Lola Gjoka ta bindesh burimin ne pentagram

Lola Gjoka, ta bindësh burimin në pentagram

I kemi dëgjuar të këndohen nga zëra të mëdhenj si Tefta Tashko Koço apo Marije Kraja, por edhe për të shtuar gëzimin në festa familjare. E ndoshta pak e dinë se me to është i lidhur emri i pianistes Lola Gjoka, që i qëmtoi nga pasuria popullore dhe i përshtati për skena dhe zërat lirikë. Në 22- vjetorin e vdekjes së artistes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve boton përmbledhjen vokale "52 këngë popullore të përpunuara për zë e piano". U përkasin trevave të ndryshme të Shqipërisë, që nga Korça, Elbasani, Shkodra, Dibra, po ka edhe këngë kosovare, që Lola i ka hedhur në pentagram. Përmendim të famshmet këngë "Kroi i fshatit tonë", "Shamia e beqarit", "Kënga e Rexhës", "Dola n'penxhere", "Pranvera filloi me ardh", "Karajfilat që ka Shkodra", "Kënga e Emines", "Dashnor tu bana", "Kjo dashnia qoft mallkue", etj, etj. Një album i vërtetë në të cilin mund të gjesh partiturat e këngës dhe tekstet e tyre. "Këto këngë janë, veç të tjerash, një repertor i pazëvendësueshëm dhe unikal për këngëtarët e rinj, nxënës dhe studentë, të cilët do ta transmetojnë më tej këtë trashëgimi të kulturës muzikore me vlera të papërsëritshme", - thotë drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, Zhani Ciko. Suzana Frashëri (shefe e katedrës së kantos pranë Akademisë së Arteve) vlerëson tek puna e Lola Gjokës mënyrën e përshtatjes për këngëtarët lirikë me një teknikë sipas kërkesave pedagogjike, shtrirje të larmishme e regjistra të përshtatshëm.

Albumi muzikor i Lola Gjokës përmban këngë që nisën "të marrin dhenë" nga zërat e këngëtarëve profesionistë shqiptarë, aty nga viti 1932.

Që prej asaj kohe, kur ajo e para u ul në tastierë për të fiksuar materialet burimore, duke ua ofruar artistëve. "Kur erdhi Tefta, në fillim u hutova fare, pasi kërkesat për këngë popullore shtoheshin gjithnjë e më shumë. Qenë dashuria që kisha për këngën popullore e vullneti im i madh që më dhanë forcë ta përballoj këtë kërkesë e të bëj diçka. Askush nuk i kishte shkruar më parë këngët popullore, ndaj fiksimi i tyre në fletë pentagrami paraqiste për mua mjaft vështirësi. Bëra shumë përpjekje për t'i shkruar ato; mora disa herë në shtëpi saze popullore për të mësuar nga ata… shkoja shpesh edhe në dasma që të familjarizohesha sa më shumë me ato këngë", - kujtonte dikur Lola Gjoka për fillimet e punës së saj.

"Në përpunimet e kohës, Lola ka preferuar atë mënyrë që synon ruajtjen përmes tijkonturit melodik të këngës, pa e prekur karakterin burimor e duke nxjerrë në pah, përmes frakturës ritmike e përpunimit tërësor, karakteristikat modo-harmonike të vendosura në shoqërimin pianistik", - thotë prof. Hamide Stringa.

Lola Gjoka lindi në Sevastopol të Rusisë më 22 maj të vitit 1910. Studimet e para për piano i kreu në qytetin e lindjes. Në vitin 1932 vjen në Korçë, ku së bashku me një grup artistësh jep koncertin e parë profesionist dhe është koncertmaestre në koncerte me këngëtarët Tefta Tashko Koço, Marije Kraja, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, etj. Në vitin 1933 merr pjesë në një konkurs pianistik në Vjenë ku vlerësohet me çmim. Po atë vit emërohet mësuese e pianos dhe valles në Institutin Femëror "Nëna Mbretëreshë" në Tiranë. Në '36-ën përfundon studimet e larta në Athinë për pianiste koncertiste me maksimumin e pikëve. Dy vjet më vonë, bashkë me Tashkon përfaqëson artin shqiptar në Fierën e Francës. Në vitin 1945 me këngëtarë të njohur të kohës jep të parin koncert pas çlirimit. Është nga mësueset e para të Liceut Artistik e më tej pedagoge e Institutit të Lartë të Arteve. Është koncertmaestrja e parë në Filarmoninë e sapokrijuar e më pas në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Për merita të padiskutueshme merr titullin "Artiste e Merituar" e më pas "Artiste e Popullit". U nda nga jeta në moshën 75-vjeçare në vitin 1985.

Alma Mile : Gazeta Sekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama