Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Duhet nje rritje ekonomike mbi 5-6%

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 13 vite më parë

Rexhep Meidani
Duhet nje rritje ekonomike mbi 5-6%

Ditët e fundit, në media është pasqyruar në detaje skema e kategorizimit të pagave dhe e rregullimeve të qeverisë për to. Ndërsa pak kohë më parë hyri në fuqi edhe vendimi i qeverisë për pensionet dhe pagat. Natyrisht, një shtesë modeste kjo për të mbuluar sadopak koston në rritje të jetesës së familjeve shqiptare, sidomos atyre me të ardhurave të ulëta. Por, me to, krahas nevojës për transparencë financiare, lidhet dhe faqja tjetër e “medaljes” fiskale: sa shtrëngimi i tepruar i shpenzimeve publike, po aq dhe “flluskimi” i faturës buxhetore…

A MUND TË VENDOSET RREGULL I PLOTË NË FINANCAT PUBLIKE NË KUSHTE KRIZE?

Duket tepër e komplikuar, edhe pse hidhen lloj-lloj idesh për taksimin dhe buxhetin, tregun e punës, vlerësimin ekologjik, shkollimin e formimin profesional, investimet etj. Midis propozimeve ndeshet dhe ai ku si zgjidhje konsiderohet përfshirja e kufirit të deficitit dhe borxhit publik (në përqindje të PBB-së) në Kushtetutë, si një detyrim i ndeshur te gjermanët. Edhe pse shfaqet si propozim i “bukur”, ai duket i tepërt. Aq më tepër që, në kushte thellimi të krizës, kur nuk mund të ketë më zgjidhje tjetër, ajo që mbetet është dhunimi i një neni të tillë në Kushtetutë. Pikërisht kjo kundërshti midis thjeshtësisë e domosdoshmërisë u shfaq në trajtë tepër serioze (në kuadër të Paktit të Stabilitetit dhe rritjes ekonomike) gjatë krizës së borxhit në Eurozonë me shkeljen e kritereve të përcaktuara për deficitin dhe borxhin. Madje, një mosrespektim i tillë është ndeshur edhe kohë më parë tek Franca e Gjermania!… Në një mënyrë apo tjetrën, një ndryshim i tillë kushtetues, jo vetëm që ka peripecitë e tij, por ai mund të shërbejë dhe si alibi politike për një menaxhim të gabuar ekonomik.

Sepse, mjaft probleme të lidhura me ekonominë nuk janë aq të ngurta, por elastike e variabël, kurse parashikimi numerik është relativisht fluid. Madje, pavarësisht miratimit parlamentar të paketës fiskale dhe ligjit të buxhetit, në dhjetor për vitin pasues, kur nuk realizohen shifrat e planit dhe parashikimet e bëra, trajtohen gjatë vitit po në Parlament korrigjimet e nevojshme në buxhet. Një procedurë e tillë, nga fare e rrallë është bërë praktikë e zakonshme gjatë qeverisjeve të fundit. Duke pasur parasysh edhe këtë përvojë jo normale, një kushtëzim kushtetues mbi deficitin dhe borxhin do të ishte një vështirësi shtesë, një barrierë shqetësuese për manovrime të shpejta dhe korrigjime të domosdoshme ekonomike-financiare…

KATËR MUNDËSITË

Vlen të konsiderohen katër mundësi (rrugë) ose instrumente për kapërcimin e vështirësive aktuale të deficitit dhe borxhit. Ato trajtohen shkurtimisht më poshtë:
E para është rritja ekonomike. Nënkuptohet që nëpërmjet saj mund të reduktohen shpenzimet për papunësinë dhe asistencën sociale, ndërkohë që edhe taksat e TVSh-ja shtohen në mënyrë automatike. Ndërsa rritja e borxhit dhe tkurrja e ritmit të rritjes ekonomike shoqërohet në kohë me rritje të varfërisë. Sipas vlerësimeve teknike, rritja ekonomike përftohet fillimisht nga shtresat e pasura, më tej nga ato të mesme dhe në fund ato të varfra, dhe anasjelltas.

Madje, pranohet se për një rritje ekonomike prej 3% përftojnë praktikisht vetëm të pasurit; Në intervalin 3-6% përfton dhe shtresimi i mesëm i popullsisë, kurse rritjen mbi 6% fillojnë ta ndiejnë dhe shtresat e varfra. P.sh., në Shqipëri, rritja ekonomike prej 2-3% e vitit të fundit e ka bërë të dukshme rënien e konsumit, gjë që flet për një rënie të qartë të mirëqenies. Parë me këtë sy, në kuadër të këtij mekanizmi, çështja kryesore është se si mund të arrihet në një rritje tej këtij niveli të pamjaftueshëm? Për këtë arsye, një kujdes shtesë, shoqëruar me incentivat e duhur, kërkojnë investimet e huaja të drejtpërdrejta. Mbi të gjitha, kërkohet një vullnet politik real dhe impenjim serioz në luftën kundër korrupsionit, që rezulton si pengesë jo e vogël për vetë këto investime.

Mekanizmi i dytë lidhet me inflacionin. Sidomos ky lloj “sporti” është shfrytëzuar në disa vende të Europës Perëndimore në vitet 1970 dhe 1980, nisur nga pretendimi se një rritje e vogël e inflacionit e redukton borxhin. Veçse ky lloj mekanizmi nuk mund të administrohet lehtë, aq më keq që nuk arrihet të përcaktohet dot “çelësi” i të qenët e tij më i vogël apo më i madh. Gjithashtu, me zhvlerësimin e monedhës, ata që vuajnë më shumë, janë familjet me të ardhura të pakta.

Një mekanizëm i tretë është ulja e shpenzimeve publike. Por, me kujdesin që të mos shoqërohet një ulje e tillë me deflacion! Një “pistë” e tillë, me reduktime buxhetore, është shfrytëzuar në Shqipëri sidomos dy vitet e fundit. Ajo mund të shoqërohet me rënie konsumi, duke frenuar kështu ciklin ekonomik pozitiv. Problemi bëhet kritik kur ulja e këtyre shpenzimeve publike prek masat sociale apo shpenzimet për personelin në fusha të ndryshme, përfshirë dhe atë në administratën publike.
Mekanizmi i katërt është mekanizmi fiskal apo ai i taksimit.

Nisur dhe nga konfrontimi publik PD-PS mbi sistemin e taksimit, vlen të bashkëpunohet për një reformë fiskale më frytdhënëse. Mbi të gjitha, duhen konsideruar e debatuar elemente të tilla që mund ta bëjnë taksimin më të drejtë, shumë më efektiv dhe të barabartë për kontribuuesit dhe shumë më rentabël për shtetin. Nga ecuria e shifrave duket se me sistemin aktual është arritur ngopja, madje janë shtuar elemente të “zbythjes”…

ÇFARË DUHET BËRË?

Personalisht, nuk besoj se pista e inflacionit, përveç “lojës” së rrezikshme, vështirë që të prodhojë diçka pozitive. Edhe përfshirja në Kushtetutë e kufijve të deficitit e borxhit, jo vetëm që kërkon mirëkuptim midis forcave politike, por nuk është as rrugëzgjidhje. Për sa u përket shpenzimeve publike, në fazën aktuale, më shumë se ulje e mëtejshme e tyre, kërkohet sa efektivitet dhe nikoqirllëk më i madh, po aq dhe planëzim e mençuri. Sepse, në fund të fundit, investimet publike e përgatisin shoqërinë për një rritje të mëtejshme. Po ashtu, duhet analizuar, pse jo dhe prekur “tabuja” fiskale, për një ndërthurje të elementit proporcional me atë progresiv. Nga ana tjetër, të shihet dhe çështja e TVSh-së sociale dhe e asaj të gjelbër (aq më tepër që TVSh-ja në vetvete është një taksë proporcionale, jo progresive). Mund të diskutohen dhe mundësi të tjera, p.sh., mund të taksohen më pak se të tjerat kompanitë që i investojnë përsëri fitimet e tyre: që punësojnë më shumë njerëz etj.

Me pak fjalë, nga një shikim i gjithanshëm, shfaqen ngërçe e probleme për të katër instrumentet (levat) e uljes së deficitit dhe të borxhit publik. Pra, realizimi i rritjes ekonomike është i vështirë; po i tillë është ekonomizimi buxhetor; edhe inflacioni është problematik, deri i rrezikshëm, kurse reforma fiskale kërkon vizion, mirëkuptim e kohë. Aq më tepër që realizimi i suksesshëm i saj kërkon vazhdueshmëri veprimi e mendimi të palidhur me rrotacionin politik, vazhdueshmëri ligjore-administrative dhe mbrojtje të nëpunësit civil, ndryshe nga përvoja e tranzicionit shqiptar.

Duke u rikthyer te rritja ekonomike, praktika dëshmon se problemi nuk është fare evident. Nuk ekzistojnë as zgjidhje të gatshme dhe as definitive. Kjo rritje nuk mund të dekretohet, thjesht mund të planëzohet. Po ashtu, në rastin shqiptar, disa nga vështirësitë për t’u kapërcyer janë: garantimi i garës së ndershme, rritja e shkallës së konkurrencës; ulja e ngarkesës fiskale dhe shtimi i rrogave; shtimi i masave për ruajtjen e mjedisit dhe shëndetit; rregullimi ligjor e strukturor i mbrojtjes sociale, efektiviteti i saj në funksion të kohezionit social dhe harmonisë në gjirin e shoqërisë, për të mos lejuar ose reduktuar krijimin e “shtresimeve sociale të rrezikshme”. Ndërthurja e drejtë e këtyre aspekteve, rregullimi i drejtë i binomit rrogë-ngarkesë fiskale, ndikojnë në një mënyrë apo tjetrën te konsumi, kurse, vetë konsumi, nga ana tjetër, mbetet një nga faktorët vendimtarë të rritjes ekonomike.

Me vlerë për rritjen është vazhdimi i mbështetjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Gjithashtu, si faktor i rëndësishëm i rritjes, krahas edukimit të përgjithshëm, vlen paralelisht edhe formimi teknologjik profesional. Nisur nga përvoja anglosaksone, mund të eksperimentohet po ashtu punësimi i përkohshëm pas shkollës së mesme, sidomos pas mbarimit të 3 viteve të shkollimit universitar, pikërisht para vazhdimit të studimeve “Master”. Kjo mund të shërbejë, midis të tjerash, edhe për të ndërlidhur më mirë botën akademike me atë të biznesit…

Së fundi, nisur nga kriza globale financiare apo ajo e borxhit në eurozonë, në përpjekjet për rritje ekonomike nuk mund të veprohet më si parë, sepse, siç shihet sot, nuk mund të ketë shkëmbim të lirë pa kufij e rregulla, pa disiplinë fiskale. Ndërkohë, dhe kalimi në proteksionizëm është një gabim me pasoja (pavarësisht që në situata krize, ky proteksionizëm mund të jetë vetëm i përkohshëm e sektorial dhe nën një mbikëqyrje të specializuar, kombëtare, rajonale e globale). Po ashtu, kriza financiare dëshmoi se duhen korrigjuar tezat e neoliberalizmit ekstrem. Bile, darvinizmi social i Hayek e Friedman, në terma moralë (jo ekonomikë), është i papranueshëm. Në vend të tij, duhet të rikonceptohet më tej sistemi i mbrojtjes sociale me disa kolona (me ndërthurje publike e private), duke ruajtur vlerat e humanizmit, solidaritetit e vëllazërisë midis anëtarëve të një komuniteti nacional. Për këtë kanë nevojë dhe shqiptarët. Sepse një sistem i tillë mbrojtjeje e vlerash i redukton pasojat negative të krizës aktuale, i bën ato më të përballueshme…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama