lodiana Keco Pse mbaron dashuria?

lodiana Keco: Pse mbaron dashuria?
Me këtë skenë hapet "Morsa" ('La Morsa', 1892) e dramaturgut italian Luigi Pirandello, premierë më 14 dhe 15 nëntor në Festivalin e të Rinjve në Teatrin Kombëtar. Në natën e parë të shfaqjes, me regji të Najada Elmazit, publiku ishte i vëmendshëm në lojën e aktores Klodiana Keco (Xhulia), Dritan Boriçit (Andrea) dhe Gjergji Menës (Antonio).

Përveç tensionit të dramës me 1 akt, karakteri i vetëm femëror i saj kishte edhe peshën emocionale që i duhej përcjellë publikut. Një personazh që vuan nga frika e zbulimit të së vërtetës, e lënë zbuluar nga mbrojtja e dashurisë dhe e vetme në përballje me fajin, një përballje e gjatë dhe torturuese, aq sa vetëvrasja mund të ishte ilaçi më i mirë.

Edhe pse një rol i vështirë për aktoren e re, ajo arriti t'i përfshinte shikuesit në dhembjen, frikën, dëshirën për lumturi të personazhit, aq sa të lindin pyetje "Pse lufta për të mbajtur gjallë dashurinë, ka një fund të tillë? Përse është kaq e vështirë të marrësh një falje dhe nëse burri i tradhtuar nuk e bën kurrë këtë, a duhet të përfundojë me humbje të jetës?".

Për këto e pyetëm aktoren, e cila qëndroi me Xhulian një muaj në sallën e provave të Teatrit Kombëtar. Klodiana Keco merr pjesë në Festivalin e të Rinjve edhe me rolin e Maria Magdalenës te "Shtëpia e Bernarda Albës", me regji të Alma Hotit.

Puna për njohjen e personazhit nisi me analizën e të përbashkëtave dhe veçantive, tregon aktorja, duke theksuar se lista e karakteristikave nuk ishte në favorin e saj. Klodiana 27-vjeçare e kishte të vështirë t'i jepte jetë disa ndjesive të paprovuara, jetës së trishtë provinciale dhe ndjenjave të nënës.

E ndihmuar nga profesionistët për t'i perceptuar, ajo e pati më të lehtë ta kuptonte personazhin te nevoja për të shijuar jetën, për t'u ndier e lumtur, për të qenë e rrethuar nga dashuria, për të provuar ndjesi të vërteta.

Duke marrë shtysë nga temat që Pirandello trajton te "Morsa", tradhtinë, hakmarrjen, "prerjen e kokës së falur", nuk mund të rrimë pa e pyetur edhe për to. "Në rolin e Xhulias, unë do të zgjidhja të komunikoja. Në shoqërinë e sotme, vihet re një mungesë komunikimi.

Nuk mund të fajësojmë dikë që nuk është më i dashuruar. Kjo është e kuptueshme. I pajustifikueshëm është lënia pas dore që njerëzit i bëjnë gjendjes fillestare të zbehjes së dashurisë.

Duhet ndërhyrë në atë moment kur mendon se mund të shpëtohet diçka", pohon ajo, duke shpjeguar edhe se një dashuri mbaron kur njëri nga partnerët harron të shohë nevojat e tjetrit, gjendjen e tij shpirtërore, mendore dhe fizike.

Hakmarrja, të cilën në rastin e Andreas e sheh si pasojë të një situate të dalë duarsh nga tensioni, presioni dhe mungesa e kohës për t'u kthjelluar, ndodh atje ku mungon toleranca, mirëkuptimi, ku mbizotëron fanatizmi që çon në humbje jetësh. "Nuk është mirë që autorët të tingëllojnë moralizues, por, në këtë rast, Pirandello na ka dhënë një mesazh të qartë dhe të fortë, një thirrje për pak më shumë shpirt.

E "çliruar" nga pyetjet mbi tradhtinë dhe hakmarrjen, biseda me aktoren Klodiana Keco vijoi te rolet në teatër pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Arteve, profesorët, modelet e skenës që e kanë bërë për vete dhe te...pyetja që i është bërë shpesh: "Përse u bë aktore?".

"Ditën e dytë të mësimit na e ka bërë këtë pyetje pedagogia Ema Andrea. Po jap atë përgjigje që kam dhënë atëherë. Një nga dashuritë e mia të mëdha është libri.

Ai më çon në vende të tjera, në kohë të tjera, në personazhe të tjerë dhe më njeh me mënyra të ndryshme të të jetuarit. Në këtë mënyrë më hapen horizonte të reja, zgjerohet perceptimi, botëkuptimi dhe në fund të fundit qasja me shpirtin njerëzor", tregon ajo.

Nëse libri ta jep një herë këtë mundësi, aktrimi e shumëfishon". Realitetet ndryshe i gjen tek Strindberg, Miller, Balzak, Tolstoi, Dostojevski, Mamet dhe tanimë edhe Pirandello. Por edhe te një numër regjisorësh, produktit të të cilëve i referohet si Coppola, Mamet, Tarantino dhe Kubrick.

Po te cilat modele skenike mbështetet një aktor i ri?

Për këtë pyetje të fundit ajo u përgjigj: "Nëse ndjekim një model, atëherë rrezikojmë të biem në skematizëm, gjë që nuk është aspak e këshillueshme në profesionin tonë, por sigurisht që nuk mund t'i shmangesh modelit të profesorëve të tu, partnerëve në skenë, autorëve që kemi parë në shfaqje të tjera dhe sidomos superfurnizuesit, Hollywoodit. Mendoj se gjëja më e mirë për një aktor është t'i filtrojë ato dhe t'i modelojë sipas shpirtit, formimit dhe botëkuptimit të tij. Sa më i mirë të jetë formimi, aq më estetik është edhe përfundimi".

Përpara tre vitesh, aktorja Klodiana Keco është diplomuar në Akademinë e Arteve, me "3 motrat" nga Çehov, me regji të Alfred Trebickës. Roli që e ka ndihmuar për ta dashur profesionin është Ana Maria në komedinë greke "Kërkohet një gënjeshtar" në teatrin "Andon Zako Çajupi", ku interpretoi me aktorin Aleko Prodani.

"Prej tij kuptova që receta më e mirë për këtë profesion është kombinimi i shpirtit me teknikën", tregon ajo. Role që erdhën më pas ishin "Monologu i një prostitute në çmendinë" në teatrin e Durrësit, një bashkëpunim me regjisoren Driada Dervishi, në dramën e Franka Ramas. Kurse me regjisorë të huaj ka punuar për shfaqjet "E zonja e Bujtinës" me Gabrielle Tezaurin dhe me Beatrice Braccon te "Tradhti Bashkëshortore" e Harold Pinterit.

Ka tre vjet që merr pjesë në Festivalin e Regjisorëve të rinj në shfaqjen "Perversitet seksual në qytet" e autorëve David Mamet me regji të Rovena Lules. Në vitin e dytë tek "Over there" Doru Motoc, me regjisoren Juli Sinani. Kurse këtë vit, përveç Xhulias së Pirandellos, Keco interpreton edhe në rolin e Maria Magdalenës te "Shtëpia e Bernarda Albës", me regji të Alma Hotit.




Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama