Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A ka Parti Demokratike ne Tirane

Shkruar nga: Besnik Mustafaj  
Botuar më: 17 vite më parë

Besnik Mustafaj
A ka Parti Demokratike ne Tirane

Po kush t‘i thërrasë? Mungesa e aftësisë për të protestuar përpara tablosh të tilla është dëshpëruese dhe tregon një nivel ende shumë të ulët të pjekurisë qytetare të shoqërisë tonë, standard edhe ky për t‘u plotësuar nëse duam të hyjmë në Evropë, po ky është një problem tjetër.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Edi Rama, duket se e ndjeu më në fund se gjërat po shkonin atje ku nuk mbante më dhe doli nga strofka. Ai iu drejtua me një letër të hapur banorëve të kryeqytetit, botuar të dielën, më 6 janar, në të gjithë gazetat e lexuar nëpër televizione, ku, në mënyrë të përmbledhur, thoshte tri gjëra. Së pari, që gjendja ishte e patolerueshme dhe ai bashkohej plotësisht me pakënaqësitë e subjekteve të veta elektorale. Së dyti, që fajin nuk e kishte aspak ai e as bashkia, që ai drejton. Fajtori kryesor është, kuptohet, qeveria, e cila, nëpërmjet Agjencisë së Prokurimit Publik, paska bllokuar dy tendera. Më tej, fajtore është doemos edhe kompania, e cila, prej pesë vjetësh e paska me kontratë pastrimin dhe tani nuk e përmbushka më kontratën. Dhe po ashtu, fajtorë jo të vegjël janë vetë qytetarët e Tiranës, të cilët, nga njëra anë e ndotin qytetin e tyre, e nga ana tjetër nuk paguajnë taksën vjetore të pastrimit. Së treti, ai premtonte se në fund të janarit, pra pas tri javësh së paku, ky problem do të gjejë zgjidhje, pasi, siç thotë ai vetë, do të kontraktohen katër kompani shpëtimi njëherësh.

Rrallë kam parë fjalim më të pasinqertë e më cinik. Adresimi i tij më duket thellësisht i pasinqertë ndaj qytetarëve të Tiranës, pasi edhe në një situatë të tillë, vërtet të patolerueshme, e që është krejtësisht në përgjegjësinë e tij ligjore, politike dhe administrative, ai gjen rast të bëjë politikën e vet të madhe si kryetar i Partisë Socialiste. Mirë që nuk ia hodhi fajin edhe Fatos Nanos, edhe gjashtë deputetëve socialistë, që votuan për Presidentin Topi! Por ky adresim më duket, edhe tejet cinik, pasi kryetari ynë na jep si afat të mbarimit të ankthit tonë fundin e janarit. Deri atëherë plehrat do të kenë arritur deri te dritaret e katit të dytë të pallateve dhe ne, që kemi zgjedhur të jetojmë në Tiranë, do të kalojmë rrugëve si nëpër tunel, duke mbajtur hundët me dorë për të penguar kutërbimin. Vetëm Edi Rama mund të guxojë të jetë kaq cinik me ata që i kanë besuar drejtimin e qytetit të tyre për herë të tretë, po edhe ky është një problem më vete.

Si njëri nga demokratët e Tiranës, dhe për më tepër deputet në Tiranë prej disa legjislaturash, mua më shqetëson shumë edhe mungesa e reagimit politik nga ana e degës së Partisë Demokratike të Tiranës. Sepse në nivel lokal, problemi sigurisht që është politik. Në pushtetin vendor të kryeqytetit, siç dihet, Partia Demokratike është në opozitë. Por ajo është prezente, e madje zë një vend të madh, në të gjitha strukturat pushtetore. Kemi një grup shumë të madh këshilltarësh në këshillin bashkiak. Kemi grupe këshilltarësh në të njëmbëdhjetë njësitë bashkiake e madje, në tri prej tyre kemi edhe kryetarët. Njëri nga të tre është edhe zëdhënësi zyrtar i Partisë Demokratike. Të gjitha këta këshilla bashkiakë do të duhej të konsideroheshin struktura mirëfilli politike shumë të rëndësishme të degës së Partisë Demokratike të Tiranës, pasi janë përzgjedhur politikisht dhe ditën e votimeve u është dhënë një besim politik nga elektorati. Me përjashtim të kryetarit të njësisë bashkiake 8, zotit Arben Tafaj, ende askush prej tyre, as në mënyrë individuale dhe as të organizuar, nuk ka çelur gojë. Pse gjithë kjo heshtje? Për çfarë do ta ngrenë zërin ata si opozitë, në qoftë se nuk e ngrenë për halle të tilla, të cilat prekin drejtpërdrejt interesat e qytetarëve, që i kanë votuar? Një vit kaloi pothuajse qysh kur ata janë zgjedhur. Një vit ku bashkia ose nuk ka punuar, ose ka punuar mbrapsht. Tirana e mbytur nga pluhuri i rrugëve të çelura në prag të fushatës elektorale e të harruara më pas, kanale të braktisura, projekte të ndërprera. Kështu do të vazhdojnë këshilltarët demokratë dhe tre vjet që u mbeten, derisa ta dorëzojnë mandatin?

Mund të thuash se memecëria e tyre buron nga fakti se nuk kanë reflekse politike, pasi nuk janë përzgjedhur për t‘u përfshirë në listat e kandidatëve në sajë të pasionit që kanë për politikën, por me parapëlqime subjektiviste të njërit apo tjetrit nga drejtuesit e partisë. Është e vërtetë ndoshta për shumë prej tyre. Por është një shpjegim, që nuk qetëson demokratët. Me decentralizimin, që po realizohet me shpejtësi në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës, pushteti vendor do t‘i marrë pa vonesë në dorë të gjitha kompetencat për administrimin e problematikës, që lidhet me mirëqenien e qytetarëve, apo që përcaktojnë atë, që quhet jeta në komunitet. Kush do t‘i përfaqësojë interesat e demokratëve të kryeqytetit, përballë sjelljeve politikisht fort të qortueshme të kryetarit të bashkisë, në qoftë se heshtin demokratët e zgjedhur nëpër këto këshilla? Më gjerë akoma: kush do ta ngrejë zërin në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës, përballë abuzimeve me pushtetin nga ana e kryetarit të bashkisë dhe tarafit të tij, në qoftë se hesht opozita demokrate? Askush. Mediat kanë rolin e tyre të madh, por në shtetin e së drejtës, ato flasin për ata që kanë veshë dhe, për më tepër, nuk mjaftojnë daullet e gazetarëve për ta ndryshuar gjendjen, pasi nuk është në pushtetin e tyre të marrin vendime, e as të bëjnë tendera.

E pranuam se memecëria e zgjatur e strukturave politike të zgjedhur me votë popullore, që ka Partia Demokratike e Tiranës, e që janë grupet e këshilltarëve, dëshmon për mungesën e reflekseve politike të vetë këshilltarëve. Po kush e ka për detyrë t‘i shkundë ato? Sigurisht që kjo degë, me kryesinë e saj. Asaj nuk i lejohet memecëria.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama