Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A ka vend per te ngujuarit ne hotel "TOTOZANI'?

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Kikia
A ka vend per te ngujuarit ne hotel "TOTOZANI'?

Vendimi i Avokatit të Popullit, Igli Totozani, për strehimin e dhjetëra anëtarëve të komunitetit rom në mjediset e institucionit që drejton, fitoi vëmendje të madhe mediatike. Dua të theksoj që në fillim se bëj pjesë te njerëzit që mendojnë se qeveria ka detyrimet e saja ndaj këtij komuniteti, fati i të cilit ka qenë dhe është në rrugë, e do të mbetet i tillë nëse nuk do të ndryshohet me ndihmën e qeverisë. Ligji i kapitalizmit “kush nuk punon vdes” nuk duhet ta zhveshë qeverinë dhe shoqërinë tonë nga detyrimet për ta. Por unë bëj pjesë, gjithashtu, tek ata njerëz që mendojnë se veprimi i Avokatit të Popullit ishte një show mediatik, populist dhe politik. Institucioni i Avokatit të Popullit nuk është hotel hallexhinjsh, pasi ai është institucion kushtetues dhe avokati është aty jo që të bëhet dado i 20 fëmijëve, por të jetë avokati i tërë popullit, edhe i atyre që nuk i kanë zënë derën. Ai ka rrugë të tjera për ta ushtruar presionin e tij ndaj qeverisë, madje edhe më fort se kaq.

Gjesti i avokatit Totozani fitoi edhe një simpati popullore, si një njeri që kujdeset për jetën e të varfërve. Por nuk vonoi që kjo t’i shndërrohet në bumerang, kur në derë i mbinë nga 50 romë të tjerë që kërkonin shtëpi. Dhe Totozani doli e u tha: “Ikni në shtëpi se e kam detyrë kushtetuese t’ju gjej shtëpi”. Por, më shumë se kaq, përse u dashka që në sallën e Avokatit të Popullit të strehohen vetëm romët e Tiranës. Po ata të Shkodrës, ata të Fierit e Rrogozhinës përse të mos shkojnë në zyrën e tij? Po të bardhët që janë nëpër fshatra duke ngrirë në këtë acar? Sa fëmijë të paushqyer ka në zonat e thella rurale që kanë nevojë për ushqime e veshmbathje po kaq sa edhe romët?

Para dyerve të ndërtesës së institucionit kushtetues të Avokatit të Popullit u prodhua një spektakël televiziv. Drejtuesit e OJQ-ve për të drejtat e njeriut vrapuan të qaraviteshin para kamerave për fëmijët romë. Ambasadorët (ata nuk mund të mungojnë në asnjë sebep, qoftë për mirë e qoftë për keq) bënë ca pazare dhe u nisën për qokë edhe ata. Madje ata kujtuan se sa shumë i kanë financuar OJQ-të që i kanë ndihmuar romët, duke ua përmirësuar jetesën deri në këtë farë feje.

Duke parë këtë show, m’u kujtua se pikërisht tani ka ca njerëz në këtë vend që janë më në hall se romët. Ata mund të jenë me edhe pa shtëpi, me edhe pa ushqime e rroba. Por më shumë se kaq, ata janë të kërcënuar me vdekje. Këta janë njerëzit e ngujuar si pasojë e gjakmarrjes!

Fëmijët e romëve nuk shkojnë në shkollë, sepse thjesht prindërit e tyre nuk i dërgojnë. Ndërsa fëmijët e ngujuar nuk shkojnë sepse kanë frikë se i vrasin (dhe ka pasur viktima me çantën e librave në krah). Romët nuk shkojnë të punojnë, edhe në punë të rëndomta, sepse kanë zgjedhur të lypin. Ndërsa njerëzit e ngujuar nuk shkojnë të punojnë, edhe në punë të rëndomta, sepse i vrasin. Shumë burra e djem të rinj që kanë guxuar të thyejnë rregullin e kobshëm të ngujimit janë vrarë.

Këta janë njerëzit që kanë nevojë më shumë se çdo kush tjetër sot për vëmendjen e shtetit, të Avokatit të Popullit dhe të ndërkombëtarëve. Ata nuk kanë nevojë për çadra, as për pampers e patatina “Made in Bruksel”, ata kanë nevojë për drejtësi. Ata kanë nevojë të jenë të lirë, të jetojnë të lirë. Dhe pikërisht në derën e tyre duhej të kishte trokitur së pari Avokati i Popullit, dhe nëse do të donte ta shkundte këtë shtet prej zhelesh, le të sillte në zyrën e tij disa fëmijë të ngujuar jo për të fjetur, por për t’u mësuar aty gjuhën shqipe, pasi në fshatin e tyre ata nuk shkojnë dot në shkollë, edhe pse janë të etur për të mësuar.

Ambasadorët qokatarë bënë mirë që shkuan me qese ushqimesh te hotel “Totozani”, por do të ishte mirë të shkonin edhe te familjet e ngujuara dhe ta merrnin me vete edhe Prokuroren e Përgjithshme. T’i jepnin asaj të tërë mbështetjen për të penalizuar ata që i detyrojnë ata dhjetëra fëmijë e qindra burra të qëndrojnë në arrest shtëpie, pa vendim gjykate. Ata jo se nuk kanë nevojë për ndihma ushqimore, por ata duan lirinë më së pari dhe këtë duhet ta bëjë shteti dhe drejtësia e vendit të tyre. Ata janë të burgosur pa vendim gjykate dhe gëzojnë shumë më pak të drejta se kriminelët e mbyllur në burgjet e sigurisë së lartë, për të cilët OSBE-ja dhe komisionerët e Brukselit alarmohen edhe kur u ikën sinjali i “DigitAlb”-it. Ndërsa për të ngujuarit nuk alarmohet kush.

Zotërinj ambasadorë, të drejtat e të ngujuarve nuk janë vërtet në listën e 12 prioriteteve të Bashkimit Europian për integrimin e Shqipërisë. Por ju keni funksionimin e shtetit të së drejtës, një nga 12 prioritetet dhe as që doni t’ia dini që ky shtet dhe institucionet e tij të drejtësisë po sfidohen publikisht nga një zakon barbar e kriminal. Ju nuk doni t’ia dini që një Kod Penal modern po sfidohet nga një ligj i epokës së mesjetës.

Ne iu falënderojmë shumë që ju e mbështetni në kor Prokuroren e Përgjithshme për hetimet e ngjarjeve të tilla si 21 janari. Por ju duhet të dini se organi i prokurorisë ka në dorë fakte për të paktën 400 njerëz të ngujuar, mes të cilëve 80 të mitur. Ju duhet të dini se Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, ka një nen, 83/a, që parashikon se: “Kanosja serioze për hakmarrje ose gjakmarrje, që i bëhet një personi për t’u mbyllur në shtëpi, dënohet me burgim deri në tre vjet, si dhe me gjobë nga njëqind mijë lekë deri në një milion lekë”.

Pyeteni prokurorinë sa herë i është referuar këtij neni? A ka ndonjë hetim të hapur ndaj ndonjë personi për kanosje për ngujim, kur vetëm në Shkodër janë zyrtarisht të dokumentuar të paktën 94 familje të ngujuara me rreth 400 persona?

Ky mund të mos jetë një prioritet i Europës, por duhet të jetë një prioritet i yni, dhe padyshim këtu një rol duhet të luajë edhe Avokati i Popullit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama