Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kriza e borxheve dhe sovraniteti i shteteve

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Arben Malaj
Kriza e borxheve dhe sovraniteti i shteteve

Në debatin për kostot e krizës së borxheve, pjesë e pashmangshme është edhe shqetësimi për “humbjen e sovranitetit” të vendeve që pranojnë t`u nënshtrohen paketave të reformave të imponuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Europian. Është e njohur nga të gjitha vendet se ne thelbin e tij, anëtarësimi në institucionet ndërkombëtare, si NATO dhe BE, kushtëzon ndarje, kufizim dhe dorëzim gradual të sovranitetit. Në Greqi, kohët e fundit erdhi në rritje si shqetësim dhe u ashpërsuan akuzat politike për “shitje të sovranitetit” nga qeveria greke kur pranoi kushtin e BE-së për të vendosur nëpunësit e saj në çdo ministri për të mbikëqyrur nga afër përmbushjen e kushteve të përfitimit të kredisë prej miliarda dollarësh.

Debat ka edhe për sovranitetin e politikave monetare dhe fiskale. Vendet e BE-së nuk e patën të lehtë të dorëzonin monedhat e tyre kombëtare në favor të një monedhe të përbashkët, siç ishte euroja. Ata dorëzuan me vullnet edhe sovranitetin e politikave monetare, ndaj sot bankat qendrore të vendeve të eurozonës nuk përpunojnë politika të pavarura monetare.

Në këtë situatë krize është e lehtë të ushqesh dhe nxitësh qëndrime nacionaliste ndaj kushteve të rënda të përfitimit të mbështetjes financiare ndërkombëtare për daljen nga kriza.

Disa nga politikanët dhe opinionbërësit e vendeve në krizë harrojnë se në kushtet kur vendet e tyre kanë hyrë në krizën e borxheve dhe nuk mbijetojnë dot pa paketat e ndihmës së BE dhe FMN-së, sovraniteti real i tyre rezulton të ketë qenë i cenuar shumë kohë më parë. Kriza vetëm tregoi se sa të thella dhe të vështira janë kostot e keqqeverisjes së këtyre vendeve.

Debati për “shitjen e sovranitetit” duhet parë në një analizë shumë më jetësore. Çdo biznesmen apo individ grek, italian, spanjoll, portugez, që është në situatë të vështirë financiare dhe duhet të aplikojë për kredi, e di shumë mirë dhe i pranon me vetëdije kushtet kryesore të huadhënësit.

Zakonisht kreditë e reja për çdo huamarrës të keq shoqërohet me një sërë masash të kushtëzuara nga huadhënësi, për t’u ardhur në ndihmë kredimarrësve me qëllim përmirësimin e bilancit të tyre që të mund të shlyejë këstin duke u ruajtur nga pasojat shkatërruese të borxhit të keq.

Nëse pas disa kohësh huamarrësi nuk ecën mirë, huadhënësit mund të vendosin një mbikëqyrës për të parë se ku duhen bërë përmirësimet që kredimarrësi të mos falimentojë dhe banka të mos humbasë kredinë e dhënë.

Kur situata nuk përmirësohet, bankat marrin në administrim gjithë biznesin dhe mundohen të rikuperojnë çdo gjë që shpëton biznesin, si mundësia më e mirë për të kthyer kredinë. Në aspektin individual, çdo kredimarrës e vetëdorëzon “sovranitetin” e tij më qëllimin e përfitimit të mbështetjes për të mos falimentuar.

Një individ që falimenton nga borxhet e mëdha mund të humbasë shtëpinë, një biznesmen i falimentuar mund të humbasë biznesin, ndërsa qeveritë e falimentuara humbasin përkohësisht sovranitetin e vendit të tyre.

Ndaj, në aspektin e marrëdhënieve financuese “kredidhënës dhe kredimarrës”, qytetarët e vendeve që janë përfshirë nga ndihmat e kushtëzuara nuk duhet të bëjnë përgjegjëse qeveritë dhe politikanët se “po shesin sovranitetin”.

Qytetarët e këtyre vendeve nuk mund të kenë të drejtën të bëjnë përgjegjëse vendet e BE dhe FMN-në për imponimin e kaq shumë kushteve për të cilat mund të ridiskutohet sapo të ndjehen shenja përmirësuese në ekonomitë e tyre.

Opinioni publik i këtyre vendeve gëzon të drejtën e plotë dhe legjitime të bëjë përgjegjës politikanët e vendeve të tyre rreth arsyeve për të cilat i kanë mashtruar duke u fshehur problemet reale, pse ata kanë mbijetuar duke bërë politika populiste me uljen e taksave apo rritjen e përfitimeve sociale, pse e kanë varfëruar shëndetin e financave publike të vendit të tyre për shkak të abuzimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

Sovraniteti i çdo vendi duhet mbështetur te fuqia e tij ekonomike dhe politike. Fuqia ekonomike krijon premisa për një sovranitet real. Sot po diskutohet të ndryshojë raporti i votave në institucionet e qeverisjes globale, pikërisht sepse ka ndryshuar fuqia ekonomike e vendeve të ndryshme në ekonominë globale.

Asnjë vend i mbytur në borxhe nuk ka sovranitet real. Sovraniteti duhet të mbështetet te një ekonomi sa më e fortë dhe rezistente ndaj goditjeve të krizave. Ata që bërtasin për ”shitje të sovranitetit”, ata që përbetohen për ruajtjen e sovranitetit, ata që i pengojnë reformat për shëndoshjen e ekonomisë, e dëmtojnë sovranitetin njësoj sa politikanët që me keqqeverisjen e tyre nuk e ndalen në kohë krizën e borxheve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama