Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të shpëtojmë nga dështimi i tretë

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Arben Malaj
Të shpëtojmë nga dështimi i tretë

Ky është vlerësimi shqetësues i kohëve të fundit i një prej filozofëve të njohur gjermanë, lidhur me rrënjët e krizës që po kalon BE-ja. Po të kemi parasysh dështimet tona të përsëritura për t’u anëtarësuar në BE, ky vlerësim i apelon politikës të shmangë dështimet e përsëritura. Plotësimi i kritereve për statusin e vendit kandidat nuk duhet të pengohet nga asnjë axhendë partiake dhe nga asnjë zhvillim tjetër politik në vend.

Çdo vend ka motive konkrete kur aspiron dhe përkushtohet të integrohet në organizatat ndërkombëtare që promovojnë zhvillimin dhe sigurinë në nivel rajonal e global. Përfitimet dhe kostot nga ky proces janë një balancë jo e lehtë, por koha ka vërtetuar se përfitimet janë gjithnjë më të mëdha se kostot e përkohshme.

Vendi ynë ndoshta ka motive të drejtpërdrejta më shumë se çdo vend tjetër në rajon për të ecur pa vonesë në proceset integruese. Historia jonë është dëshmia më e qartë e pasojave të izolimit. Jo rrallëherë jemi vënë në prova të vështira historike. Akoma ndiejmë pasojat e ndarjeve dhe rindarjeve territoriale të trojeve shqiptare. Mundësia më e mirë e sfidave që ka vendi ynë dhe rajoni në tërësinë e tij, mbetet integrimi euroatlantik.

Në 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar ne meritojmë një “certifikim” për cilësinë e ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit tonë.

Çdo vonesë e jona në proceset integruese do të shoqërohet me disa kosto shtesë. Dështimet rritin grindjet politike, krijojnë sinergjinë negative të ngërçeve dhe krizave politike, ekonomike e sociale, në vend që të rritin përgjegjësinë për bashkëpunim. Dështimet deformojnë fokusin e përparësive të qeverisjes së përditshme të vendit, nga lufta kundër papunësisë dhe varfërisë, në debate të tejzgjatura dhe të mbingarkuara partiake.

Dështimi i paralajmëruar edhe për këtë vit nuk duhet të ndodhë. Edhe pse humbëm një vlerësim mbështetës në mars të këtij viti, nuk duhet të rezultojmë mbetës në notën  që do të na jepet në tetor.

Çdo përpjekje justifikuese nuk mund ta fshehë dështimin dhe as ta shesë atë si dështim i të tjerëve, aq më pak si mungesë vullneti nga BE-ja.

Edhe fakti që Europa ndodhet në krizë, edhe fakti që ka vende e popuj që janë të pakënaqur, sidomos me zhvillimet e fundit ekonomike e sociale të BE-së, sërish integrimi europian mbetet perspektiva më e mirë për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjithë vendet e BE-së.

Dështimi ynë bëhet më i qartë jo vetëm sepse mund të ndodhë për të tretën herë, por edhe sepse në çdo vit që ne kemi ngelur në klasë, vendet e tjera të rajonit kanë avancuar drejt derës së hapur të BE-së.

Kroacia do të bëhet vend anëtar i BE-së, Islanda e vogël ndjeu se pa Europën nuk do të përballonte lehtë krizën e saj më të rëndë, ish-republikat ruse, sot anëtare të BE-së, po punojnë me shumë përgjegjësi për t’iu bashkuar eurozonës, Serbia sapo mori statusin e vendit kandidat. Pra, asnjë vend nuk është tërhequr nga frymëzimi i fortë i perspektivës europiane. Në këtë kontekst, dështimi ynë i përsëritur do të ishte i pajustifikueshëm.

Ndaj, reforma zgjedhore duhet të përfundojë sa më parë; ajo nuk po synon të rishikojë sistemin elektoral, por thjesht elemente administrative të procesit, ndaj nuk ka asnjë justifikim për tejzgjatje afati. Reforma parlamentare mund të mbaronte shumë shpejt, sepse palët kanë rënë dakord që të ndjekin një model të BE-së. Ligjet me shumicë të cilësuar përfundojnë këtë javë.

Nuk kemi përpara asnjë pengese konkrete për të plotësuar 12 kushtet e vëna nga BE-ja. “Armiku” ynë është koha, ajo ecën dhe nuk ndalon të na presë sa herë ne ngecim në negociatat partiake për të plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet e BE-së.

Sërish edhe këtë vit ne kemi ngelur pas në raport me kohën, zgjatja e afatit për reformën zgjedhore, vonesat për reformën parlamentare mund të na lënë sërish pas në detyrimin për të plotësuar të gjitha kushtet brenda një afati konkret.

Vendi meriton që në 100-vjetorin e pavarësisë së tij të jetë të paktën një hap brenda Europës së Bashkuar, të jetë vend kandidat. Ky moment historik meriton përgjegjshmëri maksimale qytetare e politike në  arritjen e kësaj sfide historike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama