Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Roli qeverisës i të dhënave në shekullin e 21-të

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 14 vite më parë

Rexhep Meidani
Roli qeverisës i të dhënave në shekullin e 21-të

Këto ditë, në Nju Jork, Klu bi i Madridit organizoi një konferencë ndërkombëtare me titull “Digjital Technologies for 21-st Century Democracy” (“Teknologjitë dixhitale për demokracinë e shekullit të 21-të”). Në debatet e nxehta aty, një vend të veçantë zuri tema e “Big Data” (rastet me një numër të madh të dhënash). Ato u konsideruan si një nga prurjet dhe epërsitë e mëdha të teknologjive numerike të informimit e komunikimit. Nisur nga përgjegjësia e madhe e shpalosur aty mbi morinë e shifrave apo të dhënave, sidomos në leximin dhe analizën e thellë të tyre, m’u dukën si tepër të vogla, praktikisht meskine e naive, ato mediokritetet pseudo-ekonomike shqiptare fare pa të dhëna apo me shifra të paargumentuara.

Dhe, mbi të gjitha, të mbarsura me recitime retorike e teprime bajate! Akoma më keq, të ushqyera keqas nga një populizëm politik, paqartësi profesionale e “paaftësi dixhitale” drejtimi, të shoqëruar me “porosi” të trasha për shërbyes mediatikë, që injorancën numerike e mbulojnë pa të keq me arrogancë e mungesë etike, deri paturpësi njerëzore. Por, ç’ të mbetemi më tej në këto ujëra të ndotura politike-mediatike?! Le të kthehemi tek “big data”, të cilat në një mënyrë apo tjetrën po e revolucionarizojnë dita-ditës qeverisjen politike apo atë të biznesit, madje duke krijuar hapësira të reja ende të pa konceptuara e formuluara siç duhet mbi artin e shtet-bërjes ose të bërjes politikë (“statecraft”)…

MBLEDHJA E ANALIZA E VËLLIMEVE TË MËDHA TË TË DHËNAVE

Rritja e investimit në mbledhjen dhe analizën e të dhënave të shumta, si të thuash aftësia e realizimit të eksperimenteve reale në çdo lloj qeverisje, e bën shumë më të domosdoshëm informacionin dhe dinamikën e tij, përfshirë rregullimet në fushën e prodhimit, shitjes e blerjes; punësimit e kontrollit të çmimeve, automatizimit të proceseve qeverisëse etj.

Dhe, e gjitha kjo duke realizuar e testuar në mënyrë të vazhduar mbledhjen e informacionit, analizën, sintezën apo përshtatjen e menjëhershme të tij. Në këtë mënyrë, efekti i të dhënave të tilla bëhet mjaft i ndjeshëm, aq më tepër që në këtë shekull, në sistemin binar, informacioni ka të bëjë thjesht me vargje gati të pafundme “zerosh e njëshash”. Bile, vitet e fundit, vëllimi i të dhënave të mbledhura e shfrytëzuara, në shumë vende të zhvilluara po rritet në mënyrë të shënueshme. P.sh., në shumicën e sektorëve të ekonomisë amerikane, kompanitë me mbi 1000 punonjës, në mesatare, kanë magazinuar të dhëna mbi 235 TB (terabytes), një vlerë kjo më e madhe se ajo në bibliotekën e Kongresit.

Të dhëna po aq të shumta ndeshen në transaksionet e ndryshme financiare, në bursat kryesore e bankat qendrore, në ndërveprimet e lidhura me konsumin, shëndetin, mjedisin, transportin (rrugor, detar e ajror) etj. Pra, gjithçka regjistrohet në mënyrë elektronike, po i tillë është automatizimi i të dhënave operative, skanimi i medias sociale, deri dhe telekomunikimi, shitje-blerjet nëpërmjet “iPhone”-ve etj. Mbi të gjitha, shkëmbimi i të dhënave po realizohet më shpejt e më mirë nëpërmjet rrjeteve të fuqishme. Megjithatë, ajo që kërkohet sot është që ky proces virtual informimi, manovrimi i tij në “ueb” (“web”) të mbështetet nga drejtuesit kryesorë të politikës e biznesit, për realizimin e planifikimit dhe prognozës, analizës dhe sintezës. Pra, vetë “big data” po kthehen në një aset të ri kooperimi e ndërveprimi, qeverisje e shërbimi, prodhimi e shitjeje. Për të pasur sukses në një ndërmarrje të tillë, në një të ardhme të afërt kërkohen jo vetëm kapacitete njerëzore të domosdoshme, por dhe shtrirje të praktikës së “big data” në të gjitha fushat.

DISA ÇËSHTJE TË LIDHURA ME KËTO TË DHËNA (“BIG DATA”)

Në fakt, pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme të krizës financiare dhe asaj të borxhit publik, përdorimi i “armatës” së të dhënave, madje në sasi gjithnjë në rritje, ka rritur pritshmërinë e shpresën në konkurrencë e cilësi, duke transformuar procesin dhe favorizuar rinovimin. Mund të radhiten këtu: grumbullimi i të dhënave nëpërmjet njësive të biznesit, strukturave të tij apo atyre shtetërore, përfshi dhe partneritetin brenda e jashtë vendit apo konsumatorin kombëtar e ndërkombëtar; ndërtimi i një infrastrukture elastike për integrimin e informacionit e shkallëzimin e tij; organizimi i eksperimentimit, algoritmi e analiza mbi sistemin dhe shfrytëzimin e informacionit, në mënyrë të veçantë duke adoptuar teknika analitike të sofistikuara. Bile, sektori publik është një nga terrenet pjellore për ndryshim, aq më tepër që çdo qeveri korrekte, nëpërmjet agjencive të saj, ka mundësi të mbledhë sasi të mëdha të dhënash, por dhe duhet të fuqizojë kapacitetet e veta të drejtimit. Një qeverisje e tillë, p.sh., bëhet mjaft efektive në sektorin e shëndetit publik, sidomos kur lojtarët e tjerë janë ende të përmasave modeste (si në rastin shqiptar), përfshirë dhe kapacitetet e tyre të kufizuara në mbledhjen e informacionit apo analizën e tij.

Po aq i rëndësishëm është adoptimi i teknologjive të reja numerike apo ndryshimi organizativ e strukturor për ta maksimizuar potencialin e fshehur në “big data”. Edhe kapitalizimi i tyre, në një mënyrë apo tjetrën, bëhet një incentivë e rëndësishme e qeverisjes apo biznesit. Nga ana tjetër, pritet që epoka e “big data” të imponojë parime të reja qeverisje e administrimi, mbështetur në analizën e hollësishme të të dhënave në përdorim. Dhe, mbi të gjitha, leximi i tyre bën të mundur korrigjimin e parimeve kryesore në strategjitë e programuara, përfshi objektivat, synimet e shpejtësinë e realizimit të tyre. P.sh., në procesin zgjedhor, kërkohen të mblidhen e analizohen të gjitha të dhënat mbi bazën ligjore, përfaqësimin në infrastrukturën zgjedhore, aleancat, kandidatët, listat e votuesve, orientimin e elektoratit etj.

POR, LE TË NDALOJMË MË HOLLËSISHT NË ÇËSHTJET E MËPOSHTME:

1. Ç’ ndodh në një botë të “ngopur” me të dhëna kur fuqizohet transparenca? Në fakt, kur arrihet të merret informacioni i duhur në të gjithë sektorët, atëherë “shteti”, në një mënyrë apo tjetrën, del lakuriq përpara qytetarit. Kjo vlen dhe për partitë politike në raport me elektoratin e tyre. Po ashtu, me mjaft vlerë është ballafaqimi midis bizneseve të ndryshme (përfshirë sjelljen ndaj blerësit, kapacitetet e veta “software” (softuerë) e “hardware” (harduerë)). P.sh., në industrinë e “real-estate”, nëpërmjet ndërveprimit shitësblerës mund të krijohen e shfrytëzohen burime paralele të dhënash, të administrohet shumë më drejtë tregu. Ndërkohë dhe të dhënat e kostos dhe çmimeve bëhen të shfrytëzueshme për konsumatorin pavarësisht vendndodhjes së tij. Shumë i rëndësishëm është përdorimi i gjerë i të dhënave, automatizimi i tyre, trajtimi i situatave financiare konkrete, administrimi i parasë, kreditimi, kurset e këmbimit etj. 2. A mund të ndryshohet mënyra e konkurrimit nëse testohen vendimmarrjet kryesore? Me të vërtetë, përdorimi i “big data” e bën shumë më të ndryshme vendimmarrjen. Duke analizuar përvojën e deritanishme apo çdo eksperiment mund të testohen tezat e hedhura (më saktë, hipotezat paraprake) dhe të analizohen rezultatet pas vendimeve të marra apo ndryshimet përkatëse operacionale e strukturore. Për më tepër, për të realizuar jo vetëm përfundimet e pritshme, por dhe korrelacionin sa më të mirë midis tyre. Në këtë kuptim, p.sh., një strukturë qeveritare qendrore pasi mbledh të dhënat e grupeve të ndryshme të punonjësve, që bëjnë të njëjtën punë në bashki e komuna të ndryshme, sistemon gjithçka duke përmirësuar bazën ligjore e sistemin rregullator përkatës. 3. A përmirësohet një veprimtari (qeveritare apo biznesi) kur shfrytëzohen të dhënat në kohë reale? Në një mënyrë apo tjetrën, shfrytëzimi i të dhënave në kohë reale përbën një art të vërtetë.

Po aq i rëndësishëm është dhe personalizimi i pjesëmarrësve brenda një veprimtarie, “modelimi” i tyre, studimi e plotësimi i kërkesave, dëshirave, preferencave të tyre etj. Pjesë e rëndësishme është bashkëbisedimi në rrjetet sociale, ndërveprimi nëpërmjet iPhone-ve, pse jo dhe shpërndarja e të dhënave nëpërmjet fuqizimit e sofistikimit të mjeteve analitike, deri në “mikro- copëtim” të konsumatorëve. Me të dhëna të tilla mund të ndryshohen edhe kushtet e punës apo mund të aplikohen incentiva që rrisin, njëkohësisht, dëshirën e produktivitetin. 4. A mund të përmirësojnë “big data” menaxhimin (administrimin) apo dhe ta zëvendësojnë atë? Në radhë të parë, me të dhëna të shumta rritet hapësira operacionale e algoritmeve dhe analizës numerike. Bile, në mjaft linja prodhimi futen në funksionim mjaft hallka automatike (vetërregulluese) të procesit, që mund të shmangin humbjet, të reduktojnë koston apo të përshtatin në kohë reale prodhimin me kërkesë-ofertën.

E njëjta gjë mund të thuhet për ndërhyrjet e riparimet, ciklet e modifikimit, proceset normale të “feedback”- ut etj. Kjo, p.sh., pritej në rastin e kompjuterizimit të gjykatave, të realizuar vite më parë (edhe pse sot shumë gjëra nuk funksionojnë si më parë). Një ndikim pozitiv, në orientimin e konsumit, luan dhe media sociale, sidomos në kalibrimin e kërkesë-ofertës në kohë reale ose axhustimin e strategjive në përdorim. E njëjta gjë vlen për administratën publike apo qeverisjen në përgjithësi, në mënyrë të veçantë për përmirësimin e cilësisë së qeverisjes, minimizimin e rreziqeve apo skenimin e tyre, p.sh., në administrimin e ujit dhe digave, si në rastin e përmbytjeve në zonën e Shkodrës.

Gjithashtu, nisur dhe nga fakti që çmimi i aparaturave të komunikimit, sinjalizimit e alarmit apo i softuerëve të analizës janë në rënie të vazhdueshme, në një mënyrë apo tjetrën, një gjë e tillë po nxit e ushqen ndryshime thelbësore menaxheriale në fushën e biznesit dhe qeverisjes, përfshirë përgatitjen e duhur të njerëzve të drejtimit. Bile, thjesht me retorikë, aq më keq me atë boshe, ata nuk mund ta kryejnë dot një detyrë të tillë në kushtet e reja, për më tepër në vitet që vijnë!… 5. A mund të ndërtohet një model i ri biznesi e qeverisje bazuar në të dhëna më të plota? Pa dyshim, në mënyrën e funksionimit, por dhe mundësinë e zhvillimit të bizneseve apo agjencive të reja qeveritare, të mbështetura mbi këto të dhëna, të peshës së analizës e parashikimit ekonomik. Në rastin e biznesit shqiptar, deri diku ky është QKR-së.

Kështu, reforma e regjistrimit të biznesit ofron përfitime të tilla, si: proces më i thjeshtë, më i shpejtë dhe me më pak shpenzime, regjistrim i njëkohshëm në administratën e taksave, në sigurimet shoqërore, në sigurimet shëndetësore apo Inspektoratin e Punës (nëpërmjet përdorimit të një procedure të vetme aplikimi, sportele aplikimi për regjistrimin e biznesit në mbarë Shqipërinë, qasje e lirë e publikut në informacionin e Regjistrit Tregtar nëpërmjet Internetit). Një ndër karakteristikat e QKR-së dhe të procedurave të përdorura është, p.sh., dhe skema “one-stop-shop” për regjistrimin e biznesit. Ndërsa, në rastin e shërbimit shëndetësor, “turbogjenerimi” i të dhënave nga burime të shumta bën të mundur funksionimin më të mirë të këtij shërbimi, nëpërmjet përfshirjes së të gjithë informacionit të hollësishëm në ueb, integrimit të veprimtarive të klinikave publike e private, përfshirë dhe pagesën, koston e trajtimit, cilësinë e tij etj. Kjo kërkohet të realizohet me cilësi edhe në kushtet tona. E njëjta gjë vlen të dimensionohet në sektorin e edukimit, sidomos të shkollimit të lartë. Në këtë mënyrë, jo vetëm i pakësohen mundësitë e spekulimit, por krijon edhe vlera substanciale për qytetarin si konsumator…

Nuk po vazhdojmë më tej me komente të tjera mbi mundësitë strategjike të procesit të dixhitalizimit në shërbim të biznesit e politikës. Veçse, politika e biznesi duhet të marrin parasysh dhe vështirësitë e ndërlikimet shoqëruese të këtij procesi. Njëri prej tyre lidhet, p.sh., me talentin apo, e thënë ndryshe, me kërkesën për individë me përgatitje e aftësi të thella analitike në fushën e “big data” (përfshirë këtu përvetësimin algoritmeve e teknikave statistikore). Nga ana tjetër, kjo nënkupton rritje investimesh në edukim ose një trajnimin permanent të personelit.

Një çështje tjetër është ajo e konfliktit midis privatësisë dhe komfortit, sidomos kur bëhet fjalë dhe për një ndërveprim social intensiv. P.sh., në fushën e përkujdesjes shëndetësore mund të përfshihen të dhëna individuale mbi shëndetin, mundësitë financiare, pagesës për ndërhyrje kirurgjikale, etj. Kjo bëhet akoma më problematike në fushën e të dhënave të sigurisë, atë bankare, në mbrojtjen e trajtimin e pronës intelektuale etj. Bile, në vetvete, këto janë dhe sfidat e sigurisë kibernetike. Ama, pavarësisht prej tyre, “big data”, në një mënyrë apo tjetrën, janë duke u kthyer në një çelës zhvillimi e ndryshimi, konkurrence e prosperiteti.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama