Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Disa mesazhe prej Rrugës së Kombit

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Nazarko
Disa mesazhe prej Rrugës së Kombit

Ditët e fundit, gjatë emergjencës së borës, një televizion i Shqipërisë guxoi të pohonte me imazhe diçka që kush udhëton prej Tiranës në Prishtinë e ka rregullisht përpara syve. Ai krahasoi cilësinë e mirëmbajtjes së segmentit kosovar të  së quajturës “Rruga e Kombit”, me segmentin e Shqipërisë, prej Rrëshenit në Morinë, në pikun e emergjencës apo në disa ditë rresht. Pamja e segmentit të Shqipërisë ishte e tmerrshme: pjesë të gjata të rrugës ishin thuajse të pakalueshme. Ato pjesë që mund të kaloheshin, ishin reduktuar një korsi etj., etj. Ndërsa segmenti kosovar ka qenë gjithnjë i kalueshëm në dy korsitë.

Në fakt, jo për kronikë, por rrugët kryesore të Kosovës gjatë dimrit kanë qenë gjithnjë të kalueshme në tërësinë e tyre, aq më tepër segmenti autostradal prej Morinës në Therandë. Madje Kosova ia arriti që brenda pak ditësh të hapte dhe rrugën që të çonte në një zonë skijimi të lartë si Brezovica. Pse Shqipëria nuk arrin dot ta bëjë një gjë të tillë, ndërsa Kosova ia del? Nuk është i drejtë argumenti se Kosova ka traditë më të mirë të pastrimit të rrugëve. E pse vallë Shqipëria s’duhet të ketë? Pse është shtet më i vjetër, që feston 100-vjetorin, ndërsa Kosova është vetëm 4-vjeçare? As dhe argumenti se kompanitë tona private mund të kenë bërë lojëra për të marrë më shumë fonde emergjence nga përballja me pamje si ato të Rrugës së Kombit në pikun e krizës, nuk është i vlefshëm. Një ide të tillë mund ta kishin dhe kompanitë kosovare për të rritur kuotën e financimit prej shtetit, meqë kriza e sivjetme ishte e veçantë. S’besoj se vlen as argumenti i krizës ekonomike dhe financiare të shtetit shqiptar, d.m.th. mungesa e fondeve publike për pastrimin e rrugës, posaqë kur kriza arriti nivele të larta, rrugët kryesore, përfshi Rrugën e Kombit, u pastruan në një farë mënyre.

Prej këtij krahasimi tërësor të aftësive të dy shteteve për të pastruar rrugët, mund të arrihet në përfundimin se Kosova, administrata e saj publike, ka më shumë aftësi t’i imponojë kompanitë private apo të tjera që të realizojnë angazhimet e marra për pastrimin e rrugëve. Thënë ndryshe, në Kosovë shteti funksionon shumë më mirë në këtë kënd të ngushtë shikimi. Shqipëria e ka të vështirë të ndërtojë një sistem funksionimi të këtij lloj shërbimi, të vendosë kontrolle efikase në territor ndaj atyre subjekteve që veprojnë në këtë ose atë fushë. Ndërsa Kosova, megjithëse shtet i ri, me sa duket, di të ngrejë sistem.
Ndërkohë, nga gjendja katastrofike e Rrugës së Kombit, gjendje që përsëritet shpesh në stinët e dimrit, mund të arrihen dhe në disa përfundime të tjera, si pjesë e zinxhirit shkakësor për këtë gjendje.

Përfundime mbi Rrugën

Dihet se rrugët pastrohen më lehtë nëse përkujdesi për hapjen e tyre është që në krye të herës dhe situata vështirësohet më shumë nëse rrugët i lë për një kohë të gjatë pa pastruar. Kjo rrugë, me sa duket, për shtetin shqiptar nuk është aq shumë e rëndësishme, sa të justifikonte mbajtjen hapur të saj gjithë kohën. Pra, sapo të shfaqeshin bllokimet e para, të ndërhyhej për të mos e lënë atë të mbyllej asnjë orë të vetme. Nëse do të ishte kështu, mbase do të kishim përqendrim të shumë mjeteve borëpastruese në atë rrugë, në mënyrë që ajo të mos mbetej asnjë ditë e mbyllur. Pra ky arter komunikimi nuk ka sot një trafik të tillë mallrash, mjetesh, njerëzish, sa prej tij të varet ekonomia e Shqipërisë, apo e Kosovës, apo të dyja së bashku, sepse përndryshe s’do të rrinte e mbyllur, siç ndodhi për disa ditë. Madje, nëse do të ishte kështu, rruga do të rrihej më shumë prej mjeteve. Nëse do të rrihej më shumë, edhe shkrirja e borës dhe akullit do të ishte më e lehtë krahas përdorimit të materialeve shkrirëse, si skoria apo kripa.

Janë disa të dhëna që e mbështesin pohimin se Rruga e Kombit nuk ka akoma rëndësinë ekonomike që meriton. Po i referohemi një eksperti të Zyrës së Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Kosovë, i cili mund të ketë shumë mëkate, por nuk gabon në shifra. “Në pesë vitet e fundit, më pak se 3 për qind e importeve të Kosovës kanë ardhur nga Shqipëria dhe rreth 12 për qind e eksporteve të saj (më pak) u dërguan atje. Gjithashtu nuk është rrugë transporti e favorshme: vetëm rreth 5 për qind e importeve mbërrijnë në Kosovë nëpërmjet Shqipërisë dhe fluksi total i trafikut ndjek një model të ngjashëm. Lidhja e Kosovës drejt Durrësit ka për qëllim të tërheqë tregtinë, që tani rrjedh nëpër Portin grek të Selanikut, por porti shqiptar është shumë më i vogël dhe i prirë për t’u bërë i cekët nga depozitimet detare”, thotë në një artikull të vetin Andrea Lorenzo Capussela, ish-drejtor i Njësisë Ekonomike dhe Fiskale të PCN. Capusela vazhdon në artikullin e vet, se kjo rrugë nuk duhet të ndërtohej, por mund të zgjerohej dhe përmirësohej, ama kjo ide është vetëm e tij, dhe jo e imja.
Kjo rrugë, me sa duket, nuk është e rëndësishme sot për sot (e theksojmë sot për sot), as dhe për ata që banojnë në zonat e përshkruara nga rruga. Më saktë, ata që banojnë në këto zona nuk janë aq të rëndësishëm sa t’u pastrohet rruga rregullisht dhe ajo të jetë gjithnjë e pastër që ata të zhvendosen vetë, të zhvendosin mallra etj. Në një analizë tërësore ekonomike dhe sociale, Rruga nuk ka sjellë efekte të qëndrueshme në zhvillimin e zonave urbane përgjatë saj, përfshi dhe qytetin e Kukësit, rrugët e brendshme të të cilit paradoksalisht janë në gjendje katastrofale, qofshin të pambuluara nga bora, qofshin të mbuluara me borë. Përveç një efekti të përqendruar në punësimin e banorëve të zonave të populluara, në kohën e ndërtimit të rrugës, sot Rruga (vetëm si rrugë) nuk ka efekte të jashtëzakonshme në jetën e këtyre banorëve. Si argument fatkeq për ta provuar këtë pohim është dhe rezultati i zgjedhjeve lokale në zonat rurale në aksin e rrugës, ku për herë të parë me disa përjashtime bashkitë dhe komunat janë fituar nga opozita për herë të parë prej 1992-shit. Nëse Rruga do të kishte sjellë zhvillim në zonat veriore ku tradicionalisht votohet PD-ja, pra nëse ndërtimi i rrugës do të ishte ndjekur njëkohësisht nga projekte zhvillimore, nuk do kishim këtë ndërrim dramatik të mënyrës së votimit.
Përfundime nisur nga Rruga.

Disa pohime të tjera që s’kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Rrugën mund të ngrihen mbi bazën e përfundimeve të mësipërme, të frymëzuara nga bora apo të zbuluara prej borës.

Gjatë këtyre viteve që nga pavarësia e Kosovës, qeveria e Shqipërisë në mënyrë të veçantë nuk ka bërë asgjë të rëndësishme që t’i japë kuptim ekonomik një investimi kaq gjigand si rruga “Durrës-Kukës”. Ka premtim për hekurudhë, por ajo duhet të ishte projektuar së bashku me rrugën.

Nuk ka projekte të përbashkëta në asnjë fushë. Duhet të ketë projekte të përbashkëta në shumë fusha.

Ka pasur madje pengesa doganore për mallrat apo prodhimet e njëri-tjetrit. Nuk duhet të ketë asnjë barrierë doganore të dy vendeve.

Nuk ka pasur investime të përbashkëta energjetike, madje ka projekte që i kundërvihen njëri-tjetrit, siç janë ato në fushën e hidrocentraleve mbi Drin. Duhet të ketë investime të përbashkëta energjetike, madje një sistem energjetik të përbashkët, siç sugjerojnë ekspertët, në mënyrë që Shqipëria dhe Kosova të mos jenë vendet e vetme në Europë që vuajnë krizën energjetike, që të dyja të varura energjetikisht nga Serbia.

A thua, vallë, ekonomitë e Shqipërisë me të Kosovës, dy shtete fqinje, me popullsi pjesë të një kombi, nuk janë përplotësuese të njëra-tjetrës në mënyrë natyrale, apo klasa politike, veçanërisht ajo e Shqipërisë, s’po e vret mendjen për integrimin ekonomik të shqiptarëve?

Bora që ra kaq shumë, pas 35 vjetësh, duhet të na vërë në mendime. Mirë rrugën e ndërtuam, por s’duhet ta mbajmë si stoli, për më shumë si stoli patriotike të mbushur me borë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama