Komunuelth është një koncept juridik, por jo vetëm. Në histori ka njohur evolucion thelbësor: nëse në interpretim fjalë për fjalë, duhet të përkthehet si ekuivalenti anglisht i fjalës latine "respublica", apo "e mira e përbashkët", apo "mbrothësia e përbashkët", kjo formë e organizimit shtetëror ka ndryshuar shumë që nga koha kur u përdor për herë të parë nga Kromuelli. Ka kaluar nga forma organizimi që kanë disa apo një institucion të përbashkët në krye, në forma më të çlirëta, të tipit të ish-republikave sovjetike. Në të gjitha rastet është një shoqërizim shtetesh sovrane, që diku bashkohen nga gjuha, diku nga tradita historike e përbashkët.
Por a mund të mendojnë shqiptarët për një Komunuelth ekonomik të tyre, që Arbër Xhaferri, në një konferencë kushtuar bashkëpunimit ndërshqiptar, e ka quajtur "Mbrothësia e Përbashkët Shqiptare"? Vite më parë do të dukej blasfemi, por jo sot. Të gjithë e kujtojnë reagimin ndaj idesë së shprehur nga Arben Imami, pak vite më parë, kur statusi i Kosovës nuk ishte përcaktuar ende. Sigurisht Imami, asokohe ministër në qeverinë e Metës, nuk e kishte kaq të strukturuar idenë dhe nuk para preferonte ekonominë si fushë ushtrimi intelektual, megjithëse sot a posteriori, mund të tentojë ta përsosë idenë e vjetër, dhe të thotë: unë e kam thënë i pari.
Pse sot duket se situata është ndryshe? Sepse sot kemi dy shtete që me gjithë presionin ndërkombëtar, janë shtete shqiptare. Kosova nuk është ende shtet që bën jetën tipike ndërkombëtare të një shteti në të gjithë elementët e sovranitetit, por në marrëdhëniet dypalëshe, apo nga organizatat ndërkombëtare më të rëndësishme në botë konsiderohet si i tillë. Dhe nëse bashkësia ndërkombëtare ka frikë nga bashkimi i këtyre shteteve shqiptare "de facto", me siguri kuadri ekzistues i normave, i marrëveshjeve me Bashkimin Evropian e favorizon bashkimin ekonomik. Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë dikur, ajo e CEFTA-s, sot, favorizojnë heqjen e kufijve për mallrat dhe bizneset. Marrëveshjet e qarkullimit të lirë të njerëzve heqin vizat, pra i heqin kufijve dhe ngarkesën politike më të rëndësishme, ndërsa dihet se as Shqipëria nuk pretendon pjesë të territorit të Kosovës, as e anasjellta.
Në këto kushte, vetë Bashkimi Evropian është i interesuar për bashkimin ekonomik apo tregtar të shqiptarëve, brenda rajonit ku ata gjenden si komb para se të përfshihen në organizatën evropiane. Ideja e Arbër Xhaferrit ndoshta duket pak e guximshme, si të gjitha idetë e tij, aq më tepër që ai sot nuk është në politikë. Por që të mund të punohet për një mbrothësi të përbashkët mes shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë, nuk duket e pamundur dhe as e frikshme. Për këtë arsye dy universitete në Prishtinë dhe në Tiranë iniciuan konferencën për bashkëpunimin ekonomik midis Kosovës dhe Shqipërisë. Universitetet, kapacitetet akademike, intelektualët rreth dhe brenda tyre, i paraprijnë zhvillimit me idetë dhe projektet e tyre, pa u tutur për komplekset e politikës. Duhet të hapen më së pari pista të reja diskutimi rreth sfidave ekonomike të Kosovës dhe rolit që duhet të kishte Shqipëria, për të ndihmuar atë, por dhe veten. Ne jemi partnerët e fundit në rajon për njëri-tjetrin, kemi ritme të ulëta zhvillimi në raport me nevojat tona, mund të krijojmë sisteme ekonomike komplementare, por për këto duhet të diskutohet gjatë tash e tutje. Të hiqet dorë nga retorika entuziaste e post pavarësisë.
Të gjithë ekspertët e mbledhur në takimin e parë të llojit të vet, embrioni i forumit të përvitshëm ekonomik Shqipëri-Kosovë, u shprehën në të njëjtën linjë, madje dhe ministrat, siç bëri zoti Genc Ruli, duke iu referuar sektorit energjetik, ku dy vendet kanë probleme, madje janë të vetmit që kanë probleme. Pra Ruli foli për një sistem të përbashkët energjetik. Imami nuk mund të flasë sot, por ama, mund të pretendojë se unë isha i pari.
Esenca, emëruesi i përbashkët i këtyre ideve, mund të ketë kulmin te fjalët e Arbër Xhaferrit, ideologut të shqiptarësisë, i cili kërkoi "krijimin e një komunuelthi ekonomik shqiptar", një koncept që ai e shqiptarizoi, duke e quajtur "mbrothësia e përbashkët shqiptare". Ndërsa Elinor Bajraktari, një ekspert tjetër shqiptar e quajti "ndërtim i një sistemi në dy shtete", diçka që i referohej vetëm ekonomisë në shikimin e Bajraktarit. Ishte një referencë ndaj rastit të trupëzimit apo inkorporimit të Hong-Kongut në Kinë, kur u përdor shprehja "një shtet, dy sisteme".
Çfarë mund të kërkohet në zbatim të këtij emëruesi? Si mund të ecet kah shtrimi i rrugës së Komunuelthit thjesht e vetëm ekonomik, pa krijuar shqetësime te fqinjët, ose të paktën për të provokuar tek ata shqetësime të kalkuluara për të na marrë më seriozisht? Duhet të institucionalizohet bashkëpunimi ekonomik midis Shqipërisë dhe Kosovës, duke krijuar një komitet të përbashkët ekonomik, me nënkomitete në sektorët me interes reciprok si energjia, transporti, arsimi, bujqësia, etj. Duhet të organizohet çdo vit një samit i përbashkët kryeministrash; dhe çdo vit të mblidhet një forum i përbashkët ekonomik. Kjo nuk duket një muzikë e re panshqiptare: e kanë bërë të gjithë pavarësisht kombësive të tyre, pse nuk duhet ta bëjmë ne?