Qëndresa osmane e Plevnës vazhdoi pesë muaj. Ndërkohë patriotët shqiptarë, edhe pse bisedimet e Janinës u ndërprenë, nuk hoqën dorë nga ideja e kryengritjes çlirimtare kundërosmane. Ata i vazhduan përpjekjet për t’i shkrirë komitetet shqiptare lokale në një komitet kombëtar, për formimin e komitetit qendror kombëtar dhe për përgatitjen e kryengritjes së armatosur. Por, ndërsa në malet Ballkan dhe në sektorin e Kaukazit ushtritë osmane ndalën përparimin e ushtrisë ruse, në frontin malazez, në Shqipërinë e Veriut në gusht 1877, mbrojtja turke u thye dhe ushtria osmane filloi të tërhiqej drejt jugut. Kjo ngjarje tronditi opinionin publik në Shqipërinë e Veriut. Në këto rrethana u formua në Shkodër një komitet shqiptar i përbashkët për qytetarët myslimanë e katolikë, i kryesuar nga Pjetër Gurakuqi. Në memorandumin e këtij komiteti kërkohej të formohej një shtet kombëtar më vete nën vasalitetin e sulltanit, siç ishin në atë kohë Serbia dhe Rumania. Por gjendja në frontin me Malin e Zi u stabilizua shpejt. Përparimi i ushtrisë malazeze u ndal.
Gjatë vjeshtës së vitit 1877 patriotët shqiptarë i kushtuan kujdes edhe fushatës së zgjedhjeve për parlamentin e dytë osman. Megjithëse zgjedhjet qenë indirekte dhe u zhvilluan nën diktatin e valinjve, nën trysninë që vinte nga poshtë dolën deputetë edhe disa personalitete atdhetare, ndër të cilat ishte edhe Abdyl Frashëri.
Çeljen e parlamentit në dhjetor të atij viti patriotët shqiptarë, sidomos antarët e Komitetit të Janinës, e shfrytëzuan për të organizuar në kryeqytetin perandorak një takim në shkallë kombëtare. Për këtë qëllim, përveç deputetëve të parlamentit, u thirrën në Stamboll edhe personalitete të njohura shqiptare që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë, që u mbajt më 18 dhjetor 1877, u miratua forumi i organizatës atdhetare revolucionare me emrin Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, ose siç u quajt shkurt Komiteti i Stambollit. Kryetari i Komitetit u zgjodh Abdyl Frashëri. Megjithëse nuk dihet ende përbërja e plotë e këtij Komiteti, janë njohur tanimë si anëtarë të tij Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Koronica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mane Tahiri etj.
Në programin politik të Komitetit të Stambollit përfshihej teza mbi organizimin me ngutësi të kryengritjes së armatosur kundërosmane dhe krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Komiteti vendosi gjithashtu që të zhvilloheshin bisedime me Greqinë për të arritur një aleancë shqiptaro-greke sipas platformës së parashtruar nga Abdyl Frashëri.
Ndërkohë ngjarjet në front pësuan një kthesë rrënjësore. Më 10 dhjetor 1877 qëndresa e Plevnës u thye. Ushtritë ruse filluan të përparonin përmes maleve Ballkan. Serbia e Mali i Zi morën zemër nga përparimi rus dhe rifilluan veprimet luftarake kundër Turqisë. Perandoria Osmane tani dukej se ishte në pragun e katastrofës së plotë. Në këto rrethana qeveria e Athinës e pranoi propozimin e ri të paraqitur nga patriotët shqiptarë për të rifilluar bisedimet dypalëshe që ishin ndërprerë në fund të korrikut.
Turi i dytë i bisedimeve shqiptaro-greke u zhvillua në Stamboll gjatë gjysmës së dytë të muajit dhjetor 1877. Këtë radhë qeverinë greke e përfaqësonte Stefanos Skuludhi, deputet në parlamentin e Greqisë. Abdyl Frashëri, i cili kryesonte përsëri delegacionin shqiptar, tani nuk përfaqësonte Komitetin Ndërkrahinor të Janinës, por Komitetin Kombëtar të Stambollit. Abdyli i parashtroi Stefanos Skuludhit planin e hollësishëm të shpërthimit të kryengritjes shqiptare, e cila do të fillonte në Shqipërinë e Jugut. Menjëherë pas saj do të formohej qeveria e përkohshme e Shqipërisë, që do të njihej nga Greqia, e cila do të hynte gjithashtu në luftë kundër Perandorisë Osmane në Thesali. Kryengritja do të shtrihej në Gegëri e në Kosovë. Greqia do t’i ndihmonte shqiptarët me armatime. Projekti i Abdyl Frashërit ishte i leverdishëm për të dyja palët. Shqipëria siguronte tërësinë territoriale, duke përfshirë në kufijtë e saj edhe vilajetin e Janinës (Epirin), ndërsa Greqia hiqte dorë nga Epiri, por do të aneksonte pa luftë Thesalinë, me ndihmën e oficerëve shqiptarë që komandonin ushtrinë osmane. Abdyli u përpoq edhe një herë ta bindte qeverinë e Athinës, se ishte në interes të Greqisë që ajo të kishte si aleate, kundër Perandorisë Osmane e kundër rrezikut rus, një Shqipëri të fortë, prandaj nguli këmbë që aleanca dypalëshe të ndërtohej sipas parimit të njohjes së një principate të pavarur shqiptare në kufijtë e saj etnikë, në krye të së cilës mund të vihej edhe një princ me origjinë nga dinastia që mbretëronte në Greqi. Por pala greke nuk hoqi dorë as këtë radhë nga pretendimet ndaj Shqipërisë. Si rrjedhim, në ditët e fundit të dhjetorit, me urdhrin telegrafik të ardhur nga Athina, bisedimet shqiptaro-greke u ndërprenë përsëri.
Në fillim të vitit 1878 situata në front u përmbys plotësisht. Pasi kaluan malet Ballkan, ushtritë ruse filluan të përparonin me shpejtësi në drejtim të jugut, pa ndeshur ndonjë rezistencë serioze nga ana e ushtrive osmane. Më 4 janar 1878 ato pushtuan Sofjen, më 18 janar Edrenenë dhe më 28 janar arritën në fshatin Shën-Stefan, në periferi të Stambollit. Nga paniku që pushtoi Perandorinë Osmane përfituan ushtritë serbe, të cilat marshuan pa vështirësi drejt vilajetit të Kosovës dhe, pasi morën Pirotin, Nishin, Kurshunlinë dhe Vranjën, në fund të janarit arritën në Gjilan. Po ashtu, ushtritë malazeze pushtuan më 10 janar Tivarin, më 19 janar Ulqinin dhe një javë më vonë dolën në brigjet e liqenit të Shkodrës e të lumit të Bunës.
Disfata e plotë e ushtrive osmane i shqetësoi të gjitha Fuqitë e Mëdha. Në mënyrë të veçantë ajo tronditi Britaninë e Madhe, e cila, për të penguar hyrjen e ushtrive ruse në Stamboll, dërgoi flotën e saj luftarake në detin Marmara. Në të njëjtën kohë, me nxitjen e saj, Porta e Lartë i kërkoi komandës ruse armëpushim. Duke parë se Anglia ishte e vendosur të mbronte me çdo kusht kryeqytetin osman, Rusia nënshkroi në Edrene, më 31 janar 1878, armëpushimin me Perandorinë Osmane dhe filloi bisedimet për të përfunduar Traktatin e Paqes me të.
Situata e re ndërkombëtare, që u krijua pas disfatës së plotë turke, e detyroi Komitetin e Stambollit ta rishikonte programin e vet. Sipas tij, shpërthimi në këto rrethana i kryengritjes kundërosmane në Shqipëri do të ishte një hap i dëmshëm, që do ta lehtësonte përparimin e ushtrive serbe, malazeze e greke në brendi të trojeve shqiptare dhe do t’u jepte rast monarkive fqinje që ta sanksiononin me anën e fitores ushtarake aneksimin e viseve të pushtuara prej tyre. Për këtë arsye Komiteti hoqi dorë përkohësisht nga projekti i kryengritjes së armatosur dhe hartoi një program të ri politik për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Programi i ri, i cili u përpunua në ditët e para të vitit 1878, përmbante ndryshime taktike e jo strategjike. Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit nuk hoqën dorë nga synimi i tyre i mëparshëm, nga formimi i shtetit kombëtar shqiptar. Por tani para Shqipërisë qëndronte si detyrë e ngutshme ruajtja e tërësisë së saj tokësore. Përveç kësaj, ata mendonin se në kushtet e reja pavarësia kombëtare e Shqipërisë ishte e parealizueshme, pasi ajo nuk gëzonte asnjë mbështetje në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, tani që kishte filluar pushtimi i trojeve shqiptare nga ushtritë fqinje, rreziku i copëtimit të Shqipërisë ishte bërë shumë serioz. Në këtë gjendje të re shqiptarët u kthyen përsëri në programin e mëparshëm. Në vend të pavarësisë së plotë kombëtare, ata vendosën të kërkonin bashkimin e trojeve të tyre amtare në një vilajet autonom shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane. Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit shpresonin se krijimi i një vilajeti të tillë do të gjente përkrahës në arenën ndërkombëtare, të paktën mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha që nuk e dëshironin shpartallimin e plotë të Perandorisë Osmane. Veç kësaj, për të mbrojtur tërësinë territoriale, shqiptarët do të luftonin të veçuar nga Perandoria Osmane, do të hynin në betejë kundër rrezikut sllav, grek, austriak ose italian në emër të interesave kombëtarë të Shqipërisë. Ata ishin të bindur se një luftë e tillë, si edhe formimi i vilajetit autonom shqiptar, do ta sanksiononte në plan ndërkombëtar ekzistencën e shqiptarëve si komb dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Këto fitore do të shërbenin si bazë për ta kthyer vilajetin autonom shqiptar, në rrethana koniunkturale më të favorshme, në një shtet të pavarur shqiptar. Për të arritur bashkimin politik dhe organizativ të mbarë vendit rreth kësaj platforme, udhëheqësit e Komitetit të Stambollit vendosën të formonin një lidhje shqiptare me karakter kombëtar, ku të përfaqësoheshin të gjitha shtresat shoqërore dhe të gjitha krahinat shqiptare që bënin pjesë në të katër vilajetet perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Projektin për formimin e saj e përgatiti qysh në fillim të vitit 1878, Pashko Vasa, që në atë kohë ishte këshilltar i valiut të Kosovës.
Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit shpresonin se me programin e tyre të ri, i cili e përjashtonte përkohësisht konfliktin e armatosur shqiptaro-turk, Porta e Lartë nuk do ta pengonte formimin e Lidhjes Shqiptare. Kjo liri veprimi kishte rëndësi të veçantë për ta, pasi u jepte atyre mundësi që ta shpejtonin formimin e lidhjes kombëtare dhe organizimin e forcave të saj të armatosura. Për këtë qëllim Komiteti i Stambollit ngarkoi një komision të posaçëm, të kryesuar nga Pashko Vasa, për të nxjerrë lejen përkatëse nga Porta e Lartë. Për një kohë të gjatë Stambolli nuk dha asnjë përgjigje.
Gjatë muajit shkurt 1878 tensionin politik të shqiptarëve e rriti edhe më shumë ekspedita që organizoi qeveria greke kundër trojeve kombëtare të Shqipërisë. Që ta vinte Rusinë para faktit të kryer dhe të merrte parasysh aspiratat e saj territoriale, qeveria e Athinës e detyroi Komitetin e Korfuzit që, para se të nënshkruhej Traktati i Paqes me Turqinë, të provokonte në Shqipërinë e Jugut një kryengritje të armatosur kundërosmane dhe të nxiste kryengritësit vendas që të kërkonin bashkimin e krahinave të tyre me Mbretërinë e Greqisë. Sipas planit të saj të përgatitur me kujdes, më 12 shkurt 1878 një bandë e madhe greke me rreth 600 “vullnetarë” të ashtuquajtur epirotë, të rekrutuar në Greqi, midis të cilëve kishte edhe disa mercenarë të huaj, të pajisur me armë e topa të ushtrisë helenike dhe të komanduar nga oficerë grekë, zbarkuan nga ishulli i Korfuzit në fshatin Lëkurës, në afërsitë e Sarandës. Pasi ngritën këtu flamurin e Greqisë, shpallën fillimin e kryengritjes “greke” në viset e Epirit. Të nesërmen, më 13 shkurt, internacionalistët grekë pushtuan Sarandën; pastaj një pjesë e tyre u drejtua për në fshatin Çukë, pjesa tjetër për në fshatin Gjashtë, duke shpresuar se aksioni i tyre do të ishte sinjali për shpërthimin e kryengritjes së përgjithshme nga ana e popullsisë vendase.
Ndërkaq popullsia shqiptare vendase jo vetëm nuk u bashkua me bandën greke, por, përkundrazi, u ngrit në këmbë kundër saj. Nën thirrjen e krerëve lokalë, me mijëra vullnetarë shqiptarë rrëmbyen armët për mbrojtjen e vendit. Përparimi i forcave greke u ndal në kodrat e Gjashtës. Më 17 shkurt vullnetarët shqiptarë, së bashku me forcat turke që erdhën nga Janina, u shkaktuan atyre dy disfata të rënda, njërën në Karalibej, tjetrën në Gjashtë, dhe i detyruan të tërhiqeshin me humbje të mëdha në Lëkurës. Pas një luftimi tjetër, që u zhvillua më 23 shkurt 1878 në Lëkurës, banda u shpartallua plotësisht. Komandanti i tyre mundi të shpëtonte së bashku me 110 veta, duke u tërhequr gjatë bregdetit, derisa u hodh në Korfuz. Të tjerët u vranë ose u zunë robër gjatë luftimeve.