Para pak ditësh pata një diskutim interesant me një përfaqësues të një vendi europian, njohës të ekonomisë shqiptare. Konstatova tek ai një shqetësim të ngjashëm me timin lidhur me masat e pamjaftueshme të marra nga qeveria shqiptare në përballimin e ndonjë thellimi eventual të krizës greke dhe ndikimit negativ të saj në ekonominë shqiptare.
Për të edhe masat e Bankës Shqipërisë ishin të pamjaftueshme; përfshirë dhe vendimin juridik të Bankës së Shqipërisë mbi bankat “passarela”, d.m.th. për shkëputjen e degëve të bankave greke nga bankat mëma, për funksionimin e tyre si banka më vete në territorin shqiptar, në mënyrë të veçantë për të shmangur rrezikun e ndonjë falimenti të mundshëm të tyre në Greqi. Edhe pse është relativisht vonë, është më se i domosdoshëm trajtimi i hapur i këtij problemi, vlerësimi i plotë i masave monetare e financiare në përballimin e tij, të skenarëve të mundshëm. Në vend të komenteve pa bukë, “shit-blerjeve” politike apo orientimit opinion-bërës, ai duhet të ishte dhe të mbetet pjesë e rëndësishme e analizës dhe e debatit politik, institucional, parlamentar e mediatik në mjedisin shqiptar në përputhje me skenarët e mundshëm në Greqi?…
Disa skenarë
Rezultati i zgjedhjeve të 6 majit në Greqi dhe pamundësia për krijimin e një qeverie pas zgjedhjeve, e ka rritur jo vetëm interesin ndërkombëtar për rezultatet e pritshme të zgjedhjeve të 17 qershorit, por dhe ka mobilizuar, përveç politikës dhe financave, struktura të ndryshme të analizës e prognozës për rekomandimin e marrjes së masave konkrete ndaj skenarëve të pritshëm ndaj situatave të ndryshme pas zgjedhjeve greke. Nisur dhe nga sondazhet, në mënyrë të përmbledhur, disa variante të mundshme zgjidhjesh janë: zgjidhja pro Trojkë e qëndrim në Eurozonë; varianti anti-Trojkë, por qëndrim në Eurozonë; krijim i një qeverie anti-Trojkë dhe dalje nga Eurozona, por pa ndonjë infektim serioz financiar-monetar (Greqia kthehet tek dhrahmia dhe njëkohësisht Eurozona bëhet më e integruar në kuadër të një bashkimi fiskal); një skenar i ngjashëm, me qeveri anti-Trojkë dhe dalje nga Eurozona, por me infektim serioz të Eurozonës (vendet anëtare të saj nuk arrijnë të mirëkuptohen e bashkëpunojnë në veprimet e mëtejshme, deri mos ruajtjen e monedhës së përbashkët).
Zgjedhjet e 17 qershorit
Vite më parë, për zgjedhjet në Greqi, vetëm pak njerëz jashtë Greqisë mund të interesoheshin për to. Natyrisht, ata të lidhur me mbarëvajtjen e biznesit të tyre në këtë vend. Ndërsa, sot, Eurozona apo i gjithë sistemi financiar global pret me “zemër të ngrirë” rezultatet e 17 qershorit. Aq më tepër që edhe rezultati i këtyre zgjedhjeve mbetet krejt i pasigurt.
Sipas Kushtetutës së Greqisë, Parlamenti me afat normal 4-vjeçar përbëhet prej 300 deputetësh, mbështetur në një sistem proporcional, sipas të cilit partisë që radhitet e parë në zgjedhje i shtohen dhe 50 vende shtesë në Parlament. Në fakt, 238 vende dalin nga 8 zona me një zgjedhje, 48 zona me shumë zgjedhje dhe 12 vende përcaktohen sipas përllogaritjes kombëtare.
Siç duket nga sondazhet, pas këtyre zgjedhjeve mund të ndeshen këto variante pas zgjedhore:
- Syriza del e para në zgjedhje dhe formon qeverinë me parti të tjera të orientuara më majtas. Ky skenar duket si i pamundur, në sajë të marrëdhënieve të vështira midis këtyre partive apo rezultateve të tyre. Por ama, ky rezultat e rrit probabilitetin e daljes së Greqisë nga Eurozona në një kohë të afërt.
- Syriza kontribuon në krijimin e një qeverie centriste dhe heq përkohësisht dorë nga kërkesat e saj kundër “bailout”-it dhe masave shtrënguese. Edhe pse si skenar duket gati-gati i pamundur, ai duket deri diku pozitiv, pavarësisht se investitorët mund të mos kenë besim në kohëzgjatjen e këtij koalicioni.
- Sipas rezultateve zgjedhore, mundësia e vetme është një qeverisje jetëshkurtër teknokratësh, që e bën përkohësisht të mundur zbatimin e kërkesave të Trojkës, por që nuk rikthen besimin e investitorëve. Një skenar i tillë varet nga mbështetja ose jo e Syriza-së, por në çdo rast më i mundshëm se dy skenarët e parë.
- Një rezultat tjetër është mundësia e një koalicioni midis Demokracisë së Re dhe PASOK-ut, me mbështetje nga ndonjë parti e vogël. Edhe pse i konsideruar si më pozitiv dhe më kohëgjatë për vazhdimin e reformave, mbetjen në Eurozonë dhe marrjen e fondeve të parashikuara, probabiliteti i këtij rezultati disa ditë para zgjedhjeve është ende nën 50%.
Prognoza e Bankës Gjermane
Siç u theksua më sipër, disa nga skenarët e mundshëm të qeverisjes pas zgjedhjeve në Greqi, sipas variantit të konsideruar si më pozitiv tek ai më negativ, janë: 1. një koalicion pro qëndrimit në Eurozonë dhe ruajtjes së euros (me probabilitet për t’u drejtuar nga Demokracia e Re); 2. një koalicion pro Eurozonës, por që mund të çojë gradualisht në shkëputje të Greqisë, me dy nuancat e mëposhtme: a) duke plotësuar hapa të domosdoshëm të programit të Trojkës, pra dhe pa ndikime apo “infektime” të mëdha në planin europian e ndërkombëtar, b) pa ndjekur programin e Trojkës, pra dhe me ndikime të mëdha në nivel europian e global; 3. një qeveri që është kundër masave shtrënguese, por që do të përpiqet për mos daljen e Greqisë nga Eurozona, të paktën deri në vitin 2012; 4. një qeveri që është kundër masave shtrënguese, por që: a) bën kujdes për daljen pa dhimbje të Greqisë nga Eurozona, apo b) provokon një tërmet europian, deri global.
Në varësi të këtyre skenarëve, sipas Bankës Gjermane, mund të grupohen në vija të përgjithshme dy raste “ombrellë”: rasti më i favorshëm – qëndrimi i Greqisë në Eurozonë, që do të pasqyrohet edhe në raportin (euro/dollar), me një luhatje të mundshme në intervalin 1.25 -1.30; dhe rasti i pafavorshëm me dalje të Greqisë nga Eurozona, të bashkëshoqëruar me një tronditje në Eurozonë, që mund të shkaktojë një rënie të raportit (euro/dollar) deri në vlera mesatare rreth vlerës 1.10 (por jo poshtë barazisë së tyre). Sipas kësaj banke, nisur dhe nga probabiliteti apo peshat statistike të të gjitha varianteve, masat e marra prej kësaj banke janë të orientuara drejt një raporti mesatar (euro/dollar) = 1.2285 (Shihni tabelën konkrete të kësaj banke).
A ka prognozë shqiptare?
Ndoshta, mund dhe të ketë ndonjë variant të përgatitur, por në media apo në Kuvend nuk është diskutuar diçka e tillë. Aq më tepër që pa kontributin e opozitës dhe të vetë biznesit shqiptar, masa të tilla reaguese jo publike, në rastin më të keq, mbeten të njëanshme, kurse, në rastin më të mirë, të pamjaftueshme, deri të pambështetura politikisht e financiarisht. Pa harruar këtu dhe pakujdesitë e politikës shqiptare në rrafshin ekonomik-financiar. Pse jo dhe faktin që brenda saj nuk mungojnë individë që “premtojnë ndërtim urash dhe atje ku nuk ka lumenj”!
Një çështje më vete është dhe prognoza në tregun monetar, detyrë kjo e Bankës së Shqipërisë. Sipas ecurisë së krizës greke, a duhet të ruhen më tej këto norma interesi për depozitat në lek? Cilat janë parashikimet e kësaj banke për ecurinë kohëshkurtër e kohëgjatë të raporteve ndaj lekut të dy monedhave kryesore: (lek/euro) dhe (lek/dollar), në reflektim edhe të skenarëve grekë? Po ashtu, nisur dhe nga prognoza gjermane, a nuk duhet të analizohet metodologjia e saj për t’u pasqyruar në raportet e mësipërm në kushtet aktuale shqiptare dhe ata të pritshëm? Çfarë do t’i rekomandohet biznesit, sidomos atij që ka të bëjë me importin dhe eksportin? Etj., etj. Këto janë disa pikëpyetje, por situata greke dhe rrjedhojat e saj në ekonominë shqiptare, ndikimi social i saj në Shqipëri duhen analizuar në mënyrë të gjithanshme, në varësi dhe pasqyrim të zhvillimeve në Greqi e Europë.
Kjo ishte dhe ndjeshmëria që më transmetoi miku europian, kur ndjeu shqetësimin tim. Këtë ndjeshmëri të tij, por dhe timen, unë po ia kaloj dhe lexuesit të gazetës.