Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Politizimi i fushatës që çon kah dhuna

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Nazarko
Politizimi i fushatës që çon kah dhuna

Incidentet në fushatën zgjedhore po shënojnë rritje të frikshme, duke qarkuar kryeqytetin, por edhe duke filluar të shfaqen në Tiranë. Nuk mund të nxirret ndonjë përfundim shterues për shkakun thelbësor që i përcakton këto incidente. A lidhen ato me shkaqe lokale, apo me shkaqe që kanë natyrë politike kombëtare? Sido që të jetë, ato tregojnë qartësisht diçka: ajo çfarë luhet në këto zgjedhje është aq e rëndësishme saqë po shtyn palët politike të përplasen në shkallë të tillë, duke parathënë me gjasë ashpërsimin e mëtejshëm të fushatës.

Po çfarë luhet? Interesi i qytetarit, siç thuhet në mënyrë patetike dhe të pabesueshme nga oratorë të caktuar dhe slogane partiake? Jo, mund ta themi me forcë. Dhe ja cilat janë arsyet.

Kjo është një fushatë politike prej të cilës varet fati i liderëve politikë kryesorë në vend, por kryesisht i kryeministrit Berisha. Në fakt, ne kështu kemi thënë mbi të për çdo fushatë të pas 1996-s, sepse ai ka pasur dhe ka aftësinë ta shndërrojë secilën prej zgjedhjeve në betejë politike për jetë a vdekje. Secila prej këtyre fushatave mund të shënonte një mbyllje të arsyeshme të karrierës së tij politike bukur të gjatë, por nuk ka ndodhur kështu, ndaj jemi në të njëjtën pikë, duke bërë të njëjtin parashikim.

Zoti Berisha në fakt ka pjesërisht të drejtë në lidhje me këto zgjedhje, pasi ato janë të shënjuara si politike, dhe jo administrative prej faktorit perëndimor, atij amerikan dhe atij europian. Përballë kërkesave të opozitës për zgjedhje të parakohshme në 21 janar, ky faktor e unifikoi pozicionin e vet duke thënë: zhvilloni zgjedhjet lokale dhe do të shohim nëse ato do të krijojnë dinamikë të re politike. Mundësia e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që lidhet me rezultatin 8 majit, është faktori kyç që i politizon këto zgjedhje.

Për këtë shkak thelbësor, partitë  kryesore kanë zbritur në garë personazhe politike të planit të parë. Lulëzim Basha, Ferdinand Xhaferraj, Ardian Kollozi janë ministra apo deputetë dhe përfshirja e tyre në garë e rrit politizimin. E njëjtë dhe përfshirja e Edi Ramës apo e ndonjë deputeti tjetër socialist në këtë garë e rrit politizimin, pa hyrë në analizën e zinxhirit shkakësor: a ishin të parët demokratët, apo socialistët. Duke e ditur se ky politizim dekurajon votuesit gri, zoti Basha po përpiqet të diferencojë veten nga politika e partisë së vet duke lavdëruar punën e Ramës në mandatin e parë, duke mos pranuar shkatërrimin e Piramidës etj, por duket e vështirë që ai të ngjajë i besueshëm në këtë ndryshim.

Partitë politike nuk janë mjaftuar me vendosjen në krye të njësive lokale të personazheve të politikës qendrore, por dhe në këshillat bashkiakë dhe komunalë janë kandiduar njerëz të pushtetit qendror. Kjo dukuri ka qenë e pranishme edhe më parë, mjafton të shihni përbërjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, të mbushur plot me zëvendësministra, këshilltarë të Kryeministrit etj.  Si shprehje e kësaj dukurie, që s’ka fare lidhje me interesin e qytetarit, është dhe bllokimi thuajse i përhershëm i këshillave bashkiakë të drejtuar nga socialistët, i vendimeve të tyre, i miratimit të buxheteve, diçka që rëndon standardet jetësore të qytetarëve.
Një dëshmi tjetër e qendërzimit politik të fushatës zgjedhore për pushtetin lokal janë dhe premtimet elektorale apo vendimet favorizuese të ndërmarra nga qeveria në prag të fushatës apo dhe tani. Qeveria e ka zgjidhur thesin e premtimeve, duke filluar me amnistinë fiskale, e cila mund të kërcënohet sipas saj prej mungesës së votës së opozitës.

Kjo fushatë është e dominuar nga politika dhe për shkak të një veçorie, asaj sesi u hy në të nga pikëpamja e kuadrit ligjor, më saktë mosndryshimit të kuadrit ligjor që nga koha e zgjedhjeve parlamentare të 2009-s. Asnjë ndryshim në Kod, të metat e listave që janë thelbësore në ecurinë e të gjitha zgjedhjeve, janë tema që e dominojnë fushatën zgjedhore lokale.

Në mënyrë të ngjashme me fushatën zgjedhore parlamentare të 2009-s, ne kemi sërish luftën e flamujve. Është një luftë kryesisht e qeverisë për të dominuar ekskluzivisht në mjediset publike me simbole zgjedhore si flamujt, banderolat etj . Vendosja e tyre prej një partie dhe bllokimi i partive të tjera për të vendosur simbolet e tyre, po shndërrohet në një rrezik dhune, siç dëfteu rasti i Kamzës. Kamza e qeverisur prej demokratëve, që i kishte këto simbole tërë mandatin, nuk mund të pranonte vendosjen e simboleve të opozitës dhe ndaj lindi fërkimi i ushtarëve zgjedhorë, zakonisht të papunë, të cilët në kësi rastesh gjejnë një mundësi punësimi të paguar mirë.

Ndaj më në fund duhet të themi se kjo klasë politike edhe në këtë fushatë, s’po merret me problemet e qytetarëve. Ajo s’po trajton problemin e reformës territoriale që e sheh Shqipërinë e vockël të copëtuar në mijëra komuna mikroskopike ku vegjeton ushtria e vërtetë e manipuluesve të zgjedhjeve, diçka që i politizon më tej zgjedhjet. Duke u sjellë kështu, kjo klasë po injoron një problem të madh politik kombëtar që s’mund të injorohet akoma, sepse Shqipëria po humb garën europiane me Serbinë. Nga politizimi i papërshtatshëm i këtyre zgjedhjeve, që i jep atyre karakterin e një lufte për jetë a vdekje midis liderëve, humb vendi, humb perspektiva europiane e tij. Meqenëse qeveria nuk shqetësohet për këtë, siç u duk me shtytjen e ftesës për statusin e kandidatit në BE, vjeshtën e 2010, do të duhet të shqetësohet opozita. Do të duhet të shqetësohet opinioni publik i shëndoshë i vendit.  Ne s’mund të humbim trenin e Europës për shkak të karrierës politike të askujt.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama