Ernest Koliqi

Ernest Koliqi

Lindi në Shkodër me 20 Maj 1901. Shkollën e mesme e mbaroi në Bergamo dhe në Milano, Itali. Studimet e larta i mbaroi në fakultetin e Letërsisë të Universitetit të Padovës. Në prozën dhe poezinë e tij ndeshet një gjuhë mjaft e pastër dhe moderne. Veprat e tij janë: "Kushtrimi i Skanderbeut", poemë dramatike; dy pjesë me novela të titulluara "Hija e Maleve" dhe "Tregtar flamujsh", si dhe poezitë lirike "Gjurmat e Stinve".
Shkodra në mëngjese

Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,
kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . .

Kroni i katundit

Shtegu qi çon te kroni asht shetija e katundarvet. Buzë mbramje me buljere në krah, dalin gra e vajza për me mbushun uj në krue. Ndeshen udhës shoqe me shoqe e shëndrrojnë dy fjalë.
Dita asht e mundshme ndër katunde e ato biseda mbramjeje disi janë nji pushim e nji argtim. E ndërsa dielli prendon e hana del, kroni i mbushë buljerat nji nga nji tue kendue. Secilës vajzë e secilës grue i kendon nga nji kange te veçante, përse kroni te tana i njef. Vajzat i njef të vogla e i pau dalkadalë tue u rritë; gratë i njef nuse e i pau dalkadalë tue u plakë. Pasqyra e qetë e ujit mban kujtimin e të gjitha fytyrave. Kroni ne heshti te lehtë, i kendon gjithkuj kangen e mallëngjyeshme të kohës së kalueme. Por pak kush din ta marrë vesht... E shumta kalojnë habitshëm. Shuejnë etjen, mbushin buljerat e nuk e ndigjojnë. Kjo, ndoshta, asht ma mirë për to, sepse kanga e kronit shëndrrohet në vaj, tue jehue në thellsit e shpirtit. Atëherë ma mirë mos me ndigjue.


Marre nga :  Arben Cokaj


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama