Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mbi financimin e partive politike

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 14 vite më parë

Rexhep Meidani
Mbi financimin e partive politike

Korrupsioni në financimin e partive politike është një nga çështjet kritike në demokracitë e sotme. Abuzimi politik e “mitmarrja” elektorale, kapja e partive politike, e udhëheqjeve të tyre, mangësitë apo mungesa e institucioneve të pavarura përbëjnë një barrierë serioze në procesin demokratik. Për ta reduktuar këtë korrupsion politik, është i rëndësishëm sistemi rregullator e institucional, sidomos ai për një kontroll ex ante (para faktit) dhe ex post (pas faktit) ndaj partive politike, financimit të tyre apo fushatave elektorale.

Politika dhe paraja

Fondet dhe politika janë të lidhura midis tyre. Në një demokraci pluraliste, në përballimin e detyrave të tyre partitë politike, zyrtarët e tyre kanë nevojë për infrastrukturë e mbështetje financiare, që garantohet nga burime publike e private apo kombinimi i tyre. Sidomos këta fonde bëhen të domosdoshëm në përballimin e fushatave elektorale. Por, ama, ata bëhen dhe burim korrupsioni, duke prekur dhe institucionin e votës së lirë dhe të strukturave që rrjedhin prej saj. Prandaj, kontrolli i praktikave joligjore e abuzive bëhet pjesë e një sistemi rregullator, që në rastin e partive dhe të fushatave elektorale është ende problematik; ai ka nevojë për transparencë, besueshmëri e hapje. Pjesë e këtij sistemi është dhe kodi i sjelljes, që i shërben një klime qytetare e konstruktive në garën politike. Normalisht, një klimë e tillë nuk përfshihet në ligj, por ajo shërben për rritje standardesh, pa tentuar fiksimin apo pandryshueshmërinë e tyre në kod.

Po ashtu, një gjë e tillë i detyron partitë dhe kandidatësh të jenë sa të hapur, po aq të ndjeshëm ndaj kritikës publike. Dhe, më tej, vetë rregullat e financimit të partive dhe të fushatës mundësojnë monitorimin e këtij financimi, të origjinës së fondeve, të ndikimeve potenciale të mëvonshme, etj. Nëpërmjet tyre përcaktohen sasitë e lejuara nga kontribuues privatë (me emra e adresa); por dhe ato të vetë partive. Pra, kërkohet një kufi dhe një qartësi monetare për kontributet, për të shmangur ndikimet korruptive mbi vetë sistemin politik. Krahas këtij limiti kontributesh (individuale e biznesore), nuk duhet të lejohet anonimati i tyre (qoftë nga burime të brendshme, qoftë ata të huaja).

Normalisht, kufi duhet të vendoset edhe për sasinë e parave të shpenzuara si parti, apo si individ; për të shmangur abuzimin e parave, teprimin në marketingun televiziv, etj. Pjesë e kontrollit dhe e reagimit duhet të jetë dhe përdorimi i mjeteve shtetërore (makina telefona, fotokopje, etj.), përfshirë dhe autoritetin e zyrës shtetërore që, në fakt, krijojnë pabarazi elektorale midis pozitës dhe opozitës. Po aq i domosdoshëm është deklarimi i pasurisë, i aseteve dhe interesave të kandidatëve para dhe pas zgjedhjeve. Disa elementë të tjerë me peshë, në sistemin rregullator, janë cilësia, nga e cila varet efektiviteti i tij, por edhe thjeshtësia e saktësia e funksionimit të agjencive, që merren me financimin e partive, si brenda partive, ashtu dhe strukturave shtetërore. Mbi të gjitha, pjesë tepër e rëndësishme është vullneti politik dhe angazhimi përkatës, si në përmirësimin e sistemit rregullator dhe legjislacionit përkatës, ashtu dhe implementimi efektiv e korrektësia e tij në zbatim. Edhe shoqëria civile dhe media në rolin e auditit social nuk duhet të rrinë indiferente në monitorimin e financimit politik, natyrisht duke respektuar norma të caktuara, sidomos për çështje të karakterit kushtetues (si e drejta e privacisë, liria e shprehjes dhe e mendimit, liria politike).

Shtojmë se për një përdorim korrekt të sistemit rregullator të financimit politik-partiak një rol të rëndësishëm kanë edhe agjencitë përgjegjëse. I tillë është ndonjë departament qeveritar (në Ganë, Liberi, Siera Leone, etj.); në disa vende zyra e prokurorit të përgjithshëm; në Gjermani, Itali, Greqi, etj., spikeri i parlamentit. Në vende të tjera funksionon si një zgjidhje ndërmjetëse një zyrë auditimi apo kontrolli shteti (Austri, Spanjë, Izrael), një agjenci specifike e pavarur në trajtën e një komisioni elektoral (në Australi), një zyrtar  zgjedhor në Kanada; komisioni zgjedhor federal në ShBA, etj. Në rastin shqiptar, përveç auditit e kontrollit të brendshëm të partive, detyrën për fondet e mbledhura (përdorura), shkeljet, kontrollin dhe investigimin e tyre, e ka KQZ-ja. Pra, në përgjithësi, këto agjenci kanë fuqinë e regjistrimit të partive politike, atë të monitorimit të aktivitetit financiar, mbikëqyrjes së donacioneve dhe shpenzimeve, përgatitjes së raportit publik në kuadër të llogaridhënies dhe luftës kundër korrupsionit.

Po ashtu, ata kanë fuqinë për të investuar parregullsitë apo, në pamundësi ligjore për këtë, për të sugjeruar investigimin ndaj tyre nëpërmjet agjencive më të specializuara. Veç të tjerash, ata duhet t’u japin përgjigje e zgjidhje ankesave të partive politike e kandidatëve të veçantë ndaj abuzimeve të ndryshme, sidomos të oponentëve elektoralë. Madje, sipas rastit, institucione të tilla mund të vendosin sanksione administrative e penale: në mënyrë të drejtpërdrejtë (komisioneri në Kanada) apo nëpërmjet organeve të tjera (p.sh., në Shqipëri, nëpërmjet gjykatë-prokurorisë). Ato, për të qenë efektive, kërkojnë burime financiare të mjaftueshme, por dhe personel të kualifikuar, qoftë për kontrollin e aspekteve financiare e legale të procesit elektoral por dhe, në përgjithësi, të gjithë procesit politik-partiak.

Dhe, mbi të gjitha, duhet të jenë të pavarura, apo të paktën të shihen si të tilla. Ka kaluar koha e agjencive partizane të llojit shqiptar, qofshin ato dhe shumëpartiake. Së fundi, çdo sistem rregullator mbi regjimin financiar të partive politike për të funksionuar e ka të domosdoshëm “drejtkëndëshin magjik” me elementë në qoshet e tij: transparencën, llogaridhënien, pragmatizmin dhe fuqinë për vendosje sanksionesh. Sepse, monitorimi i financimit partiak dhe fuqizimi i kontrolleve financiare të tij janë hapa bazë në procesin e administrimit të drejtë dhe të ndershëm të parasë në politikë. Ndërkohë, po aq të rëndësishme janë: zbatimi i ligjit në shoqëri, vullneti politik dhe angazhimi në të gjithë spektrin politik, informimi i publikut dhe rritja e ndjeshmërisë së tij ndaj procesit politik e zgjedhor, përfshirë dhënien e alarmit ndaj abuzimit nëpërmjet aktivizimit të medias së lirë.
Korrupsioni zgjedhor
Procesi zgjedhor demokratik, vetë demokracia, u ofron mundësi qytetarëve për të qenë pjesë aktive në luftën kundër korrupsionit. Ata kanë në dorë votën e tyre për të zgjedhur, për ta goditur korrupsionin politik me anë të rotacionit demokratik të pushtetit. Aq më tepër që “skandalet” korruptive, jo rrallë, janë të lidhura ngushtë me financimin e partive politike dhe, mbi të gjitha, të fushatave zgjedhore. Një shembull tipik ka qenë ai i Kraksit dhe PSI-së, në Itali. Një “zhurmë” jo të vogël provokoi dhe rasti i Kolit në Gjermani etj.

Normalisht, reduktimi i mbështetjes shtetërore për partitë kërkon dhe rritjen e kontributit të anëtarësive përkatëse, pra dhe ndikimin e tyre. Në fakt, ajo që vihet re është e kundërta. Një problem më vete për anëtarësinë është kuotizacioni apo kontributi individual. Në mjaft vende europiane konstatohet një ulje e theksuar e anëtarësisë partiake; madje, brenda PS franceze ka një debat të fortë për kuotizacionin e anëtarësisë, që ka detyruar mjaft anëtarë të largohen nga partia (20 euro në vitin e parë, që rritet më tej sipas pagesës apo fitimit). Aktualisht, në Shqipëri, është “lënë” mënjanë problemi i kuotizacionit për financim. Dhe, ndërkohë, ajo që bie në sy në Shqipëri, vitet e fundit, është luksi i madh elektoral, ku krahas shpenzimeve të tejskajshme me “postera”, konstatohen dhe derdhje marramendëse parash për koncerte e këngëtarë, për salla, pankarta, flamurë, uniforma, shalle, makina shoqëruese (përfshirë me tepricë dhe ato të institucioneve shtetërore!), reklama elektorale apo makina që “sorollaten” gjithë ditën me qendra zëri mbi to e buçasin nëpër rrugët e qytetit, etj. Pra, gjatë fushatave të fundit janë parë “pompozitete” elektorale që, nga cilësia dhe përmasa, duken mjaft të shtrenjta dhe shumëfishe të fondeve të ndara dhe të deklaruara nga KQZ-ja për partitë politike. E gjithë kjo nënkupton qartë që burimet e dyta dhe të treta të financimit kanë qenë shumë më të mëdha se ato zyrtare. Por a fshehin ato, qoftë dhe në këtë nivel ekspozimi, një konflikt real apo potencial interesi? Pa dyshim që po. Madje, shumë shpejt, pas zgjedhjeve, “imponohet” edhe koha e “pay-back”-ut përkatës që, në çdo rast, shfaq probleme serioze ligjore.

Parë me këtë sy, rritja e shpenzimeve nga fushata në fushatë, në kushtet shqiptare, po bëhet një çështje me rrezikshmëri në rritje. Aq më tepër, që brenda këtij realiteti partiak, ajo shpreh një pamje konkrete të korrupsionit zgjedhor – pjesë e pandashme e korrupsionit politik. Bile, në këtë kuptim, shpenzimet elektorale të pakontrolluara janë kundërvënia më shqetësuese ndaj vetë luftës së mëtejshme kundër korrupsionit. Prandaj, nevojitet një mbikëqyrje financiare shumë më e drejtpërdrejtë, por dhe një ligj shumë më i rreptë në penalitete sesa aktuali. Përndryshe, çdo rritje “shkëlqimi” fushate rëndon dhe do të rëndojë më vonë mbi supet e qytetarit, të zbatimit të ligjit dhe vetë zhvillimit demokratik; e bën luftën kundër korrupsionit thjesht një slogan zgjedhor (për kohë fushate) dhe një slogan permanent politik për pjesën tjetër pas saj!…

Trysnia financiare gjatë fushatës zgjedhore detyron parti e politikanë të pranojnë “incentiva” jashtë rregullave ligjore, gjë që krahas abuzimit me ligjin dhe rregullat, dëmton rëndë parametrat e lirisë dhe të barazisë së zgjedhjeve demokratike. Për më tepër, vitet e fundit, në kushtet shqiptare, segmente të politikës kanë “detyruar” përfshirjen e shumë biznesmenëve, jo vetëm e thjesht në financime fushate, por dhe në një pjesëmarrje të drejtpërdrejtë, me kandidimin e tyre, madje edhe pa pasur as dhe një përkatësi të qartë politike.

Nuk është e rastit, që, aktualisht, ndryshe nga dhjetëvjeçari i parë i tranzicionit, parti të mëdha, po shtojnë në radhët e tyre, deri në nivelet e larta të drejtimit, “biznesmenë-politikanë” apo “politikanë-biznesmenë”. Kjo, nuk mund të kritikohet apriori, por, ama, mungesa e rregullave efektive, për shmangien e konfliktit të interesave apo të financimit partiak, dobësitë institucionale sidomos në sistemin gjyqësor, politizimi i strukturave zgjedhore etj., më e pakta, krijon mosbesimin qytetar, shoqëruar dhe me “zhurmën” e panevojshme për raste të tilla… Në fakt, sistemi ynë politik nuk ka arritur të modelojë rrugën e përshtatshme për të financuar partitë dhe fushatat zgjedhore, për të penguar si “shitjen” e politikanëve tek biznesi, ashtu dhe “pazaret materiale” me elektoratin, shitblerjet e komisionarëve etj.

 Në rastin e parë, të marrjes së fondeve apo “granteve” në “cash”, ose dhe kur financohen koncertet elektorale, posterat, fletëpalosjet, gazetat elektorale, transmetimet e spotet televizive, etj., ligjërohet, por asnjëherë nuk zbatohet një kontroll efektiv i shpenzimeve në KQZ, si në rastin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005 apo 2009. Po aq i rrezikshëm është dhe shfrytëzimi i një pjese të fondeve publike, të shpërndara për realizimin e projekteve të ndryshme në nivelin qendror ose vendor, duke i përfshirë ato edhe në skema “marketingu”, reklamash apo mbështetje veprimtarish sportive, kulturore e artistike, para e sidomos gjatë fushatës. Ndërsa, për çështjen e dytë, mund të thuhet që në jo pak raste janë ndeshur shpërndarje mallrash ushqimore gjatë fushatës, organizime udhëtimesh turistike, deri pagesa të drejtpërdrejta apo “dhurime” mjetesh monetare (p.sh., në zgjedhjet e vitit 2005).

Sidoqoftë, deri diku, sistemi përpjesëtimor e ka minimizuar këtë “deformim” në zgjedhjet e vitit 2009. Në këtë optikë, gjëja më e mirë që mund të bënte Kuvendi pas çdo procesi zgjedhor, do të ishte ngritja e një komisioni hetimor për shpenzimet zgjedhore të partive, pavarësisht deklarimeve të tyre. Dhe, jo të bllokohej ky proces i domosdoshëm transparence nga PD-ja dhe qeveria e saj, si në rastin e zgjedhjeve të vitit 2009, me gjithë luftën, përpjekjet dhe sakrificat e PS-së.

Ç’ mund të bëhet në situatën aktuale?

Në kushtet e sotme, për kohën e mbetur, një vlerë të veçantë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do të kishte arritja e një marrëveshjeje elektorale dypalëshe, në trajtën e një dokumenti politik si shtesë mbi “kodin etik”. Aty, krahas ndryshimit të përbërjes së KQZ-së, edhe për rritjen e besimit ndaj saj, mund e duhet të përmbahen një mori masash që të mishërojnë parimet etike bazë gjatë procesit zgjedhor, por dhe pas tij. Midis tyre, për periudhën e fushatës zgjedhore dhe gjatë procesit të votimit, mund të përfshihen dhe ato elementë që lidhen me cilësinë e një fushate qytetare, si p.sh me mënyrën e transmetimit të mesazheve zgjedhore e politike-publike, gjuhës së përdorur e sjelljes korrekte, burimeve financiare të shfrytëzuara, kërkesës për ndershmëri votimi e numërimi, individualitet e fshehtësi vote, etj.

Po ashtu, gjatë regjistrimit të kandidatëve, duhet të përfshihen edhe kërkesa shtesë, si p.sh. të lidhura me deklarimin e pasurisë, me angazhimin publik në respektim të ligjit e në shërbim të plotë të qytetarëve, etj. Po aq i rëndësishëm është financimi i fushatës elektorale dhe transparenca hap pas hapi e saj. Sepse, për ta ruajtur elementin ligjor e etik të barazisë në procesin zgjedhor, është i nevojshëm dhe respektimi i sistemit rregullator, që përfshin mënyrën e financimit të fushatës, donacioneve e burimeve të tjera materiale, qoftë të partive apo biznesit, qoftë të kandidatëve të veçantë.

Sidomos, në fondet e përdorura duhet të përfshihet dhe financimi i vetë partive politike të kualifikuara me fonde publike, por me domosdo duhet të deklarohen dhe shpenzimet personale nga “xhepi” i kandidatit, për të cilat duhet të përcaktohet dhe limiti përkatës, sidomos po të kihet parasysh prirja e deritanishme për përfshirje në rritje të përfaqësuesve nga biznesi e administrata e lartë. Për të gjitha këto shpenzime duhet të garantohen dokumente apo fatura, që mund të verifikohen nga struktura e caktuar pranë KQZ-së, qoftë me kërkesë të një partie politike, apo dhe me ankesë të një kandidati të vetëm, të regjistruar pranë KQZ-së.

Të ndodhur si kurdoherë në një “Zeitnot” elektoral, nuk duket se mund të arrihet ndonjë kompromis për rikonsiderim nenesh të lidhura me financimin e fushatës, që përgjithësisht nuk mungojnë as në Kod, apo dhe për çështje të tjera. Ndërsa, një financim korrekt kërkon dhe ndjekje korrekte. Dy janë mundësitë aktuale për ta përforcuar më drejt e më mirë atë, në pamundësi kohore për të realizuar amendamente ligjore. Njëra mundësi, që lidhet ngushtë edhe me “kodin etik”, ka  të bëjë me vetë partitë politike e përgjegjësinë e tyre. Ato duhet të ndërtojnë strukturat e tyre transparente të “auditimit” për probleme të financimit, me llogari të rregullta bankare si parti, në tërësi, apo dhe për çdo kandidat, në veçanti.

Në pamundësi të ndonjë varianti tjetër, për këtë qëllim mund të shërbenin, ndoshta, komisionet e garancisë statutore apo struktura të ngjashme me to, si p.sh., ai i etikës (apo komisioni antikorrupsion). Dhe, mundësia tjetër është përcaktimi i një angazhimi më të rreptë nënligjor nga ana e KQZ-së (me miratimin konsensual edhe të deleguarve të partive pranë këtij komisioni). Për këtë qëllim, në përputhje dhe me detyrat që shtron Kodi, KQZ-ja mund të ndërtojë dhe strukturën e vet të specializuar, që ka aftësinë, dhe kapacitetin tekniko-ligjor për të njohur e verifikuar financimin individual të çdo kandidati, madje dhe të bëjë ballafaqimin e deklarimit publik me faturat e shpenzuara prej tij, të depozituara pranë kësaj strukture, normalisht para marrjes së mandatit të deputetit.

Madje, në raste të veçanta, që shfaqen si flagrante edhe të ndjekë, duke bashkëpunuar me organe më të specializuara, dhe ankesa të ndryshme për këtë problem nga kandidatë ose parti pjesëmarrëse, të prekura në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga ndonjë abuzim i mundshëm financiar e administrativ. Po aq të rëndësishme janë dhe shmangia e manipulimeve me emrat, kartat e identitetit, votimin e shumëfishtë, etj., në procesin e votimit; apo lufta kundër vjedhjes së votës, deformimit të saj në procesin e votimit nëpërmjet “blerjes” së përfaqësuesve partiakë në procesin e numërimit. Vetëm në këtë mënyrë procesi zgjedhor mund të fitojë ata parametra bashkëkohorë demokratikë që garantojnë drejtësinë, lirinë, barazinë e ndershmërinë e tij, pra dhe vetë qeverisjen konkrete, në përputhje me vullnetin e votuesit-sovran.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama