Fatos Arapi

Fatos Arapi

Fatos Arapi lindi në qytetin e Vlorës. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, F. Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: Dhjetori i shqetësuar,1970; Shokët,1977; Deti në mes,1986; disa drama: Partizani pa emër,1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku,1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme. Poezitë e para F. Arapi i botoi në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë, dhe, përkatësisht në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet "Shtigje poetike" dhe "Poezia dhe vjersha". Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të vëçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Fillimet poetike të Fatosit do të jenë tematikisht të rrudhura e të reduktuara, duke u kushtëzuar nga rrethanat politike të kohës. Në frymën e hovit ndërtimor dhe të entuziazmit për çlirimin e vendit, që mbizotëronte brenda parimeve krijuese të realizmit socialist poeti shpaloste besimin se Shqipëria ecte drejt një rruge të re, të lirë, dhe ky besim bënte të përballohej më lehtë durimi dhe sakrifica. Brenda këtij vizioni, Fatos Arapi shpesh do t'i përqeshë e përbuzë burokratët dhe demagogët, si në poezinë "Antiburokratike", apo do të sjellë disa veçanti përmbajtësore dhe ekspresive si në poezinë "Pse erdha në jetë". Siç shihet, poeti i thurr ode lirisë dhe "mejtimit të lirë" siç e quan ai. është synim dhe ideal madhor, pas të cilit poeti magjepset dhe përbetohet.
Parë nga kjo perspektivë vetë çensurimi, mund të bëhen interpretime të shumëfishta: se shoqëria e re është ajo që sjell dhe garanton lirinë, apo, se poeti sikur e ndien të rrezikuar lirinë, prandaj del në kundërshtim të brendshëm me kohën e vet. Cilido nga interpretimet duhet marrë parasysh dhe për faktin e leximit zyrtar të poezisë. Por, edhe në rrafsh të artikulimit gjuhësor, në përzgjedhjen e figurës dhe të figuracionit, Arapi do të kërkojë mundësi të reja në thurrjen e vargut dhe artikulimin e fjalës. Eshtë ndjerë e hutuar mbase dhe vetë çensura përballë vërshimit të figurshëm në stilin "Nata shkon shaluar mbi kurriz të maleve", "Nata e ngarkuar me alarme...", te poema mjaft e ndjerë dhe e suksesshme e asaj kohe "Alarme të përgjakura".
Në fillim të viteve shtatëdhjetë, e sidomos me veprën e botuar më 1972 "Më jepni një emër", besimi dhe entuziazmi mbi të nesërmen e sigurtë sikur fillon të meket. Do të vërehet kjo në dy rrafshe: në përsiatjet për idenë e ekzistencës, (në çastet e dëshpërimit personal) dhe, në prirjen e figurshmërisë së mbyllur, për të mos qenë deri në fund i lexueshëm. E tillë mund të jetë dhe poezia, titullin e së cilës mban vëllimi "Më jepni një emër". Vërehet se shumë dilema shqetësuese fshihen nëpër vargje, shumë çështje dhe kategori vihen para pikëpyetjeve, ose të paktën shumë çështje të ekzistencës mbesin të hapura... Dhe pikërisht gjatë viteve shtatëdhjetë, syri zyrtar do të dalë publikisht me alarmin nga rreziku i një poezie të tillë. Qoftë në frymën e entuziazmit dhe të besimit të fillimit, qoftë në kuadër të shenjave të para për zvetënimin e këtij besimi, poezia e Fatos Arapit për gjatë gjysmë shekulli arriti ta ruajë tërësinë e qëndrueshme estetike dhe etike. Në planin tematik, poezia e tij nuk e vuri poezinë në shërbim të politikës së ditës. Në rrafshin e shprehjes, ai vazhdoi të jetë origjinal duke e zgjeruar hapësirën krijuese dhe artikulimin figurativ. Zakonisht vetëm me një lëvizje, me një shpërthim befasues, poezia e Fatos Arapit sugjeron thellësí dhe hapësira universale përfytyrimi, duke e vendosur objektivin poetik brenda konteksteve të reja ekzistenciale, ku shquhet mprehtësia e mendimit. Edhe figura, prandaj del përherë e re, çuditërisht e freskët, e ngarkuar me përmbajtje dhe ndjeshmëri të papërsëritshme.
Është një gjuhë poetike e aftë ta ndjekë e ta artikulojë të fshehurën, të padukshmen, të ndrydhurën në mjedisin që e rrethon, me tërë tragjedizmin, trishtimin dhe egërsinë bashkë. Mund të thuhet se figura në poezinë e Arapit është ndër më efikaset dhe ekspresivet në poezinë bashkëkohore shqiptare. Në mpleksjen ndërvarëse: nga njëra anë realiteti, nga ana tjetër imagjinata, emocioni dhe intelekti, lind kjo lirikë. Prandaj lexuesi e gjen, e zbulon veten me ndjesinë se dhe ai kështu e përjeton botën përreth, por nuk ka mundur ta formulojë ashtu. Nga përplasja e poetit: (imagjinata, emocioni, filozofia) me realitetin, reflektohet synimi drejt përsosjes së njeriut.

Marre nga : www.letersia.fajtori.com/Letersi/Moderne/Fatos_Arapi

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama