|
|
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php"); ?>
Skënderbeu Vasal? Disa kthjellime.
Nga Dr. Aurel Plasari
Ishte mars i vitit 1451 kur regjistrohen në oborrin e Napolit prania e dy të dërguarve të Skënderbeut: peshkopit të Krujës Stefan dhe domenikanit Nikollë de Berguzzi, të shoqëruar edhe nga një arbër i quajtur Vicino ose Vichino, i përmendur si “majordom” i peshkopit të Krujës. Mbretit Alfons i kërkohej ndihmë për të përballuar ekspeditën osmane që pritej për muajin prill, dhe mbreti premtonte ta jepte ndihmën. Por prania e ambasadorëve të Skënderbeut në oborrin e Napolit kishte të bënte me një mision më të rëndësishëm: më 26 mars të atij viti ata nënshkruanin në emër të tij me Mbretin e Aragonit, Napolit dhe Siqilisë një traktat të njohur si “i Gaetës”, nga emri i vendit ku u nënshkrua. Për t’u ikur hamendjeve, kujtoj se traktai në fjalë ndodhet në Arkivin e Kurorës së Aragonës, reg. 2697, fl. 100. Atë e ka pasë njohur dhe përdorur Zurita në veprën e tij Anale të Kurorës së Aragonës, vëll. III, XV, fl. 322 verso; e kanë ribotuar edhe Cerone: La politica, XXVIII, I, 172-173; Radonic: Djuradj, nr. 38 dhe, për ata që i tremb emri “Radonic”, edhe Noli: George, appendix, nr. 11. Traktati i Gaetës Traktati u nënshkrua jo vetëm në emër të Skënderbeut, por edhe të “të afërmve të tij baronë në Arbëri: “ ... e de soi parenti, baruni in Albania, de la parte altra”, po aty). Ky traktat i njihte Mbretit të Aragonit, Napolit dhe Siqilisë sovranitetin mbi “trojet e të thënit Gjergj” dhe mbi “trojet e Krujës dhe kështjellën”, në shkëmbin të ndihmës që Mbreti do t’i jepte atij (Skënderbeut) në luftën kundërosmane. Në termat e traktatit Skënderbeu dhe ajo çfarë mund të quhet “lidhja familjare” e tij shpreheshin të gatshëm të njihnin sovranitetin e mbretit Alfons edhe mbi trojet apo kështjellat e tjera, që do t’i fitonin me ndihmën e tij. Kreu i Lidhjes, Skënderbeu, shprehej i gatshëm të vinte në vendin që do të caktonte Mbreti për t’i bërë atij betimin dhe për t’i shprehur nderimin si vasali sovranit, por mbasi të kishin larguar osmanët me ndihmën e tij. Me përfundimin e këtij traktati, krerët abër zotoheshin t’i dërgonin përvit mbretit Alfons, kur osmanët të ishin dëbuar nga Arbëria, një shumë të hollash të barabartë me haraçin që Skënderbeu dhe të afërmit e tij i detyroheshion sulltanit (“... cacciati li Turchi de le terre del dicto Sr Georgio, isso Sr Georgio et tucti li soi parenti daranno et pagaranno ciascuno anno a la prefacta Mtà lo tributo o heraci che per li presenti sono tenuti dare a lo Gran Turcho in lo tempo et secondo pagano a lo dicto Turcho”, po aty). Sikurse vihet re, është fjala për një traktat vasaliteti pa kurrfarë dyshimi në terma. Skënderbeu, që kishte refuzuar deri me armë në dorë sovranitetin e sulltanëve osmanë, pranonte me këtë traktat të bëhej vasal i mbretit Alfons V. Pse vallë ndodhte kështu? Ka qenë kjo pyetja e vjetër e ngritur prej “këndvështrimit osman”, prej nga nuk ishte e lehtë të kapej gjithë sa ndodhte në ato kohëra në Perëndim dhe si funksiononin atje aleancat dhe organizimet. Kësaj pyetjeje mund t’i japin përgjigje së toku specialistët e historisë së politikës, të historisë së religjioneve, të historisë së qytetërimeve, të historisë së mendësive etj. Për Marinescu-n kushtet e këtij traktati lënë të kuptohet gjendja e vështirë në të cilën ndodheshin Skënderbeu dhe krerët e tjerë të Lidhjes së Lezhës; madje ai është i mendimit se zotërimet e tyre dhe ato të kreut të tyre, Skënderbeut, ndodheshin në atë kohë në duar të osmanëve (Alphonse, 44). Traktate të ngjashme lidhte mbreti Alfons edhe me zotërinj (bujarë) të tjerë arbër, si me Aranitin. (Traktati me Aranitin po në Arkivin e Kurorës së Aragoëns, reg. 2691, fl. 101 recto –102 verso; ribot. Zurita: Anales. IV, 29). Madje Araniti, i cili tani shfaqej me titullin “kont i Arbërisë” dhe kishte mëtime mbi Arbërinë e jugut, autorizohej nga mbreti Alfons të merrte në emër të tij betimin e aleancës edhe prej zotërinjve të tjerë arbër. Si shpërblim mbreti Alfons u lidhte çdonjërit prej vasalëve një pension vjetor prej 300 deri 1.4000 dukatesh dhe u premtonte strehim në rast nevoje. Të njëjtat marrëdhënie praktikonte ai edhe me zotërinj moreotë, si me vetë despotin e Moresë (Traktati me despotin Dimitër Paleologu po në Arkivin e Kurorës së Aragonës, reg. 2697, fl. 98-99). Një politikë e këtillë dëshmon faktin që
kryqëzata e planifikuar prej mbretit Alfons duhej të fillonte
nga Arbëria ose nga Moreja. Ka vënë re Marinescu: “Zotërimet
dhe forcat e koalicionit familjar të drejtuara prej luftëtarit
arbër duhej të përbënin bazën e kësaj ekspedite
që do ta bënte mbretin Alfons V zot të pellgut lindor të
Mesdheut, siç ishte tanimë i atij të Perëndimit”
(po aty, 45). Që nënteksti i këtij traktati kishte të
bënte pikërisht me një kryqëzatë të tillë,
këtë e ka vënë re edhe Noli kur ka shkruar: “Traktati
ishte përfunduar me mendimin [was supposed] për të përgatitur
terrenin për një kryqëzatë që Alfonsi kishte
projektuar, por që nuk do ta vinte kurrë në jetë”
(George, 49). Zbatimet e traktatit Në zbatim të traktatit të Gaetës mes mbretit Alfons dhe Skënderbeut regjistrohet një komunikim i dendur. Vetëm më 14 maj Mbreti i Napolit i dërgonte atij tri mesazhe, në të cilat i drejtohej me “I nderueshmi dhe i madhërueshmi besniku ynë i dashur” (“Espectabilis et magnifice devote noster dilecte”), apo me “Burrë i madhërueshëm, besnik yni i dashur” (“Magnifice vir, devote noster dilecte”) etj. Ndërkohë që mbreti Alfons e kishte furnizuar peshkopin e Krujës, në largimin nga oborri i tij, me drithë, salnitër (nitrat potasi) dhe squfur për Skënderbeun (ACA, Reg. 2655, fl. 135 verso). Në fund të majit ai dërgonte në Arbëri oficerin e Zyrës së thesarit Bernard Vaquer me njëqind këmbësorë dhe nozullimet përkatëse. I pajisur edhe me një kopje të vetë traktatit, Vaquer-i duhej të fillonte zbatimin e tij simbas kapitujve të nënshkruar. Mbreti Alfons ia rekomandonte atë Skënderbeut me një shkresë në latinishte (ACA, Reg. 2655, fl. 133), ndërsa udhëzimet e veprimeve që do të kryente për marrjen në dorëzim të kështjellës dhe qytetit të Krujës i jepeshin Vaquer-it hollësisht me një shkresë të 29 majit në katalanishte (ACA, Reg. 2655, fl. 135 verso). Mbas marrjes në dorëzim të kështjellës dhe qytetit, me trupën 100 këmbësorësh që sillte me vete komisari i Mbretit do të formonte garnizonin për mbrojtjen e saj, do t’u kërkonte banorëve të qytetit “betimin e besnikërisë”, do të fillonte nxjerrjen e taksave etj.(po aty). Me sa duket, për të bashkërenduar frontin e kryqëzatës mbreti Alfons njoftonte edhe Janko Hunyadi-n për dërgimin e komisarit pranë Skënderbeut (ACA, Reg. 2655, fl. 134 verso). Studiuesi i marrëdhënieve të mbretit Alfons me Skënderbeun ka shënuar për këtë moment: “Duke filluar prej muajit qershor 1451 Kruja, me të cilën qëndresa e Skënderbeut ishte lidhur gjithmonë deri këtu, nuk do t’i përkiste më luftëtarit arbër. Për vite me radhë një garnizon napolitan i komanduar prej katalanësh do të vendoset në këtë “fole shqiponjash” të Arbërisë, ndërsa Kastrioti do të vijojë jashtë saj luftën që e ka bërë të famshëm” (Marinescu: Alphonse, 48). Në maj 1452 mbreti Alfons dërgonte në Arbëri si guvernator të Krujës, ish-kryevendi i Skënderbeut, kalorësin katalan Ramon d’Ortafá në rangun “nënmbret në Arbëri”. Detyrat e tij, të përcaktuara më udhëzimiet e 23, 24, 25 dhe 26 prillit, ishin: të mbikëqyrte sigurinë e qytetit dhe ruajtjen e “fesë së Krishtit” mes popullsisë (me sa dukej nga islamizmi që kishte filluar të depërtonte), të përpiqej të shtinte rish në dorë kështjellat e marra prej osmanëve dhe, po të ishte e mundur, të fitonte territore të reja. Komandant i ri në kështjellë emërohej një katalan i quajtur Pere Scuder, që zëvendësonte kështjellarin e mëparshëm Juan de Castro; guvernatori i ri sillte me vete si armë dhe municione, ashtu edhe drithëra dhe verëra. Skënderbeut si vasal i sillej dhuratë simbolike një cohë e qëndisur në flori dhe njëzet copë pëlhura ngjyrash të ndryshme (Minieri-Riccio: Alcuni fatti, vëll. IV, fash. III, f. 418). Po ta dëgjojmë edhe një herë Marinescu-n, ai ka dalë në këtë përfundim: “Duke filluar prej këtij momenti deri më 1458 të gjithë fitoret që deri më tani i janë atribuar vetëm Skënderbeut, duhen llogaritur të arritura gjithmonë me ndihmën e mbretit të Napolit” (Alphonse, 61). Në planet e “kryzëzatës” 1453-shi është edhe vit i një vizite “gati të fshehtë” të Skënderbeut në Romë dhe Napoli, e cila duket t’i ketë shpëtuar edhe syrit të vetë Barletit. Pikësëpari, me ndryshimin e politikës së saj lindore ndaj rënies troditëse të Kostandinopojës në duart e osmanëve, në shtator 1453 Republika e Venedikut i kishte përtëritur klauzat e traktatit me Skënderbeun. Kështu prej një dokumenti të 9 tetorit 1453 mësohet se senati i Republikës ka porositur Pietro Marcello-n, proveditor në Lezhë, të shoqëronte Skënderbeun në një vizitë në Romë dhe Napoli simbas kërkesës së këtij (ASV, Senato Deliberazioni da Mar, V, fl. 8; Ljubic: Listine, X, nr. XXV). Halkokondyli e shënon si një “dërgatë” të Skënderbeut të Papa i Romës dhe te mbreti Alfons (Historiarum, VIII, 432-433), por vizitën e kanë shënuar edhe Hopf-i, Marinescu, Pall-i, Noli. Ndërsa Anonimi Raguzan dhe Ragnina kanë regjistruar kthimin e Skënderbeut, i cili vinte nga Puglia, nëpërmjet Raguzës. Gjatë kësaj vizite në oborrin e Napolit duket të jetë biseduar plani i fushatës për Beratin, sikundër mendon Noli (George, 50-51), por me siguri edhe aspekte ushtarake të kryqëzatës së pritshme, si do të kuptohet nga projekti për organizmin e kësaj kryqëzate që mbreti Alfons do t’ia paraqiste Papës në kuvendin e 1453-1454-s (Marinesco: Alphonse, 69-79; Pall: Skanderbeg, f. 15). Nga ana tjetër, në oborrin papnor është diskutuar, pa dyshim, projekti i parashikuar nga “bulla kryqtare” e Papës dhe i hartuar pikërisht nga mbreti Alfons. Duket kjo si një ndërkohë e shkurtër përparimesh për Skënderbeun. Nga fundi i nëntorit, nëpërmjet kapelanit të Krujës Ilia, ai e njoftonte mbretin Alfons se kishte shtënë në dorë një territor të ri dhe një kështjellë (ACA, Reg. 2660, fl. 48). Në përgjigjen e tij të 7 dhjetorit sovrani e siguronte vasalin se nënmbreti Ramon d’Ortafà do të kthente së shpejti pranë tij për të vijuar luftën kundër osmanëve “sot më shumë se kurrë” (po aty), ndërsa kështjellarit të Krujës, katalanit Pere Scuder, i premtonte në një mesazh katalanisht ndihma dhe nozullime me rastin e kthimit të nënmbretit (ACA, Reg. 2661, fl. 48). Në fillim të vitit 1454 si Skënderbeu ashtu dhe rektorët e Republikës së Venedikut e lajmëronin Mbretin e Aragonës, Napolit dhe Siqilisë se osmanët po gatitnin një ekspeditë kundër Arbërisë dhe zotërimeve të Venedikut në Arbëri. Republika vendosi që oficerët e saj të bashkonin forcat e tyre me ato të Skënderbeut për t’u bërë ballë më mirë “të pafeve” (ASV, Senato Deliberazioni da Mar, V, fl. 19; Ljubic: Listine, X, nr. XXXIII). Nga ana e tij, Skënderbeu iu drejtua për ndihmë si sovranit të vet, mbretit Alfons, ashtu edhe Papës. Nga sa një Sceva de Curte i relatonte Dukës së Milanos, Papa i kishte dërguar 3.000 dukate, ndërsa mbreti Alfons 500 këmbësorë dhe një shumë të hollash (ASM, Carteggio gen. Sforzasco, ad annum 1454). Mesazhi i mbretit Alfons, i datës 29 mars 1454, fillonte me: “I mrekullueshmi dhe i pamposhturi burrë Gjergj Kastrioti, komandant i madhërueshëm njerëzish të armatosur, i shumëdashuri ynë” (“Magnifico et strenuo viro Georgio Castrioti, dicto Scandabech, gentium armorum magnanimo capitaneo, nobis plurimum dilecto”). Më 14 qershor të atij viti regjistrohet kthimi në Krujë i nënmbretit Ramon d’Ortafà, që kishte munguar për disa kohë. Nënmbreti vinte me rekomandimet e Mbretit për Skënderbeun, por edhe për Gojko Stresin, Ivan Stresin, Gjin Muzakën, Muzakë Topian dhe një Aranit me emër të palexueshëm mirë në dokument (ACA, Reg. 2799, fl. CXV verso). Vihet se se në letrën kredenciale përkatëse të mbretit Alfons Skënderbeu thirret përsëri, po ashtu si më 29 mars, me titullin e ri: “Komandant i përgjithshëm i njerëzve tanë të armatosur në viset e Arbërisë” (“Magnifico et strenuo viro Georgio Castrioti, dicto Scandarbech, gentium armorum nostrarum in partibus Albanie generali capitaneo, consiliario fideli nobis dilecto”). Nga sa kuptohet prej kësaj letre, tani Ramon d’Ortafà-së i jepej një autoritet edhe më i madh: ai ngarkohej për të ndihmuar “bestarët e Krishtit” jo vetëm në Arbëri, por edhe në “Sklavoni” dhe Greqi. Misioni i Ramon d’Ortafà-së, njëherësh politik dhe fetar, lë të nënkuptohet se në zonat e dyndjes osmane kishte filluar një proces braktisjeje të krishterizmit dhe përqafimi të Islamit. Njëherësh me nënmbretin, mbreti Alfons dërgonte në Arbëri një Fra Lorenzo da Palerino dhe një Fra Giovanni dell’Aquila me nga një flamur taftaje me kryq të bardhë qëndisur në mes si simbol i kryqëzatës që po fillonte (Minieri-Riccio: Alcuni fatti, IV, III, 418 (me datën gabim); Cerone: La politica, XXVII, 775 (me datë gabim); Jorga: Geschichte des Osmanischen, II, 46; Marinesco: Alphonse, 82): të gjitha simbole të qarta se lufta do të bëhej në emër të Alfonsit, si sovran dhe zotërues i atij rajoni. Çfarë duket edhe më me rëndësi, tani nënmbretit i jepej edhe autorizimi për të prerë monedha në Krujë, me të njëjtën peshë dhe të njëjtën datë të atyre që priteshin në të njëjtën kohë në Napoli (ACA, Reg. 2799, fl. 114 verso –115; Pisko: Scanderbeg, 67, e interpreton gabim sikur të ishte Skënderbeu që i kishte lejuar mbretit Alfons të priste monedha në Krujë; gabimin e ka nga Summonte: Historia, II; e qorton gabimin Marinesco: Alphonse, 81 shën. 2). Sovraniteti i Mbretit të Aragonës, Napolit dhe Siqilisë edhe mbi zotërimet e Skënderbeut dhe “baronëve të tjerë të Arbërisë” bëhej kësisoj i plotë: nga flamujt aragonezë nën të cilët luftohej te prerja e monedhave napolitane brenda në qytet. Mbasalfonsiana Më 27 korrik të 1458-s mbreti Alfons, sovrani i Skënderbeut, mbështetës i tij i fuqishëm dhe madje mik i tiji, vdiste në Napoli. Në oborrin e sovranit të tij Skënderbeu dërgoi tre nga komandantët e vet më të rëndësishëm: Tanush Topinë, Vladan Gjuricën dhe Angjelin Muzakën. Sikundër Marinescu e ka vënë re, me vdekjen e mbretit Alfons jo vetëm fikej ëndrra aragonase për një perandori të madhe mesdhetare, por bjerej edhe projekti konkret për kryqëzatën në të cilën Skënderbeut i parashikohej rol udhëheqës (Alphonse, 133-134). Mbas kësaj shpresat për kryqëzatë, dhe për përfshirje në të, Skënderbeu mund t’i mbështeste vetëm të Papati. Kur më 1461 Skënderbeu ndërmerrte fushatën fushatën
në Itali për të ndihmuar djalin e Alfonsit të cilit
i rrezikohej pushteti, veç aspektit “miqësor”,
në lidhjet me të birin e mbretit Alfons duhet të ketë
ndikuar edhe një vijimësi juridiko-politike e marrëdhënieve
të vasalitetit. Marinescu ka shënuar se Ferrante-ja, edhe mbas
vdekjes së t’et, “shpesh i dërgoi [Skënderbeut]
nozullime, municione dhe trupa, sikurse kishte bërë vijimisht
i ati mbas vitit 1451” (Alphonse, 194). Në letërkëmbimin
me princin e Tarentit Giovanni Antonio Orsinimë 1460, mes argumenteve
të tjera për ekspeditën në Apulí (Puglia),
Skënderbeu i formulonte Princit në fjalë devotshmërinë
ndaj Alfonsit: “... ai Mbret i i shenjtë dhe i pavdekshëm
i Aragonës, të cilin as unë dhe asnjë nga vasalët
e mi nuk mund ta kujtojmë pa lot [...] këshillat, ndihmat në
të holla dhe nderet dhe veprat e shenjta të atij Mbreti engjëllor
qenë ato që na ruajtën dhe mbrojtën mua dhe vasalët
e mi nga shtypjet dhe duart mizore të turqve armiq tanë dhe
të besimit katolik, dhe sikur unë të isha mundur, Italia
me siguri do të kishte ndier prej mundjes sime” (Makušev:
Monumenta Slav., II, 120-124; Pisko: Skanderbeg, 150-152; Noli: George,
appendix nr. 31 etj.). Ai mburrej për fitoret që kishte arritur
duke pasur kundër fuqisë osmane vetëm Krujën, për
të cilën thoshte: “sot është Shtëpi e Aragonës
dhe e Madhërisë së Tij” (“... et essendomi
restata sola la cità de Croya, la quale hogi è de casa de
Aragona et de Soa Mtà”, po aty), dëshmi me vlerë
për të dëftuar se ekzistonte ende diçka nga lidhja
e vasalitetit edhe me mbretin Ferrante.
Shekulli
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php"); ?> |
Faqe në rrjetin tonë: |
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara. Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa |