|
|
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
DR.MOIKOM ZEQO
Ilirët? Ah, këta ngatërrestarë!
Të pafundme janë librat që janë shkruar për ilirët.
Dëshmi të autorëve antikë i përmendin përherë
ilirët. Populli i madh i ilirëve sëbashku me thrakasit,
sipas Herodotit, përbëjnë popujt më të mëdhenj
të lashtësisë pas hinduesve. Burimet kronikore përvijojnë
historira të ndërthurrura dhe sinkretike për ilirët
në epokat e motshmërisë. Të tërë historianët
seriozë të botës nuk mtojnë t’i shmangin ilirët
nga historia e qytetërimeve të njerëzimit. Ekzistenca e
ilirëve është një ekzistencë e patjetërsueshme
dhe e padyshimtë. Miku im, ilirologu më i madh i ditëve
të sotme, prof.Stipçeviç ka botuar një vepër
fundamentale, të quajtur “Bibliographia Ilyrica”. Shfletimi
i kësaj vepre nuk është thjesht një trill kurioziteti.
Ata që se kanë parë këtë vepër mund të
flasin për Hënën por që s’kanë shkelur
asnjëherë në sipërfaqen e Hënës. Çudira
të tilla gazmore dhe të trishtueshme janë të pafundme.
Pa i studjuar ilirët mundet ose ti mitizosh, ose ti përbuzësh.,
por asnjëherë me siguri nuk mund t’i kuptosh.
Qëllimi im nuk është për të vërtetuar atë
që nuk ka nevojë të vërtetohet: ekzistencën e
ilirëve. Si hulumtues dhe arkeolog i kam kushtuar një pjesë
të madhe të jetës sime njohjes dhe kuptimit të çështjes
së ilirëve në histori. Kjo çështje është
e trifishtë. Së pari është çështje e ballafaqimit
dhe kriticizmit serioz dhe akribik të burimeve të autorëve
antikë për Ilirinë dhe ilirët, së dyti, është
çështja e glosave, toponimeve dhe antroponimeve, që janë
pasaportizuar si të qytetërimit dhe të gjuhës ilire,
së treti, është bota e rizbuluar, e zhveshur nga lëvozhgat
e paemërsisë ndërmjet arkeologjisë së monumenteve
dhe të dhënave jashtëzakonisht të pasura dhe interesante
të qytetërimit ilir. Në këtë trinitet tejet shkencor
dhe diturak për fat të mirë, dy shekujt e fundit shkencëtarë
nga më seriozët dhe më autoritativë të Evropës
dhe të botës kanë bërë disa struktura mendore
dhe sinteza të palëkundura që do të formonin disiplinën
e padiskutueshme të ilirologjisë, disiplinë kryesore për
shkencat e gjenezave, kthjellëzimeve dhe historisë së qytetërimeve
të popujve të botës. Ilirologjia është përuruar
nga shkencëtarë të huaj të cilët nuk kishin stimulime
politike, as kompleksin e apologjive false. Këta shkencëtarë
fillimisht u nisën nga glosat ilire dhe gjetën një përputhje
jotë rastësishme me të dhënat kronikore të autorëve
antikë për Ilirinë dhe ilirët. Kjo ndërthurrje
bëhej një shtrat gjeografikisht të përcaktuar dhe
të saktë. Kriticimi i tyre qe domethënës dhe të
nisur nga një krahasueshmëri rigoroze ata përftonin jo
vetëm një vizion por edhe një histori konkrete, të
pafallsifikueshme dhe aspak të shpikur të ilirëve në
histori. Kjo gjë nuk mund të vihet në dyshim nga askush,
kursesi “revolucionet publicistike” të komplekseve të
ç’mitizimeve për hir të ekzibicionizmave vetiakë
nuk kanë të bëjë fare me të vërtetën
shkencore. Fakti që monopoli i ilirologjisë zotërohej nga
dijetarë të huaj nuk qe fatal, sepse konkretisht në shek.XX
edhe dijetarët shqiptarë kryesisht në rrafshin gjuhësor,
por edhe atë arkeologjik si të thuash zbuluan një botë,
që konsiderohej e humbur, duke konkretizuar të vërtetat
e mëdha të një historie të pamohueshme. Çështja
e ilirëve nuk i ka shpëtuar mtimeve të ndryshme, madje
dhe të skajshme. Ka patur edhe mohime ekleziastike të ilirëve
për t’i quajtur edhe një popull fantazmagorik. Po këto
qenë përpjekje liliputësh, karakteristikë kjo, e amatorëve
delirantë, me prapavija politike shumë të qarta. Gjithashtu
ka patur përpjekje për ti ngulitur ilirëve kompleksin frojdian
të inferioritetit, simetrikisht edhe të kundërtën,
kompleksin absurd të madhështisë së kotë. Të
shumta janë librat vendimtarë për ilirët. Një
nga librat më autoritarë është ai i dijetarit J.Willkes.
i quajtur “The Yllirians”, botuar në Oxford më 1992.
Ai që se ka lexuar këtë libër nuk mund ta bëjë
pëgjegjës autorin e librit,se për ç’arsye
për shkak të injorancës tipologjike nuk ka arritur ta lexojë
këtë libër. Një nga arkeologët më të
mëdhenj në botë Theodor Mommsen në korpusin e tij
madhështor të mbishkrimeve në rrafsh evropian është
pioner themelvënës i ilirologjisë. Librat e Mommsenit zenë
një bibliotekë, e cila është më e rëndë
se faqet e tabloidëve. Publicistika nuk është e barabartë
me shkencën. Mediatizmi me shpejtësi të pabesuar i artikujve
është njëkohësisht edhe një liri për të
dërdëllitur apo një kiç kulture që s’ka
asnjë lidhje me seriozitetin shkencor. Është meritë
e jashtëzakonshme e filologut gjenial Eqrem Çabej, i cili
duke u mbështetur në shkollën gjermane të ilirologjisë
shtroi si askush dhe argumentoi me një dituri të pabesueshme
çështjen vërtetë të diskutueshme të prejarhdjes
së shqiptarëve edhe nga ilirët. Është një
meritë e pamohueshme e arkeologëve shqiptarë, që me
zbulimet e tyre dhanë një ndihmesë të jashtëzakonshme
për këtë çështje. Sintezat e historianëve
shqiptarë për fat të keq nuk janë në nivel të
kënaqshëm, përshkrimet inventarizuese kërkojnë
akoma mëndje të fuqishme të kulturës së sintezës.
Megjithatë, miku dhe kolegu im i vjetër Neritan Ceka e ka botuar
librin e tij “Ilirët”, ku metodikisht dhe qartë
bën publike urbi et orbi jo vetëm botën ilire, por dhe
etnogjenezën e shqiptarëve edhe prej ilirëve. Zbulimi kryesor
më i madh arkeologjik në Shqipëri në shek.XX lidhet
me kulturën prehistorike nga më të vjetrat në Evropë
në pellguan e Fushës së Korçës, por edhe në
pika të tjera gjeografike të Shqipërisë. Për
herë të parë, përmes një materiali, për
fat të keq, pjesërisht të botuar, ne mësojmë
për preilirët e epokës së neolitit dhe të eneolitit,
për protoilirët e epokës së bronzit dhe të hekurit
dhe për përmendjen historike të ilirëve. Herodoti
dhe Tukididi, Aristoteli dhe Hekateu, Skylaksi etj., janë tepër
konkretë në të dhënat e tyre historike për ilirët.
Prehistoria në kronologjinë e së cilës ka një
meritë të padiskutuar dijetari i madh, miku im Frano Prendi,
jo vetëm që riformuloi idenë e gjenezës, por u bë
baza e birësisë (filiacionit) të popullsisë vendase
në procesin e saj të zhvillimit nga preilirët te protoilirët
dhete vetë ilirët. Nuk kam ndërmend këtu të skicoj
ato gjëra që tashmë janë bërë pronë
e paluajtshme e pronës intelektuale shkencore. Asnjë dijetar
dhe asnjë shkencëtar serioz nuk bën më akrobacira
apo shakara, ata nuk venë në dyshim ekzistencën e ilirëve,
por bëjnë saktësisht studimin e tyre të thukët.
Është e vërtetë që në vitet 30 të shek.XX
i mirënjohuri Hans Krahe bëri një tejlakim me teorinë
e tij të panilirizmit, gjë që u kapërcye shumë
shpejt. Por studimi i fisieve të shumta të popullit kontinental
të ilirëve është një proces hulumtues me të
papritura nga më të çuditëshmet. Studimet nuk kufizohen
vetëm për ilirët ballkanikë ose të Gadishullit
ilirik, por flitet edhe për ilirët e Gadishullit Apenin, konkretisht
dhe për kulturën materiale madje dhe shkrimore të ilirëve
mesapë,pa harruar edhe ata japigë. Korpusi i mbishkrimeve mesape
sipas studjuesit të madh Karlo De Simone, lidhet me substancën
e gjuhës ilire, kështu miti që ilirët nuk kanë
shkruar gjuhën e tyre, të paktën duhet revizionuar. Studimi
i glosave ilire në mënyrë të veçantë nga
Jokli, Majeri dhe sidomos nga Eqrem Çabej, e lidhin ilirishten
me shqipen. S’mund të thuhet që ky studim është
i përfunduar, por s’mund të thuhet që ky studim është
një problematikë e gjallë dhe e patjetërsueshme. Në
rrafshin historik arkeologjia shqiptare ka zbuluar të dhëna
jo vetëm për jetën paraqytetare ilire, ose protourbane,
por ka folur konkretisht për qytetin ilir si koncept organizativ
dhe politik, si dhe për historinë politike të shtetit ilir,
i cili përfundon në vitin 168 p.e.sonë kur mundet mbreti
Genti nga romakët. Është gjetur varri monumental i mbretit
Gent, që ruhet në Gubio të Italisë ende dhe sot. Ky
varr është një monument, që nuk mund të ç’bëhet,
as të shpiket dhe as të mohohet.
Është e vërtetë që mohimi i ilirëve tani
është diçka e pamundur. Çështja më e
vështirë dhe më delikate, për pasojë akoma dhe
më e rëndësishme është çështja e
birësisë së shqiptarëve prej ilirëve. Një
ekuacion i tillë, që përfshin dëshmitë kronikore,
glosat dhe faktet arkeologjike është ravizuar qartë në
studime serioze. Gjeneza e shqiptarëve duke filluar nga arbërit
e hershëm është e vërtetë që kërkon
studime të reja dhe më të thelluara dhe sidomos shumë
disiplinore. Të gjitha arritjet madhore të shkencës, flasin
qartë që populli shqiptar është autokton në viset
e veta për shkak të vijimësisë historike, që
është gjeografike dhe gjuhësore, si dhe kulturologjike
dhe shpirtërore.
Teoritë e prejardhjes së shqiptarëve janë të
shumta dhe nga optika të ndryshme. Politikat antishqiptare kanë
krijuar formula të prejardhjes së shqiptarëve që nga
Kaukazi, nga Veriu i Evropës, nga Azia e Vogël, madje dhe nga
Irlanda, ndoshta dhe nga planeti Mars. Ka teori bizare, që shqiptarët
i bën të prejardhur nga Arabia, akoma më qesharake janë
teoritë e amalgamës, sipas të cilave shqiptarët janë
një popull pa identitet, por një hibrid popujsh të ndryshëm
dhe të rastësishëm, një metaforë kolonizimesh
të ndërthurrura dhe të alambikuara nga trillli i fatit
dhe paradokset e historisë. Dikur një kryeministër i Serbisë,
i quajtur Gjeorgjeviç shkroi një libër ku i quan shqiptarët
në mënyrë pezhorative “Evgjitët e Evropës,
një racë kreole, barbarësh të paditur dhe pa kulturë,
pa gjuhë dhe letërsi, pa dinjitet dhe të kriminalizuar
në ind”. Ka teori që duke mohuar rëndshëm autoktoninë
e shqiptarë i bëjnë ata ardhacakë kryesisht në
shek.XII dhe për rrjedhim përvetësues të trojeve të
“të tjerëve”. Akademikët serbë kanë
krijuar kështu me këtë tezë një delir kinse të
frikshëm, por dhe me një absurd qesharak.
Për fat të mirë shkenca serioze i është shmangur
politizimeve të neveritshme dhe antishqiptare. Origjina e shqiptarëve
ka disa teori që duhen marrë parasysh. Këto teori nisen
nga kushti kryesor formuluar së pari nga vepra prej pionieri e Franc
Boppit, se gjuha shqipe është një gjuhë indevropiane,
me përbërës autoktonë të tejlashtë, madje
me disa përbërës paraevropianë, fakt ky tepër
i rëndësishëm.
Shqipja si gjuhë indevropiane është çelsi dhe kodi
i ritkhimit në histori drejt gjenezës. Problemi i burimit të
gjuhës shqipe lidhet me një numër çështjesh
të tjera të mëdha. Dy teori kryesore janë të
rëndësishme. Një teori lidhet me analogjitë gjuhësore
iliro-shqiptare dhe tregon se shqiptarët burojnë prej ilirëve.
Teoria tjetër merr në konsideratë afëritë e thrakishtes
me shqipen, pa mohuar dhe afëritë e vetë ilirishtes me
thrakishten. Teoria e tretë është ajo e sintezës,
që formulohet më afër dhe më prekshëm së
vërtetës së formimi i gjuhës shqipe lidhet jo vetëm
më ilirishten por dhe me një dimension thrakas. Teoria e sintezës
qe ajo që i kushtoi kujdes te veçantë kolosi i gjuhësisë
shqiptare Eqrem Çabej. Nuk është vendi përe të
rreshtuar argumentet e një diturie universale, që i reflekton
dhe i skalit përjetë Çabej i pavdekshëm. Argumenti
i gjoja një golle, boshllëku, i mospërmendjes së emrit
të shqiptarëve nga shek.II i erës sonë, kur Ptolemeu
i Aleksandrisë, shënon qytetin Albanopolis si kërthizën,
epiqëndër të albanëve dhe deri në shek XI, kur
kronistët bizantinë Ataliati dhe Ana Komnena, i përmendin
përsëri këta albanë nuk është një argument
fatal. Dijetari Johan Thumanni ka shkruar më 1774 për shqiptarët
“në historinë e tyre nuk kam gjetur ndonjë gjrumë
të një emigracioni të mëpastajmë, gjuha e tyre
na ka dhënë të tilla dëshmi për fatin e popullit,
që unë nuk mund të mos njoh tek ky popull, fqinjët
e lashtë të grekërve dhe nënshtetasit e Romës
së vjetër. Po të dyja këto më kallxojnë
ilirët”. Kretschmeri ka thënë “mendimi që
gjuha shqipe paraqet fazën më të re të ilirishtes
së vjetër, ose si shprehet me të matur, Gustav Majeri të
një dialekti ilir, është në bazë të të
gjithë situacionit aq afër mendjes, sa duhej njeriu të
sillte arsye shumë të rënda për ta hedhur poshtë,
sepse shqiptarët banojnë atje, ku në kohë të
vjetër rronin popujt ilirë”. Kjo do të thotë
që ilirët jo vetëm kanë jetuar në brigjet bregdetre
por edhe shqiptarët rrjedhimisht i kanë viset e tyre autoktone
brigjet bregdetare. Kjo vërtetohet edhe nga dëshmitë e
toponomastikës shqiptare që sipas Çabejt janë zhvilluar
sipas ligjeve të fonetikës shqipe, gjë që vërteton
pikërisht vijimësinë. Elementët paraindevropianë
në shqip nuk mund të flasin për një ardhje të
vonë të shqiptarëve. Autoktonia e shqiptarëve vërtetohet
dhe nga huazimet e vjetra greke, kryesisht dorike ose të ashtuquajturit
dorizëm ilir. E njejta pikë reference e pashlyeshme lidhet dhe
me huazimet e latinishtes, tepër të hershme, madje edhe në
një çështje kolosale siç është ajo e
terminologjisë së krishtërimit të hershëm te
shqiptarët duke filluar nga shek. I pas Krishtit. Shtresëzimi
i huazimeve dalmate, spanjolle, italiane, anzhuine, që vijnë
nga Evropa Perendimore janë gjithashtu të vijueshme në
kohë dhe hapësirë dhe vërtetojnë gjithshtu autoktoninë.
Çuditërisht këtë gjë e vërtetojnë
në një kah tjetër dhe huazimet sllave madje dhe ato turke.
Teoria e huazimeve lidhet jo vetëm me qënien e kontakteve, por
edhe të mosshkëputjes së vendbanimit të shqiptarëve
nga vetë shqiptarët, me ngjarjet e mëdha të lëvizjeve
nga Perëndimi dhe Lindja. Një temë më vete është
marrëdhëniet e shqipes me rumanishten, ku elementet latine me
shqipen dhe rumanishten lidhen edhe me elementet jolatine në këto
dy gjuhë. Të përbashkëtat midis tyre krijuan teorinë
e substratit, teori e cila u ndoq nga shumë dijetarë por këtu
është harruar vërejtja shumë e rëndësishme
e Çabejt, që teoria e substratit nuk ka karakter përfundimtar
se kjo do të parakuptonte eleminimin e njërës nga gjuhët.
Të dalim tashmë tek ajo që është më vendimtare,
jo tek huazimet leksikore por tek sintaksa tepër konservative dhe
e veçantë e gjuhës shqipe. Arkeologjikisht mund të
them që e shtuquajtura kulturë e Komanit ose e arbërve
të hershëm në shek.V-VII pas Krishtit, vërteton materialisht
gjithashtu procesin e vijimësisë të autoktonisë dhe
të etnogjenezës së shqiptarëve.
Teoria e Vajgandit është tepër e njohur. Të gjitha
pikat e kësaj teorie u morren në konsideratë dhe u studjuan
seriozisht nga Eqrem Çabej. Këtu qëndron një nga
vlerat më kolosale të shkencëtarit tonë, i cili me
fakte dhe logjikë të pamohueshme tregoi vijimësinë
e shqiptarëve në trojet tona duke përfshirë edhe disa
fjalë kryesore të leksikut detar siç është
fjala det, fjala anije(që vjen nga fjala enë) dhe terminologji
të tjeraa vendase. Të vesh në dyshim autoktoninë e
shqiptarëve, do të thotë të bëhesh personazh
humoristik i Erazmit të Roterdamit. Një paskuil të fëlliqur
shkroi një farë Kapllan Resuli, padyshim duke i bërë
jehonë tezave shoviniste serbe. Publicitika e ditës për
autoktoninë e shqiptarëve mund të jetë interesante
për bujë mediatike, por është pëllcitëse
si fishekzjarrët e kualitetit më të rëndomtë.
Sejcili mund të thotë: Ilirët? Ç’janë
këta ilirë? Ç’duan ilirët më shqiptarët?
Ç’janë këta shqiptarë? Ilirët, ah këta
ngatërrestarë! Shqiptarët, ah këta të marrë!
Heshtja e akademikëve tanë të nderuar e arkeologëve
dhe e historianëve është turpi i tyre. E vërteta është
përtej vetvetes, përtej të gjithë atyre, që e
kuptojnë, apo nuk e kuptojnë të vërtetën. Amen!
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
|
|
|