|
|
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
Mbledhur dhe Redaktuar nga Ben Andoni
Risillet në jetë një koleksion
me flamuj kombëtar
Nga Jaho Brahaj
Kohët e fundit, me interesimin e restauratorit të Akademisë
së Shkencave, Dr. Frederik Stamati, po risillet në jetë
një koleksion flamujsh shqiptar, të praktikuar në jetën
politiko-shoqërore në gjysmën e parë të shekullit
XX.
Koleksioni është një pasuri relikesh historike, të
ruajtura pa vëmëndje si mall magazine për rreth 50 vjet.
Koleksioni, në gjëndjen që ruhet, përbëhet prej
13 flamujsh, nga këto përcaktohen saktësisht, që 11
janë flamuj të lartësuar nga institucionet shtetërore,
shoqata kombëtare e formacionet ushtarake të shtetit kombëtar
shqiptar në vitet 1914-1928.
Pyetja, se nga vjen ky koleksion i çmueshëm më ngacmoi,
që para një viti, kur filluan të restaurohen, por pa u
njohur koha, se kur u përdorën.
Koleksioni i flamujve është dorëzuar në vitin 1946
në arkivin e Institutit të Shkencave nga një person, që
as emri nuk i është shënuar. Në vitin 1957, me interesin
e Rrok Zojsit, ky koleksion kaloi në fondin e sektorit të etnografisë
të Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, me
porosi, që të ruhen, se janë vlera të historisë
sonë.
Meqënëse, asnjëri prej tyre nuk lidhej me rezistencën
e luftën kundër pushtuesve të viteve 1939-1944, ata nuk
i mori Muzeu i Luftës, që u krijua në Tiranë dhe të
ngelura në një qoshe të depove të fondeve të
Institutit të Kulturës Popullore, rastësisht i “rizbuloi”
restauratori Frederik Stamati, i cili konstatoi gjëndjen e tyre tepër
të dëmtuar dhe mori vendimin t’i restaurojë.
Të dhënat për këto relike të çmueshme,
që mblodhëm, na bindin, se janë pjesë e pasurisë
së koleksionistit të famshëm shqiptar Eqerem Vlora. Nga
shtypi i viteve të para të shekullit XX njihemi, që ai
ruante në shtëpi një flamur të dhuruar atij nga Aleandro
Kastrioti në fillim të shekullit XX dhe ruante dhe shumë
flamuj të periudhës 1912-1939, të cilat falë dhe mundësive
të tij financiare i blinte. Nga kujtimet e një të moshuari
vlonjat kemi dëshmi, që këtë koleksion flamujsh, e
ka parë në shtëpinë- muze të Eqerem Vlorës
në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Dhe po, ashtu
kemi dëshmi gojore, që një sasi flamujsh kombëtarë,
të marra nga shtëpia e koleksionistit vlonjat iu dhuruan drejtuesve
të Konferencës të Rinisë Antifashiste Shqiptare në
vitin 1944. Kjo është rruga e tyre deri në dorëzimin
në Institutin e Shkencave në vitin 1946.
Koleksioni përbëhet nga 2 flamuj, që janë përdorur
para vitit 1912 dhe kanë simbole të administratës së
Perandorisë Osmane. Njëri prej tyre ka elementë, që
mund të përcaktohet si flamur sanxhaku, por është
tepër i dëmtuar. Pas restaurimit mundet të jepet një
mendim më i saktë. Një flamur është i vitit 1914
dhe i përkiste Princ Vidit. Një flamur është i shoqatës
“Atdheu” i qytetit të Durrësit i vitit 1919. Gjashtë
flamuj janë të përdorur nga institucionet shqiptare dhe
nga formacionet ushtarake të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare
në periudhën 1924-1928. Një flamur është i bandës
muzikore “Vatra”. Për dy flamuj të tjerë të
koleksionit mbetet të studiohen, pasi të përfundoi restaurimi.
Pengesë është fakti, që për periudhën 1912-1922,
nuk kemi një akt zyrtar për formën grafike të unifikuar
të shqiponjës së flamurit kombëtar. Vetëm me
2.6.1922 u muar një vendim zyrtar për këtë çështje,
por edhe ky vendim pati moszbatim në disa raste deri në vitin
1927, kur u unifikua saktësisht forma grafike e flamurit kombëtar
shqiptar.
Një nga flamujt e koleksionit, siç e thamë, është
flamuri i Princ Vidit, i cili është relike e veçantë
e unikale dhe i përdorur në oborrin e kreut të shtetit
shqiptar në vitin 1914. Flamuri ka shqiponjë dykrenare me ndryshime
thelbësore nga ajo e flamurit të Ismail Qemalit të vitit
1912 dhe mbi trupin e shqiponjës është një pallua
me ngjyrë të bardhë (ngjyrë argjëndi), që
ishte simboli heraldik i familjes Vidi. Ky flamur është sipas
zakonit të familjeve princërore mbretërore, e në këtë
hulli edhe Princ Vidi në pallatin e tij qeveritar e në residencën
familjare praktikoi flamurin zyrtar shqiptar me shtesën e simbolit
të familjes së tij. Flamuri i Princ Vidit është i
dëmtuar në disa pjesë, ndoshta me gjurmë plumbash,
si rezultat i ngjarjeve të fundit të qeverisjes, por kjo na
fakton, që flamuri është përdorur në pallatin
e tij. Pas ikjes së Vidit nga Shqipëria, shumë mobilie
të pallatit u shitën në Korfuz, disa nga ato i bleu Eqerem
Vlora. Ky fakt na përforcon bindjen, që ky koleksion me flamuj,
vlera të historisë sonë kombëtare, kanë dalë
nga pasuria e koleksionit të mbledhur me pasion e mundime nga atdhetari
vlonjat. Për saktësime të mëtejshme, duhet ndjekur
dhe rruga e vazhdimisht të hulumtimit në arkiva, ku ruhen fonde
në dorëshkrime të Eqerem Vlorës, dhe në këtë
drejtim ka dhe gjurmë të zbulohet edhe vendruajtja e flamurit
kombëtar shqiptar, të ngritur nga Kuvendi Kombëtar në
Vlorë më 28 nëntor 1912.
*Studjues
Refleksione për simbolin kombëtar
Nga Eqerem Bej Vlora*
Historia e Flamurit shqiptar tretet në mjegullën e kohës.
Në veprën e tij, “Jetët paralele”, Plutarku
thotë se Pirroja, mbreti i Epirit, pas betejës së Heraklesë
(280 para Krishtit), kur dëgjoi luftëtarët e tij tek po
këndonin një këngë, ku e shquanin shqiponjë,
ai iu tha atyre:”Në qofsha unë shqiponjë, ju jeni
krahët që më sollët fitimtarë deri këtu”.
Në monedhat e qytetit iliro-epirot të Orikumit duket një
shqiponjë, që mban në kthetra rrufetë e Zeusit. Po
kështu, kalorësit e Skënderbeut (Sipas “De vita…Georgi
Castrioti” të Barletit) gjatë fushatës së tij
në Pulje, në ndihmë të mbretit të Napolit, në
luftën kundër baronëve, mbanin flamuj të vegjël,
të kuq, me një shqiponjë të zezë dykrenore në
mes.
Shqiponja dykrerëshe është simbol i pushtetit perandorak
(bizantin, gjerman, rus). Sundimtarët e mëdhenj dhe të
vegjël, që u shkëputën nga perandoria bizantine, vazhduan
ta mbajnë këtë simbol pushteti. Kështu, mbase, ka
bërë dhe Skënderbeu. Sidoqoftë, në gojëdhënat
e arbëreshëve ky kumt ruhet ende i gjallë. Mbi varrin e
nipit të Skënderbeut në kishën e shën Marisë
së engjëjve, në Napoli, është vënë
stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të
bardhë e vezëllitës pesëcepësh mbi dy krerët.
Midis viteve 1880-1895, Zef Skiroi e më vonë Anselmo Sorekio,
në të përmuajshmen e tyre arbëreshe, e botuan, thuajse
në çdo numër, këtë emblemë, si flamur
të Shqipërisë. Pas 1900-ës, atë e vë edhe
Faik Konica në të përmuajshmen e tij “Albania”
në Bruksel. Në shtator të vitit 1909, sëbashku me
djelmërinë e qytetit, unë organizova në shtëpinë
time shfaqjen e dramës Pirrua” të Mihal Gramenos. Aty,
kur kryepriftëresha e Orikumit, i zgjat Pirros, që po nisej
për në Itali, një flamur, dhe me një ton patetik e
duke shkërbyer legjendën e Kostandinit, i thotë:”Me
këtë shenjë ti do të fitosh (in hoc signo vinces),
në prani të prefektit, oficerëve turq, si edhe të
gjithë trupit konsullor, me shaka, por edhe me një farë
kapaidallëku, unë ngrita për herë të parë
në skenë flamurin shqiptar. Asnjë nga zyrtarët e pranishëm
turq nuk u ndie, ndërkohë që salla shpërtheu në
duartrokitje. Euforia atdhetare krijoi një gjëndje të nderur.
Natyrisht, që u raportua menjëherë në Stamboll, por
qortimi i vetëm, që dëgjova unë pastaj, më erdhi
nga xhaxhai , Ferit pasha, asokohe, ministër i brendshëm. Ai
e quajti “të pahijshme” këtë sfidë në
shtëpinë time dhe para të ftuarve të mi.
***
Ka pasur dhe raste të tjera, kur flamuri shqiptar ka luajtur rol,
madje, shumë më luftarak. Në kohën e kryengritjes
së malësorëve katolikë në vitin 1911, në
Cetinjë, mbërritën vullnetarë arbëreshë
për t’u bashkuar me kryengritësit, e që për
herë të parë mbanin një flamur kombëtar. Njëri
nga krerët e këtyre vullnetarëve quhej Terenc Topi. Në
krye të një grupi vullnetarësh dhe malësorësh,
ai çau deri në Mirditë (Orosh), ku edhe shpalli një
republikë shqiptare-doemos jetëshkurtër (27 prill 1911),
që me ngritjen e flamurit shqiptar për disa ditë rresht,
e ngriti fuqishëm moralin e popullit. Madhështore në këtë
aksion, të thuash, operetë, ishin besnikëria ndaj etnitetit
shqiptar, që arbëreshët thuajse me gëzim, rrezikuan
jetën e tyre, duke u dhënë kështu, zemër, edhe
vëllezërve në atdheun e lashtë e të braktisur,
para aq kohësh. Më vonë, Terenc Toçi, ky atdhetar
i zjarrtë, pati poste të larta zyrtare në Shqipëri,
deri sa, pas një proçesi, ku u akuzua për “mungesë
patriotizmi”, pushkatohet nga komunistët në vitin 1945.
*poltikan dhe studjues
Eqerem Bej Vlora rrëfen…
Flamurin kombëtar, si u ngrit më 28 nëntor 1912
Një javë pas kthimit tim në Vlorë çova Murat
bej Toptanin dhe Hydai Efendiun (nipin e babit të teqesë sonë
në Janinë) tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më
kthente flamurin, që i pata huajtur. Më premtuan të ma
kthenin atë menjëherë, sapo Znj. Marigo Posio (një
atdhetare e madhe demokrate, por që pëlqente reklama), ta kishte
qepur e qëndisur flamurin e ri.
E pra në 28 nëntor kryeobjektivi i ditës, flamuri i simbol
i pavarësisë, me atë pakujdesinë tipike shqiptaro-lindore,
ishte harruar. Për më tepër, shumica, nuk e dinte sesi
ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte
mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi.
Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin
të hutuar. Atëhere ngrihet miku im, Hydai efendiu dhe thotë
se në dhomën e gjumit të Eqerem Beut varet në mur
një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të
bukur. Dhe, pyeti, se a mund të merrej pa qenë i zoti aty. Ismail
beu i dha leje dhe kështu flamuri, që dikur don Alandro Kastrioti
ma kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj
dhe ra në duart e Ismail Beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit,
me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë
qëndronte pranë në dritare. Mijëra njerëz u mblodhën
në sheshin para shtëpisë dhe në kopsht, duke brohoritur
“Rroftë, rroftë!” edhe pse shumë prej tyre
nuk kuptonin edhe aq se ç’po bëhej.
Më vonë, kur unë në ditët festive të shpalljes
së pavarësisë si shtet i lirë dhe i pavarur, ngrita
flamurin shqiptar në ballin e shtëpisë sonë, disa
kosovarë të mirë më thanë:”Shumë mirë
e bëtë ju të diturit, që ngritët flamurin e babë
Kralit (pra të Perandorit Franc Jozef) se tani nuk ka ç’të
na bëjë as serbi i poshtër, as malazesi moracak. Kur pyeta
se ku e kanë parë shqiponjën e zezë, m’u përgjigjën
krenarisht:”Tek ushtarët e Babë Kralit”, në
Pazarin e Ri.
Por, natyrisht, pati edhe të tillë si një farë Haxhi
Muhamet Efendiu, një klerik i rëndësishëm e fanatik
në Vlorë dhe ithtar i fortë i tim eti, i cili shprehej
me zemërim se Ismail Beu kishte zgjedhur një “korb”,
si simbol të Shqipërisë së lirë. ”Ah, ta
kishte bërë Shqipërinë, Syrja Beu ankohej ai,-tani
do të kishim në flamur suret e bukura të kuranit. Po ç’mund
të presësh tjetër nga Ismail beu, që e ka kaluar të
gjithë jetën e tij në vendin e frëngjve!”
Kur ia rrëfeva historinë Ismail Beut, ai qeshi me të madhe,
por edhe më kërcënoi me gisht se do t’i tregonte
hoxhës, që flamurin nuk e kishte gjetur ai, por unë!
Koleksionet e mia
Në vitin 1928, i çoj për vlerësim, ekspertit të
firmës Soothby & Comp, në Londër 175 orë në
miniaturë, të cilat më vonë, më 1944, u grabitën
nga komunistët në shtëpinë tonë në Vlorë
Shënimet e mia
…Për të kryer këtë punë, unë nuk pata
asnjë shënim dhe asnjë dokument. Kam hedhur në letër
vetëm ato, që kishte ruajtur kujtesa ime. Shumica e blloqeve
të mia të shënimeve, gjithë koleksioni im me histori
të shkurtëra, që shkrova në periudhën 1912-1936,
dorëshkrimi i vyer i të ndjerit tim atë, me kujtimet e
tij, të tëra humbën në dhjetor të vitit 1944,
kur komunistët konfiskuan bibliotekën tonë në Vlorë.
Nuk kisha pra, rrugë tjetër, veçse të mbështetesha
në kujtesën time. Dhe, ajo, Lavdi Zotit, nuk më la në
baltë!
Si e largova një pjesë
Unë kërkova leje të shkoja në Vlorë për
të siguruar në ndonjë farë mënyre koleksionet
tona të çmueshme. U bënë disa qindra pako. Librat
(rreth 30.000 vëllime) si edhe argjendarinë i futa në sterrenë
rezervë të shtëpisë, tashmë të tharë
mirë e bukur e të veshur me letër katrama dhe hyrjen e
të cilës e mbylla me mur, sepse ishte e pamundur të lëvizeshin.
(Sidoqoftë, një pjesë e dorëshkrimeve , të cilat
nëna në vitin 1916, i nxorri dhe i vuri përsëri nëpër
raftet e bibliotekës, u dëmtuan, e ndërmjet tyre edhe vepra
shumë të çmueshme e të rralla). Pastaj, mora me
qira për tre muaj, një anije italiane me vela, “San Giorgion”
300 tonëshe, i ngarkova të gjitha në hambarin e saj, vura
aty dy nga shërbëtorët dhe e lashë atë të
ankoruar në skelën e Vlorës. Unë vetë mora anijen
e postës dhe u ktheva në Durrës për të marrë
pjesë në mbledhjen e të gjithë krerëve shqiptarë
të thirrur nga Princi në 11 korrik.
Me Princ Vidin
Lajmi për largimin e Princ Vilhelmit, thirri përsëri në
plan të parë, Esat Pashë Toptanin, këtë faktor
të fuqishëm dhe të rëndësishëm në historinë
shqiptare. Ai banonte, si mik i italianëve në Romë dhe
i nxitur prej tyre, shkoi fillimisht në Korfuz, Athinë dhe Selanik
(ku me siguri ka arritur ndonjë ujdi me grekët për Shqipërinë
e Jugut), për të vazhduar më tej në Nish, selia e
qeverisë së atëhershme serbe, e ku me siguri, do të
ketë gjetur mbështetjen aq të nevojshme për krijimin
e njësive mercenare. Grupet e para i vuri nën komandën
e Jusuf bej Doshishtit, kaloi me to kufirin, që nuk e ruante askush.
Mblodhi rrugës bashkëkalorës të ndryshëm nga
të gjitha pjesët e Shqipërisë së Mesme dhe, nga
fundi i shtatorit e krejt papritur, futet në Durrës.
Por, bashkëpunimi i tij me juntën, nuk zgjati më tepër
se një javë. Myftiu i Tiranës, Musa Qazim efendiu, iu kundërvu
menjëherë autoritetit të tij dhe organizoi qëndresën.
As dy javë pas ardhjes së tij, Esat Pasha, u gjend në të
njëjtën gjëndje si Princ Vilhelmi, ca më parë.
Kodrat e Rrashbullit u bënë përsëri kufiri midis krahinave
të qeverisura nga një grup njerëzish të paditur, fanatikë
dhe tradhëtarë dhe zonës, nën ndikimin e një
burri që donte një Shqipëri, ndonëse relativisht të
vogël, por të mëvetësishme dhe kombëtare. Për
këtë, ai urdhëroi uljen e flamurit turk dhe ngritjen e
atij shqiptar. Por, për të mos e acaruar më tepër
elementin mysliman të vendit, ai iu shmang përdorimit të
shqiponjës dykrenore në fushë të kuqe si emblemë
të shtetit dhe të qeverisë dhe ngriti flamurin tregtar
të përdorur zyrtarisht edhe në kohën e Princ Vidit:
një brez i gjatë, i zi e me një yll të bardhë
në mes, e nga një brez i gjatë e i kuq, poshtë e lartë
tij. Forcat, që kishte Esat Pasha për të mbrojtur, Durrësin
e ri-rrethuar, nuk i kapërcenin të 2000 vetë dhe ishin
krejt të pamjaftueshme për të ndërmarrë ndonjë
sulm mbi Tiranën. Aq më tepër, që ishin të armatosura
keq dhe të padisiplinuara. E, megjithatë, ai e mbrojti shkëlqyeshëm
për tetë muaj rrjesht Durrësin, e rrethuar nga epërsia
dhe topat e rebelëve.
Ju tregoj Familjen e Vlorajve
…Të pasur ata nuk kanë qenë kurrë, por bujarë
dhe shpirtmëdhenj gjithmonë. Pronat e mëdha në Myzeqe,
që ata, midis viteve 1700 dhe 1830, i quanin të tyret (60.000
ha, sëfundi 26.000 ha) nuk qenë kurrë të mjaftueshme
për të mbuluar shpenzimet e mëdha, jo “sipas jorganit”.
Asnjë familje në Shqipëri nuk e ka përkrahur aq bujarisht
artin dhe dijen, nuk e ka pasur atë shije të hollë për
kulturë dhe luks. Kur në vitin 1612, me urdhër të
Sulltanit, sanxhakbeu i Vlorës dhe bejlerbeu i atëhershëm
i Sirisë, Deli Jusuf Pasha, mbytet në pallatin mberëtror
në Stamboll, kronikanët e kohës flasin për thesarët
e mëdhenj, që u konfiskuan në kështjellën e Kaninës
dhe në pallatin mbretëror të Mekatit. Ndërsa, më
1678, ne gjejmë përsëri mjoftime për bibliotekën
me më shumë se 3000 vëllime të stërnipit të
tij Jusuf Pasha, në Pallatin Veror të Mekatit. Në vitin
1764, kur në bazë të fermanit perandorak, Ismail pasha
vritet në Vlorë dhe pallati i tij në Velabisht grabitet,
flitet për rreth 8000 dorëshkrime që gjendeshin atje. (Unë
zotëroj një tregues të letërkëmbimit, që
ai mbante me dinjitarët më të lartë të kohës,
si edhe kopje të shumtë prej këtyre letrave, të cilat
dëshmojnë kulturën e lartë dhe dijet e thella të
këtij burri të rrallë). Në vitin 1810, Ali Pashë
Tepelena, konfiskoi banesat e beut të Vlorës dhe sendet e çmueshme
që gjeti i dërgoi në Janinë. Atje ai ngarkoi vëllanë
e konsullit francez, Z.Pukëvil, me vlerësimin e tyre, që
shënoi 1.800.000 dukate ari. Në vitin 1829, Ismail Beu, vritet
tradhëtisht në Janinë nga serasqeri Reshit Pasha; i vëllai
i tij Beqir Beu, arratiset me sendet e çmuara të familjes
për në Korfuz, ku i lë peng ato për 100.000 franga
ari pranë bankierit Kojovina. Njëzet vjet më vonë,
po ky bankier, pranon me kënaqësi t’u paguajë pasardhësve
të bejlerëve të mësipërm 300.000 franga, si dëmshpërblim
për sendet e çmuara të shitura prej kohësh. Që
Kojovina nuk u nda keq, e vërteton fakti që, pas këtij
bisnesi, ai filloi të njihej gjithandej si njeriu me 100 çelësa
(domethënë me 100 prona). Dhe kur, më së fundi, në
dhjetor të vitit 1944, komunistët në Vlorë, plaçkitën
shtëpinë e Vlorajve, ata përvetësuan koleksione, mobilje,
qilima, argjendurina, libra dhe dorëshkrime që kushtonin miliona!
Kaq për fytyrën e një shtëpie, e cila ishte e ndjeshme
jo vetëm për vlera materiale, por edhe që gjithmonë
kishte kërkuar legjitimimin e vet edhe në veprimtarinë
kulturore.
Kush është Eqerem bej Vlora
Eqerem bej Vlora u lind më 1 dhjetor të vitit 1885 në Vlorë.
Në biografinë e tij është shënuar se ishte politikan,
por edhe studjues i njohur. Mësimet e para i mori në shkollën
turke. Më pas, ndoqi shkollën e mesme në Basel të
Zvicrës dhe pastaj në Stamboll. Shkollën e lartë e
kreu në Universittin “Theresianum” të Vjenës,
ku u specializua për “Politikën ballkanike”. Menjëherë,
pas shkollimit të lartë, mbrojti doktoraturën për
drejtësi në Universitetin e Stambollit. Ishte njohës i
shumë gjuhëve të huaja si turqisht, arabisht, italisht,
latinisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Në vitin 1905, u emërua
në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë.
Ishte ndër themeluesit e Shoqërisë “Bashkimi”
të Stambollit dhe drejtues i revistës dygjuhëshe shqip-turqisht
“Shqipëri-Arnavud”. Në vitin 1907, u caktua sekretar
i ambasadës turke në Petërburg. Pas një viti, shkoi
në Paris e u takua me atdhetarë, që gjendeshin atje. Në
vitin 1990, organizoi në sallonin e shtëpisë së tij,
shfaqjen e dramës “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos,
ku me këtë rast ka ngritur dhe flamurin shqiptar. Ai është
luajtur nga grupi teatror i klubit “Labëria”. Në
tetor të vitit 1912, bëri përpjekje me diplomacinë
e Vjenës, për të ndihmuar në shkëputjen e Shqipërisë
nga Perandoria turke. Aty takoi dhe ungjin e tij Ismail Qemalin e bisedoi
me të. Prej andej u kthye në atdhe dhe u vu në krye të
forcave shqiptare në luftimet kundër shovinistëve grekë.
Shpallja e pavarësisë e gjeti në malet e Labërisë,
në frontin e luftës. Kuvendi Kombëtar e zgjodhi anëtar
të Pleqërisë. Qeveria e Vlorës e ngarkoi me detyra
të rëndësishme, kryesisht në përfaqësimin
e vendit në takime diploamtike me shtetet europiane. Iu kundërvu
Qeverisë së Vlorës, meqënëse ajo krijoi një
komision ”Për shqyrtimin e kufijve të çifligarëve
sipas tapive”. Në vitin 1914 ishte në krye të delegacionit
që solli Princ Vidin në Shqipëri, i cili më pas e
caktoi sekretar në qeverinë e tij. U internua në Itali
prej pushtuesve italianë. Në vitin 1920, ishte kundër luftës
së popullit të Vlorës për dëbimin e pushtuesve
italianë. Në vitin 1923 u zgjodh deputet dhe kreu detyra të
rëndësishme deri ministër. Në vitin 1928 u emërua
ambasador i Shqipërisë në Britaninë e Madhe e në
vitin 1930 në Greqi. Ndërsa në vitin 1933 ishte Sekretar
i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të
Jashtme. Në vitin 1942, u caktua ministër i Tokave të Shlirueme,
në një qeveri, që ishte në varësinë e Italisë
fashiste. Në vitin 1944, iku në Itali dhe pastaj në Austri.
Ai u mor edhe me publicistikë, studime historike, kulturore dhe etnografike.
Disa nga botimet:”ABECEJA pellazgjike” (Stamboll 1909); “Nga
Berati në Tomorr” (Sarajevë, 1911); “Dhimbja e popullit
shqiptar” (Romë, 1913); “Mbi historinë e bujqësisë
shqiptare” (1929); “Kujtime nga jeta” I dhe II (Botuar
më 1973). Theksohet se ka mbajtur shumë ligjërata për
etnografinë dhe arkeologjinë, deri vonë. Ka vdekur në
Austri më 25 mars të vitit 1964. (Biografia e tij iu referua
të dhënave të “Kalendarit Enciklopedik”).
Lidhja idilike me flamurin kombëtar
dhe zbulimi i koleksionit të madh, që po restaurohet
Një koleksion, prej trembëdhjetë flamujsh, gjendet prej
shumë kohës në duart e restauratorit të njohur Prof.
Frederik Stamati. Të lëna, pa asnjë kujdes, në Institutin
e Kulturës Popullore, ato presin tashmë jo vetëm restaurimin,
por edhe një rrugë të gjatë drejt jetës së
re muzeale. Stamati, i njohur për shumë punë cilësore
në restaurim, e ka marrë përsipër këtë detyrë
Ben Andoni
Një gjetje, e natyrës “së parëndësishme”,
në një nga institucionet tona, ka ngjallur kureshtjen e specialistit
të njohur Prof. Frederik Stamati. Një koleksion flamujsh, i
cili prej vitesh, flinte i harruar në stendat e Institutit të
Kulturës, tashmë, pret që të marrë jetë.
Restauratori, ndërkohë, është duke bërë
si zakonisht punën e tij të apasionuar, për shërimin
e disa vlerave të harruara. Për më tepër, serioziteti
i kësaj partie flamujsh, rritet, kur mëson, se ajo ishte pjesë
e koleksionistit të njohur Eqerem Bej Vlora…
Duke u zhvendosur përmes viteve të tëra në histori,
kur kujton se në qytetin e Vlorës, ditën e Shpalljes së
Pavarësisë, më 28 nëntor të vitit 1912, nuk gjendej
një flamuri kombëtar, të duket sikur flitet për një
histori e trilluar. Të mësuar nga propoganda e stisur kombëtare,
që ka rrjedhur sidomos pas vitesh të tëra të konsolidimit
të shtetit komunist, se vendi ishte i mbushur me flamuj kombëtarë
dhe të tjera, kjo të duket si një gënjeshtër
dhe një “skoop mediatik”. Por, faktet i hedhin poshtë
argumentat. Një histori, që na vjen nga Eqerem bej Vlora, përmes
kujtimeve të tij, tregon se flamuri kombëtar, që rastësisht
gjendej në dhomën e tij, një dhuratë e princit vanitoz,
Aleandro Kastrioti, (që e mbante veten si pasardhës të
Skënderbeut), u bë objekti, rreth të cilit u shpall Pavarësia
kombëtare në ditën e 28 nëntorit 1912. Dikush u kujtua
për flamurin në dhomën e beut dhe Ismail Qemali, i ungji
i tij, dhe urdhër që të merrej flamuri. Më pas, autori
i njohur shkruan se: Marigoja, po përgatiste flamurin, që do
të ishte flamuri i shtetit të parë modern shqiptar. Një
histori pa bujë dhe pa shumë zbukurime, siç jemi mësuar
që t’i dëgjojmë ne zakonisht “historitë
tona homerike”.
Pak histori
Shqiponja dykrenore kombëtare, dukej se ka qenë një simbol
që është gjendur dhe madje shumë kohë para familjes
Kastriote, në botën shqiptare. E kjo jo vetëm për
faktin, se shqiponja ishte pjesë e Perandorisë Bizantine. Në
emblemat e vjetra, shqiponja ishte shumë e pranishme. Atë e
gjejmë në disa monumente, e cila tregon se në të gjitha
trevat, ajo ishte shumë e pëlqyeshme. Profesor Hasan Ceka ka
theksuar elementin numizmatik, që shqiponja ishte në përbërje
të shumë monedhave të vjetra. Kurse Pirro i Epirit, identifikohej
vetë me shqiponjën, pas fitoreve të tij të njëpasnjëshme.
Shumë më vonë ishte Kostandini i madh, perandori romak
me origjinë ilire, që e praktikoi si simbol të tij. Në
mesjetë, shqiponja dykrenore ishte emblemë e familjeve të
mëdha Gropa, Muzaka, Araniti dhe Kastrioti, vëren studjuesi
Brahaj. Barleti, më tej, ka përshkruar dhe flamujt e Kastriotëve.
Ato ishin me shqiponjën dy krenore në ngjyrë të zezë
në flamurin e kuq.
Pa dashur që të përsërisim vëzhgimin e specialistëve
të ndryshëm, ishte fryma e këtij flamuri, që ruajti
për shumë kohë një identitet kombëtar. Pa harruar
këtu, se shumë nga shqiptarët, nuk e kishin shumë
të qartë, në pragun e pavarësisë, imazhin e vërtetë
të flamurit kombëtar, pas shekujsh pushtimi të egër.
Konica ka meritën se ishte nga të parët, që në
agun e ngritjes së madhe kulturore të popullit, më 15 shkurt
të vitit 1909, ka sjellë një dokumentim serioz për
flamurin kombëtar. Pas kësaj përpjekjet për flamurin
kanë qenë të mëdha dhe reale nga shumë burime.
Eqerem Bej Vlora
Një nga të përpjekjet e para, ka qenë ajo që
ka lidhje me këtë figurë, që pret ende të zbulohet.
Dhe, ende, është pak të thuash, që kjo figurë
është ridimensionuar me botimin e dy vëllimeve me kujtime.
Ndërsa, shkrimi që na vjen në vëmëndje, është
sepse ky koleksion, i cili është duke u restauruar, nga një
prej specalistëve më të apasionuar shqiptarë, është
pjesë e koleksionit të tij familjar. Ajo i është marrë
në vitin 1944, bashkë me shumë gjëra të tjera,
të cilat tashmë janë të shpërndara dhe që
ai i kujtonte me nostalgji në mërgimin e gjatë. Ndoshta,
ishte kjo nostalgji, që bëri, që falë kulturës
së tij, të paktën të na mbesin shkrime interesante
dhe të tjera, që priten të botohen. Koleksioni i tij i
mrekullueshëm i flamujve, disa prej tyre sot të paidentifikueshëm,
tashmë presin identifikimin e specialistit të njohur Frederik
Stamati.
…
Kohët kanë kaluar, por adhurimi për flamurin kombëtar
është ndryshe. Ajo është shtuar në masën
e madhe të emigrantëve jashtë vendit dhe në vend.
Por, në Vlorë, e ke vështirë, që të gjesh
më flamuj kombëtare, thoshte kohë më parë me
dhimbje, një nga bisnesmenët më të njohur të
qytetit. Sepse, ndërgjegja kombëtare, duket se është
bjerrur me kalimin e kohës në qytetin patriot. Gjithsesi, asnjëherë
historia, nuk është më e fortë se kujtesa. Ja pse
koleksioni flamujve, i strehuar pa kushte normale, prej shumë vitesh,
tashmë pret që të mbijetojë. Prof. Stamati, ka marrë
përsipër, që t’i përcjellë ato drejt përjetësimit.
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
|
|
|