Midis poetëve bejtexhinj, që u shqua në shekullin XVIII, është edhe Sulejman Naibi. Ai ishte nga Berati dhe jetoi e vdiq aty duke qenë bashkëkohës me Nezim Frakullën.
Sulejman Naibi ka shkruar një divan në shqip por kopja e plotë e tij nuk është gjetur. Krijimtarinë e tij e njohim vetëm përmes 4-5 vjershave në dorëshkrim. Megjithatë, ato e paraqesin si një nga bejtexhinjtë më të talentuar, me frymëzim e kulturë poetike. Karakteristikë për vjershat e Naibit është lirizmi i këndshëm, që u jep atyre ngrohtësi.
Ai i këndon vashës së bukur, natyrës, dhe ëmbëlsisë së jetës. Përmes një figuracioni të pasur e plot ngjyra të gjalla, Naibi e jep me shumë natyrshmëri bukurinë e femrës, ndjenjën e dashurisë. Vjershat e tij janë shumë afër natyrës së këngëve popullore edhe ndonjëra prej tyre si: "Mahmudeja e stolisurë„ këndohet edhe sot në Elbasan e në Berat. Ja disa vargje të saj;
Këjo sevdaja e insanit(1)
Gjallë njerinë ç'e përvëlon,
Mahmudeja e Sulejmanit
Me gazep sokakut shkon.
Jelek kadife veshurë
Si mosnjeri në këtë dhè,
me buzë duke qeshurë,
ç'të ka hije moj Mahmude!
Veçanërisht e bukur dhe e frymëzuar është vjersha "Si kandil i djegurë„ , me një figuracion të pasur e plot ngjyra.
Cullufet e tua-lulet e zymbylit,
je vet'bukuriae kopshtit ku ke hyrë,
Pra, ka hak bilbili të shikonj' me sy,
ta lër trëndafilin, të këndonj' për ty.
Të këndoj për buzët të kuqe shafran,
të këndonj' për ballin, që nuk zihet kurrë…
Në krijimet e Naibit bie në sy se gjuha është më e pastër, pa shumë fjalë orientale, si te bejtexhinjtë e tjerë. Ky kujdes i Naibit duhet të ketë qenë i vetëdijshëm. Naibi ka përdorur tetërrokshin dhe dymbëdhjetë rrokëshin.
Në rrymën e bejtexhinjve Sulejman Naibi mbetet në shkallën e një liriku me talent të vetëdijshëm.