Turistë me çadra, udhëtarë me çanta shpine dhe aventurierë territoresh të pashkelura... Këto janë turistët e rinj të bregdetit shqiptar, që përbëjnë një fenomen të ri si alternativa e mbetur për të prekur Shqipërinë në mënyrën që asaj i përshtatet. Dhe në fakt, nga Velipoja në Vlorë, Dhërmi e Sarandë, çadrat e kampingut këtë verë i gjen të mbjella ngado si kërpudha rëre. Pas një tradite të vendosur sidomos në bregdetin e jugut nga disa të rinj ambientalistë me kampingje në Jal dhe në Borsh, tanimë duket se grupet individuale që vendpushojnë me çadra po krijojnë një mënyrë të re jetese në plazhet shqiptare. Me dyshekët e ajrit me vete, çadrat dhe setet e karrigeve prej pëlhure, por edhe enët e kuzhinës, zgarën dhe sigurisht ilaçin kundër insekteve, ata kanë krijuar një peizazh të ri në gjiret e vogla shqiptare, duke u vendosur zakonisht pranë zonave të populluara me njerëz, për të marrë ca nga uji, ndriçimi dhe shërbimet e tyre sanitare. Megjithëse nuk mund të flitet për një fenomen masiv, nuk mungojnë as kampingjet e mirëorganizuara dhe të kombinuara me aktivitete sportive si kurse zhytjesh, lundrim apo peshkim. “Albtur” është një prej këtyre strukturave, që po funksionon ende edhe pas shtatë vjetësh në gjirin e Jalit, megjithë dëmtimet që iu bënë peizazhit dhe infrastrukturës së zonës nga shembja e ndërtimeve pa leje aty.
Ndërkohë që në fshatin Borsh është ngritur një vendfushim i ri kampingu që ka të njëjtat aktivitete si ai i Jalit. Përveç kampingut aty janë ngritur edhe 12 shtëpiza druri dhe organizohen zhytje të specializuara me bombola. Organizohen gjithashtu nga skuadra e të rinjve edhe treking, eskursione ne Gjipe dhe ne Livadhe, me këmbë dhe me anije, por ka edhe një kinema, organizohen karaoke, party, fusha për të luajtur volejboll, futboll, ping-pong, etj. Përveç Jalit dhe Borshit një vendfushim me çadra është organizuar gjithashtu në Triport të Vlorë si edhe në fshatin e Dhërmiut nën ullishtet dhe pemët e portokalleve.
Çunat ambientalistë të Jalit
Ata janë një grup ambientalistësh të pasionuar dhe Ened Mato, djali i gazetarit të njohur të emisioneve të mjedisit në TVSh, Xhemal Matos, është njëri prej tyre. Sipas tij, Jali është bërë tanimë një destinacion për kampingun në Shqipëri dhe është i pari vendpushim i këtij lloji i krijuar në vendin tonë. Sapo janë mbushur shtatë vjet që nga ngritja e këtij kampingu që menaxhohet prej një grupi të vogël të rinjsh ambientalistë dhe adhuruesish të natyrës dhe sporteve ujore. Ndërsa mund të akomodohen deri në 120 persona në natë, djemtë tregojnë se kampi vizitohet nga 100 vizitorë në ditë nga Shqipëria dhe jashtë vendit. “I themeluar në vitin 2000, kampingu i Jalit ka nisur si një aktivitet i Nënujsave shqiptarë për edukimin e të rinjve mbi turizmin ekologjik”, - informojnë organizatorët. Çmimi është 10 mijë lekë për person, përfshirë mëngjesin dhe darkën në kushtet e një kuzhine verore dhe të përshtatur për kushtet e një kampi. Për grupe me më shumë se njëzet persona, me sa duket ka edhe zbritje çmimi. I vendosur 100 metra larg bregut në gjirin e Jalit, kampingu siguron përveç tendave edhe shtroje, tualete, dushe, një kinema e hapur, fusha ping-pongu dhe një bar që qëndron i hapur 24 orë si edhe kuzhinën verore.
Nënujsat shqiptarë, zhytje dhe ekspedita
Edhe më tërheqëse duken aktivitetet sportive që ofrohen si kurse zhytjeje, lundrimi, treking por edhe kanoa, ndërsa peshkimi dhe apnea janë pjesë e pandarë e pushimeve në kampingun e Jalit. Bëhet fjalë për organizatën “Nënujsat” e cila është themeluar që në vitin 1999 me mision zhvillimin e turizmit nënujor. Ata kanë tanimë një eksperiencë disa vjeçare në sportet e ujit, në zhytjen me polumbarë, në ekspeditat nënujore dhe në turizmin aventurë. Zotërojnë edhe logjistikën e duhur në fushën e zhytjes me polumbarë, ekspeditave nën-ujore, filmimeve nënujë dhe fushimeve në natyrë, të cilat janë pjesë e pandashme e ekspeditave të tyre. “Prej 8 vjetësh organizojmë shkollën e zhytjes me polumbarë në Jal, Dhërmi dhe Sarandë, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, ku marrin pjesë qindra të rinj dhe të reja nga Shqipëria dhe jashtë saj, të cilët diplomohen në sportin e zhytjes profesioniste”, - deklarojnë ata. Por çmimet duken të larta pasi një zhytje me udhëheqës nënujor kushton 97 euro, ndërsa me guidë për zhytje në sipërfaqe kushton 56 euro. Edhe pajisjet e zhytjes kushtojnë që nga 10 euro kompresori tek shtatë euro shishet. Kursi profesional që zgjat dy javë kushton megjithatë 240 dollarë. Kursi për fillestarë kushton 190 dollarë, bashkë me pajisjet dhe librat.
Këtyre grupeve eksploratorësh të rinj nuk u mungojnë as partnerët në fushën e zhytjes sportive, mjedisit dhe turi-zmit aventurë si “Edukimi Sportiv & Aventurë” (ESA), “Aeronautika Shqiptare”, “Ekpedita Blu” në Vlorë, “Joni Blu” në Himarë, “Miqtë e Detit” në Sarandë, Masmedia dhe Mjedisi, në Tiranë. Projekti më i fundit që Nënujsat kanë organizuar është ngritja e një fshati të vogël turistik në Borsh, që ka një kapacitet prej rreth 200 personash, i organizuar me zona të ndara për shtëpiza druri dhe kamping. Ndërsa përgatiten të kenë së shpejti një agjenci të tyren turistike, “Nënujsat” organizojnë edhe guida turistike shtatë ditore në Jon, një vijë bregdetare që nis nga Uji i Ftohtë në Vlorë e deri në Kepin e Stillos. Ngritja e parkut nënujor të Karaburunit është një tjetër mision i tyre i të ardhmes, si edhe ngritja një qendre të cilën e kanë quajtur qendra e mikpritjes në fshatin Pezë në Tiranë.
Edhe turizëm me çanta shpine
Ndërsa nuk gjen ende udhëtarë me karvane në Shqipëri, udhëtarët me çanta shpine ose “packpackers”-at nuk mungojnë, edhe pse në vendin tonë nuk ka orientime dhe organizim specifik për vizitorë të tillë, që zbarkojnë në Shqipëri vetëm me rrobat e trupit dhe çantat e mëdha të shpinës ku mbartin një minimum mjetesh për mbijetesë dhe zakonisht shumë pak të holla. Në fakt “Backpacking” është një nga varietet e kampingut. Ata përdorin vetëm pajisje që mund të mbahen gjatë përshkimit të distancave të gjata më këmbë. Megjithëse një veprimtari relativisht e lirë, pajisjet për “backpacking’ kushtojnë më shumë se ato për “Car camping”, por vendfushimet për backpackersat janë zakonisht më të lira. Ka edhe forma të tjera të kampingut si “Canoe kamping” që përdor kanoen si mjet transportimi. Ky lloj aktiviteti është i zakonshëm në Amerikën juglindore.
Nga ana tjetër, edhe kampingu ka një rrugëtim të vetin. Kësisoj, megjithëse në Shqipëri nuk ka qenë i përhapur kampingu është një aktivitet rikrijues që është bërë shumë popullor që në fillim të shekullit XX. Zakonisht frekuentohen për kampingje parqet nacionale, zona të tjera natyrale publike ose edhe territore private përkundrejt pagesës. Ka mbijetues kampesh të cilët vendosen me shumë pak mjete në dispozicion si edhe udhëtarë rikrijues të cilët kanë një logjistikë të vërtetë me vete që nga elektriciteti, karriget dhe ushqimi. Një nga format më të praktikuara të kampingut aktualisht në botë është Car Camping, që do të thotë kamping i vendosur pranë makinës për akses më të lehtë me komoditetin. Zakonisht ata që praktikojnë jetën nën tenda ose çadra, madje edhe struktura edhe më primitive apo pa strehë fare, janë persona që duan t’i ikin qytetërimit dhe e adhurojnë natyrën. Megjithatë në shumë vende të botës për kampingjet ka shtrëngime ligjore në mënyrë që të parandalohet dëmtimi i mjedisit.
Shqipëria, kufiri i fundit për çadra
Gazetari Benji Lanyado i “The Guardian” është nga të paktët gazetarë të huaj që ka realizuar një reportazh për plazhet shqiptare këtë verë në shtypin e huaj dhe nga të rrallët që kanë gjetur diçka pozitive në vendin tonë. Pikërisht mundësia për të eksploruar një vend të vështirë në formë aventure, me çadra në vend të hoteleve të luksit është edhe ideja e tij. I lodhur nga pushimet “e paketuara” dhe të mbipopulluara nga Spanja në Kroaci dhe së fundmi edhe në Malin e Zi, ai u sugjeron lexuesve të suplementit “Travel” të “The Guardian” të vizitojnë Shqipërinë si kufiri i fundit i Evropës. “Për të kaluar mbrëmjen në Rivierë, duhet të mbështetesh vetëm te vetja. Nuk ka lokale apo restorante moderne, kështu që për t’ia kaluar mirë duhet të lidhesh me banorët. Një grup të rinjsh në Jalë na ftuan të ndiznim zjarr në plazh, ndërsa në Qeparo njerëzit mblidheshin në kafen e Aleksit ku luanin letra apo pinin raki të bërë në shtëpi.”, - shkruan në reportazhin e tij anglezi duke sugjeruar se megjithëse të bësh pushimet në Rivierën Shqiptare mund të duket e stilit të filmit “Borat”, vendi fsheh gjire të mrekullueshme e të zbrazura, plazhe të lira dhe banorë mikpritës...
Belina Budini : Revista Mapo