Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Integriteti publik dhe disiplina partiake

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Arben Malaj
Integriteti publik dhe disiplina partiake

Në shoqëritë demokratike janë individët që për-zgjedhin partitë politike tek të cilat besojnë apo kanë interes, në shoqëritë komuniste partitë politike përzgjedhin me kujdes individët”. Ky ishte mesazhi që më dërgoi një student i talentuar shqiptar i Shkencave Politike, lidhur me debatin për çregjistrimin nga PS-ja të kolegut Kastriot Islami.

Shqetësimi ynë nuk duhet të jetë vetëm për një rast apo emër të veçantë, por një diskutim edhe publik për demokracitë e brendshme të partive politike, për vendin dhe rolin që duhet të ketë i zgjedhuri në mandatet politike. Duhet që në çdo rast dhe për çdo vendim ai duhet të votojë vetëm mbi një linjë të prerë partiake, apo mund të ketë të drejtë të miratojë, të mos mbështesë, abstenojë apo edhe të votojë kundër?!

A duhet një deputet dhe një i zgjedhur në mandatet politike, të mos jetë thjesht një karton solidar për çdo vendim partiak? A e dëmton kjo partinë politike ku ai aderon? Le të shohim çfarë po ndodh sot në Amerikë, Itali, Greqi, Spanjë dhe shumë vende të tjera të Europës moderne, ku jo pak kongresistë, senatorë, deputetë nga të dy krahët politikë, të majtë e të djathtë, nuk i kanë votuar paketat antikrizë. A janë ndjerë me të dobëta partitë e tyre politike, apo kanë vlerësuar se deputetët mund të kenë një fleksibilitet deri në masën kur vendimi i tyre nuk e dështon një vendim politik? Sot, në shumë vende moderne, shqetësimi kryesor është bipartizanizmi, rikthimi i qëndrimeve strikte partiake, është mungesa e fleksibilitetit për të arritur kompromise për sfidat e vendit, dhe jo zgjatja e krizave politike për shkak të luftës thellësisht partiake. Sigurisht, midis disiplinës dhe anarkisë ka disa faza të ndërmjetme.

Fleksibilitet nuk do të thotë anarki, por përjashtimet/çregjistrimet janë shume afër mentaliteteve të së shkuarës. Po të analizosh dinamikën e dy partive të mëdha politike gjatë 20 viteve, përjashtimet nuk kanë rezultuar dobiprurëse. Kur kryetaret e partive janë ndjerë të fortë, kanë përjashtuar, dhe kur janë ndjerë të dobët, i kanë ripranuar dhe promovuar të përjashtuarit. Pra në procesin përjashtim-ripranim nuk kanë vepruar parimet apo standardet, por kryesisht përllogaritjet aritmetikore elektorale, kryesisht personale.

Ndaj, partitë politike duhet të reduktojnë numrin e rasteve të vendimmarrjeve për të imponuar “votime 100% besnike”.

Deputetët dhe të zgjedhurit nuk duhet të konsiderohen dhe kthehen në kartonë solidarë. Atyre u cenohet personaliteti i tyre publik nëse thjesht duhet të miratojnë çdo vendimmarrje, nëse u imponohet një “disiplinë e hekurt partiake”, nëse u konsiderohet mëkat partiak çdo komunikim me publikun nëpërmjet rrjeteve sociale, nëpërmjet gazetave apo TV-ve.
Në këtë rast, me kontrollin e rreptë që kryetarët e partive politike ushtrojnë në daljen publike të përfaqësuesve të partive të tyre, ata “prodhojnë personalitete publike të parafabrikuar” dhe nuk përzgjedhin midis më të mirëve. Shpesh ka qenë e vështirë për të sqaruar deri edhe mikun tonë Dritëro Agolli përse disa figura të PS-së nuk merrnin pjesë në debatet publike përpara zgjedhjeve apo për buxhetin. Ka jo pak socialistë të thjeshtë dhe të përkushtuar që mendojnë se disa kolegë thjesht nga qejfmbetje individuale hezitojnë të jenë pjesë aktive e debateve publike për të prezantuar dhe mbrojtur alternativën socialiste. E vërteta është e kundërta: lista përzgjidhet me kujdes dhe në jo pak raste, nëse dilnin “kolegë jo të listës së parapëlqyer”, debatohej edhe me median e pavarur, pse e krijonin këtë akses. E vërteta është se përzgjedhja në prezencën publike nuk bëhej në bazë të kontributeve dhe performancës, por në bazë të një strategjie për të “klonuar artificialisht produkte të reja në tregun politik”.

Në këtë këndvështrim ndoshta merr vlerë edhe kjo analizë. Çregjistrimi nga Grupi Parlamentar i kolegut Islami për mospjesëmarrje në një votim për zgjedhjen drejtuesit të një institucioni kushtetues, nuk është i drejtë dhe nuk i krijon PS-së asnjë avantazh publik. E kundërta është më e mundshme. Perceptimi se PS-ja e ndërton sfidën e saj të fitoreve elektorale mbi disiplinën formale, deri në përjashtim apo çregjistrim deputetësh që kanë munguar, nuk kanë marrë pjesë në votim edhe kur mund të kenë qenë në sallë, që kanë abstenuar për të mos votuar kundër, sidomos kur këto qëndrime individuale nuk kanë ndryshuar rrjedhën e një ballafaqimi politik, dëmton rëndë perceptimin publik sidomos te votuesit e pavendosur. Ata presin të shikojnë një model ndryshe, një parti politike moderne më demokratike, me më shumë fleksibilitet organizativ, me më shumë produktivitet politik, si opozita e vendit dhe si qeverisja e ardhshme.
Ndoshta disa ide mund të nxisin një diskutim pa mbingarkesa individuale dhe partiake:

Së pari – Partitë tona politike duhet të jenë parti institucionale, që nuk krijojnë kriza politike dhe nuk bojkotojnë institucionet kushtetuese të vendit. Kjo redukton mundësitë për ndarje të qëndrimeve brenda partive politike. Këtë e tregon historia e PD-së përpara 2005-s, ashtu si eksperienca e PS-së pas 2009-s.

Së dyti – Partitë tona politike duhet të orientohen nga modernizimi i tyre duke shmangur çdo tendencë radikalizuese. Kjo e bën më të shëndetshëm funksionimin demokratik të tyre dhe ul rastet kur qëndrimet jounike rriten brenda çdo partie politike. Qëndrimi ynë kundër bojkotit të institucioneve nuk do të ndalej/ndalet nga vendime që cenojnë funksionimin institucional të vendit.

Së treti – Partitë politike duhet të reduktojnë në maksimum rastet konkrete të përfshira në kushtetutën/statutin e funksionimit të tyre, kur deputetët detyrohen të votojnë në unanimitet partiak. Këto raste duhet të jenë sa më specifike dhe me përmbajtje të fortë politike. Kur deputetët ndiejnë se ata thjesht duhet të votojnë siç e ka vendosur partia(?), ata nuk kanë interes konkret të jenë më aktivë dhe më të thelluar në debatin publik e parlamentar. Kjo ul cilësinë e parlamentarizmit të një vendi. Të gjithë presin “vendimin e partisë”. Të mos harrojmë këtu se ajo që konsiderohet vendim partie apo vendim i grupit, në fakt mund të jetë një kërkesë spontane për një çështje spontane. Ndryshimet në Kushtetutën e vendit në 2008-n dhe ndryshimet në Statutin e PS-së në vitin 2010, e kanë përkeqësuar funksionimin demokratik të vendit dhe të PS-së. Kjo ka treguar forcë disiplinore.

Së katërti – Ne duhet të heqim nga rregullat tona statutore çregjistrimin apo përjashtimin në çdo nivel të organizimit tonë partiak. Ai duhet të vetëveprojë vetëm për rastet kur deputeti apo anëtari i një partie politike shkon në një forcë tjetër politike. Mungesat në seance plenare ku votohet për çështje të rëndësishme, mospjesëmarrja në votim edhe kur je në seancë, apo vota abstenuese, nuk duhet të jenë shkak për masa përjashtuese. Ato duhet të jenë element i CV-së politike të çdo politikani dhe deputeti gjatë mandateve politike që i janë besuar.

Ne duhet të reduktojmë në maksimum tensionimin bipartizan në jetën tonë politike. Duhet t’u largohemi parimeve dhe rasteve statutore për qëndrime partiake strikte “pro” dhe “kundër” për çdo ligj në Kuvend. Këtë të drejtë duhet ta kenë deputetët, këtë parim duhet ta aplikojnë partitë politike në statutet e tyre dhe jo të presim krizat tona që “me pikatore të autorizojmë” raste të veçanta të votimeve mbipartiake.

Të reduktojmë në maksimum rastet e shkaqeve për masa partiake penalizuese ndaj të zgjedhurve, të rrisim integritetin publik të tyre, të rrisim në maksimum interesin e çdo të mandatuari politik për t’i shërbyer vendit të tij duke e nxjerrë nga ngërçet dhe krizat politike. Duhet të rrisim efikasitetin e partive politike duke nxitur meritokracinë, duke rritur përgjegjësinë publike mbi atë thjesht partiake, duke nxitur çdo të zgjedhur të plotësojë çdo ditë CV-në e karrierës së tij politike në shërbim të vendit të tij.

Në rast të kundërt partitë politike do të dëmtohen nga disiplina formale. Qeveria “Berisha” është shembulli më konkret i pasojave të rënda që paguan një parti politike dhe një vend nga qeverisja me disiplinë të fortë. Demokracia dhe institucionet tona do të dëmtohen nga qëndrimet strikte dhe unike kundër njeri-tjetrit, si pozitë dhe opozitë e vendit tonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama