|
|
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
Gjergj Fishta sociolog?
Nga Lekë Sokoli
Në gjykimin tim hyn edhe rehabilitimi zyrtar i Gjergj Fishtës,
kësaj figure që u vlerësua “Nderi i Kombit”,
nga Presidenti i Republikës, titull që kaloi pa jehonën
e merituar dhe, siç duket, studiuesit socialë e përfaqësuesit
e sotëm të kulturës nuk janë çliruar plotësisht
nga njëfarë kompleksi mbi veprën e tij.
Hipotezat
Gjergj Fishta kreu studimet e larta për filozofi e teologji. Ai e
filloi veprimtarinë studimore në Gomsiqe ku, siç rezulton,
shkoi i nxitur edhe nga interesa hulumtuese, shkencore. Në
këtë zonë përfaqësuese, nga pikëpamja historike
dhe etnokulturore, ai njohu “shpirtin e racës”, mënyrën
tradicionalisht shqiptare të jetesës, gojëdhënat,
doket, zakonet, normat juridike etj., të cilat do t’i shfrytëzonte
mjeshtërisht për veprat e tij. Ai dhe Shtjefën Gjeçovi
bënë që Kisha e Gomsiqes të shndërrohej në
një institut të vërtetë hulumtimi shkencor.
Fishta kryesoi Komisionin për Hartimin e Alfabetit, të cilin
Kongresi i Manastirit (1908), e miratoi si alfabet të vetëm
të shqipes. Shkencëtari i gjuhësisë, Gjergj Fishta,
dha një kontribut të çmuar për krijimin e gjuhës
shqipe të njësuar. Ai ishte i bindur se gjuhët nuk krijohen
nga bashkimi apo shkrirja e dialekteve, por nga zgjedhja e një dialekti.
“Alfabeti shqiptar i asaj kohe është gati i përkryer,
thotë Kadareja, dhe po ju kujtoj se kryetari i komisionit të
Manastirit të alfabetit shqip ka qenë Gjergj Fishta. Pra nuk
ka qenë një njeri nga Jugu, po ka qenë një nga shkrimtarët
më të shquar nga Veriu”.
Fishta është një personalitet profetik i kulturës
shqiptare, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si kritik, historian,
estet, filozof etj. Të huajt e kanë cilësuar atë,
siç vëren A. Plasari, themelues të një shkolle filozofike
shqiptare sepse krijimtaria e tij, pavarësisht formës, vjen
e ngarkohet me peshë filozofike. Për disa studiues, Fishta filozof
është quajtur më së shumti si një përfaqësues
i filozofisë kristiane. Të tjerë, përkundrazi, kanë
vënë në dukje faktin se ai është ndikuar po aq
nga Platoni e filozofë të tjerë të lashtë, nga
idealizmi gjerman i Hegelit etj.
Nuk ishte vetëm njeri me vullnet politik, por politikan, madje edhe
politolog. Ai, në stilin e Makiavelit të disa shekujve para
tij, vrojtoi sjelljen e klasës politike të fillimit të
shek. XX dhe fshikulloi, siç dinte ai, mediokritetin e qeverive
të kohës, politikat e mbrapshta etj. Një mendimtar si ai,
aktiv në politikë e diplomaci (deputet i Shkodrës, anëtar
i Parlamentit të parë Shqiptar dhe nënkryetar i tij, përfaqësues
në konferenca ndërkombëtare etj.), nuk mund të mos
ishte edhe politolog.
Si studiues i sociologjisë, jam i prirur të pohoj se Fishta
ka arsye të cilësohet edhe si një ndër pararendësit
e sociologjisë shqiptare, në mos sociolog. Dihet se, si çdo
shkencë shoqërore, edhe sociologjia nuk lindi në një
boshllëk historik. Nga kjo formë latente zhvillimi, nuk mund
të përjashtohet edhe sociologjia shqiptare. Fishta ka trajtuar
një problematikë e cila është, gjithsesi, në
fokus të sociologjisë bashkëkohore: të sociologjisë
religjoze, të kulturës, artit e komunikimit, të moralit
e të edukimit, të sociologjisë së familjes (kompleksi
i marrëdhënieve familjare, martesa, familja, divorci etj.).
Pra mund të pohojmë se ai ka vendosur një gur themeli në
godinën sociologjike shqiptare.
Me “Lahuta e Malcis”, Fishta është quajtur “Homeri
i shqiptarëve”. Por Homeri ishte edhe një eksplorator
i madh, që ka bërë të njohur jetën e popujve
që ka takuar dhe, në këtë vështrim, ai është
quajtur si një ndër etnologët e parë. Me të njëjtën
logjikë kemi të drejtë të pohojmë se Fishta ishte
një ndër etnologët e parë shqiptarë. Ai ishte
edhe psikolog apo etnopsikolog, në kuptimin që kanë marrë
në kohën tonë këto fjalë.
Pohimi se Fishta është edhe shkencëtar social mund të
kontestohen me “argumentin” se ai nuk ka shkruar vepra të
veçanta mbi filozofinë, sociologjinë, antropologjinë,
politologjinë apo degë e nëndegë të tjera të
shkencave sociale, siç shkruajnë studiuesit e këtyre
fushave në kohën tonë. Megjithatë duhet të mbajmë
parasysh faktin se këto degë të shkencave sociale nuk kanë
qenë gjithmonë qartësisht të diferencuara nga njëra-tjetra.
Në Francë, për shembull, Monteskje quhet si një ndër
themeluesit e sociologjisë, megjithse hibridi latino-grek, sociologji,
do të përmendej për herë të parë gati një
shekull pasi ai shkroi veprën e tij “Mbi frymën e ligjeve”.
Kur gjykojmë për filozofinë e Fishtës apo për
Fishtën filozof, mund të përmendim faktin se edhe Aleni,
një filozof francez i shek.XX, nga filozofët më të
lexuar, në të vërtetë është vetëm autor
esesh. Por “filozofi e Alenit” është quajtur tërësia
e ideve të tij, ide të shprehura në vepra jo të mirëfillta
filozofike e të vendosura në një sistem. Makiaveli, gjithashtu,
nuk është një studiues “i pastër” i shkencave
sociale. Por ai trajtoi dhe vuri themele mbi një varg çështjesh
që janë në fokusin e shkencave sociale bashkëkohore,
sidomos të sociologjisë politike e politologjisë. Ne kemi
të drejtë të përdorim të njëjtën logjikë
për Fishtën.
Unë bashkohem me mendimin e disa studiuesve, A. Plasari etj., që
e quajnë si të papranueshëm faktin që në strukturat
e kurseve të një fakulteti të letrave apo të filozofisë,
të mungojnë studimet fishtjane; se një kurs i tillë
do të funksiononte si shtyllë kurrizore në një sistem
shkollor me drejtim humanist; se botimi (dhe ribotimi) i mendimit fishtjan
bëhet sot i domosdoshëm për rishtënien në dorë
të vlerave të fshehura ose të huajsuara prej kulturës
sonë.
Rivlerësime e (mos)vlerësime
Deri më 1940, Gjergj Fishta u nderua me çmime e tituj, u bë
anëtar i Akademisë Italiane, u propozua për çmimin
Nobel etj. Më pas u denigrua nga regjimit komunist. Eshtrat e tij
u hodhën në lumin Drin, në përpjekjen për të
varrosur një herë e mirë veprën e tij, për të
ardhur te ”Nderi i Kombit” (dhjetor 2002). Edhe pse ky rivlerësim
duhej të ishte bërë më parë (Alfred Moisiu është
presidenti i katërt i periudhës paskomuniste dhe jo i pari),
edhe pse ai përfaqëson një akt dinjitoz që nderon
shtetin e shoqërinë shqiptare, ky rivlerësim duhej paraprirë
nga rivlerësimi i veprës së tij, të paktën prej
disa institucioneve shtetërore, duke filluar nga Akademia e Shkencave,
e cila ka dhënë “vlerësimin zyrtar” (ende në
fuqi) për Fishtën, të formuluar në Fjalorin Enciklopedik
Shqiptar. Them “ende në fuqi”, sepse deri më sot
ai nuk është zëvendësuar nga një i ri, ndonëse
kanë kaluar 12-13 vjet nga fillimi i proceseve demokratike, pra rivlerësuese.
Në këtë botim për Gjergj Fishtën është
shkruar, si vëllim, sa 1/20 e asaj që është shkruar
për E. Hoxhën, 2-5 herë më pak se për B. Currin,
L. Gurakuqin, D. Agollin, M. Asllanin, L. Çukon, H. Çelikun...
(!). Por më tepër rëndësi ka cilësia e (mos)vlerësimit
të Fishtës (fq. 270-71): “Fishta, Gjergj. Shkrimtar dhe
publicist reaksionar, përfaqësues kryesor i letërsisë
klerikale-katolike, mori pjesë gjallërisht në jetën
politike dhe kulturore për të forcuar në të ndikimin
e klerit katolik..., drejtoi revistën “Hylli i Dritës”,
një nga tribunat më aktive të reaksionit klerikal…,
luftoi me tërbim kundër ideve përparimtare, përshëndeti
pushtimin e vendit nga forcat fashiste italiane...”
Iu referova këtij fjalori, sepse ai përfaqëson veprën
më të madhe e më voluminozë të hartuar te ne,
si për nga vëllimi (1250 faqe), sikurse nga numri dhe cilësitë
akademike të njerëzve të angazhuar në hartimin e tij.
Hartimi i tij u drejtua nga një redaksi e përgjithshme, e përbërë
nga 34 akademikë e shkencëtarë, për të ka funksionuar
një sektor i veçantë (Sektori i Encilopedisë Shqiptare),
njëzet redaksi të fushave të shkencave, mbi 800 studiues,
autorë të zërave të Enciklopedisë, pa përmendur
rreth 30 grupe të mëdha të punës për qendrat
e banuara sipas rretheve, për Shqipërinë e Kosovën.
Të bën përshtypje zelli i regjimit politik të para
viteve ’90-të, për t’u dhënë një
veshje shkencore vendimeve e vlerësimeve të paravendosura politikisht.
Por si për inerci, gjurmë të një (mos)vlerësimi
të tillë për Fishtën vazhduan edhe në vitet e
paskomunizmit. Ndoshta një reagim më realist mund të bëhet
për të kapërcyer një herë e mirë logjikën
“bardhë e zi”, për vlerësimin e gjithanshëm
të Fishtës, këtij sovrani të letrave shqipe, këtij
dijetari, eruditi të gjithanshëm, publicisti, polemisti, përkthyesi
e shkencëtari të disa fushave të shkencave sociale. Nëse
Fishta ka shkruar: “Dhe ta dijë bota mbar/se un mbas sodit
s’jam ma shqiptar”, këto vargje kanë shprehur, siç
vëren prof. Hamit Beqja, zemërimin e tij ndaj bashkatdhetarëve.,
sikurse edhe Noli (Skllevër, bij skllevërish/s’e meritoni,
se liri s’doni), Pashko Vasa, Konica etj. etj. Kur ishte fjala për
Shqipërinë, Fishta nuk kurseu jo më shqiptarët, por
as Evropën (Moj Evropë, moj kurv’ e motit…), madje
as vetë Perëndinë. “O Perendi a ndjeve/tradhtarët
na lanë pa atdhe/e ti rrin e gjun me rrfe/lisat nëpër male
kot”. Ky ishte “reaksionari” dhe “antishqiptari”
Gjergj Fishta.
Sociolog
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
|
|
|