Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mero Forever

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 14 vite më parë

Artur Zheji
Mero Forever

I dashur Mero!

Së pari të falënderoj se më transmetove një ndjenjë të mirë humori me përshkrimin tënd tek “Antena brenda familjes“. Të jesh një personazh fejtoni, tashmë të njohur dhe të lexuar, është padyshim përkëdhelje e paparë, bile vëmendja jote e posaçme, sepse ndihet o Mero dora jote, e bën edhe më interesante të gjithë fabulën.

Por këto radhë, nuk dua t’ia kushtoj vetes, sepse vërtet ndihem kaq shumë i kudondodhur ndër televizione dhe n’mes t’kartave të shtypura, saqë sikletosem jo rrallë për këtë vëmendje kaq të përhapur. Ja, tek shkruaj këto radhë mëngjesore, përpiqem të mos harroj se duhet të shkoj sa më shpejt te Vizion Plus, të regjistroj diçka në emision të Bushatit, ku mësova se do të jesh edhe ti. Pastaj, në 8 pa një çerek, do të shkoj te “Majtas, jo Djathtas“, siç e përshkruan edhe ti.

Tani të kthehemi te bifteku i muhabetit, kuptohet nëse ky muhabet nuk është thjesht garniturë pa biftek.

Së pari, dua të rrëfej hapur, se kam bërë një zgjedhje të hapur dhe publike, të mbështes Lulzim Bashën, personin dhe programin e tij në këto zgjedhje. Të jesh i angazhuar do të thotë të jesh më i pavarur se pseudo të pavarurit që na rrethojnë, dhe ti o Mero sa e shijshme është kjo liri e di mirë, si gazetar veteran i angazhuar dhe luftarak që je.

Dhe cilat janë, o Mero, pikëpamjet e mia, mendoj se duhet t’i shkoqis me këtë rast. Rama, të cilin ti e ke bërë fërtele më 2007-ën, e kam vlerësuar dhe mbështetur për shumë vite me radhë.

E kam këshilluar sa herë zotin Rama, asokohe mikun Rama, të jetë i kujdesshëm me Ilir Metën, sepse shumë të mira kish parë prej tij dhe meqë kish hyrë në këtë valle të politikës, ishte mirë që ai, Rama, të fuste pak kulturë të re, atë të mirënjohjes dhe të luajalitetit, për mbështetjen spektakolare dhe pothuajse arrogante që kryeministri i atëhershëm Meta i jepte publikisht Yllit të ri Rama.

Mirëpo, Edi kishte plane të tjera, të fshehta dhe afatgjata, të cilat nuk i ka konfiduar kurrë me mua dhe mirë ka bërë; ashtu ka menduar.
E, që thua ti Mero, kur ti luftoje si luan në krah të Doktorit kundër kësaj të majte virane, unë e kam mbështetur Ramën, duke e paqtuar me Fatos Nanon disa herë, duke mos ditur që Edi konspironte natë e ditë në PS kundër tij. Duke mos ditur që lëvizja “Mjaft” ishte një pothuajse krijesë e tij e fshehtë, e cila qëllonte me topa balte Qeverinë e zotit Nano, qeverinë që përkëdhelte zotin Rama me fonde të posaçme dhe me mbështetje politike kundër Berishës. Me sa thonë, “mjaftistët”, merrnin netëve edhe bekime e urime në PD, ku dhurata anti-Nano që ata përfaqësonin ishte një mrekulli më vete.
Se ku janë sot mjaftistët e pavarur dhe lideri i tyre antikonformist kjo dihet, shihet dhe preket. Janë me Edin, ashtu si shumëkush që dje e mallkonte dhe e depilonte rrënjë e degë.

Kur ti, i dashur Mero, erdhe dhe u bëre, me votat e PD-së, anëtar i rreptë i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shtetëror dhe duke shkelur shumë ligje njëherësh organizove, në emër të Berishës, shkarkimin tim, Rama, miku im, heshti dhe u fsheh mbas gishtit.

Po të rrëfej një gjë: Së pari, kur unë vendosa të pranoj të bëhem Drejtor i Përgjithshëm i RTSh-së, kërkova të isha konsensual. Dhe Berisha e dha konsensusin e tij. Prandaj më trishtoi pa masë vendimi i tij i asokohe që të dërgoi ty, për të bërë në pak ditë këtë rotacion të vrazhdë dhe harbut në RTSh. Por trishtimet nuk kanë të krahasuar. Rama, miku im i asaj kohe, heshti. Ti e di që një mik të vret edhe kur të gjuan me trëndafil, të vret edhe kur hesht, në ëndrrën e madhe të shokut të presupozuar.

Por të mos harrojmë, Edi Rama ishte, sikundër është edhe sot, kryetar i Partisë Socialiste. Duke menduar se unë njihesha asokohe si mik i Nanos, dhe Meta apo Blushi më kishin, me dhe pa shkak, halë në sy, Rama heshti dhe nuk konsumoi asnjë akt, qoftë edhe mediokër politik, që Zheji shkarkohej në mënyrë të paligjshme dhe arrogante nga RTSh-ja, politikisht nga mazhoranca e djathtë. Se çfarë është sot RTSh, besoj të gjithë e dinë dhe nuk ka nevojë për koment.

Kur e drejtoja unë, Berisha, asokohe lider i opozitës, braktiste Kuvendin, nëse RTSh nuk transmetonte në mënyrë të drejtpërdrejtë punimet e tij. Dhe, për hir të së vërtetës, të cilën e di edhe ti o Mero, Berisha asnjëherë nuk më ka sulmuar politikisht si Drejtor i Përgjithshëm i RTSh-së dhe mendoj se është një kompliment i paparë që nuk errësohet dot nga asnjë shpifje dhe luftë politike nën brez, që segmente të caktuara të PS-së më bënin asokohe.

Kjo ngjarje ndodhte në vitin tashmë të largët 2006. Megjithatë, asokohe mendoja me të drejtë se pushtetet në Shqipëri duheshin balancuar dhe, pra, Rama nuk duhet ta humbiste Bashkinë e Tiranës, pasiqë Berisha, shumë i fortë asokohe në Parlament, duhet të kishte një kundërpeshë institucionale më të fortë dhe fitorja e Ramës do të ndihmonte në këtë kontekst. Ti asokohe e bëje fërtele Ramën me libër shpie, apo jo?

Ecim më tej. Në vitin 2008, plasi Gërdeci. Ngjarje e rëndë, shumë e rëndë, si tragjedi dhe si qorollepsje e Shtetit dhe e Qeverisë. Qëndrimet e mia kanë qenë publike, të forta dhe të prera dhe ato qëndrime nuk i kam revizionuar asnjë herë, as privatisht edhe as publikisht.

Por mendoj se Rama, padyshim, është ai që e “tradhtoi” Gërdecin dhe krenohej se ambasadori amerikan Withers, asokohe e thërriste, hera-herës, burrë shteti. Jam habitur, jo pak me këtë qëndrim dhe me atë manifestim gojëkyçur të PS-së në vitin 2008, t’komanduar nga Rama, manifestim që i parapriu përfoljes së marrëveshjeve të tij me Doktorin, për ndryshimet kushtetuese, që kishin si synim kryesor shkatërrimin e LSI-së dhe asgjësimin politik të mirëbërësit të tij të madh politik Ilir Meta.
Jo vetëm kaq, por doli në dritë edhe marrëveshja e madhe ndërtimore që do të shndërronte Parkun e Madh të Liqenit në një batërdi të vërtetë shumëkatëshesh, në një betonizim të shfrenuar dhe çnjerëzor. U braktis asokohe në fatin e vet edhe shoqata vlonjate që donte referendum popullor kundër Petroliferës, e të tjera si këto, në frymën e një korporativizmi trasversal politik, që unë e mbiquajta “Kasta e Re” shqiptare që po lind.
Më 2009 Rama nuk kandidoi as edhe Fatos Nanon. Bëri çmos të shfaroste politikisht mikun e vet të dikurshëm Ilir Meta dhe pretendonte të fitonte i vetëm në krye të zarave dhe jo të partnerëve, një pushtet absolut dhe të pakufizuar. Është kjo një ëndërr delirante dhe frikëndjellëse. Frikëndjellëse për demokracinë tonë të brishtë dhe për fatin e vet Ramës, i cili do të pësonte një fund dramatik politik në ndjekje të kësaj ëndrre, pasiqë një ëndërr e tillë është e pamundur të realizohet.

Në këto kushte, Berisha, me të metat dhe të mirat e tij, për absurd, mbetet një kundërbalancë ndaj shpërthimit të pafre të një deliri të tillë. Unë personalisht nuk kam patur as edhe njëherë, as edhe një teserë partie, blu apo rozë. Është e vërtetë, politikanë të dorës së parë në Shqipëri më kanë ftuar gjithmonë si këshilltar, ftesë e cila më nderon dhe e kam kryer me korrektesë, duke u munduar të përçoj një frymë moderatore dhe konstruktive.

Mbështeta hapur Ilir Metën, në fushatën e vitit 2009, sepse “Kasta trasversale” që po lindte kishte nevojë për një “King maker“, një Forcë Politike të Tretë balancuese, të cilën Meta duhet ta kryente, për të mos lejuar që asnjë subjekt i madh politik të kishte numra të tilla në Parlament, që ushqejnë arrogancën e mbipushtetit. Që “Kasta” apo “marrëveshja trasversale” e të mëdhenjve të kishte një kundërpeshë kërcënuese, mbështetur në vota dhe numra, që krijojnë tërmete dhe nuk lejojnë mazhoranca të rehatshme. Dhe ashtu ndodhi: Meta dhe LSI-ja është akoma sot balancues i vërtetë i mazhorancës në vend, dhe nuk jam penduar që kontribuova për këtë. Kryeneçësia e Metës, në të mirë dhe në të keq, është një garanci jo e vogël. Meta, në mënyrën e tij, e “çau” “Kastën” dhe e la për një kohë të gjatë në sirtar, ëndrrën e çartur të Ramës për mbipushtet, apo zotërimin e pakufizuar të të gjitha pushteteve. Këtë lloj berishizmi, që presidenti Berisha e ka ndryrë besoj dhe shpresoj, në vitin ’97 dhe që Rama, adhuruesi i fshehtë më i madh i Berishës, kërkon ta mishërojë në vitin 20011. Një absurd me të cilin nuk pajtohem dot dhe sidomos e më vendosmërisht mbas ngjarjeve të frikshme të 21 Janarit.
Eh, i dashur Mero, boll për sot, se do thonë bota sa shumë i pëlqeka këtij të llafosë kaq gjatë me Meron. Kohë të mbrapshta jetojmë. Mirë do të ishte ta botoje edhe te “Tema” këtë shkrim, por ti e di. Deri në takimin tjetër virtual apo të kartës së shtypur, të uroj shëndet dhe mbarësi!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama