Naum Veqilharxhi

Naum Veqilharxhi

Naum Panajot Bredhi, i mbiquajtur Veqilharxhi, është pionieri i lëvizjes sonë kulturore patriotike të shekullit XIX. Ai është ideologu i parë i Rilindjes në Shqipëri, një nga ata që u hapën udhën ideve të reja politike e kulturore kombëtare.

N.Veqilharxhi lindi më 1797 në Vithkuq të Korçës. Ai pati mërguar në Rumani. I ndikuar nga idetë e lëvizjes kombëtare të popujve të Ballkanit, mori pjesë në revolucionin rumun të vitit 1821 kundër Turqisë, revolucion që pati karakter jo vetëm çlirimtar antiosman, por dhe antifeudal. Me formimin iluminist, Veqilharxhi e drejtoi vëmendjen tek atdheu i tij. Ai e kuptonte se gjendja e Shqipërisë në ato çaste historike shtronte para popullit të tij kërkesa të reja. Në vitet `40 të shekullit XIX lëvizjet çlirimtare në Shqipëri kishin marrë hov, por atyre u mungonte një program kombëtar dhe një platformë ideologjike e përpunuar. Veqilharxhi ka meritë se në shkrimet e tij formuloi i pari kërkesat themelore të Rilindjes.

Punën e tij si atdhetar iluminist e nisi me krijimin e një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe, të përbërë prej 33 shkronjash. Me këtë alfabet hartoi dhe libra për mësimin e shqipes. Të parin libër, që është e para abetare për mësimin e gjuhës shqipe, Veqilharxhi e botoi më 1844 me titullin "Evëtar„. Një vit më vonë, më 1845, e botoi të përpunuar e të zgjeruar, me titullin "Fare i ri evëtar shqip për djelm nismëtar„, të shoqëruar me një parathënie për djemtë e rinj shqiptarë. Këta libra të Veqilharxhit u pritën me entuziazëm nga patriotët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shumë njerëz mësuan të shkruanin me alfabetin e tij. Kërkesat e lëvizjes sonë kombëtare, Veqilharxhi i paraqiti në tri shkrime të tij: Në parathënien e botimit të dytë të Evëtarit, në një letër dërguar nipit të tij dhe sidomos në një "Enqiklikë„(letër qarkore).

"Enqiklikën„ ai ua drejtoi më 1846 bashkadhetarëve të tij. Ky dokument është konsideruar si manifesti i parë i lëvizjes sonë kombëtare, si një program pune për të. Ai flet me dhembje për gjendjen tepër të prapambetur të popullit shqiptar. Këtë e shpjegon me pushtimet e vazhdueshme të të huajve, me ndryshimet politike e fetare, sidomos me "lënien pas dore të lëvrimit të gjuhës sonë kombëtare„. Ata shqiptarë që shkolloheshin nëpër vende dhe shkolla të huaja, shpesh mërgonin larg atdheut në vend që të ishin "mirëbërës„, etër e mësonjës të atheut e të kombit tonë.

Por Veqilharxhi nuk e humbet shpresën dhe u bën thirrje bashkatdhetarëve të mbushen me hov e guxim. Me një stil të shkathët, të figurshëm, e plot optimizëm ai shkruan: "Le të hedhim farën e mirë dhe me siguri vetë natyra e shenjtë e ngjarjeve do të ndihmojnë për gjallërimin, mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë të ëmbla të së cilës do t'i korrë padyshim brezi i ardhmë që do të bekojë ata bujq dhe ata mbjellës të mirë„. Cila është kjo "farë e mirë dhe pemët e ëmbla që do të japë ajo?„ Veqilharxhi mendon se, që të dalim nga gjendja e rëndë, duhet të shkruajmë gjuhën tonë e të përhapim arsimin shqip, të përhapim farën e diturisë, e cila do të sjellë gjithë të mirat më pas. Padituria është fatkeqësi, mendon autori, një e keqe e madhe, që barazohet me skllavërinë.

"Ato kombe që kanë mbetur në padije, u shëmbëllejnë thjesht skllevërve„. Një komb mund të dalë nga mjerimi dhe prapambetja, kur të fillojë të lëvrojë gjuhën kombëtare. Gjuhën tonë ne duhet ta shkruajmë me "shkronja të veçanta kombëtare„, na mëson Veqilharxhi. Kështu, shpreson ai, edhe ne do të vihemi në rradhën e kombeve të qytetëruara.

Në këtë mënyrë e formulonte ai njërën prej kërkesave të mëdha të lëvizjes sonë kombëtare, duke u nisur nga parimi i drejtë se një popull mund të kulturohet vetëm me anë të gjuhës së vet amtare. Vepra e Veqilharxhit luajti rol të madh gjatë Rilindjes. Rilindësit e njihnin si paraardhës dhe ushqenin për të një nderim të madh. Me idetë e tij iluministe dhe me veprimtarinë e tij në dobi të kombit e të gjuhës shqipe. Veqilharxhi fitoi dashurinë dhe respektin e bashkatdhetarëve patriotë, por edhe mërinë e armiqve të Shqipërisë, veçanërisht te grekomanëve. Më 1846, ai u helmua nga agjentët e Patriarkanës, duke qenë kështu jo vetëm i pari ideolog, por edhe i pari dëshmor i Rilindjes Kombëtare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama