Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse ish-ambasadori Withers duhet marrë seriozisht

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Nazarko
Pse ish-ambasadori Withers duhet marrë seriozisht

Intervista e fundit e ish-ambasadorit amerikan, John Withers, kaloi me një vëmendje të caktuar në Tiranë, por ndoshta jo me vëmendjen që meritonte. Në këtë shkallë vëmendjeje me siguri ka ndikuar fakti se pala që ka qenë objekt i kritikave më të forta, qeveria, u përpoq ta injoronte intervistën. D.m.th., mediat që ajo kontrollon drejtpërdrejt ose jo, nuk i dhanë hapësirë asaj, por ndërkohë as opozita që deri diku ishte gjithashtu objekt kritike, nuk e trajtoi ashtu si duhet.

Me këtë shqetësim, pa konsideruar faktin se ky koment vjen pak si vonë pas publikimit të saj, po mundohem të jap disa konsiderata pse intervista e njërit prej ambasadorëve më të shquar të Shteteve të Bashkuara në Tiranë meriton të shqyrtohet. Akoma. Intensivisht. Hollësisht.

Së pari, mesazhet e kësaj interviste janë mesazhet më kritike që një ambasador, apo që një ish-ambasador, ka mbajtur ndonjëherë ndaj qeverisë, apo klasës politike të vendit. Ja ç’thotë Withers:

Për shkak të politikës së sotme, ëndrra e 1912-s ende nuk është përmbushur dhe lufta për liri nuk është fituar akoma;

…qeveria me vendosmëri të palëkundur nuk ka lejuar zbardhjen e së vërtetës… Çfarë ka në lidhje me Gërdecin, që qeveria nuk do që ju ta dini? Pse gjykata ishte kaq e pashpirtë në rastin e Gërdecit? Apo ka frikë? Nëse ka frikë, nga kush ka frikë?

Klasa qeverisëse shqiptare i përmbahet një koncepti të vjetër, e madje regresiv, se ka imunitet nga sundimi i ligjit, se nuk i nënshtrohet vullnetit të popullit. Për fat të keq, sot udhëheqësve shqiptarë, qoftë kur janë në moshën e Kryeministrit Berisha apo të Lulzim Bashës, ky besim (tek idealet demokratike) ju mungon. Është me rëndësi jetike për Shqipërinë, që të gjejë të tjerë udhëheqës – burra dhe gra, të vjetër apo të rinj, të çfarëdo feje apo etnie – te të cilët flaka e demokracisë vazhdon të ngrohë me shkëlqim … të shndrijë.

Përgjithësisht, ish-ambasadorët kur dalin në pension rikthehen për Shqipërinë, apo në Shqipëri, me mesazhe mikluese për qeverinë, pasi veshja që i japin vetes e imponon këtë. Vijnë si përfaqësues biznesesh të caktuara dhe në këtë kuptim ata janë të interesuar të mbajnë marrëdhënie të mira me qeveritë e vendit ku kanë punuar.
Së dyti, kjo intervistë ishte intervista më kritike publike e një vëzhguesi të huaj me këtë status për qeverisjen në Shqipëri, nga këndvështrimi institucional, apo i qeverisjes, dhe jo nga këndvështrimi ekonomik. Në tregun tonë të ideve mund të ketë kritika të të njëjtit spesor dhe nga mendimtarë vendorë, por kritikat e ambasadorit Withers janë të veçanta për nga autoriteti që ato përfaqësojnë.

Ato vijnë prej një ish-ambasadori amerikan, që në zbatim të politikave të vendit të vet ka qenë në mbështetje të Shqipërisë për një nga vendimmarrjet më të rëndësishme të Perëndimit, anëtarësimi në NATO. Ai ka përfaqësuar dhe përfaqëson vendin me ndikim të madh në Shqipëri, në mjedisin politik dhe shoqëror tonin. Ish-ambasadori Withers ka përfaqësuar, siç kemi pasur rastin ta kuptojmë, jo vetëm prej shfaqjeve të tij publike, por dhe nga raportet e WikiLeaks-it, njërin nga ambasadorët më të kulturuar të korit diplomatik të Shqipërisë në tranzicion. 

Vëzhgues i jashtëzakonshëm i realitetit politik, shoqëror, kulturor, ekonomik të vendit, ambasadori Withers, siç del edhe prej kësaj interviste, njëlloj sikur me raportet e ofruara bujarisht prej WikiLeaks-it, mbetet një vëzhgues i tillë edhe tani, kur prej më shumë se një viti nuk është ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri. Citimi që i bënte ai vendimit të Gjykatës së Tiranës për çështjen e Gërdecit, por dhe fakte të tjera përmendur në intervistë krijojnë bindjen se Withers mbetet (nuk dihet në ç’status) një vëzhgues i vëmendshëm i ngjarjeve shqiptare. Withers për më shumë, siç del prej këtyre raporteve të mëhershme, por dhe prej intervistave të fundit, rezulton një mbrojtës i shkëlqyer i interesit kombëtar të shqiptarëve, nevoja për një shtet të fortë; demokraci funksionale; për dinjitet në raport me fqinjët, etj., etj., kanë qenë vazhdimisht lajtmotiv i qëndrimeve të Withersit dje dhe sot. Publikisht dhe jopublikisht.

Kësisoj, fakti që John Withers nuk është më ambasador nuk ia zbeh forcën kritikave. Përkundrazi. Kritikat e ambasadorit Withers, po e quajmë të tillë për shkak të autoritetit të fortë intelektual që përfaqëson, e eventualisht dhe titullit që ka zotëruar në shërbimin diplomatik amerikan, janë koherente me kritikat që ne kemi lexuar më parë prej tij. Pra, nuk kemi një ndërrim 180 gradësh për ndonjë arsye kush e di se çfarë, por në kohë të ndryshme kemi koherencë personale të këtyre kritikave, që asokohe ishin bazë mbi të cilën diplomacia amerikane ndërtonte qëndrimet për Shqipërinë.

Nën zë, mbrojtësit e qeverisë ia atribuojnë këtë kriticizëm të shtuar të zotit Withers ndonjë pakënaqësie të tij që lidhet me aferën e armëve, por fakti që ata nuk guxojnë t’ia përplasin as vetë, as nëpërmjet mediave të tyre këto pretendime, i zeron këto hipoteza. Për më shumë që zoti Withers flet me forcë pikërisht për Gërdecin. “Pse qeveria ka frikë? Nga kush ka frikë për Gërdecin?”, është një pyetje e fortë, që zoti Withers ia di përgjigjen, por vetëm se e fton opinionin publik shqiptar të reflektojë rreth saj. Për shkak të ndikimit të lobit grek në Amerikë, në ndonjë rast ambasadorë të caktuar amerikanë kanë shoqëruar personalitete të këtij lobi në takime institucionale me autoritete shqiptare, por ky nuk ka qenë rasti i Withers-it, që ne të mund të dyshojmë keqdashësisht se ai nuk i do shqiptarët, pse është mik i lobit ekstremist grek. Ambasadori Withers, siç del nga raportet e tij analitike të bëra publike prej Wikileaks-it, ka qenë njëherësh një mbrojtës i interesit kombëtar në raport me fqinjët -kujtoni raportet mbi çështjen e dhurimit të detit Greqisë, pra nuk mund të zhvlerësohet as me ndonjë hipotezë eventuale të kësaj natyre.

Qëndrimet e ish-ambasadorit Withers, të shprehura në intervistën e fundit, janë në të njëjtën gjatësi vale me qëndrimet e pasardhësit të tij, Arivizu, i cili gjithashtu për nga roli i jashtëzakonshëm në ngjarjet e 21 janarit 2011, mbetet njeri ndër ambasadorët më të rëndësishëm amerikanë të historisë së Shqipërisë. Në këto qëndrime të Withersit ka thjesht më pak kompleks të natyrës diplomatike, por kritikohen të njëjtat shfaqje të politikës shqiptare në pushtet dhe në opozitë. Withers sot kritikon pak më shumë sjelljet e qeverisë, pse problemet më të mëdha në zhvillimin demokratik të një vendi i sjell qeveria, por askush nuk mund të përjashtojë se pasardhësi i tij nuk bën të njëjtën gjë, qoftë në raportet e tij për qendrën, qoftë dhe në komunikimin jopublik me autoritetet tona.

Për të gjitha këto arsye, kritikat e ambasadorit Withers, këtij njohësi të shkëlqyer të historisë së Shqipërisë, këtij të shkolluari brilant të njërit prej universiteteve më të mira të botës, Universitetit të Yale-it, që ka shërbyer në disa prej vendeve më të rëndësishme të botës, duhen marrë seriozisht.

Me çfarëdo lloj statusi t’i ketë thënë këto ish-ambasadori Withers, të një diplomati në pension, të një analisti, të një opinionisti kompetent amerikan, ai duhet dëgjuar. As rutina mediatike dhe forca e lajmeve të reja nuk vjetërsojnë mesazhet e diplomatit në pension, por mikut të madh të shqiptarëve, John L. Withers II.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama