* SigurimiShoqëror i Detyrueshëm,
* Sigurimi Shoqëror Vullnetar,
* Sigurimi Shoqëror Suplementar,
* Pensionet e Posaçme Shtetërore.
Sigurimi Shoqëror i Detyrueshëm mbështetet në parimin "paguaj sot që të përfitosh nesër (pay as you go)". Parimi kontributiv, parimi i vetëpërgjegjësisë së individit për rrisqet e së ardhmes në fushën sociale, parimi i marrëveshjes së brezave janë bazë e këtij sistemi. Kjo skemë nuk është fitimprurëse dhe mbron me të ardhura:
* Personat e punësuar në lidhje me:barrëlindjen, paaftësinë e përkohshme në punë për shkak të sëmundjes, sëmundjet profesionale dhe aksidentet në punë, pleqërinë, invaliditetin, humbjen e mbajtësit të familjes, papunësinë;
* Personat e tjerë ekonomikisht aktivë (punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit) në lidhje me: barrëlindjen, pleqërinë, invaliditetin, humbjen e mbajtësit të familjes.
Kjo skemë financohet nga kontributet e punëdhënësve, punëmarrësve, të vetëpunësuarve dhe të shtetit.
Me të ardhurat kontributive garantohen përfitimet në para, në një masë që mbulon, të paktën, një standart minimal jetese i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Në çdo rast, përfitimet garantohen nga buxheti i shtetit.
Sigurimi Shoqëror Vullnetar mbron personat kur, për një kohë dhe për shkaqe të arsyeshme, nuk mund të përfshihen në sigurimin e detyrueshëm, por që në mënyrë vullnetare dëshirojnë ta vazhdojne atë. Këtë të drejtë e kanë studentët për periudhën e studimeve universitare, personat e punësuar jashtë shtetit, punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit për të zgjeruar diapazonin e mbrojtjes shoqërore, etj. Sigurimi Shoqëror Vullnetar mbështetet në Nenin 3 të Ligjit Nr.7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”,dhe mundësohet sipas kushteve të përcaktuara në Rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Nr.35, datë 19.06.2002.
Sigurimi Shoqëror Suplementar ka si parim bazë përfitimin e pensioneve në një masë më të madhe ose më parë se sa ofron skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror. Baza ligjore e skemave suplementare të sigurimit shoqëror është Neni 4 i Ligjit Nr.7703, date 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Aktualisht, ekziston baza ligjore që trajton skemat suplementare për nëpunësit civil e personat që kryejnë funksione kushtetuese - Ligji Nr.8097, datë 21.03.1996, “Për Pensionet Shtetërore Suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, për ushtarakët - Ligji Nr.8087, datë 13.03.1996, “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë” të cilat janë në zbatim, si dhe Ligji Nr.7943, datë01.06.1995, “Për Pensionet Suplementare dhe Institutet Private të Pensioneve”.
Pensionet e Posaçme Shtetërore jepen për individë dhe kategori të caktuara sociale, në raste të veçanta dhe për arsye të veçanta që parashikohen në Nenin 5 të Ligjit Nr.7703, datë 11.05.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, si p.sh. për ata që kanë marrë pjesë në levizjen e Rilindjes Kombëtare, në lëvizjet popullore, në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë brënda dhe jashtë Shqipërisë, në lëvizjen demokratike, kanë vuajtur nga persekutimi politik në regjimin komunist, kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, artit, ekonomisë, politikës dhe që kanë merita të veçanta. Skema financohet nga buxheti i shtetit. Kushtet e përfitimit, shuma dhe proçedura për dhënien e pensionit të posaçëm shtetëror, përcaktohen nga Këshilli i Ministrave dhe administrohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqerore.