Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Perse Berisha iu kthye idese se Enver Hoxhes?

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Kikia
Perse Berisha iu kthye idese se Enver Hoxhes?

Qeveria iu rikthye të mërkurën idesë së Enver Hoxhës për të shndërruar në toka bujqësore kodrat dhe malet. “T’u qepemi kodrave e maleve dhe t’i bëjmë ato pjellore si edhe fushat” - direktiva e famshme politike e Hoxhës në fund të viteve ’70, bëri që kodrat në zonat bregdetare dhe të ulëta të shpyllëzoheshin për t’u shndërruar në toka bujqësore, apo tarraca me vreshta e plantacione drurësh frutorë. Por e gjithë kjo punë u zhbë brenda pak vitesh tranzicioni, ku bashkë me komunizmin u shkatërrua edhe pasuria publike, duke përfshirë edhe masakrën barbare mbi rivierën e famshme të bregdetit të Jugut, me një ndër plantacionet e agrumeve më të mëdha të rajonit.

Tashmë ato kodra e male që u shndërruan në toka, ose kanë mbetur të shkreta ose po pyllëzohen gradualisht, në mënyrë natyrale.

Direktivën e famshme të Enver Hoxhës, shumë ekspertë të mjedisit e konsiderojnë si një nga dëmet më të mëdha mjedisore që iu bë Shqipërisë nën qeverisjen e komunistëve, pasi u shpyllëzuan në mënyrë të dhunshme qindra mijëra hektarë. Dëshmitarë të kohës kujtojnë se një pjesë e konsiderueshme e pyjeve janë shkatërruar edhe pse s’mund të shndërroheshin në toka bujqësore, por për të raportuar realizimin e planit të hapjes së tokave të reja. Pasojë e kësaj gjëme mjedisore është sot fakti se Shqipëria ka nivelin më të lartë të erozionit në Europë dhe se çdo vit dhjetëra fshatra dëmtohen si pasojë e rrëshqitjes masive të tokës.

Nuk kishte dyshim se qeveria do t’i rikthehej teorisë së Enver Hoxhës, jo për arsye ideologjike, por si nevojë reale e njerëzve për tokë. Kjo, jo për faktin se shqiptarët i mbollën të gjitha fushat e tashmë do të mbjellin edhe kodrat, porse gjatë këtyre 20 viteve, në këtë vend ka ndodhur një nga ato dëmet që nuk krahasohet me asnjë lloj fatkeqësie natyrore, pasojat e të cilit do të ndihen brez pas brezi.

Ndryshimi i sistemit në vitin 1991 u shoqërua me një lëvizje kaotike të popullsisë dhe lindjen e qendrave të reja të banimit të tipit Bathore, të cilat përfaqësojë në mënyrën më të denjë dhunën mbi tokën, mungesën e shtetit, rregullit, ligjit dhe kulturës së vetë njerëzve. Shkatërrimi i ekonomisë së centralizuar dhe reforma mbi tokën i hapi rrugë një fenomeni që do të prodhojë pasoja në tërë historinë e këtij vendi.

Prej 20 vjetësh në këtë vend vazhdon fenomeni i zaptimit dhe ndërtimit në tokë bujqësore. Si në asnjë vend të tjetër të Europës, edhe sot e kësaj dite, askush nuk merr leje për të ndërtuar në tokën e tij. Pronësia mbi një sipërfaqe toke është e barasvlefshme me lejen e ndërtimit dhe me këtë të drejtë “universale”, një pjesë e konsiderueshme e tokës në Shqipëri u mboll me shtëpi, biznese, motele, lokale e gjithfarësoj ndërtesash prej betoni. Këtu nuk ka më fshatra apo qytete në kuptimin urban të fjalës, por vetëm shtëpi e ndërtesa të shpërndara anekënd vendit, pa asnjë planimetri, pa asnjë sistem dhe pa asnjë mundësi për të zbatuar projekte urbanizimi si kanalizime ujërash të zeza, ujësjellës etj. Nuk ka pamje më të tmerrshme ta shikosh Shqipërinë nga ajri. Ky është i vetmi vend ku nuk mund të dallosh fundin e një fshati dhe fillimin e një tjetri. E gjithë Shqipëria duket si një fshat i madh kaotik. Dhe kjo gjëmë vazhdon, pa e ndalur askush. Çdokush ndërton në tokën e tij, në mes të fushës, apo kudo që të jetë. Vila të reja me flamuj amerikanë dhe dordolecë majë çative vazhdojnë të ndërtohen nëpër fusha.

Për 20 vjet me radhë, me një babëzi të pashembullt ne e shkatërruam dhe vazhdojmë ta shkatërrojmë tokën bujqësore. Kryeministri tha në mbledhjen e qeverisë se me bujqësinë ushqehet gjysma e popullsisë jeton në fshat. Po, është e vërtet, por Kryeministri duhet ta dijë se ata njerëz që jetojnë në fshat nuk jetojnë me prodhimin e tokës së tyre. Pjesa dërrmuese e banorëve jetojnë duke punuar si argatë në tokat e fermerëve grekë(pasi grekët nuk i kanë mbjellë me shtëpi fushat e tyre) dhe me paratë që fitojnë ushqehen në mënyrë modeste dhe u shtojnë çdo vit nga një kat shtëpive të tyre për inat të fqinjit. Është një gënjeshtër e madhe të thuash se Shqipëria po e zhvillon bujqësinë. Zëri më i rëndësishëm dikur i GDP-së është sot në rënie të lirë dhe kështu siç është katandisur, ky vend është i dënuar të mos ketë kurrë bujqësi moderne, por veç ca ngastra tokash ku njëri mbjell sallatë, njëri grurë, njëri e lë djerr dhe tjetri e bën lavatriçe zhavorri.

Para se t’i nxisë shqiptarët t’u ngjiten kodrave e maleve për t’i shndërruar në toka pjellore, qeveria duhet të ndalë në mënyrë drastike ndërtimet në tokën bujqësore, për të shpëtuar ç’ka mbetur. Komunat duhet të nxiten të bëjnë studimet urbanistike dhe të përcaktojnë zonat ku duhet të ndërtohet për t’i dhënë fund këtij kaosi me pasoja katastrofike. Askush dhe asnjë qeveri, sado të investojë, nuk do të mundë kurrë ta zhbëjë këtë që po bëhet sot dhe përjetësisht gjysma e shqiptarëve do të detyrohet të shkojë të punojë në plantacionet e grekëve.

Ndërkohë që deklaratat e Kryeministrit për të marrë tokë nga kodrat e malet mund të nxisin një tjetër barbari mbi pyjet. Në emër të mbjelljes së arrave e shegëve, ruralizmi pa fre, pa shtet, pa ligj e pa kulturë mund t’i japë një goditje fatale mjedisit, duke shkatërruar edhe ato pak pyje që kanë mbetur.

Kryeministri ynë e ka fituar tashmë statusin e të mosmbajturit përgjegjësi për çfarë thotë kur i dalin kamerat përpara, por këto deklarata nuk duhen lëshuar kuturu, pa studime dhe garanci ligjore.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama