Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 


SHQIPTARËT E QË DIKUR SUNDONIN IRAKUN

Guvernatorë, ushtarakë, klerikë, madje edhe histori dashurie ndriçojnë një lidhje të vjetër me zonën e trazuar


Iraku, vendi i Babilonisë së lashtë dhe vendi i përplasjes së madhe mes dy pjesëve të mëdha të muoslemanëve: mes sunitëve dhe shiitëve. Të parët, politikisht kanë pasur gjithnjë në krah Perandorinë Osmane, të dytët mbretërit e Iranit. Nga ky konflikt sikurse edhe tani kanë gjalluar konflikte të ashpra, gjakderdhje, mërira e luftëra. Që në kohë të herëshme shqiptarët kanë qenë protagonistë në këtë lojë të ashpër, me të cilën i lidhte vetëm një gjë: dëshira për t'i shërbyer ushtarakisht një fuqie të madhe. Aty nga 1508, Shahu i Persisë, mbrojtës i madh i shiitëve, Ismail-al-Safavi pat shtënë në dorë një pjesë të mirë të Irakut Verior, gjë që e pat shtyrë Sulltanin e atëhershëm, Selimi I të drejtonte një ekspeditë të madhe ushtarake për të rivendosur pushtetin e tij. Një nga komandantët më të suksesshëm të fushatës është një i quajtur AHMET PASHË DUKAGJINI. Letërsia arabe përshkruan gjërë e gjatë se si Dukagjini, i bërë mosleman, i
drejtoi trupat osmane drejt fitores në Çalldiran në 1514. Fitorja ishte e rëndësishme. Aventura e shqiptarëve në troje të Irakut kishte nisur mirë.

Nga 1544 deri në 1548 në krye të Irakut ishte shqiptari AJAZ PASHA. Sikurse ndodh shpesh për gjithë të mëdhenjtë pavarësisht nga koha, Ajaz Pashës i janë kushtuar shumë poezi, ku sigurisht ai rrëfehet si njeri tejet bujar.

Vite më vonë, Porta e Lartë dërgoi në Bagdad një tjetër shqiptar, NASUH PASHËN. Njësoj si në historinë e Skënderbeut, valiu i ri shqiptar i Bagdatit, mësoi se qyteti i kishte rënë në dorë një vendasi falë një fermani
të falsifikuar. Nasuhu nuk pati edhe aq fat në një betejë që u bë mes dy rivalëve në afërsi të Bagdadit. Iku i plagosur rëndë për në Stamboll, porse i ndihu fati dhe u bë, si shumë shqiptarë të tjerë, Vezir i Madh, pra
Kryeministër, pasi qe martuar më parë me njërën prej vajzave të shumta të Sulltanit.

Historianët arabë ende i përmendin bëmat e disa komandantëve shqiptarë në vitet që pasuan. Në 1626 Tikriti, vendi i origjinës së Sadam Hyseinit, ishte ende në duart e persëve, të cilët e kishin pushtuar disa vjet më parë. Një shqiptar, OMER PASHA, luftoi në krye të një grushti njerëzish me një ushtri shumë herë më të madhe. Omer Pasha, komandanti, ishte i vetmi që shpëtoi nga masakra që pasoi. Legjenda thotë se e shpëtoi kali i tij i shpejtë. Ca vjet më vonë historia përsëritet. Tashmë është Ahmet KUÇUK PASHA, edhe ky
shqiptar në shërbim të Sulltanit, që komandon trupat turke në betejat rreth Tikritit. Si e pa që nuk kishte shpëtim atëherë u ul dhe nisi t'i falej Allahut. Sigurisht që njëri nga ushtarët persë ia preu kokën dhe e dërgoi në Teheran. Shahu në shenjë respekti lejoi që koka e prerë e Ahmet Kuçuk Pashës të varrosej në një teqe në Damask, në Siri. Pashai plak e kishte menduar edhe këtë. Vite më parë kishte ndërtuar një vend të shenjtë për vete.

Nga fundi i shekullit XVII presioni i ushtrive iraniane gati sa se bllokoi ekonominë në Bagdad. Porta e Lartë u alarmua. Bllokimi i ekonomisë në këto anë donte të thoshte trazira edhe në vendet arabe fqinje. Sërish na shfaqet një shqiptar. Ai është ABDURRAHMAN PASHA, i cili u caktua vali i qytetit.
Abdurrahmani ishte njeri i drejtë. Ai nuk lejoi që nënpunësit të vidhnin në kurriz të popullit, liroi njerëzit nga taksat abuzive dhe arriti të sjellë normalizimin e tregut. Në historinë e Irakut shqiptari me emrin Abdurrahman
mbahet mend edhe për dashamirësinë e tij ndaj poetëve dhe artistëve të tjerë, ndonëse nën zë thuhet se ai e kishte një çikë qef verën. Një xhami e ndërtuar prej tij ka qenë në këmbë deri vonë në Bagdad. Ajo quhej
Maruf-al-Karhi.

Shqiptarët e kishin fort për zemër Irakun, madje aq për zemër saqë të arrijnë të themelojmë një dinasti shqiptare në krye të Bagdadit. I pari i kësaj dinastie shqiptare në zemër të Arabisë ishte dibrani HASAN PASHA, i cili nisi punë në këto anë në 1704. Hasani e nisi punën duke emëruarar djemtë e tij ndër provinca, duke kërkuar kështu bashkimin e njësive të coptuara irakene në një vilajet të vetëm. Më pas, duke u mbështetur në një ushtri të re krejt të reformuar, Hasan Pasha nga qëndrimi në mbrojtje ndaj iranianëve, i hyri detyrës së vështrië që të sulmonte. Nuk arriti ndonjë sukses të madh, megjithëqë kishte arritur të depërtonte në Iran. U varros me nderime të mëdha në Bagdad në vitin 1724. Thonë se në kryeqytetin iraken
emrin e tij e mbajnë xhami e emra lagjesh.

Vendin e Hasan Pashës e trashëgoi i biri, AHMET PASHA, një i ri ambicioz, i cili e kishte ndarë mendjen të vazhdonte udhën e të atit. Ahmeti vazhdoi të sundonte deri aty afër fundit të shekullit XVIII. Pas kësaj dinastia shqiptare në Bagdad u përfshi nga një stuhi rëre, gjatë së cilës emrat e sundimtarëve vazhduan të zëvendësohen me ritme të shpejta.

Duhej të kalonin disa vite të trazuara derisa shqiptarët të shfaqeshin perseri në krye të Irakut. SYRI PASHA, vali nga 1899 - 1890, ka hyrë në historinë e Irakut si ndërtuesi i një dige të rëndësishme dhe si mbrojtës i
madh i poetëve. Sipas historianëve vendas Syriu futi në veprim edhe një ide tjetër, atë të ndihmës shoqerore per të varfërit dhe vejushat. Syriu u dha udhë një veprimtarie me tradita në lëmin e poezisë.

I fundmi i dinastisë shqiptare në Bagdad ka qenë ABDULVEHAB PASHA, që qëndroi në rolin e valiut vetëm një vit. Për të dihen pak gjëra, nëse përjashtojmë ndonjë poezi oborri që servilat e kanë shkruar me zell për të.
Era e re kishte nisur të frynte gjithandej. Nuk kishte më nevojë për njerëz të luftës, a më mirë me thënë kishte nevojë për një luftë ndryshe.

Një tjetër shqiptar i shquar i ka njohur mirë këto anë. EQEREM BEJ VLORA, pinjoll i Vlorajve të famshëm, një nga mendjet më të mprehta shqiptare të dy shekujve të fundit, e ka rrëfyer në mënyrë brilante përshtypjet e tij në Irak e rrethinë. Në 1904, Eqerem Beu ishte një nënpunës i ri i Ministrisë së Jashtme të Stambollit. Bashkë me diplomatë të tjerë inspektonte asokohe hekurudhën e Hexhazit, atë që quhej një lloj paraleleje e Kanalit të Suezit, një arritje e madhe për kohën, njësoj si koridoret tona të sotme. Sytë e lodhur nga peisazhi, i mbuluar nga rëra e verdhëllemtë, i kanë shndëritur të riut shqiptar kur ka parë të kalëronte mbi një mëzat të zi arab një vajzë të re elegante. Diku andej nga Siria, në kufi me Irakun, zë fill kjo histori nostalgjie më shumë se sa dashurie. I riu shqiptar desh la mëndtë kur pa atë vajzë të re arabe që bashkë me të tjerët i bënte respektet e duhura sipas rregullave të shkretëtirës. Mësoi sakaq se perria e shkretëtirës ishte vajza
e njërit prej krerëve lokalë, në çadrën e të cilit kishte bujtur. Dhe atëherë beu i Vlorës përmbahet, porse nuk mund të heqë dorë nga simpatia e tij. Nxjerr nga brezi pistoletën e tij, një Mauzer, i cili në atë kohë vlente sa qimet e kokës, dhe ia zgjat vajzës së re. Vetë Eqerem Beu rrëfen se u çudit pa masë kur pa se në këmbim vajza i kishte dhuruar mëzatin e saj të racës së pastër të kulluar arabe. Ndonëse të dy të rinjtë fati i përplasi
në cepa të ndryshëm të Botës, mes tyre u lidh një letërkëmbim që do të vazhdonte gjatë.

Fatos Baxhaku
Gazeta Panorama, 8 Tetor 2003

 

 

 


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa