Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A mund të “diskualifikohet” si anti-globalist reagimi civil?!

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 13 vite më parë

Rexhep Meidani
A mund të “diskualifikohet” si anti-globalist reagimi civil?!

E kemi ndeshur këtë lloj “diskualifikimi” të reagimit qytetar në rastin e projektit tepër “luksoz” të trenit elektrik gjatë qeverisjes socialiste  (qeverisë Nano). E kemi ndeshur, po ashtu, atë “diskualifikim” gjatë qeverisjes demokratike (qeverisë Berisha), kur u reagua ndaj projektit të reaktorit bërthamor (të mbështetur nga Italia, ndërkohë që atje, në sajë të kundërshtimit popullor, një projekt i ngjashëm ishte ligjërisht i pamundur). Ndodhi tmerri japonez që euforia ndaj këtij projekti u bë zero, të paktën deri tani! E kemi ndeshur këtë lloj “diskualifikimi” propagandistik në rastin e reagimit qytetar ndaj importit të plehrave (ku në mbështetje të qeverisë kundër kërkesës së shoqërisë civile u aktivizua dhe pjesa shumicë e KQZ-së), pavarësisht që tani po “kalohet” në një listë më të reduktuar mbeturinash. E ndeshëm këtë “diskualifikim” edhe ndaj një “antiglobalisti” të medias në trajtimin e temës serioze të “hidrocentralizimit”. Aq më tepër, që për një shtrirje të mëtejshme në të gjithë territorin ajo duhej të ishte shoqëruar me një analizë të thellë e publike për gjetjen e raportit sa më të drejtë: natyrë (turizëm, shëndet etj.) – zhvillim i qëndrueshëm (ku energjia në rritje është pjesë e domosdoshme e tij). Ndoshta, ka dhe shumë shembuj të tjerë, por dhe kaq mjafton për të mos e pranuar, sidomos për të mos e lejuar më tej gëlltitjen e një epiteti të tillë. Prandaj, po ndalojmë këtu!…

“Globalizimi nga sipër” dhe “globalizimi nga poshtë”.

Globalizimi ekonomik mishëron në vetvete integrimin e ekonomive kombëtare në një ekonomi globale nëpërmjet tregtisë, investimeve të huaja të drejtpërdrejta (veçanërisht të korporatave e multinacionaleve), rrjedhjeve të kapitalit, transferimit ndërkombëtar të fuqisë punëtore, përhapjes së teknologjisë etj. Natyrisht, ai bashkëshoqërohet nga aspekte të tjera të globalizimit, mbi të gjitha, nga ai kulturor (i afektuar nga globalizimi ekonomik) apo ai i informacionit, komunikimit e telekomunikimit (që është faktor bazë në thellimin e globalizimit ekonomik). Në fakt, kombinimi i institucioneve të Bretton Woods, i shteteve dhe korporatave multinacionale, është dhe thelbi i globalizimit ekonomik apo i “globalizimit nga sipër”. Veçse, me kalimin e viteve, janë shformuar disa nga synimet dhe idetë e tij. Madje, është rritur trysnia e gjithanshme për të pranuar gjithçka në funksion të fitimit! Për më tepër, në fund të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, “elitat drejtuese” në mjaft vende janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, gjoja në funksion të zhvillimit, zgjerimit të tregjeve dhe investimeve, në veprimtari të llojllojshme për interesa personale, politike dhe ekonomike. Si rrjedhojë, një gjë e tillë është shoqëruar me pakënaqësi qytetare, me reagim civil. Pra, në sajë të deformimit, jo thelbit të tij, globalizimi është bërë gradualisht objekt sulmi e kritikash të shumta. Paralelisht janë shpalosur edhe “filozofi” kundërvënieje, shoqëruar me reagime masive. Kështu, ka nisur organizimi i lëvizjeve të ndryshme për të sfiduar këto interesa. Ky lloj reagimi popullor është emërtuar thjesht “antiglobalist”, dhe përmbajtja e një lëvizjeje të tillë “antiglobalizëm” apo “globalizim nga poshtë”…

Antiglobalizëm? Përse?!…

Përse këto reagime e kritika ndaj globalizimit? Çfarë i shqetëson më tepër kritikuesit e tij? Në fakt, mund të veçohen dy grupe, më të dallueshme midis tyre. Kështu, në grupin e parë përfshihen ata kritikues e protestues, që antipatinë ndaj globalizimit e kanë të kushtëzuar me padrejtësitë sociale (sidomos pas kontakteve virtuale me to). Për shumë prej tyre, globalizimi shihet si një shtrirje e kapitalizmit në botë, pa treguar kujdes për aspektet sociale, sidomos në reduktimin e diferencave, tepër të dhimbshme në mjaft vende. Përgjithësisht, ata vijnë nga shtresime intelektuale dhe orientime ideologjike të ndryshme, por edhe pse nuk kanë ide e ndjesi të njëjta midis tyre, shfaqin pakënaqësi të dukshme me ngjyrime: antikapitaliste, antiglobaliste e antikorporative. Angazhimi i tyre është i arsyeshëm dhe, përgjithësisht, pa konflikte fizike e turbullime qytetare. Veçse, normalisht, ata kërkojnë përgjigje publike të kujdesshme dhe të argumentuara. Por edhe veprim rregullues, transparencë, argumentim e korrigjim, jo demagogji e propagandë boshe! Këtë kërkonin, p.sh., ambientalistët në reagimin e tyre ndaj importit të plehrave, këtë kërkonte dhe F. Lubonja për hidrocentralizimin!…

Në grupin e dytë, ku shfaqet qartë dhe aspekti agresiv, shfrytëzohen pakënaqësi shumë më të dukshme dhe masive të ndeshura në procesin e globalizimit, pavarësisht që për disa prej tyre (p.sh, barazia gjinore dhe reduktimi global i varfërisë) prirja ka qenë pozitive në këtë proces. Motiv kryesor për mobilizim në këtë grup është thellimi i mjaft sëmundjeve sociale-ekonomike të ditëve tona, ku në vend të parë është rritja e papunësisë dhe varfëria e theksuar në vendet me të ardhura të ulëta; dhe, krahas tyre, ethja e pasurimit duke lënë tërësisht mënjanë kujdesin për shëndetin dhe natyrën, duke lejuar nëpër botë shkatërrimin e mjedisit, dëmtimin e tokës bujqësore dhe pyjeve, ndotjen e ajrit dhe ujit në botë.

Për ta, nuk konsiderohen pa përgjegjësi dhe mjaft institucione me reputacion e peshë ndërkombëtare, si: Banka Botërore – BB (që preokupimin kryesor ka zhvillimin dhe standardin e jetesës), Fondi Monetar Ndërkombëtar – FMN (që merret me stabilizimin e ekonomive të ndryshme, sidomos gjatë krizave financiare), Organizata Botërore e Tregtisë – OBT (që mbikëqyr sistemin botëror të tregtisë dhe liberalizimin progresiv të saj); agjencitë bilaterale të ndihmave, marrëveshjet e ndryshme në fushën e tregtisë si NAFTA etj. Pretendime të tilla kanë qenë, p.sh., ato mbi rolin e BB-së, kushtëzimet e tepruara të FMN-së mbi kontrollin ekonomik dhe marrjen e ndihmave, apo ato të OBT-së për mundësitë tregtare, sepse jo gjithmonë këto kushtëzime kanë qenë të dobishme dhe efektive. Pikërisht për këto arsye, vitet e fundit, këto institucione, gjatë takimeve e mbledhjeve plenare, kanë qenë nën goditje agresive të protestuesve të ardhur nga të gjitha anët e botës. Këto protesta të ashpra kanë qenë, në fakt, një farë taktike “guerile”. Gjatë tyre me mijëra gazeta dhe televizione raportojnë për kërkesat e protestuesve, por, mbi të gjitha, përcjellin në të gjithë botën reagimin dhe dhunën e ushtruar në teatrin e rrugës.

Në fakt, gjatë protestave të tilla, policia ka përdorur gaz lotsjellës, pluhur apo solucione djegëse për mukozat e frymëmarrjes, plumba druri e gome, shkopinj dhe autoblinda uji, kuaj për të shpërndarë demonstruesit etj. Kështu, p.sh., në mbledhjen e G8, në nëntor 2000, në Montreal, edhe pse ishte parashikuar një protestë festive tepër masive (antiglobaliste), policia, duke i ndarë zonat e demonstrimit në të “gjelbra” (ku lejohej protestimi), në të “verdha” (ku nuk lejohej ai, por me mundësi më të vogël konfrontimi dhe rrezik arrestimi) dhe në të “kuqe” (ku përplasja me policinë ishte e drejtpërdrejtë dhe e ashpër). Pikërisht, në zonën e kuqe, policia e tejkaloi aty mandatin e saj, duke rrahur, dëmtuar, plagosur apo arrestuar një numër të madh protestuesish, duke mundësuar “shtimin e radhëve” në protestat e mëvonshme. Ndërsa në Gjenovë (2001), pati dhe një qytetar të vrarë me armë zjarri. Përplasje të ashpra kanë ndodhur në Berlin1988, Paris1989, Madrid1994, J18 (1999), Siatëll/N30(1999), Washington A16 (2000), Davos2001, Washington D.C. 2002, Porto Alegre (2002, 2003), Paris 2003, Londër 2004, Bombei 2004, Athinë 2006, Karakas, Bamako e Karaçi 2006, Najrobi 2007, Malmë 2008, Belem 2009, Stamboll 2010, Dakar 2011, etj. Në vend të gjetjes së përgjigjeve të duhura ndaj shqetësimeve qytetare, kritikave e reagimeve civile, në përplasje të tilla e gjithë energjia institucionale dhe policore përqendrohet thjesht e vetëm në bllokimin, shpërndarjen apo penalizmin e pjesëmarrësve të tyre. Ky ka qenë dhe gabimi!…

“Karta” e proteksionizmit

Edhe proteksionizmi, në procesin e globalizimit, është bërë shumë më i “kushtueshëm” për vendet me ekonomi të dobët; kurse, nga ana tjetër, vendet me ekonomi të fuqishme po e shfrytëzojnë “kartën e proteksionizmit” në interesin e tyre, pikërisht kur për vendet e tjera propagandohet, imponohet e kushtëzohet me forcë tregtia e lirë, pa lëshimin më të vogël! Këtë e ka vuajtur edhe Shqipëria e viteve të tranzicionit, sidomos në vitet e para të tij, disi dhe sot.

Në të vërtetë, në ndarjen e trashë në vende të varfra dhe vende të pasura, të parat, për shumë arsye, janë të paragjykuara, pra dhe të diskriminuara në tregtinë e lirë. Disa prej tyre, duke përjetuar vështirësi të shumta, e konsiderojnë tregtinë globale si një sistem të padrejtë, deri hipokrit. Në këtë mënyrë ata gjejnë përgjigje (por jo zgjidhje!) te proteksionizmi, duke prekur zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të tyre. P.sh., ky proteksionizëm do të ishte i dëmshëm për Shqipërinë, në një kuptim të gjerë, por ai mund të rezultojë i dobishëm për zëra të veçantë, që mbështesin prodhimin vendës dhe i shërbejnë zhvillimit ekonomik. Aq më tepër për ata zëra që janë jashtë veprimit të sistemit rregullator të OBT-së, p.sh., si ai i plehrave! Pra, pavarësisht strukturave rregulluese mbikombëtare, ndeshen jo rrallë: standardi i dyfishtë, tregtia e pandershme dhe hipokrizia proteksioniste. Për më tepër, elementet proteksioniste bëhen shumë më të dukshme në kushte krize, si në rastin e krizës globale financiare të viteve të fundit.

Pikërisht, nxjerrja në pah e deformimeve të tilla apo dobësimi i aspekteve humane në zhvillimin global janë bërë burimi kryesor i ndjesive antiglobaliste. Nëpërmjet tyre ideohet kundërvënia ndaj sistemit aktual ekonomik dhe atij të tregtisë globale, duke e përqendruar më tepër vëmendjen mbi abuzimet ndaj mjedisit e shëndetit, të drejtave të punës, sovranitetit në një kuptim relativ etj. Në vendet më pak të zhvilluara, problemet e mësipërme apo të axhendës sociale të qeverisjes shfaqen në mënyrë shumë më “beninje”, deri duke prekur rëndë interesat e këtyre vendeve dhe të banorëve të tyre…

Antiglobalizmi nuk mund të jetë “gogol” qeveritar ndaj reagimit qytetar.

Antiglobalizmi shpreh në vetvete kritikën në rritje ndaj globalizimit, sidomos ndaj pamjeve konkrete të kapitalizmit korporativ. Në një mënyrë apo tjetrën, këto pamje në ekonominë dhe tregtinë globale janë pagëzuar si “turbo-kapitalizëm” (E. Luttwak), si “fundamentalizëm tregu” (G. Soros), si “kazino-kapitalizëm” (S. Strange), si “kapitalizëm në gjendje kanceroze” (J. McMurtry) etj. Siç do të justifikohej për to edhe emërtimi “babëzi” me origjinë shqiptare!…

Sidoqoftë, nisur nga dobësitë apo deformimet e ndeshura, manifestimet antiglobaliste apo lëvizje të tjera popullore, me pjesëmarrje nga e gjithë bota, mishërojnë gjithnjë e më shpesh reagime për drejtësi sociale, në nivel global. Pjesëtarët e këtyre reagimeve, siç e prekëm më sipër, e bazojnë kritikën e tyre mbi disa probleme serioze, që shoqërojnë procesin e globalizimit. Midis të cilëve, duhet shtuar sot dhe fakti që korporatat multinacionale kanë fuqi tepër të madhe, shpesh të padisiplinuar (të ushtruar me marrëveshje tregtare dhe tregjeve financiare të parregulluara), deri dhe joligjore apo “mbi-ligjore”! Këtë e dëshmoi qartë dhe kriza financiare globale!

Aq më tepër që ndeshen raste, kur disa korporata akuzohen për maksimizimin e fitimit në kurriz të përkeqësimit të standardeve e sigurisë (ose stanjacionit), shkeljes së parimeve të punësimit dhe mosrespektimit të shkallës së kompensimit (apo pagesës), mosgarantimit të rregullave minimale të ruajtjes së mjedisit, integritetit të autoritetit legjislativ kombëtar, pavarësisë dhe sovranitetit etj. Ndaj tyre duhet reaguar, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Po të kuptohet mirë nevoja, madje domosdoshmëria e këtij reagimi, që detyrimisht do të sillte korrigjim; po të fuqizoheshin më tej lëvizje të tilla si “Occupy Wall Street” (por jo si “Act Now” e lënë në harresë, pa filluar!), mjaft gjëra do të ishin shumë më mirë. Sepse kjo ka qenë forca revolucionarizuese, ndryshuese e korrigjuese e reagimit civil!

Në këtë kuptim, edhe mjaft aktivistë të lëvizjes antiglobaliste si synim kryesor kanë realizimin e një forme globale integrimi, që të pasqyrojë shumë më mirë dhe më drejt përfaqësimin demokratik dhe pjesëmarrjen qytetare, të promovojë një tregti të ndershme dhe zhvillim të qëndrueshëm në nivel global, të mishërojë një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave, të mbështesë më tej barazinë gjinore dhe progresin e të drejtave të njeriut. Madje, në këtë kuptim, epiteti i përdorur antiglobalist, jo vetëm që është i keqqëllimtë, por në shumë raste synon të mbulojë deformimet e ndryshme, mbi të gjitha korrupsionin politik dhe atë të administratës qeverisëse.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama