Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zgjidhja më e mirë, parandalimi

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Arben Malaj
Zgjidhja më e mirë, parandalimi

Ekonomia është barometri më i mirë i mirëqenies dhe perspektivës sonë europiane. Barra e borxhit mbi çdo shqiptar, papunësia, taksat që thellojnë pabarazinë si dhe ulja e mbështetjes për arsimin, shëndetësinë dhe solidaritetin social, ndikojnë negativisht të ardhmen tonë. Debati mbi ekonominë dhe stabilitetin e financave publike për vitet e ardhshme është rritur. Po të analizojmë në mënyrë më të kujdesshme, vëmë re disa faktorë që ndikojnë dukshëm gjendjen.

Së pari, Kuvendi është duke diskutuar draft-buxhetin e vitit 2012. Ky është moment i vështirë për shkak të debateve të tensionuara. Paralajmërimet për risqet në rritje po vijnë nga institucionet financiare ndërkombëtare, ato kërkojnë fillimin e masave parandaluese për të ndalur përkeqësimin.

Së dyti, mbyllja e vitit 2011 tregoi se ekonomia jonë është prekur më rëndë nga sa qeveria po pranon. Në vitin 2011 qeveria do të mbledhë në buxhet rreth 33 miliardë lekë, ose 330 milionë dollarë më pak. Në 2011-n qeveria do të mbledhë më shumë se në 2010-n, vetëm 5 miliardë lekë, që rezultojnë në vlerë reale 5.5% më pak.

Së treti, dy partnerët tanë kryesorë ekonomikë, Italia dhe Greqia, janë përfshirë nga kriza. Kjo do të ndikojë në rënien ekonomike në vendin tonë. Gjithashtu, pasoja e parë dhe më e rënda do të jetë vështirësia në mbledhjen e të ardhurave. Ndaj, parashikimi i qeverisë se në 2012-n do të mbledhë 26 miliardë lekë më shumë se në 2011-n është jo realist. Kjo rrit riskun e mbledhjes abuzive të të ardhurave. Do të ulet rimbursimi i TVSH-së ndaj bizneseve dhe do të shtohen mospagesat ndaj kompanive private. Risku i fshehjes së deficitit dhe borxhit do të rritet duke ua kaluar kompanive private krizën e borxheve, si mungesë likuiditeti dhe shtim të kredive të këqija të tyre ndaj bankave.

Së katërti, të unifikuara, tri institucione financiare ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, po bëjnë paralajmërime serioze mbi pasiguritë e ekonomisë sonë, duke filluar me një rënie më të madhe të rritjes ekonomike në 2012-n. Në qoftë se qeveria pretendon se në 2012-n rritja ekonomike në vendin tonë do të jetë rreth 4.5%, ato parashikojnë një rritje ekonomike (në opsionin më optimist) jo më shumë se 2.5% dhe në variantin më pesimist jo me shume se 1.5% të GDP-së (referencat IMF, WB, BERZH).

Së pesti, një studim i fundit i Bankës Botërore për sfidat e vendeve të rajonit tonë, hedh poshtë me argumente dhe shifra faktin se ekonomia shqiptare ndodhet në një situatë më të mirë se gjitha vendet e tjera të rajonit. Ekspertë dhe Banka Botërore argumentojnë se qëndrueshmëria e financave tona publike është më e ekspozuar se vendet e tjera të rajonit ndaj riskut të krizës.

Disa elemente konkrete të analizës për risqet në rritje ndaj stabilitetit të financave tona publike dhe për domosdoshmërinë e përgjegjësisë politike e publike, tani dhe jo më vonë, me qëllim parandalimin e përkeqësimit të stabilitetit të financave publike, janë:
1. Vendi ynë ka borxhin më të lartë nga të gjitha vendet e rajonit. Mesatarja e borxhit publik në vendet e rajonit është 38.6% e PBB-së, ndërsa në vendin tonë rreth 60%, ose 55% më i lartë.
2. Kemi borxhin më të lartë në raport me të ardhurat që mbledhim në buxhet. Në vendet e rajonit tonë borxhi është 1.1 herë më i madh se të ardhurat buxhetore, në Shqipëri borxhi është 2.3 herë më i madh, ose dy herë më shumë/keq se mesatarja e tyre.
3. Kemi koston më të rëndë në financimin e borxhit publik, e cila është 3 herë më e lartë se kostoja me të cilën financojnë ekonominë e tyre vendet e rajonit. Kriza po thellohet me përfshirjen e disa vendeve të eurozonës. Kjo rrit vështirësitë e huamarrjes dhe sidomos koston e saj. Ky risk, nëse ne nuk ulim borxhin, do t’i afrohet edhe ekonomisë sonë, çka do të impononte paketa shtrënguese të menjëhershme dhe me efekte sociale të ndjeshme.
4. Ne kemi hapësirën më të vogël për të manovruar me investime shtesë apo ulje taksash. Kur borxhi i vendeve të tjera është 38%, ato kanë mundësi të investojnë në ekonomi pa dëmtuar ndjeshëm stabilitetin e financave. Kurse në vendin tonë, nëse 2012-a ka një risk për rritje subvencionesh në energji, ose në qoftë se rritja ekonomike ulet ndjeshëm, ndërhyrja me investime publike bëhet e vështirë dhe e kushtueshme. Ja pse rekomandohet që kur vendi ka rritje ekonomike, të ketë një borxh publik sa më poshtë niveleve kritike, që të ketë mundësi të ndërhyje jo duke zmadhuar ortekun e borxheve dhe kostove të tij.

5. Ne kemi vlerësimin më të dobët lidhur me garancinë për bonot e thesarit (veç Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës). Kjo do të thotë se ata që blejnë borxhin tonë, duan norma më të larta fitimi, i cili i ngarkohet kostos së financimit për buxhetin dhe biznesin. Në kushtet që duhet të ulim deficitin, në kushtet kur rrezikohet dhe rënia e të ardhurave, çdo rritje e interesave do të imponojë shkurtime buxhetore, ku sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale do të goditen më rëndë. Mbështetja për arsimin dhe shëndetësinë që tani ka arritur në nivele kritike.

Për të gjitha këto arsye dhe për impaktin pozitiv, social dhe politik që sjell parandalimi i përkeqësimit të situatës, ne duhet të marrim përgjegjësinë e marrjes së masave konkrete duke filluar nga buxheti 2012.

Fshehja e situatës kritike dhe shtimi i akuzave ndaj opozitës nuk e ndihmon qeverinë për të ulur shqetësimet reale dhe risqet në rritje. Ndaj dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare dërgojnë të njëjtin mesazh dhe me më shume forcë: tani dhe jo më vonë.

Opozita shqiptare nuk kërkon të krijojë krizë, nuk kërkon të rrisë artificialisht shqetësimet, nuk kërkon të fillojë të kapitalizojë mundësitë e fitores së saj mbi dështimin e ekonomisë shqiptare.

Opozita shqiptare nuk është kundër biznesit të vendit të saj, nuk kërkon të godasë biznesin dhe sipërmarrjen, pasi është e qartë se sfidat tona të së ardhmes janë të mundshme vetëm nëse mundet frika, ulet deficiti e borxhi dhe ushqehet më mirë me reforma rritja ekonomike e vendit.

Recetat teknike të paketave parandaluese janë të qarta. Vonesat e marrjes së angazhimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta për të ardhmen e vendit tonë janë të pajustifikueshme. Duhet të rrisim sensibilitetin publik kundër vonesave, duhet të reduktojmë frikën dhe pasigurinë, sepse ato shumëfishojnë impaktet negative mbi ekonominë. Të parandalojmë përkeqësimin në ekonomi, jo duke përkeqësuar zhvillimet politike, por duke rritur përgjegjësitë tona politike dhe detyrimin ndaj vendit tonë.

Sa më shpejt, aq më mirë; sa më vonë, aq më e vështirë situata e aq më të thella pasojat negative të dështimeve tona. Duke mbështetur një rritje reale ekonomike dhe një ndarje më të mirë të përfitimeve të rritjes ekonomike midis grupeve sociale, duke synuar një rritje ekonomike të qëndrueshme, cilësore dhe me ritme të larta, sfidat tona të uljes së papunësisë, të reduktimit të varfërisë dhe të rritjes së stabilitetit të financave publike, janë të mundura.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama