Jusuf Gërvalla

Jusuf Gërvalla

Më 01 tetor 1995 u mbushën pikërisht 50 vite nga lindja e Jusuf Gërvallës në Dubovik të Deçanit, vrarë mizorisht më 17 janar 1982 në Untergrupenbah të Gjermanisë. Nuk ka shqiptar në Kosovë që s'di se kush është Jusuf Gërvalla. Po them "është" meqenëse jam i bindur se nuk jetoi më kot dhe as nuk ra fli më kot, shembulli i tij mbeti i gjallë në gjithë ata intelektualë, shkrimtarë dhe qytetarë që nuk po e marrin rrugën e botës por rrinë e qëndrojnë ...

Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet shumë. Por, edhe shkrimtari J. Gërvalla pësoi vështirësira të mëdha. Për poetin, prozatorin dhe dramaturgun Gërvalla është thënë e shkruar relativisht pak. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992 Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare.

"Ora", Prishtinë, 1992). Opinioni e respekton dhe adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetet. Roli i tij prej simboli të qëndresës e hijesuaka faktin se ishte poet i dorës së parë. Fat ky i zi që duket se e ndan me shokun e idealit, Adem Demaçi (megjithëse i shpëtoi fatit të atij të fundit të cilin ca çapkënë qurranë e quajnë "shkrimtar të dështuar" ose çaprashisin çilimillëqe për "gabimet" e tij).

Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të "lapidaristëve" të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.

Zëri i tij poetik ishte zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsëdrejti, ngrohtë, zbutë, thellësisht njerëzor e me një sensibilitet të stërholluar. Në dy përmbledhjet e tij të para - "Fluturojnë e bien" (1975) dhe "Kanjushë e verdhë" (1978) - poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve "Shtëpia në kornizë" dhe "Skena nga jeta e fshatit". Poezia e tij e përmallshme e këndon dashurinë, e kujton dhimbshëm (dhe pa idilë ruraliste) vendlindjen dhe na e rrëfen porosinë e saj qendrore, kërkimin e poetit për "pak frymë njeriu e pak dritë qiriri". Me kohë, duke u bërë gjithnjë e më shumë refleksiv poeti kaloi gjithnjë e më shumë te një qark më i gjerë tematik dhe te të folurit poetik me bukuri e begati të rrallë metaforike e figurative.

Kështu, poezia e tij e përmallshme e vendlindjes gjithnjë e më shumë bëhet edhe universale. Në vëllimin e tretë poetik, "Shenjat e shenjta" (1979), kemi të bëjmë dhe me fjalë e elemente si "hije", "pluhur", "frikë", "terr", "ftohtë", "varr". Shkallëzohen vetmia dhe shqetësimet e poetit që flet shpesh edhe për fundin dhe vdekjen. Me një thellësi që nuk hetohet në lexim të cekët, na qet tabllo tejet të qëlluara të groteskës që e quajmë "jeta". Thelbi kryekëput human i vargjeve, ligjërimi lirik dhe substancial i poetit të mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë e të vdekjes e bëjnë Jusuf Gërvallën një zë të patjetërsueshëm të poezisë së re shqipe.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama