Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Këta të prishin edhe festën edhe funeralin

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Kikia
Këta të prishin edhe festën edhe funeralin

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ftoi një dyzinë politikanësh, diplomatësh dhe aktorë të shoqërisë civile, në një ceremoni për të kujtuar 20 vjetorin e hapjes së fondacionit “Fridrih Ebert”, mbështetës i shumë projekteve në Shqipëri. Ambasadorja e Gjermanisë, Karola Muller Holtekember, një nga diplomatët që është angazhuar në Shqipëri për të mbjellë pak paqe në fushëbetejën e politikës së Tiranës, kishte menduar se ishte një rast i mirë që, në një ceremoni feste, një ditëlindje, kryeministri dhe kreu i opozitës të mund ta prishnin magjinë e keqe dhe t’i jepnin dorën njëri – tjterit.

Por misioni i pamundur vazhdoi të mbetej i tillë. Megjithatë, lajmi që do të prodhohej në ditëlindjen e fondacionit “Fridrih Ebert”, nuk mbeti pa u prodhuar. Në mungesë të shtrëngimit, apo tokjes së duarve, Berisha dhe Rama u zunë. Pak a shumë ndodhi kjo: Berisha në fjalën përshëndetëse foli për arritjet e ekonomisë shqiptare dhe gjermane, që i rezistuan krizës… Ndërsa Rama, edhe në fjalën që duhej të ishte përshëndetëse, bëri ironi therëse me deklaratat e kryeministrit. Pastaj Berisha rrëmbeu mikrofonin pa radhë dhe bërtiste “editoriali, editoriali…, ai po lexon editorialin e radhës”. Pastaj Rama prapë, e prapë Berisha… Nga sebepi për të cilin ishin mbledhur, vëmendja kaloi tek batutat (sherri) mes Ramës dhe Berishës.

Ambasadorja e Gjermanisë do të jetë penduar për atë që ka pasur ndërmend të bëjë. Ajo ndoshta do të ketë menduar se në dritën e zhvillimeve të reja dhe kursve të reja politike, që kulmuan “në mënyrë solemne” me futjen e opozitës në Parlament (ky yni do të jetë i vetmi vend në botë ku përbën lajm të madh fakti se gjysma e deputetëve po shkojnë në Parlament pasi janë endur rrugëve për dy vjet me radhë), mund të bënte ndonjë mrekulli. Zonja Holtekember do të ketë menduar se tashmë mund të flitej për një klimë të re politike në Shqipëri, dhe ajo mund të ngrinte kreditet e saj si diplomate, pasi arriti të realizonte eksperimentin e pamundur të fizikës, atë të bashkimit të dy trupave me ngarkesë të njëjtë elektro-magnetike. Por fati nuk e deshi që ambasadorja gjermane t’i jepte një impuls të ri karrierës së saj dhe të triumfonte në një fushë ku dështuan me suksesin maksimal, për dy vjet me radhë, zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, nga sallonet e Brukselit deri tek restorant “Krokodili”.

Personalisht bëj pjesë tek ata njerëz që besojnë e mendojnë se tokja e duarve mes Berishës dhe Ramës nuk përbën ndonjë lajm. Madje kujtoj me dëshpërim histerinë kolektive që përshkoi korridoret e zyrave, mediave dhe tërë shoqërinë kur, pas një hasmërie të gjatë, Berisha dhe Nano i dhanë dorën njëri-tjetrit faqe botës. Kjo për faktin se një gjest i tillë nuk është lajm askund, pasi askund një marrëdhënie njerëzore nuk bëhet çështje me përmasa kombëtare, si këtu tek ne.

Por ajo që ishte dhe është më shqetësuese, është fakti se mu bash në “shtëpinë” e një prej vendeve me demokracinë dhe ekonominë më të fortë të botës, në duart e të cilëve sot ka mbetur fati i financave të Evropës, dy liderët tanë shkojnë e bëjnë estradë, duke shpresuar se ata, politikanët e huaj, janë pikërisht duke i vlerësuar. Ndërsa një grua i kap prej dore për t’i pajtuar, mu tamam ashtu siç na ka ngjarë shumë prej nesh në fëmijërinë tonë, ndërsa hidhëroheshim me shoshoqin kur luanin me top llastiku, ata hedhin romuze, tregojnë batuta e zgërdhihen.

Nuk ishte pra shansi i humbur që Berisha dhe Rama nuk u pajtuan, se as dreqit nuk do t’i hynte në punë tokja e duarve dhe buzëqeshja që do t’i dhuronin njëri-tjetrit, por është pikërisht fakti se çfarë ata demonstrojnë publikisht, që duhet të na shqetësojë. Dhe kjo, jo më shumë për faktin se si ata prezantohen para diplomatëve dhe politikanëve perëndimore, e as për ndonjë prishje imazhi, pasi me keq nuk ka ku shkon, por duhet të shqetësohemi deri në frikë për fatin tonë të mjerë që kemi këtë lidership politik.

Sjellja e tyre në një ceremoni feste nxori në sipërfaqe atë mentalitet, të gjendur me bollëk këndej anëve të Adriatikut, në një rajon të tërë që quhet Ballkan, por i përqendruar mesa duket ndër shkrepat tona. Produkt dhe prodhues të një politike gjithnjë në menopauzë, liderët e saj s’mund të ishin ndryshe. Ata nuk mund të demonstronin një pjekuri të madhe prej burrash shteti dhe liderë të një vendi, ndërsa ishin aty si të ftuar nderi. Ata bënë atë që dinë të bëjnë çdo ditë, thjesht të grinden, të shahen, të replikojnë pa etikë dhe mbi të gjitha, të shfrytëzojnë çdo mundësi, para çdo të huaji, për t’i nxjerrë sytë njëri-tjetrit. A thua u mungojnë gazetat dhe ekranet e tyre, u mungon koha parlamentare dhe hapësirat e tjera për të thënë një mijë të zeza për njëri-tjetrin, por do ta bënin këtë edhe mu në shtëpinë e një vendi mik që i kishte nderuar, duke i ftuar e dhënë fjalën e përshëndetjes? E s’mund të ndodhë ndryshe. Është e kotë që në një pellg ku guasin bretkosa, të hedhësh grepin e të presësh të kapësh ndonjë peshk koran.

Në çdo fis ka ndonjë nga ata burra, që kur pijnë nuk dinë ç’flasin e ç’bëjnë. Nga ata që grinden, shajnë e përmbysin tavolinat, me pak fjalë që prishin dasmat e sebepet dhe çdokush kujdeset që ata të mos jenë mes të ftuarve, por meqë i kanë në fis, shpesh nuk mund t’i lënë pa ftuar. Po të ishte me dëshirë, ndoshta diplomatët nuk do t’i ftonin në sebepet e tyre sojin e liderëve tanë, por për fat të keq ata gjithmonë do të jenë “në fis” e do të ftohen, paçka se këta të prishin edhe festën edhe funeralin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama