Apolloni, i cili ka një mjeshtëri shumë të
lartë dhe nuk duhet të ketë bërë vetëm këtë
skulpturë. Por emri i tij në të tregon se kjo do të
ketë qenë një vepër vërtet e arrirë e tij”,-
thotë Zeqo, ndërsa shton se do të ishte shumë interesante
të gjurmohej edhe më tej për të parë nëse
ka skulptura të tjera të realizuara nga Eumero. “Nuk ka
mundësi që kjo të jetë e vetmja vepër e tij.
Këtë e tregon edhe fakti që ai i ka vënë emrin
e tij si autor statujës, që do të thotë se ai ka qenë
në kohën e tij një artist me shumë famë dhe e
ka pasur një lloj krenarie për atë vepër”,-
thotë Zeqo. “Unë mendoj se Eumero duhet të futet
në historinë e arteve të antikiteit të realizuara
në territorin Shqipërisë. Ai i përket një qyteti
shumë të madh arkeologjik, më të madhit të skulpturave
që kemi sot, që është Apollonia e Ilirisë, e
cila ka qenë qyteti më i famshëm ndër tridhjetë
qytetet më të famshme në botë që kanë pasur
emrin Apolloni”.
Si ishte vepra origjinale e Fidias?
Në Historinë e Artit përshkruhet me hollësi kryevepra
e antikitetit statuja e Athinasë, e realizuar nga Fidia. E cilësuar
si një shëmbëlltyre gjigante e drunjtë, rreth 36 këmbë
( 11 metra e lartë), pra e lartë sa një pemë , e mbuluar
tej e tej me material të çmueshëm – parzmorja dhe
rrobat e bëra prej floriri ndërsa lëkura prej fildishi.
Mburoja dhe disa pjesë të parzmores shndrisnin nga një
ngjyrë e fortë, pa harruar sytë,që ishin bërë
prej gurësh të ngjyrosur. Mbi kaskën e perëndeshës
kishte grifonë, kurse sytë e një gjarpri të madh e
të mbledhur kutullaç brenda mburojës, ishin , doemos
të shënuar me gurë të shndritshëm. Duhet të
ketë qenë një pamje misterioze, adhurim-ndjellëse
ajo që shihte njeriu kur hynte në tempull dhe menjëherë
vihej përballë me këtë statujë gjigante. Në
disa nga tiparet e saj kishte padyshim diçka thuajse primitive
dhe të vrazhdë, diçka që përsëri lidhet
me një idhull të këtij lloji me ato bestytni të lashta
kundër të cilave kishte predikuar profeti Jeremiah. Pallas Athina,
ashtu siç e ka parë dhe e ka derdhur Fidia, nuk ishte thjesht
idhull i një demoni. Nga të gjithë burimet del se statuja
e tij kishte një dinjitet që ju jepte njerëzve një
ide krejt tjetër për karakterin dhe kuptimin e zotave të
tyre. Përveç Athinasë së Fidias, edhe statuja e
famshme e tij e Zeusit në Olimp, kanë humbur përfundimisht,
por tempujt ku kanë qenë vendosur janë ende dhe bashkë
me to edhe disa zbukurime të bëra në kohën e Fidias.
Konstatime të tjera ndër statujat e Muzeut Historik
Në koleksionin e statujave të antikitetit në Muzeun Kombëtar,
pas një koleksionimi që ka nisur prej disa javëve, janë
bërë edhe konstatime të tjera për vepra të caktuara.
“Gjatë punës shkencore për klasifikimin e këtyre
skulpturave janë bërë edhe disa korrigjime”,- thotë
Zeqo, duke treguar se një kokë që deri më sot konsiderohej
si koka e Demostenit, është vërtetuar tashmë se nuk
është koka e Demostenit por është koka e një
magjistrati të Apllonisë, i një figure me rëndësi
vendase në Apolloni sepse nga gjithë koleksioni i skulpturave
që i takon Demostenit nuk kombinon me këtë portret.
Ndërsa një tjetër skulpturë e zbuluar në Butrint,
e njohur si Dea e Butrintit, Zeqo thotë se në të vërtetë
ajo nuk paraqet një kokë femre. “Ajo është koka
e Apollonit. Saktësisht kjo është një kopje e kokës
së Apollonit e realizuar në fillim të shekullit të
parë të e.s.
Po ashtu sipas Zeqos ka edhe statuja të tjera të kësaj
periudhe të cilat nuk janë pikërisht ato për të
cilat u identifikuan. Krahas këtij koleksionimi, punonjësit
e muzeut, po punojnë në mënyrë intensive për
katalogimin e të gjithë objekteve “Konkretisht tani po
merremi me sallën e antikitetit. Po nxirren objektet, po bëhen
kartelat, si dhe fotografitë dhe kalimi në fiksimin dixhital”,-
thotë Zeqo, duke shtuar se gjatë kësaj kohe po bëjmë
edhe rishikimin e disa datimeve, të disa objekteve për të
realizuar një klasifikim edhe më të saktë të
tyre.
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
|
|
|