|
|
Antologjia e këngës dhe
e muzikës Arvanite një thesar kombëtar
‘’Nga katër ishujt e tjerë (Salamina, Poros, Hidra,
Speca) nuk njoh të ekzistojnë as melodi, por as edhe tekste.
Këto ishuj janë shqipfolës dhe duhet të merremi me
këtë temë të rëndësishme të laografisë
sonë më seriozisht; bashkëjetesën në Greqi dhe
konkretisht me këto vende shqipfolëse aty ku këndohet kënga
greke dhe arvanitase. Këto ishullorë këndojnë në
dy gjuhë, dhe kur këndojnë shqipfolësit këngët
greke duket qartë se ata nuk i këndojnë pa asnjë ndryshim
nga grekfolësit’’.(Melpo Merlje; Laografia Muzikore në
Greqi, Arkiva Laografike Muzikore Athinë, 1935, fq.44)
Në fund te vitit 2002, doli ne qarkullim Antologjia e Këngëve
Arvanite të Greqisë, pregatitur me kujdes nga këngëtari
dhe muzikologu i shquar arvanitas Thanasis Moraitis.
Mbas 17 vjet studimesh, kërkimesh dhe udhëtimesh nëpër
trevat e Epirit, të Follorinës, të Konicës, të
Thraqis, të Korinthit, të Atikisë dhe Viotisë ku banojnë
arvatitët dhe këndohet kënga e tyre në Greqi, shkrimtari
muzikant dhe këngëtar Thanasi Moraiti na sjellë një
Antologji me vlera të mëdha shkencore dhe historike, gjuhësore
dhe muzikore, që përmban mbi 140 materiale muzikore të
shkruara me tekste traskrituara në greqisht dhe përkthyer në
shqip. Të gjitha këngët shoqërohen me nota në
pentagrame muzikore, parathënien Teorike dhe Analizën Muzikore
e ka bërë Dimitri Leka, ndërsa parathënien e librit
e ka bërë Marko F. Dragumi, Drejtor i Muzeut Laografik(popullor)
të Athinës, i cili shkruan; ‘’Kjo Antologji e cila
është frut i një pune shumëvjeçare të
mundimëshme dhe të lodhëshme e cila përmban në
vetvete jo vetëm një njohje të thellë të Antologjisë
së gjuhës, por edhe të njohjes së thellë muzikore.
Bëhet fjalë për një vepër e cila vjen të
mbushë një boshllëk të madh, më në fund
kënga dhe poezia muzikore popullore arvanitase është e
rregjistruar dhe kjo më e pakta e asaj që ekziston, por mbi
të gjitha është hedhur baza e saj. Dhe kjo është
një nga punët me anë të së cilës duhet të
mbërrijmë dhe të zgjerojmë horizontet tona etnomuzikologjike’’.
Autori i Antologjisë së Këngës Arvanite, Thanasi Moraiti
ka shfrytëzua për shoqërimin historik të këngëve
arvanitase librat e shkruajtura nga autorët Kosta Biri, Sp. Asdraha,
Jani Gjika, Teodor Haxhipandasi. Gjithashtu ka studiuar librat gjuhësor
të autorëve Erik Pratt Hamp, Mirosllav Nt. Zabuoçki,
Jorgo Babinioti dhe Luka Çiçipi.
Librin e tij Thanasi Moraiti ia ka përkushtuar memorialit të
Melpo Merlie dhe mësuesit të tij Spiro Peristeri. Qëllimi
i këtij libri është realizimi i dëshirës së
themelueses së Qëndrës të Studimeve të Azisë
së vogël dhe Muzeut Laografik Muzikor Melpos Merlie, dhe rringjallja
e pjesëve të humbura të kulturës popullore greke.
Kërkimet për të mbledhur në një Antologji këngën
arvanite Thanasi Moraiti i filloi në vitin 1985, atëherë
kur ai dha para publikut koncertin e tij të parë në teatrin
‘’Orfeas’’ me këngët arvanitase në
bashkëpunim me studiuesin dhe historianin arvanitas Aristidh Kolia,
kompozitorin arvanitas Dhimitri Leka.
Thanasi Moraiti ka dhënë disa koncerte në Greqi, Hollandë
dhe Belgjikë me këngët arvanitase, ndërsa në
Shqipëri ka marë pjesë në Festivalin Folklorik në
Berat.
Me nxjerrjen e botimit të librit të parë të Antologjisë
të Këngës Arvavanite të Greqis që i mungonte
historis Arvanite duhet thënë se këngëtari, muzikanti
dhe shkrimtari arvanitas Thanasi Moraiti na ka sjellë një dëshmi
shkencore të rrëndësishme të elementit kulturor-muzikor
të vjetër të shqiptarëve të lashtë në
shekujt e mëparshëm në Ballkan. Kjo vepër Antologjie
është një ogur i bardhë të pasurimit mbarë
kombëtar të gjakut të shprish të Arbërit kudo
në botë që ata ndodhen. Në këtë Antologji
lexuesi do të mësojë nëpërmjet këngëve
që ka mbledhur Moraiti ngjarjet e rrëndësishme historike
të luftrave, dashurisë, vajeve të kombit Arbër që
nuk mundi ti shkruante me penë dhe bojë në ato vite të
vështira në luftën për ekzistencë kombëtare,
por i trashëguam me anën zërit të fuqishëm popullor.
Deklaratë e deputetit të PASOK-ut arvanitasit
Teodor Pangallos në prezantimin e Antologjisë Arvanitase.
Në prezantimin e librit të Thanasi Morait kishte
shumë të pranishëm midis tyre ishte dhe deputeti i PASOK-ut
arvanitas Teodor Pangallos i cili përshëndeti në prezantimine
Antologjisë Arvanitase dhe tha;
‘’Për ne që u lindëm në shtëpi ku
gjyshja jonë fliste arvanitika, këtë gjuhë që
nuk është siç dëgjojmë të thonë sot
ca ‘’karafila’’, greqisht me ca fjalë të
tjera, por është shqip, shqipja e pastër e shekullit 14-të
dhe këtë na e vërtetojnë edhe emigrantët e sotëm
shqiptarë që ndodhen në Mesologjia dhe na thonë; ‘’Ju
flisni shqipen e vjetër’’. Dhe kjo është shumë
e llogjikshme nga pikpamja gjuhësore, pasi gjuha e shqiptarëve
që u vendosën këtu në shekullin 14-të, panë
gjuhën e tyre të evoluojë në greqishten dhe ajo që
erdhi deri në ditët tona ishte idioma e vjetër e shqipes.
Për ne humbja e gjuhës arvanitase është si të
kemi humbur atdheun, sepse përmban një kulturë të
cilën jo në kushte e një shtypjeje, sepse arvanitasit nuk
mundë t’i shtypte kush në Greqi, ata udhëhiqnin Greqinë,
ishin gjeneralë, kryeministra, presidentë dhe pronarë të
kryeqytetit, jo në kushtet e një shtypjeje pra, por vetë
ata e ‘’gëlltitën’’ të shkuarën
e tyre, sepse në mënyrë fanatike qenë të bindur
se ishin grekë, dhe me ndihmën edhe të mësuesve arritën
ta zhdukin gjuhën arvanitase, të cilën askush nuk e flet
sot, të paktën nga mosha ime poshtë. Tani lavdi Zotit,
na kanë mbetur ende ca gjyshër e gjyshe që e flasin.
Mirëpo është gjynah që kjo gjuhë të humbasë
dhe besoj se puna që ka bërë Thanasis Moraiti ndihmon që
të mos jetë arvanitia (arberishtja) një atdhe i humbur.
Duhet të dalin në dritë, gjuha, kultura, zakonet, doket,
sepse përndryshe, po mbeti në errësirë do të
jetë vërtetë një atdhe i humbur’’.
Eric Pratt Hamp, pedagog i gjuhësisë në
Universitetin e Çikagos ka thënë. ‘’Gjuha
arvanitase ka një kontribut unikal me pasuri të veçantë
në shumë drejtime të rëndësishme, dhe Greqia
është po aq me fat që ka këtë burim të pasur
në tokën e vet dhe ndërmjet qytetarve të saj’’.
Historia e këngës arvanitase dhe biografia e shkurtër
e shkrimtarit dhe këngëtarit arvanitas Thanasis Moraitis.
Kënga
arvanitase përbën një pjesë ndër më të
vyerat e krimtarive muziko-poetike të popullit grek sot, por kjo
vërtetësi e padyshimtë për grekun në shekullin
21, nuk është përmbledhur për arsye të ndryshme.....
Në përmbledhjet e njohura të këngëve popullore
të shekullit 19, pra nuk ka këngë arvanitase në Greqi.
Folkloristët e saj kohe, me pararojë N. Politin, jepnin betejën
e tyre për përmbysjen e teorive të Falmerajerit dhe dëshmuar,
përmes materjaleve folklortike.
Në qëllimet dashakeqe të mirënjohura të kohës
u flijua kënga arvanitase, u zhduk, u shpall e pa qenë. Por,
faktet më të rrëndësisshme folklorike të popullit
tonë shqiptar, që tregojnë vazhdimsinë e pandërprerë
të racës, u takojnë arvanitasve të Greqisë. Veshja
zyrtare kombëtare greke është fustanella shqipëtare
që vishej nga arbërit e Kroacisë, Kosovës e deri në
More(Popleponezi), që përbën një zhvillim të
veshjes mbarë pellazgjike, vallja çame është arvanitase
ose shqiptare, që kërcehet nga të gjithë grupet folklorike
greke sot.
Arvanitasit këta ‘’Krijues të Greqisë së
Re’’ është populli që mbajti barrën kryesore
të luftës çlirimtare të 1821. Të fuqishëm,
të paposhtur, dhe liridashës, lanë me gjakun e tyre tokën
greke dhe paguan me flijimet e tyre lirinë e Greqisë së
Re. Një popull i tillë, me shpirtin luftarak, është
e natyrëshme të shprehej përmes këngës epikolirike
dhe vajeve. Por këngë folklorike arvanitase në antologjinë
greke të shekullit 19, nuk ka.
Intelektualë bashkëkohës arvanitas si G.Gjika, M.Dede,
E.Lapi, G.M. Paidushi, N.Saltaris, që hartuan antologjinë e
këngës arvanitase, në 40 vjetët, e fundit, nuk përfshinë
në to këngët epikolirike, por vetëm ‘’dyvargjeshe’’
popullore të jetës së përditëshme paqësore,
që i datohen shekullit 20, ose në rastet më të mira,
të shekullit 19.
Nga dokumentat historike që kemi vërtetojnë parimin dhe
tregojnë faktin se kënga e vjetër arvanitase ishte së
pari dhe kryesisht epike dhe lirike. Gjuha arvanitase nuk shkruhej. Nuk
përbënte gjuhë të shkollimit, por kryesisht të
njerëzme të pa shkolluar të asaj kohe të popullit
arvanitas ose shqiptar.
Ngjarjet e përditëshme dhe ngjarjet historike shpëtoheshin
dhe rruheshin përmes këngës, tjetër mënyrë
nuk kishte.
Nga P.Hioti që shkroi ‘’Historinë e Shtat Ishujve’’
më 1866, na dëshmon që suliotët arvanitas, që
ishin vendosur në ishullin e Korfuzit. Kur pastronin armët,
këndonin në arbërisht bëmat e tyre trimërore.
Por këngë arvanite të suliotëve nuk ka në asnjë
Antologji.
Dy këngë suliote gjenden tek ‘’Bleta shqiptare’’
e Thimo Mitku, që u botua më 1878 në Aleksandri, Egjypt.
Më 1891, historiani dhe gjuhëtari Artur Miklofer botoi veprën
‘’Atika und seine Heutigeu’’ ku, midis të
tjera thotë- ’’Mesa di unë, këngët popullore
bashkëkohore greke i janë përshtatur këngëve
të vjetra të dashurisë, lirisë dhe kaçake të
arvanitase’’.
Kështu u bë greqëzimi gjuhësor ku u flijua në
këtë mënyrë kënga e vjetër epikolirike arvanitase,
e cila kaloi tek brezat e rinj në variantin grek dhe kështu
u njoh.
Instrumentistë dhe këngëtarë të shquar popullor
si, sulioti Vurko, Stefanopulo, Ngrici, Papasidheri, Mitaqi, ishin arvanitas
dhe shumë këngë arvanite i rishkruan në gjuhën
greke, duke ruajtur, formën muzikore ose duke rregulluar me të
dhëna të reja, kryesisht nga viti 1835, kur bavarezët futën
në Greqi klarinetën.
Kështu kishte një çarje të madhe të krijimtarisë
muzikore-poetike të arvanitasve në Greqi. Këngët e
vjetra epikolirike arvanite u harruan me kalimin e kohës, pasi askush
nuk u interesua të bëjë zgjedhjen e duhur; pra, të
mbledhi krijimtarinë arvanite dhe burimin e tyre.
Kërkimi i këngëve të vjetra epikolirike është
çështje tepër e vështirë, por ja vlen mundimi
të merret njeriu me to, për pasurimin e më tejshëm
të kulturës tonë kombëtare.
Këto 15 vjetët e fundit falë vullnetit dhe kërkimeve
të studiuesit arvanitas Aristidh Kolia, muzikantit arvanitas Dhimitër
Lekas dhe këngëtarit të njohur arvanitas Thanasis Moraitis,
u bë e mundur që të prodhohen dy CD me këngët
e vjetra arvanitase me titull ‘’Këngët Arvanitase’’
dhe ‘’Trëndafilat e Shkëmbit’’ që
kanë përmbledhjen e disa këngëve të arvanitëve
të Greqis dhe të arbëreshëve të Italisë
së Jugut.
Thanasis Moraitis u lind dhe u rrit në fshatin arvanitas, Vaja. Gjyshja
e tij nuk dinte greqishten, fliste vetëm gjuhën e vatrës
arbërishten. Kurse prindërit e Thanasi Moraiti, mëma Gjeorgjia
dhe tata Kostandinos, flisnin arbërishten dhe greqishten. Në
shkollën fillore Thanasi ngatarronte fjalët greke me fjalët
arvanitase, kështu që kishte vështirësi me gjuhën
e re greke që po mësonte.
Në panairet që organizoheshin për nder të Shën
Athanasin dhe Shën Harrallambit, nëpër fshatrat arvanitase
fqinjë me fshatin e tij, Thanasis Moraitis shkonte dhe dëgjonte
muzikantë dhe këngëtarë endacakë në shfaqet
që jepnin me këngë arvanite dhe greke.
Shumë herë ai rrinte me turirin ngjitur me xhamin e brymtë
të kafenesë së fshatit, që ishte shëndruar në
qëndër muzikore dhe dëgjonte këngët tradicionale
arvanitase, që më parë i kishte dëgjuar nga mëma
Gjeorgjia dhe kushurinjtë e tij nëpër gëzime familjare.
Në moshën 13 vjeçare u gjend në Athinë, në
kryeqytetin e Greqis, duke ndjekur fatin e prindërve, kur Greqia
ishte në kulmin e emigracionit të brendëshme rreth viteve
1970. I mbyllur në qetësinë e tij, në një lagje
të kryeqytetit, ai filloi të harronte dhe gjuhën e mëmës
arbërishten dhe njerezit e tij që kishte lënë në
fshatin e lindjes.
Student i Universitetit Pandios, po të këndoje këngët
e ‘’katundeve të prapambetura’’ ishte nënçmuese.
Me kalimin e kohës u muar seriozisht me muzikë. Midis shkrimtarve
dhe muzikologëve, u njoh me shkrimtarin dhe historiani arvanitas
Aristidh Kolia, i cili, tok me gjurmues të tjerë, merrej me
mbledhjen dhe studimet e këngëve arvanitase, të Greqisë
dhe Italisë së Jugut. Bshkëpunimi me Aristidh Kolën
dhe vërtetimet që kishin mbledhur ia shtuan edhe më shumë
dashurinë për muzikën dhe këngën arvanitase.
Tok me Aristidh Kolën, nisën me këmbëngulje të
kërkojnë dhe studjojnë secili në fushën e vet
gjithë atë tendë të bollshme.
Me Dhimitër Lekën, Thanasi Moraiti ishte njohur që në
Universitetin Pandios. Muzikant shumë i mirë, njohës i
përmasave të muzikës së lashtësisë, në
vatër të të cilave mendonte, Aristidh Kolia dhe Thanasi
Moraiti, duhej të këndoheshin këngët arvanitase.
Puna dhe studimin e filluan nën udhëzimet e mësuesit Spiros
Peristeris, që të mos u bënin keq në vend t’u
shërbenin mirë këngëve arvanite. Kështu pas një
pune dy vjeçare, dha koncertin e parë në teatrin ‘’Orfeos’’
me këngë arvanitase.
Thanasi Moraiti është diplomuar për shkencat politike.
Me muzikë filloi të merret më 1983, dhe është
muzikant i vetmësuar, muzikën bizantine, ia mësoi protopsalti
i mitropolisë së Athinës, Spiros Peristeris. Bashkëpunoi
me kompozitorin e madh Miqi Teodoraqin për disqet dhe koncertet e
dhëna gjatë periudhës 1984-1987, me këngë greke.
Bashkëpunoi me aktoren këngëtare gjermane Gisela May, për
një disq që qarkulloi më 1988.
Në prill të 1993, paraqiti në sallën e cermonive të
Universitetin e Athinës, kompozimet e veta me vargjet të poetit
Kostandin Kavafit.
Më 1998, Thanasi Moraiti nxorri diskun CD e dytë me këngë
arvanitase të mbledhura në Greqi dhe Italinë e Jugut me
titull ‘’Trëndafilat e Shkëmbit’’ që
ishte një bashkëpunim i suksesshëm me studiuesin Aristidh
Kolën dhe muzikantin Dhimitri Leka.
Në mars 1998 dha një koncert në teatrin ‘’Palasos’’
me 25 këngët e mbledhura vetë Thanasi në Greqi dhe
Italinë e Jugut nga bartës që i këndojnë arbërisht.
Thanasis Moraitis ka marë pjesë tre herë në Festivalet
Folklorike të zhvilluara në qytetin e Beratit në Shqipëri.
Në janar të vitit 2001, ka dhënë tetë koncerte
në qytetet e ndyrshme të Belgjikës, dhe tetë koncerte
në qytetet e Hollandës me këngë arvanitase ku ka patur
suksese të mëdha.
Është për të ardhur keq që Thanasis Moraitis
me zërin e tij të ëmbël nuk i është krijuar
mundësia nga shteti shqiptar apo tregëtarët e fuqishëm
shqiptar që na lavdërohen, të japi koncerte me këngët
e bukura arvanitase në qytetet e lashta të Arbërisë.
Ato këngë që i këndon me dashuri Thanasis Moraitis,
u kanë rrezistuar shekujve të tëra të ruajtur me fanatizëm
nga populli arvanitas, dhe sot ato këngë po humbasin. Disku
CD, i parë me titull ‘’Këngët Arvanitase’’
nuk mundë të gjendet më. Dy CD, që ka nxjerrë
vite më parë Thanasis Moraitis me këngë arbëreshe
nuk kanë qarkulluar në hapsirën shqiptare dhe nuk njihen
nga popullsia e gjerë shqiptare, ato njihen vetëm nga arvanitasit
dhe arbëreshët e Italisë.
Vërej; Me fjalën Arvanitas kuptojmë shqiptar para krijimit
të shtetit të ri grek 1834, atëhere kur nuk kishte shtete
Ballkanike. Në për vendet ku jetojnë shiptarët para
se të formoheshin shetet Ballkanike rreth viteve1834, quheshin arvanitas
nga shkrimtarët Bizantik, arnaut dhe arnavut nga shkrimtarët
turqë dhe të botës arabe, alban nga shkrimtarët latinë
dhe anglez. Italianët arbëreshët i kanë quajtur dhe
i quajnë zyrtarisht Albanë. Pra është e llogjikëshme
që dhe emri arnaut dhe arvanitas është emërtimi i
të njëjtit popull, pra të popullit shqiptar. Për më
saktë në Fjalorët greqisht- shqip dhe shqip-greqisht, fjala
arvanitas përkthehet me origjin albanian.
Studim është botuar ne revisten
Ekskluzive në vitin 2001-2002, botohet në Prishtinë. Studimi
është bërë me syrin e gazetarit dhe të njeriut
në terren pranë fakteve të gjalla. Është shfrytëzuar
biblioteka e ‘’Lidhjes së Aravinasve të Greqisë’’.
Arben Llalla
include ("../reklama460.php");
?>
|
|
|