Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Jo 'status quo', por ndryshim rrenjesor?

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 14 vite më parë

Rexhep Meidani
Jo 'status quo', por ndryshim rrenjesor?

Ndërpret aktivitetin gjiganti Tevatron

Kriza globale ka prekur jo vetëm institucionet financiare e bankat, bizneset e investimet, fondet për edukimin e përkujdesjen shëndetësore, mjedisin, mbështetjen sociale e humanitare, por dhe ato shkencore, funksionimin normal të institucioneve kërkimore apo realizimin e projekteve madhore të tyre. Si pasojë edhe e krizës, më 30 shtator 2011, komuniteti shkencor i fizikës së energjive të larta njoftoi me dhimbje ndërprerjen e veprimtarisë së gjigantit shkencor Tevatron, në Laboratorin Kombëtar Fermi (SHBA), në pamundësi të sigurimit të buxhetit për funksionimin e tij. Ky përshpejtues ishte i dyti në botë, pas futjes në punë të përshpejtuesit të grimcave elementare LHC (Large Hadron Collider), në CERN (Europë). Në Tevatron, nga përshpejtimi i protoneve dhe antiprotoneve në një unazë rrethore me perimetër 6.28 km, u arrit një energji e rendit 1TeV (1 teraelektronvolt = 1.000.000.000.000 elektronvolt), prej dhe nga vjen emri i tij. Në morinë e mrekullive të zbuluara aty ka qenë dhe ajo e një grimce të re të veçantë – kuarkut top… Një ngjarje e tillë më nxiti të hedh në letër këto radhë, jo thjesht për një lidhje të vjetër shpirtërore me të, por për të theksuar se çështja e zgjidhjes së krizës aktuale është marrë si lehtë nga politikanët e qytetarët në mjaft vende. Aq më tepër në Shqipërinë e “krizës permanente”, ku krahas megalomanisë në qeverisje, një dëm të madh ka prodhuar e prodhon tensioni e përplasja politike, mosbashkëpunimi, mungesa e konsensusit dhe e kompromisit, ngërçi institucional.

Kriza dhe progresi teknologjik.

Në më pak se një shekull, popullsia në botë është rritur nga 1.5 në 7 miliardë. Kjo rritje është mbuluar përgjithësisht prej një progresi të shpejtë në teknologji e prodhim, duke përdorur në mënyrë efektive zbulimet shkencore e njohuritë teknike, burimet natyrore e njerëzore. Një vend të veçantë në këtë ecuri ka pasur shfrytëzimi i kujdesshëm i burimeve të ndryshme për të prodhuar energjinë e duhur në mbështetje të ciklit të rritjes, zhvillimit e përfitimit; për të mundësuar rritjen e standardit të jetesës, pasurisë, përmirësimit të transportit, për të realizuar avancimin në teknologjinë e informimit, komunikimit e telekomunikimit. Madje, arritjet e dukshme në këto drejtime kanë dhënë rezultate tepër optimiste në dekadat e mëparshme, duke i dhënë mbështetjen dhe ushqimin e nevojshëm shtetit të mirëqenies sociale (dhe ai sot në një krizë reale e konceptuale!). Por, kohët e fundit, nisur dhe nga ritmi konkret i ndikimit të zbulimeve shkencore e inovacionit teknik-teknologjik nuk duket se mund të merret maksimumi i domosdoshëm zhvillimor prej këtij ritmi të ngadalësuar, të kushtëzuar edhe prej reduktimit të fondeve të nevojshme në kushte krize. Me një ritëm të tillë, pa reflektime serioze e transformuese mbi vetë sistemin liberal tashmë të “plagosur”, duke si i vështirë roli motorik i këtij progresi për të mënjanuar ose minimizuar në kohë pasojat e krizës globale financiare dhe asaj të borxhit, në shumë vende.

Pra, edhe pse mbeten po aq të rëndësishme përpjekjet njerëzore për të fuqizuar demokracinë e mbrojtur lirinë, për të garantuar e respektuar të drejtat e njeriut, diçka nuk po ecën si duhet në zhvillimet aktuale, brenda skemës së sistemit liberal e neoliberal! Janë të larmishme vonesat e pengesat, ndrydhjet e trysnitë, që shfaqen diku si ngërç politik e institucional, diku si përplasje sociale e ekonomike, diku si mosmarrëveshje etnike e fetare, diku si konflikt ushtarak, diku si tension në gjirin e shoqërisë, diku si garë fuqie, tregjesh e energjie etj. Dhe e gjitha kjo, sot, pasqyrohet, në një mënyrë apo tjetrën, në pakënaqësinë në rritje të qytetarëve jo vetëm në vendet e varfra, por dhe në ato të zhvilluara. Diçka nuk ecën, diçka duhet ndryshuar! Kërkohet më shumë frymëmarrje, veprim e mendim politik! Jo “status quo” e modifikuar, diku dhe e zbukuruar, por një ndryshim real, një ndryshim më i drejtë e rrënjësor, shumë më social e koheziv! Madje, sa më shpejt, aq më mirë!…

“Të pushtohet Uollstriti!”

Këtë synojnë disa nga manifestimet e sotme nëpër botë. Kështu, protesta e emërtuar  ”Occupy Wall Street” ose shkurt “OWS”, e nisur më 17 shtator, në Uollstrit (Wall Street) dhe e shtrirë më tej në qytete të ndryshme të SHBA, Kanadasë e Europës, edhe pse me kërkesa kontradiktore, dëshmon se ka mjaft njerëz që janë të pakënaqur me sistemin aktual ekonomik-financiar, me zgjidhjet politike e sociale, me mënyrën e përgjigjes ndaj krizës globale. Për një pjesë të tyre kriza është pasojë e keqadministrimit, për një pjesë tjetër recesioni apo rritja e dobët ekonomike, me shfrytëzim të skajshëm të burimeve natyrore (që janë të fundme!), ka vazhduar të mundësojë, edhe në këto kushte krize, përqendrimin e pasurisë në pak duar, duke lënë të margjinalizuar deri të uritur mjaft individë (një në shtatë persona) në popullsinë e globit. E parë me këtë sy, një lëvizje e tillë mishëron në vetvete një shqetësim, një ftesë për aktivizim, një përpjekje për pjesëmarrje qytetare, një angazhim për të gjetur përgjigje, një reagim ndaj keqadministrimit dhe shtrëngesave qeveritare ekstreme. Aq më tepër që deri më tani, politika ka qenë e paqartë, deri hezituese në gjetjen e kësaj përgjigjeje.

Ndërkohë, vetë kjo lëvizje shpalos një ide sa të vjetër po aq dhe të re, që individët, nëpërmjet strukturave, bashkimeve e organizimeve të ndryshme (partiake, sindikaliste, studentore etj.), që qytetarët si prodhues e konsumatorë, punonjësit e pronarët, shtetarët e shtetasit të kenë zërin e tyre, të trajtojnë së bashku çështje ekonomike me interes të përbashkët, për të arrirë në zgjidhje optimale, pse jo dhe për të marrë mbi vete sakrifica konkrete. Por, jo për të shkatërruar e djegur si ditët e fundit në Itali, Greqi etj.! Mbi të gjitha, për të analizuar e kontrolluar shpenzimet e parave të tyre si taksapagues, pse jo dhe etapat kryesore, mënyrën e përdorimit të burimeve të duhura për të “fshesuar” (“bail out”) institucionet financiare në situata kritike ose falimenti, për të kapitalizuar bankat, për të shkurtuar shpenzimet publike (por jo në kurriz të pakësimit të detyrimeve mbi mbrojtjen e jetës, strehimin e asistencën sociale, përkujdesjen shëndetësore, ruajtjen e mjedisit!). Problematike po rezulton sot rritja e borxhit publik, jo vetëm në SHBA, por dhe në zonën “euro”, ku “kampione” e falimentit është Greqia fqinje. Po ashtu, me sa duket, “teza” e rritjes së punësimit në projekte të mëdha publike infrastrukturore (në kurriz të rritjes së borxhit publik) nuk dha rezultatin e pritur! Siç nuk duket me perspektivë as dhe “skema” ekstreme e shtrëngimit buxhetor për një periudhë të gjatë, që asfikson rritjen ekonomike. Pra, cila është zgjidhja?!

A mund të vazhdohet me një liberalizëm të skajshëm apo duhet të tentohet një kthim pjesor tek ndërhyrja qeveritare? Aq më tepër, nuk po jep ndonjë rezultat përzgjedhja e veçuar, qoftë ajo me “tipare” europiane, qoftë ajo me “tipare” amerikane. Ndoshta, një zgjidhje e parë është një balancim i drejtë i këtyre “rrugëve”, shoqëruar dhe me një kompromis, miratim e konsensus sa më të gjerë qytetar, me një sakrificë për ta kapërcyer krizën, për të minimizuar pasojat jo vetëm për përbërësen ekonomike-sociale, por dhe për sistemin politik. Këtë faktoi dhe po e ilustron kriza greke, ku vazhdojnë të shfaqen situata përplasjeje, aq më tepër pas “bail out” të parë europian, praktikisht të dështuar!…

A duhet një ndryshim rrënjësor e real? Në ç’drejtim?!

Në kushte vështirësie buxhetore, pavarësisht gatishmërisë së disa miliarderëve, apo përpjekjeve të Presidentit Sarkozi në Francë, apo Presidentit Obama në SHBA, sistemi i taksave në vendet e zhvilluara, në kuadër të konceptimit liberal e neoliberal, u ka “shërbyer” më të pasurve. Një gjë e tillë më shumë se pakënaqësi përbën një pikëpyetje: A është kjo rruga më e efektshme? Pse taksat e kanë favorizuar dhe vazhdojnë ta favorizojnë më tepër se ç’duhet një kategori të tillë kur problemet e ushqimit, të punësimit, strehimit, janë bërë shqetësuese, ndërkohë që investimet në infrastrukturë, në strehim, shkollim, etj., po reduktohen dukshëm?! Një pikë tjetër kyçe është shfrytëzimi i shfrenuar i burimeve duke rënduar e dëmtuar jo pak sistemet natyrore, balancat e domosdoshme në marrëdhëniet natyrë-njeri për hir të përfitimeve kohëshkurtra (që, nga ana tjetër, kanë provokuar deri paqëndrueshmëri shqetësuese në rritjen ekonomike). Në mjaft raste, edhe duke prekur rëndë shëndetin e njeriut, cilësinë e jetesës, furnizimin me ujë të pijshëm; duke shkaktuar ndotjen e ajrit në qytete, ndotjet industriale e njerëzore të tokës, abuzimin me të; dëmtimin e nëntokës dhe të rezervave ujore etj. A nuk duhet reaguar në kushte të tilla?!

Qoftë dhe duke përjetuar kontradiktën e dukshme të revolucionit të sotëm dixhital: kontaktimit e komunikimit nëpërmjet iPhone-it për të protestuar, për t’iu kundërvënë këtij sistemi problematik konsumi, që ka prekur e po prek jo pak këto balanca!…

Megjithatë, nuk duket se protestat e tipit “OWS” do të prodhojnë diçka të veçantë në momentin aktual. Aq më tepër agresivitetit i tyre! Ashtu siç do të ishte absurd çdo synim për ta lidhur këtë lëvizje qytetare për ndryshim me “Pranverën arabe”! Sepse ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme nxorën nga harresa, rikthyen në sytë e njerëzve sisteme politike korruptive, që konsideroheshin më parë si normale; drejtues autokratikë që priteshin e përcilleshin kudo me “pompë” shtetërore!… Për më tepër, “Pranvera arabe” shpalosi para botës shkelje monstruoze të lirisë në dekada, pabarazi e varfri ekstreme, papërgjegjshmëri politike, sociale e njerëzore, arbitraritet e arrogancë me pasoja serioze mbi qytetarin e thjeshtë e kundërshtarin politik. Pra, fare ndryshe prej saj, kjo lloj lëvizjeje (“OWS”) ka një përmbajtje tjetër, edhe pse ende të paqartë. Ajo, në shumë pamje, shpreh kërkesën dhe kujdesin për të bërë diçka, për të lëvizur dhe ecur përpara.

E tillë ka qenë lëvizja studentore e viteve ‘70 (ngjarjet e vitit 1968). Kjo ishte “mosha e artë” e këtij aktivizimi, që lëvizi shoqëri, korrektoi sisteme politike, ushqeu aspirata njerëzore, i dha frymëmarrje lirisë dhe ndjenjave kombëtare (si lëvizja studentore në Kosovë). Edhe tranzicionet demokratike në vendet e Europës Lindore, në vitet ‘90, e rigjallëruan, e “ngrohën” patosin qytetar për liri e demokraci, për të drejta njerëzore e progres social. Por, më tej, “lodhja” e stanjacioni ushqyen pasivitetin e indiferencën, nxitën apatinë, si të thuash “borgjezuan” shpirtin rinor e qytetarinë, aftësinë reaguese të tyre. Edhe pse me mosbesim, sot diçka po lëviz pozitivisht, jashtë komandave politike-partiake të drejtpërdrejta. Një situatë e re, pse jo dhe një zë i ri, po gjenerohet nëpërmjet medias sociale e rrjeteve sociale. Për më tepër, fuqia e Twitter-it, Facebook-ut etj., po e fuqizon politikisht individin dhe e “kolektivizon” atë në aksionin qytetar, gjë që u vu re në “Pranverën arabe”. Edhe lëvizja “OWS” është një pamje tjetër e kësaj dukurie.

Veçse kjo e fundit, sa pasqyron pakënaqësi konkrete, po aq shfaq mungesë axhende koherente për t’u shndërruar në një lëvizje globale reformuese e ndryshuese. Por, jo të shpalosen kërkesa kaotike e absurde, që nuk prodhojnë asgjë pozitive, aq më pak të provokohen shkatërrime e djegie! Në fakt, një krizë në vazhdimësi e bën të kohës frymën e protestave dhe manifestimeve civilizuese, kthimin “revolucionar” te reagimi qytetar pas dekadash qetësie.

Ajo, në një mënyrë apo tjetrën, e nxit dhe imponon ndryshimin, e prodhon atë! Pra, pritet më shumë në këtë drejtim, mbi të gjitha, që të nxitet politika që të realizojë ndryshime reale, pse jo, drastike, të formulojë një konceptim të ri politik-ekonomik në përputhje me të sotmen dhe të ardhmen e afërt, një projeksion i ri emancipues e emocionues që të lëvizë e shtyjë përpara shoqërinë e individin, mobilizimin e tyre. Sepse sipas Xhefersonit, çdo gjeneratë ka nevojë për një revolucion…, në kuptimin e ndryshimit dhe të ecjes më të shpejtë në drejtimin e duhur. Veçse, të mos harrojmë, atë që ka theksuar Aristoteli, uria është nëna e “revolucionit”, ndërkohë në “rebelimet” europiane, sidomos ato greke, e kundërta duket si e vërtetë!…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama