Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse Berisha është një kundërshtar thjesht normal!

Shkruar nga: Henri Çili  
Botuar më: 14 vite më parë

Henri Çili
Pse Berisha është një kundërshtar thjesht normal!

Duke analizuar në mënyrë perfekte pse Edi Rama po kandidon sërish, lodhshëm për të gjithë, për herë të katërt për Bashkinë e Tiranës, kolegu Mustafa Nano në analizën  e tij “Një dreq e di pse, por Rama do të kandidojë për Tiranën”, te gazeta online “Respublica”,  edhe pse është kundër të gjitha arsyeve që ka Rama për të rikandiduar, sërish premton për ta “mbështetur më shumë se kurrë opozitën këtë radhë”?! Madje, duke rënë pa e ditur dhe vetë, në të njëjtën logjikë arsyetimi që e çon Ramën në rikandim: “situata dhe kundërshtari i jashtëzakonshëm Berisha”, edhe pse e kritikon këtë logjikë, Mustafa Nano bie vetë në përfundim të shkrimit, më keq se i kritikuari i tij, në një gabim edhe më të madh, quan Berishën “Gadafi ynë”. Teprim, Mustafa, teprim!

Në fakt, nuk ka mënyrë më të keqe për të luftuar Berishën dhe nuk ka po gjithaq mënyrë më të favorshme për Berishën, sesa kundërshtarët apo kritikët e tij ta teprojnë lidhur me të. Është Rama i pari, dhe në përgjithësi shtabi larush dhe inatçor i drejtimit të opozitës, që e kanë tepruar aq shumë duke e “de-normalizuar” Berishën në ligjërimin politik, duke e hiperbolizuar gjendjen në vend apo gjendjen e demokracisë, duke e krahasuar Berishën me të pangjashmit të tij në Lindjen e Europës apo Lindjen e Mesme aq sa... Aq sa kanë kontribuar aq fort në stabilizimin e pushtetit të Berishës, në zgjatjen e pushtetit të tij dhe “normalizimin” në sytë e opinionit publik të shumë e shumë problemeve, skandaleve, mosfunksionimeve të jetës së vendit, për një arsye të vetme: sepse kundërshtarët e Berishës e kanë ekzagjeruar aq shumë, sa vetëm duke iu kundërvënë pak këtij teprimi me pash, Berishën mund ta shohësh si normal.

I pari që e bën këtë është kryetari i opozitës, Edi Rama. Edhe pse  ka kaluar 11 vjet në drejtim të saj, edhe ka 6 vjet që është edhe kryetar i opozitës, edhe pse po kërkon një orë e më parë zgjedhje të parakohshme për të qeverisur Shqipërinë, edhe pse ka aq shumë punë për reformuar dhe për të përgatitur opozitën për të ardhur në pushtet, edhe pse nuk do t’ia dijë më për punët e imëta dhe komunale të Bashkisë së Tiranës, të cilat i ka lënë prapa edhe si shije, edhe si preokupim, Rama do të rikandidojë përsëri!!! Pse? Sepse situata nuk është normale, sepse po instalohet “regjimi apo tirania e Berishës” dhe të tjera broçkulla si këto. Shkurt, e pranojnë që të gjithë, Rama i pari, që kandidimi nuk është  normal, por meqë situata nuk është normale, kandidimi i Ramës bëhet i domosdoshëm, madje aq sa dhe fushata duhet të çbëhet nga të qenit lokale dhe duhet të kthehet në “referendum politik” për t’i dhënë fund një orë e më parë “regjimit-tirani të Berishës”.

Në fakt, i dashur Mustafa, duket se, që në premisa, opozita dhe Rama nuk kanë të bëjnë me realitetin, kur e vlerësojnë kështu realitetin. Berisha është një kundërshtar krejt normal, tipik i një demokracie parlamentare me pushtet të kufizuar, me fare pak diferencë vendesh në Parlament, ku mezi janë sajuar një 73- 74 deputetë për të pasur një qeveri. Berisha po ushtron një pushtet normal, kur për një sërë arsyesh, për faktin që koha dhe mentaliteti ka evoluar në këtë vend dhe bashkë me ta edhe institucionet, kemi një “qeverisje të kufizuar”, pikërisht ashtu si e do demokracia normale: qeveria ka thjesht pushtetin e kufizuar, pushtetet e tjera ose nuk i kontrollon, ose i ka kundër.

A jetojmë në një shoqëri ku qytetarët shqiptarë mezi po presin të rrezojnë këtë qeveri dhe të sjellin në pushtet opozitën? Nuk më duket kështu, sepse po të ishte kjo nuk do të kishim 400 veta të trajnuar për guerilje më 21 Janar, por do të kishim dhjetëra e mijëra qytetarë të revoltuar që, duke mos marrë rrezikun në sy, do t’i suleshin Kryeministrisë për të përzënë nga atje Berishën - diktator. Nuk do të kishim atë reagim të opinionit publik shqiptar kundër kësaj mënyre për të çnormalizuar situatën në vend. Do të kishim partnerët ndërkombëtare që, në mos do të ishin në anën e opozitës, së paku do të gjenin te kjo e fundit aq gjëra të arsyeshme sa për të presionuar mazhorancën për të bërë disa lëshime të arsyeshme.

Shkurt, përpjekja për ta paraqitur Berishën si një kundërshtar anormal, lufta ndaj të cilit përligj prishjen e të gjitha normaliteteve të tjera, në të vërtetë tregon se anormale në fakt është opozita, e cila ka një dy a tre vjet që nuk po gjen dot fillin e disa gjërave që në politikë janë shumë të thjeshta. Fillohet nga vetja: opozita normale, me program alternativ, me ekip me superioritet moral dhe konceptual ndaj atij që kërkon të zëvendësosh në pushtet. Dhe mbi të gjitha, zgjidhja e nyjës gordiane në të cilën ka ngecur sot fati politik i opozitës dhe Edi Ramës: obsesioni për Bashkinë e Tiranës. Në demokraci opozita është e rëndësishme jo se ka një pjesë të pushtetit, qoftë dhe bashkinë më të madhe të vendit, por sepse është alternativa e pushtetit. Nëse, siç po vijon të bëjë Rama, do të vazhdojë të katandisë luftën politike pozitë- opozitë në një luftë, bashki-qeveri, rezultatin kësaj ia kemi parë deri tani dhe s’ka pse të mos vijojë e njëjta gjë. Por kështu, do të jemi të privuar si interes publik nga normaliteti politik; do të jetë e privuar dhe vetë opozita në të qenit normale. Mbi të gjitha, opozita do të privohet nga krijimi i premisave reale për të qenë e për t’u përgatitur si alternativë për qeverisjen e vendit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama