Dje, burrat xhentilë shqiptarë i morën gratë dhe dolën shëtitje së bashku, kaluan drekën, u blenë edhe ndonjë dhuratë dhe i konsideruan të përfunduara detyrimet me rastin e Ditës së Gruas dhe për këtë vit. Ata që janë më pak xhelozë e më të ngeshëm financiarisht, i lejuan që të shkojnë edhe në ekskursion me kolektivin, brenda apo jashtë vendit. Megjithatë, pjesa më e madhe e grave as që kanë marrë ndonjë urim e as që kanë përjetuar ndonjë emocion ndryshe në një ditë si ajo e djeshmja. Zyrtarët më të lartë dhe politikanët u kujtuan dje se gruaja është vërtet një forcë e madhe që duhet marrë në konsideratë edhe nga ana intelektuale. Ata u betuan sërish se do të bëjnë vend në zyrat e shtetit për më shumë gra dhe se në partitë e tyre do të lirojnë disa karrige më shumë për femrat. Presidenti i Republikës dekretoi faljen për 15 gra që ishin në burg për krime të ndryshme, ndërsa shumë shumë partiza e funksionarë të tjerë kërkuan me këmbëngulje kamerat televizive dje që të uronin gratë nga zyrat e tyre për festën e 8 Marsit. Kjo ishte pak a shumë kozmetika e kujtimit të një dite të rëndësishme në botë për të drejtat e grave dhe lëvizjet feministe. Në fakt ajo që në Shqipëri ka përfunduar në një festë restorantesh dhe sebep që gratë të blejnë ndonjë çantë a ndonjë palë këpucë, lidhet me një histori të tmerrshme. Plot një shekull më parë, në Nju Jork, pronari i një fabrike dogji të gjalla 129 punëtore që protestonin për kushte më të mira pune. Me gjithë këtë, edhe ky mjedis ndryshe është fare i përkohshëm. Duke filluar nga sot, për të gjithë fillon rutina e përditshme e jetës dhe pas një viti, për efekt mediatik, zyrtarët do të kujtohet të përsërisin edhe një herë ato që thanë dje.
Por çfarë ndodh përtej perdeve të kësaj skene, ku burrat e shtetit dhe xhentilët e shtirur interpretojnë rolin e promotorit të emancipimit shoqëror? Çfarë bën gruaja në një shoqëri që edhe pse disponon teknologjinë dixhitale televizive dhe lëviz me makina superluksoze, vazhdon të jetë po aq patriarkale sa edhe kohën kur mjeti më luks i transportit ishte kali me shalë? Të gjithë ne jemi dëshmitarë se gruaja është ajo që përballet më shumë me problemet social-ekonomike që ka sot vendi. Është ajo që përjeton më dramatikisht rritjen e çmimit të produkteve ushqimore, pasi është ajo që duhet të kujdeset për ushqimin e familjes. Në zonat rurale, ku jeton pjesa më e madhe e popullsisë dhe padyshim edhe pjesa më e madhe e grave, ashtu si dhe burrat, në mungesë të mekanikës bujqësore, gratë përballojnë punë të rënda fizike. Një stërmundim që i ka bërë vajzat 20-25 vjeçare të duken si 40 vjeçe dhe të humbin çdo imazh prej femre. Padyshim që gratë janë bashkëvuajtëse të burrave në një realitet të egër ekonomik si ky i yni, ku jetesa kërkon sakrifica të mëdha fizike dhe kontributi i saj është jetik.
Por problemi më i madh nuk është pikërisht kjo. Ajo që e rëndon më shumë pozitën e gruas në shoqërinë tonë është mënyra se si burrat dhe meshkujt në përgjithësi sillen dhe ndërtojnë raportet me femrën. Realiteti ynë është i mbushur me dëshmi rrëqethëse që tregojnë brutalitetin e marrëdhënieve mes burrit dhe gruas. Një grua ndodhet në burg sot, sepse vrau burrin, i cili në mënyrë sistematike e rrihte atë dhe fëmijët. "Nuk mund ta duroja më të rrihte fëmijët (veten e saj ajo nuk e konsideron si viktimë) të cilët jetonin çdo ditë nën ankth, se sa herë që vinte i pirë, ai do të na rrihte të tërëve". Kështu u kishte thënë prokurorëve gruaja nga Komuna e Petrelës në Tiranë. Ajo vetë i ishte bindur fatit të dhunshëm, por nuk e pranoi atë për fëmijët, ndaj dhe iu drejtua armës për të zgjidhur këtë çështje. Kur gjykata do të merrte vendimin e dënimit të saj, në sallë ishin edhe të afërmit e burrit. Edhe pse pa arsimim dhe një jetë të tërë në mjerim të skajshëm, gruaja lëshoi në drejtim të tyre deklarata që ishin të denja për një film dhe një aktakuzë e rëndë për gjithë shoqërinë tonë. "Flisni, pse rrini të heshtur dhe kërkoni dënimin tim. Ju e dini të tërë, ju të gjithë e keni parë se si na rrihte, si na trajtonte si kafshë, si na nxirrte jashtë në mes të dimrit. Të gjithë ju i keni parë skenat, por nuk keni ndërhyrë dhe tani nuk flisni". Të afërmit e burrit-viktimë qëndronin në heshtje dhe prisnin që drejtësia të ndëshkonte autorin e vrasjes së njeriut të tyre. Por, fjalët e gruas tregonin se ata ishin po kaq fajtorë në atë krim sa edhe gruaja. Ata kishin qenë për vite me radhë dëshmitarë të dhunës që ushtronte vëllai ndaj familjes së tij, por nuk e denoncuan, nuk ndërhynë për të bërë diçka, për të shpëtuar fëmijët e tij, gruan dhe në fund edhe atë vetë nga vdekja që nuk vonoi. Ky nuk është rasti i vetëm. Në qytete e fshatra të Shqipërisë ka me qindra gra që jetojnë nën terror, që durojnë dhunën e burrave dhe përjetojnë ankthin e fëmijëve. Për shumë arsye ato nuk denoncojnë. Ato nuk e kanë kulturën juridike, nuk kanë guxim, nuk kanë besim se shteti do ta zgjidhë çështjen, janë tmerrësisht të varfra për të përballuar jetën pa burrin, i cili, edhe pse i dhunshëm, është "shtylla e shtëpisë". Por as ne të tjerët që jemi dëshmitarë të skenave të dhunës nuk denoncojmë. Ne mund ta shikojmë fqinjin teksa ushtron dhunë në familjen e tij dhe mbyllemi në strehën tonë, duke menduar se "në fund të fundit gruan e tij po rreh". Rastet e dhunës padyshim që u përkasin familjeve me nivel të ulët arsimor e kulturor, por bashkëpërgjegjës në këtë realitet jemi edhe ne të tjerët që bëjmë spektatorin kur e konstatojmë. Përpara se të kujtohemi një herë në vit për ta respektuar apo për të propaganduar rolin e gruas në shoqëri, ne duhet të pranojmë se gruaja nuk ka nevojë për mëshirë, por për të qenë e barabartë. Kush janë këta burra shteti që guxojnë të thonë se gruaja meriton 30% të Parlamentit dhe 30% të qeverisë? Po nëse nuk ka mjaftueshëm, ka shumë gra të afta, mos vallë duhet të vëmë të paafta në poste vetëm për të plotësuar 30 përqindëshin? Po nëse ato janë shumë herë më të afta se ne burrat, mos vallë duhet t‘i nxjerrim jashtë, sepse u plotësua 30 përqindëshi? Ne burrat nuk jemi pronarët e pushtetit dhe politikës që të vendosim ne se sa do t‘u japim grave nga kjo pronë. Kur kjo është e atyre që bëjnë shtetin e drejtojnë politikën, ai burri atje në fshat ka të drejtë të vendosë se sa ditë gruaja do të flejë në shtëpi dhe sa ditë jashtë, sepse shtëpia është e tija. Askush nuk ka të drejtë të parcelizojë dhe vijëzojë hapësirën e konkurrencës. Gruaja duhet lënë e lirë të marrë aq sa meriton nga të gjitha fushat e jetës, dhe jo aq sa i japin me konsensus burrat e fortë të politikës dhe shtetit.
Dje, nga burgu i grave në Tiranë, mes 15 grave që përfituan nga falja e Presidentit të Republikës, dolën edhe pesë gra nga një fshat i Fierit. Ato ishin gra të vrara nga puna e vuajtjet dhe askush nuk mund ta përcaktonte moshën e saktë nga pamja e jashtme. Ato ishin të gjitha nga një lagje dhe ishin dënuar për kultivim lëndësh narkotike dhe kishin qëndruar nga një vit në burg. Por çfarë kishin bërë këto gra? Kur policia kishte zbarkuar në fshat dhe gjeti bimët e cannabis-it, burrat u fshehën dhe gratë u dolën përpara policëve, duke marrë përgjegjësinë e mbjelljes së bimës narkotike, sepse e dinin që ligji mund të tregohet më tolerant me to. Dhe nuk e kishin gabim, pasi sot ato janë pranë fëmijëve. Por fabula nuk është kjo. Lajmi është që ato gra me duar të rreshkura nga puna, bënë burgun në emër të burrave të tyre, edhe pse jetojnë në një vend ku një fjalë e urtë thotë se "burgu për burrat është". Dhe të jemi të sigurtë se asnjë prej tyre nuk ka marrë mundimin t‘i përgatisë një filxhan kafe, kur gruaja është kthyer në shtëpi "nga burgu i burrave". Palo burra!