Historia e ilirëve gjatë shek. IV, V e VI e. sonë, një periudhë që ka të bëjë me krizën e sistemit antik të prodhimit dhe me rënien e Perandorisë Romake, ndryshe nga ajo e tre shekujve të parë të erës sonë ka mbetur më pak e studiuar. Vëmendjen e studiuesve për këtë periudhë e kanë tërhequr sulmet e “barbarëve” dhe luftërat që Perandoria Romake dhe më pas perandoria e hershme bizantine kanë bërë për mbrojtjen e kufijve veriorë. Nuk ka munguar interesimi i historiografisë së huaj edhe për “perandorët ilirë”, të cilët bënë përpjekje për t’ia zgjatur jetën Perandorisë Romake dhe njëkohësisht rendit skllavopronar në rënie e sipër. Kjo është, në historinë e ilirëve, një periudhë plot me ngjarje të rëndësishme, në të cilën ndodhën invazione e dyndje popujsh të ndryshëm, që u shoqëruan me ndryshime në përbërjen etnike të popullsive ballkanike. Shekujt IV-VI janë jo vetëm periudha e përballimit me sukses të invazioneve barbare, por edhe periudha e rigjallërimit të ilirëve pas rënies së Perandorisë Romake, rigjallërim që shfaqet në shumë aspekte të jetës e të kulturës së tyre. Ndryshe nga ajo e veriut, popullsia ilire e trevave jugore u qëndroi dyndjeve dhe invazioneve “barbare” duke ruajtur fizionominë e vet etnike. Kjo me të drejtë është njohur si një premisë themelore historike e etnogjenezës së popullit shqiptar, sepse në këtë trevë, në mesjetën e hershme, u mbrujt kombësia shqiptare.