Kuvendi i Rrepublikes se Shqiperise

Kuvendi i Rrepublikes se Shqiperise

Sipas Kushtetutës shqiptare, e s hpallur me dekretin nr. 2260, datë 28.11.1998 nga Presidenti i Republikës,  pushteti ligjvënës i është atribuar Kuvendit të Shqipërisë, i cili përbëhet prej 140 deputetësh. Deputetët zgjidhen çdo katër vjet nga të gjithë qytetarët që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Mandati 4-vjeçar zgjatet vetëm në rast lufte dhe për sa kohë që vazhdon ajo. Kuvendi është shprehje e sovranitetit të popullit. Në sistemin tonë kushtetues, Kuvendi bashkëpunon me Qeverinë në realizimin e drejtimit politik të shtetit. Atij i takojnë detyra të rëndësishme si kontrolli parlamentar dhe miratimi i ligjeve. Që të mund të qeverisë, Qeveria duhet të ketë besimin e Kuvendit. Deputetët votojnë për besimin e Qeverisë në fillim të veprimtarisë së saj.
 
KRYETARI I KUVENDIT

Përgjegjësia për një organizim të pavarur dhe një funksionim sa më të mirë të Kuvendit i është besuar Kryetarit të Kuvendit, i cili përfaqëson këtë të fundit në kompleksitetin e tij. Kryetari kryeson Kuvendin si dhe disa organe parlamentare: Konferencën e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare, Byronë Parlamentare, si dhe Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Rregullorja parlamentare parashikon zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit si aktin më të parë në fillim legjislature. Kryetari i Kuvendit, përveç kompetencave të parashikuara në Kushtetutë, ka edhe kompetenca të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit.

 
DEPUTETËT
 
Deputetët përfaqësojnë zgjedhësit: fjala “deputet” do të thotë “përfaqësues”. Sipas dispozitave kushtetuese çdo deputet, edhe pse i zgjedhur në një zonë të caktuar zgjedhore dhe nga një parti politike e caktuar, përfaqëson të gjithë popullin. Kuvendi përfaqëson orientime të ndryshme politike. Funksionimi i plotë i tij ka si premisë ekzistencën e grupeve parlamentare. Këto të fundit pasqyrojnë drejtimet e shprehura nga zgjedhësit sipas grupimeve të ndryshme. Deputetët bashkohen në grupe parlamentare, numri i të cilit, si rregull, është mbi 7 deputetë.
 
SEANCA PLENARE
 
Seanca plenare është vendi qëndror i veprimtarisë së Kuvendit, apo vendi ku merren vendime, miratohen ligjet dhe ku zhvillohen debate, në të cilin ftohen të bashkëpunojnë  të gjithë deputetët dhe nëpërmjet tyre i gjithë vendi. Vendimi me një "reliev" politik të gjerë, ai që i jep besimin Qeverisë, merret duke ftuar të gjithë deputetët për t’u shprehur personalisht, përpara Kryetarit të Kuvendit, nëse janë dakord apo jo me Qeverinë.
Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta apo Rregullorja parlamentare parashikojnë një shumicë të cilësuar.
 
KOMISIONET PARLAMENTARE

 

Vendimet e marra nga seanca plenare vijnë si rezultat i një pune përgatitore të zhvilluar në komisionet parlamentare, të specializuara në sektorë të ndryshëm. Komisionet parlamentare parashikohen edhe në dispozitat kushtetuese. Ato përbëhen nga deputetë, në mënyrë që të respektojnë, për sa është e mundur, raportet numerike të forcave politike të pranishme në Kuvend. Aktualisht veprojnë 8 komisione të përhershme, të cilat dallohen në bazë të fushave të përgjegjësisë që mbulojnë. Komisionet parlamentare përkufizohen si kolegje parlamentare të lidhura ngushtë me kompetenca të veçanta dhe që pasqyrojnë përbërjen politike të Kuvendit. Përbërja dhe kompetencat e tyre, si dhe karakteri i tyre i vazhdueshëm janë objekt i dispozitave të Rregullores parlamentare.

Në brendësi të komisioneve të përhershme vlen të përmenden edhe nënkomisionet, përbërja e të cilave për sa është e mundur pasqyron përbërjen politike të Kuvendit. Qëllimi i ngritjes së tyre është shqyrtimi i çështjeve të veçanta.  Komisionet parlamentare përcaktohen si një seancë plenare në miniaturë. Komisionet janë zemra e aktivitetit parlamentar, pasi pikërisht nga këtu deputetët të bashkuar në një rreth më të ngushtë, shqyrtojnë projektligjet, i diskutojnë ato dhe pas një periudhe ballafaqimi e diskutimi përgatisin raportin përkatës i cili paraqitet në seancë plenare. Kjo e fundit pas diskutimit, merr vendimin për miratim ose jo të projektligjit.
Komisionet zhvillojnë edhe detyra të kontrollit të veprimtarisë së Qeverisë me referim ministrive që mbulojnë  sektorë të kompetencës së tyre. Për të zhvilluar funksionet e tyre, komisionet marrin informacione të dobishme për t ë vlerësuar në mënyrë të pavarur çështjet që i janë vënë për zgjidhje. Në disa raste komisionit i  duhet të zhvillojë një “hetim”  njohës për t’u thelluar më tej, duke dëgjuar të gjithë personat që janë në gjendje të japin informacione ose opinione. 

Kushtetuta parashikon që Kuvendi mund të zhvillojë edhe hetime për çështje me interes publik. Për zhvillimin e hetimeve të tilla ngrihen komisionet hetimore. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen Prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore.
Ndërsa mundësia e krijimit të komisioneve të posaçme hyn në fushën e pushtetit të vetorganizimit të Kuvendit për trajtimin e çështjeve specifike. Aktualisht veprojnë dy komisione të tilla, ai për Kodin Zgjedhor dhe Komisioni për Integrimin në NATO.
 
FUNKSIONIMI
 
Rregullat kryesore që lidhen me organizimin, funksionimin e Kuvendit përcaktohen drejtpërdrejt nga Kushtetuta. Të gjitha rregullat e tjera parashikohen në Rregulloren parlamentare, e cila miratohet me shumicën e të gjithë anëtarëve.
 
ORGANIZIMI ADMINISTRATIV
 
Në krye të administratës së Kuvendit qëndron Sekretari i Përgjithshëm, i cili sipas dispozitave kushtetuese është nëpunësi më i lartë civil i Kuvendit. Byroja e Kuvendit emëron, me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, Sekretarin e Përgjithshëm mbi bazën e tre kandidaturave të dala nga procedura e konkurrimit, sipas ligjit "Statusi i nëpunësit civil". Administrata e Kuvendit, e përbërë prej rreth 295 punonjës, pjesa më e madhe e të cilëve e marrë me konkurs publik sipas ligjit të mësipërm, organizohet në shërbime, të cilat kryejnë detyra këshillimore, informuese, organizative dhe teknike në shërbim të veprimtarisë së deputetëve, Kuvendit dhe organeve të tij. Shërbimet e Kuvendit krijojnë mundësi dhe kushte të barabarta që deputetët, Kuvendi dhe organet e tij të kryejnë detyrat kushtetuese dhe ligjore.
Shërbimet e Kuvendit përbëhen nga:

-  shërbimet legjislative, në përbërje të të cilit janë shërbimi i komisioneve, shërbimi i seancës plenare, shërbimi juridik dhe njësia e përafrimit të legjislacionit;

-  shërbimet e informacionit dhe dokumentacionit, në përbërje të të cilit janë shërbimi i kërkimit parlamentar dhe bibliotekës, shërbimi i teknologjisë së informacionit, shërbimi i botimeve parlamentare dhe shërbimi i marrëdhënieve me publikun;

- shërbimi i monitorimit të institucioneve kushtetuese dhe atyre të pavarur të krijuar me ligj;

-  shërbimi i marrëdhënieve me jashtë në përbërje të të cilit janë shërbimi i marrëdhënieve shumëpalëshe, shërbimi i marrëdhënieve dy palëshe, shërbimi protokollar dhe njësia e përkthimit;

-  shërbimet administrative, në përbërje të të cilit janë shërbimi i trajtimit të deputetëve dhe i burimeve njerëzore, shërbimi i financës dhe buxhetit, shërbimi i transportit dhe shërbimi i mirëmbajtjes.
 
Shërbimet e Kuvendit drejtohen dhe përgjigjen para Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit. Ky i fundit siguron dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punëve në Kuvend dhe përgjigjet para Kryetarit të Kuvendit dhe Byrosë së Kuvendit. Ai përgjigjet për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të Kuvendit. Struktura e detajuar dhe kufiri organik i punonjësve të Kuvendit vendosen nga Byroja e Kuvendit, me propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm.
 
TRANSPARENCA E VEPRIMTARISË  SË KUVENDIT
 
 
Sipas dispozitave kushtetuese, seancat plenare zhvillohen me dyer të hapura, megjithatë, po sipas Kushtetutës, Kuvendi,  me kërkesë të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit ose të një të pestës së deputetëve mund t’i zhvillojë punimet parlamentare edhe me dyer të mbyllura. Parimi i publicitetit të punimeve parlamentare është i lidhur ngushtë me parimin demokratik të manifestimit të votës i cili u jep mundësinë zgjedhësve për të “kontrolluar”  veprimtarinë e Kuvendit që ushtrohet nga vetë të zgjedhurit e tyre.
 
KUVENDI I HAPUR PËR QYTETARËT

Të njohësh veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë do të thotë të njohësh punën që zhvillohet në seancë plenar e e në komisione parlamentare. Kuvendi mund të përcaktohet si një “fabrikë” ligjesh apo vend ku ushtrohen funksionet e drejtimit politik të shtetit. Për të dhënë një ide të kompleksitetit të punimeve parlamentare e të iniciativave, mjafton të përmendet fakti se çdo ditë në mjediset e Kuvendit hyjnë deputetë, gazetarë, punonjës, vizitorë e studentë. Qytetarët mund të marrin pjesë në punimet e  seancës plenare, të komisioneve parlamentare, madje mund të njihen me to edhe nëpërmjet faqes së internetit. Të rinjtë mund të organizojnë vizita shkollore. Faqja e internetit, në një kohë të shkurtër dhe në mënyrë të gjerë, jep mundësinë e njohjes me të gjithë dokumentacionin parlamentar, si dhe me veprimtarinë e zhvilluar nga çdo deputet.

Rregulorja e Kuvendit te Republikes se Shqiperise

Pjesa e VII: Sherbimet e Kuvendit

Pjesa e VII Sherbimet e Kuvendit

SHËRBIMET E KUVENDITNeni 120Shërbimet e Kuvendit  1. Shërbimet e Kuvendit kryejnë detyra këshillimore, informuese organizative dhe teknike në shërbim të veprimtarisë së deputetëve, Kuve

15 vite më parë | Lexo më shumë »

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama